17.9 C
Prizren
E enjte, 16 Prill, 2026
Home Blog Page 6801

U dhanë çmimet për shkencëtarët e vitit

0

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Arsim Bajrami, në një ceremoni të martën ka bërë ndarjen e çmimeve “Shkencëtari i vitit“ dhe “Shkencëtari i ri”, për vitin 2015.

Duke marrë parasysh rezultatet shkencore e kërkimore gjatë periudhës 1-vjeçare, në kategorinë “Shkencëtari i vitit 2015”, në pajtim me rekomandimet e këshillit shkencor të MASHT, ministri Bajrami mori vendim që ky çmim të ndahet për Dr. Avni Berisha, profesor i asociuar në Fakultetin e Kimisë dhe për profesorët e Fakultetit të Biologjisë në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”, Dr. Abdullah Alija dhe Dr. Halil Ibrahimi.

Ndërsa për kategorinë “Shkencëtari i ri” për këtë vit, u shpërblyen Armond Daci, kandidat doktorant e bashkëpunëtor shkencor në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”, Pranvera Ibrahimi, doktorante e bashkëpunëtore shkencore e Departamentit të Shëndetit Publik dhe Mjekësisë Klinike në Universitetin Umea dhe Valmir Krasniqi, doktorant dhe bashkëpunëtor shkencor në Departamentin e Matematikës, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Gjatë dhënies së çmimeve ministri Bajrami tha se rezultatet tregojnë që Kosova ka studentë dhe profesorë që punojnë me zell.

“Kjo na tregon që është e mundshme që në Kosovë të reformojmë arsimin e lartë dhe brenda sistemit të arsimit të lartë mund të koncentrohemi te punimet shkencore. Brenda reformave që ne po bëjmë tani në ngritjen e cilësisë së arsimit ne kemi vendosur që puna kërkimore e shkencore të bëhet komponent i pandashëm i aktiviteteve të secilit universitet”, ka thënë ndër të tjera ministri Bajrami.

Të pranishëm në këtë ceremoni ishin edhe rektorët dhe prorektorët e Institucioneve të Arsimit të Lartë, drejtorët e njësive vartëse të MAShT- it, anëtarët nga Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, anëtarët e Komisionit për Arsim dhe Shkencë të Kuvendit të Kosovës dhe pjesëmarrës të tjerë. /KosovaLive

Pacolli: Thaçi president i kontrabanduar (Video)

0

Ish presidenti i Kosovës, Behgjet Pacolli nuk e mbështet mënyrën se si partneri i dikurshëm në Qeveri, Hashim Thaçi po synon të zë ulësen e të parit të shtetit.

Në emisionin “Republika” përball Dardan Gashit, kryetari i Aleancës Kosova e Re, ka thënë se zgjedhja e presidentit po synohet të bëhet si pazar mes dy partive në pushtet, PDK-së dhe LDK-së.

E kjo gjë, sipas Pacollit, i ngjan një malli që është në treg.

Nëse kjo ndodhë, atëherë sipas tij, Thaçi do jetë një president i kontrabanduar.

Pacolli ka thënë se Thaçi mund të zgjidhet president mirëpo ai nuk do t’i duhet si i tillë vendit dhe se qytetarët nuk do ta pranojnë atë, njëjtë sikurse nuk e kanë pranuar as Isa Mustafën. /Tribuna Channel

Deputetja Perlaskaj në parlamentin kroat premton më shumë të drejta për shqiptarët

0

Kroacia ka konstituuar dje Kuvendin pas zgjedhjeve të fundit.

Për herë të parë, në Kuvendin e Kroacisë është edhe deputetja shqiptare Ermina Lekaj Perlaskaj.

Në një intervistë për RTK-në, ajo ka deklaruar se “qëllimi i shqiptarëve në Kroaci është t’i bëjnë të njohura kërkesat e tyre në nivel më të lartë”.

“Është ndjenjë e veçantë jo vetëm për mua por për gjithë komunitetin shqiptar në Kroaci sepse kemi treguar një pjekuri politike të integrohemi në shoqërinë kroate. Sot është dita e parë që unë filloj si deputete. Qëllimi ynë ka qenë që të jemi pjesë e shoqërisë integruese kroate dhe t’i bëjmë kërkesat tona të njohura në nivel më të lartë”, ka thënë ajo.

http://dai.ly/x3k19g2

“Gjurmët” po lënë gjurmë

0

Kanë dy ditë që të gjithë këngëtarët dhe grupi i Orkestrës Simfonike të Radio Televizionit Shqiptar, po në këtë sallë janë të mbajt prova që sot me dalë gjithçka e përkryer.

