16.1 C
Prizren
E hënë, 13 Prill, 2026
Home Blog Page 6824

Rrahje masive në një lokal në Prizren

0

Disa persona janë përfshirë në një rrahje në fshatin Landovicë të Prizrenit. Policia bën të ditur se si pasojë e kësaj rrahje tre persona kanë përfunduar për trajtim mjekësor në Spitalin e Prizrenit.

“Në një lokal ka ndodhur një rrahje në mes të disa personave. Si pasojë e rrahjes tre persona- shtetas të Shqipërisë, kanë pësuar lëndime të rënda trupore dhe të njëjtit janë dërguar në spitalin e Prizrenit për tretman mjekësor”, njofton PK.

Një rrahje tjetër ka ndodhur në fshatin Leshan të Suharekës, ku dy të dyshuar pas një mosmarrëveshje kanë sulmuar fizikisht një mashkull. Viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. /PrizrenPress.com

Heronjtë e harruar

0

Nga Islam Krasniqi

Dhjetori lavdishëm na gjeti të pikëlluar, dhe të skuqur nga turpi, sepse në 17 vjetorin e rënies se tyre Kosova po ngjan sikur në vitet e 90-ta, populli i pa punë, duke u munduar të bëjë zgjidhje nëpër rrugët e Evropës.

Me 17 dhjetori të vitit 1998 në kufirin shqiptar ranë në prit 140 çlirimtar, ku dyzet e një (41) mbetën mbi borë të shtrirë, për të mos vdekur kurrë, ku në mesin e tyre ishte edhe Komandanti Mujë Krasniqi.

Sot pas shtatëmbëdhjetë viteve varrezat e tyre kanë mbetur ashtu për mjerim, pa mbikëqyrje nga institucionet tona, pa i rregulluar, dhe pa bërë asgjë për veprën dhe sakrificën e tyre. A nuk është turp për institucionet tona që të lajnë varrezat e dëshmorëve në Polac të “Kodra e Dëshmorëve” për gjynah, sikur të ishin varreza të armiqve, ku është krahu i luftës që gjithmonë e kërko votën në emër të tyre, në emër të dëshmorëve, në emër te sakrificës së luftës Çlirimtare, që të ngre zërin edhe për rregullimin e tyre sepse ata dhanë jetën që ne sot të jetojmë të lirë.

Komandanti i UÇ?-së Mujë Krasniqi-Kapuçi, ishte fytyra më emblematike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte ura lidhëse mesë Drenicës dhe Dukagjinit, ishte njëri prej tre anëtarëve që dolën publikisht në skenë në Lalushën e Drenicës Heroike dhe prezantuan UÇK-në.

Ky pishtar i Lirisë është Heroi i Kombit Shqiptar, por për dikë edhe mund të konsiderohet edhe si armik sepse që 16 vite varrezat ju kanë mbetur të pa rregulluara, Kulla që 12 vite ka filluar që të ndërtohet dhe ka mbetur në gjysmë, pa i interesuar askujt për këtë kullë dhe në përvjetorin e tij përdorin foto sa për publicitet apo karrierë politike.

Mujë Krasniqi ja fali jetën kësaj toke së bashku me vëlla Alin dhe 140 ushtarët e brigadës së tij, ishte i plagosur tre herë radhazi, dhe ende pa e mbaruar shërimin ju bashkonte shokëve dhe ushtarëve të tij gjersa shkriu gurin e kufirit me gjakun e tij, që ishte vendosur padrejtësisht në mes të Shqipërisë.

U harrua betimi dhe amaneti i tyre nga shokët që dikur u rreshtonin për krah të tyre, ku u betuan në flamurin “Kuq e Zi” për çlirimin dhe ribashkimin me shtetin amë Nënë Shqipërinë, por amaneti i tyre u harrua, u shkel gjaku i tyre, ju ndërrua flamuri me të cilin luftuan dhe tash e kanë pru gjendjen deri aty që për gjithçka të bisedohet me Serbinë!

A ishte betimi dhe ideali juaj që të bashkohemi me Shqipërinë apo të bisedoni me Serbin, por ata që u thirrën në krahun e luftës u verbuan nga dynjaja, harruan qëllimin dhe idealin e popullit shqiptar, Kosovën e shpallën shtet multietnike, ata që na vranë ende po na sundojnë, shokët e idealit po kalbën nëpër burgje të vendit që e çliruan, me akuza të Beogradit, vetëm që të njollosët Ushtria Çlirimtare e Kosovës, ndërsa liderët tanë heshtin para kësaj masakre të ndërkombëtarëve në drejtësinë vendore.

Serbia dikur na masakroj për të na zhdukur nga faqja e dheut, tash po e masakron drejtësinë e vendit tonë përmes agjentëve të saj, duke i dënuar çlirimtaret dhe udhëheqësia jonë po pajtohet me ketë mision të pa drejtësisë vetëm e vetëm që të mos zbulohen krimet e pas luftës së tyre.

Ju e keni dhenë provimin, por ne nuk ditëm të ju vlerësojmë, sepse ju shijuat pavdekësinë, ndërsa ne shkelëm mbi gjakun tuaj, duke na mbyllur sytë korrupsioni, karriera dhe punët e liga.

Lavdi dëshmorëve të Kombit, Lavdi Heronjve të Lirisë!

“Baladë e humbur”

0

Pas 12 vitesh mungesë, poetja Selvete Abdullahu rikthehet në fushën