E, se si po ndihen artistët dhe se çka mendojnë për kthimin e grupit Gjurmët në skenë mbas 30 viteve, Televizioni Rrokum ka intervistua disa prej tyre.

Dirigjenti Arbër Dhomi, i cili merrë pjesë në këtë Koncert, thotë që ky grup asht shembull se si duhet me qenë grupet e reja dhe se si duhet kënduar.

Ndërsa përfaqësuesja e grupit “Oborri”, Edona Vatoci, thotë se është një privilegj i madh me qenë pjesë e këtij koncerti, edhe pse nuk është gjeneratë e Gjurmëve.

Edhe pse i takon zhanrit klasik, dirigjenti nga Kosova Kushtrim Gashi, thotë që me kënaqësi e ka pranuar ftesën me qenë pjesë e ekipit.

Këngët e Gjurmëve kanë kaluar nga një gjeneratë te tjetra.

Deri më tani janë shitë mbi 2.500 bileta, ndërsa sipas organizatorëve, për shkak të kërkesave të shumta, nji pjesë e publikut ka me qëndruar në këmbë.

E ndërsa mësohet se koncerti tjetër ka me qenë më 17 Fror në Kosovë, për nder të Pavarësisë së Republikës. /TV Rrokum

Gëzuar!

0

Kryetari i Prizrenit Ramadan Muja, ka uruar sot të gjithë qytetarët për Vitin e Ri.

“Qeveria komunale gjatë vitit 2016, do të jetë e përkushtuar, që së bashku me qytetarët, ta vazhdojë rrugën e vendimmarrjes demokratike, transparente, të konsultuar me qytetarët dhe do realizojmë shumë projekteve në interes publik”, thuhet në urimin e Mujës.

“Viti i ri 2016, uroj që të përmbushë të gjitha pritjet tuaja, qytetarë të respektuar të Komunës sonë. Gëzuar ! “

Aktakuzë kundër një përmbaruesi privat në Prizren

0

Prokuroria Themelore në Prizren, ka ngritur aktakuzë kundër një Përmbaruesi Privatë.

Në aktakuzë thuhej se Përmbaruesi Privat në cilësi të personit zyrtar – përmbaruesit privat i emëruar për territorin e Gjykatës themelore në Prizren, i ka tejkaluar kompetencat e tija, me qëllim, siç vazhdon aktakuza të përfitimit të dobisë pasurore për personin tjetër dhe duke ju shkaktuar dëm personave të tjerë, e keqpërdor pozitën e tij zyrtare dhe pengon me dashje tjetrin në gëzimin e një të drejte.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Themelore në Prizren “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”, bazohet në Neni 422 paragrafi i 1, lidhur me paragrafin 2.1 dhe 2.6, të Kodit Penal të Kosovës. /PrizrenPress.com

Ka vdekur lideri i rock grupit Motorhead

0

Në moshën 70 vjeçare, vetëm dy ditë pasi u diagnostikua me kancer, ka vdekur Lemmy Kilmister, lideri dhe basisti i grupit të njohur të zhanrit heavy metal, “Motorhead”.

Lajmin e kanë bërë të ditur vet anëtarët e grupit përmes faqes së tyre zyrtare në rrjetin social Facebook.

Lemmy themeloi grupin “Motorhead” në vitin 1975 dhe ata bashkë realizuan 20 albume, përfshirë këtu edhe “Ace of Spades” dhe Kilmister u bë një ndër muzikantët më të njohur të kohës.

EULEX-it mund t’i zgjatet mandati, BE e Qeveria s’kanë koment

0

EULEX-it mund t’i zgjatet mandati edhe pas qershorit të viti 2016. Kjo është paraparë në konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian për Kosovën rreth liberalizimit të vizave.

Zyrtarë të BE-së dhe Qeverisë së Kosovës, nuk kanë dashur të komentojnë rreth kësaj çështje.

Bashkimi Evropian mund t’i vazhdojë mandatin misionit të saj për Sundim të Ligjit, në Kosovë, EULEX edhe pas qershorit të vitit 2016, kur ishte paraparë që ky mision të përfundojë mandatin e saj.

Kjo është bërë e qartë edhe më konkluzionet e Këshillit të Bashkimit Evropian për Kosovën rreth liberalizimit të vizave.

Në pikën shtatë të këtyre konkluzioneve thuhet që “Kosova duhet të bashkëpunojë ngushtë dhe në mënyrë efektive me EULEX-in dhe të kontribuojë aktivisht në zbatimin e plotë dhe të papenguar të mandatit të këtij misioni, duke përfshirë edhe një mandat të rishikuar pas qershorit 2016,” thuhet në konkluzat e BE-së.

Ndërkohë që zyrtarë të BE-së, në Prishtinë, por edhe zyrtarë të qeverisë së Kosovës janë shprehur të rezervuar për të komentuar rreth kësaj çështje.

Zyra e BE-së në Prishtinë, përmes postës elektronike i ka thënë Radio Kosovës se “një rishikim strategjik i mandatit të EULEX-it është aktualisht duke u zhvilluar nga shtetet anëtare të BE-së, në prag të përfundimit të mandatit të tanishëm, i cili zgjatë deri në qershor të 2016-ës”.

E në anën tjetër zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë thënë se ende nuk është diskutuar, për vazhdimin apo jo të mandatit të EULEX-it pas qershorit të 2016-ës.

Ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ka thënë për Radio Kosovën se ende nuk është vendosur asgjë në lidhje me vazhdimin ose jo të mandatit të EULEX-it, ka thënë ministri Kuçi, përmes një mesazhi telefonik.

Gjatë punës së vet EULEX-I, që nga vitit 2008, ka pasur rol të zgjeruar shpesh edhe vendimtar në mbikëqyrjen dhe formësimin e drejtësisë dhe ligjit në Kosovë.

Roli i tij kryesor ishte në menaxhimin e rasteve – të korrupsionit dhe krimeve të luftës – të cilat konsideroheshin të ndjeshme për autoritetet lokale.

Në qershor të 2014 ishte bërë rishikimi i mandatit të këtij misioni, i cili do të vazhdonte me hetimet ekzistuese, porse prokurorët e tij nuk do të mund të iniciojnë raste të reja sipas ligjit i cili ishte miratuar në Kuvend, para se ai të shpërbëhej në prill të 2014.

Megjithatë, këto vendime ishte thënë që atëherë do të mund të ndryshonin. Misioni i BE-së, pati deklaruar se “mund të kërkojë që raste të reja të u caktohen prokurorëve të EULEX-it dhe të kërkojë shumicë të EULEX-it në panele të gjykatave në rrethana të jashtëzakonshme”, patën deklaruar asokohe zyrtarë të BE-së. /RTK

Malisheva me plan veprimi për riintegrim

0

Kuvendi i Komunës së Malishevës ka miratuar Planin e Veprimit për Riintegrim, duke e përmbushur edhe një nga standardet në nivelin komunal, në kuadër të përmbushjes së standardeve për integrime evropiane.

Anëtarët e Kuvendit të Komunës, 22 sa ishin prezent, unanimisht e kanë miratuar Planin e Veprimit për Riintegrim në Komunën e Malishevës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, i ka përshëndetur dhe falënderuar anëtarët e Kuvendit të Komunës, për miratimin e këtij plani të veprimit për riintegrim, si dhe ka folur për punën e përbashkët gjatë vitit 20015, duke i falënderuar për bashkëpunimin e ndërsjellë gjatë punës.

“Unë ju falënderoj për bashkëpunimin e mirë dhe konstruktiv gjatë këtij viti dhe uroj që viti 2016, të jetë edhe më i suksesshëm, gjithmonë, në të mirë të qytetarëve të Komunës së Malishevës”, tha Begaj. /PrizrenPress.com

Goditet motoçiklisti me veturë në Dragash

0

Një motoçiklist është goditur nga një veturë në fshatin Buzez të komunës së Dragashit. Viktima ka pësuar lëndime trupore.

“Ka ndodhur një aksident trafiku në mes një veture dhe një motoçiklete me ngasës meshkuj, ku si pasojë lëndime trupore ka pësuar ngasësi i motoçikletës, i cili është dërguar për trajtim mjekësor në spitalin e Prizrenit”, thuhet në raportin e Policisë së Kosovës.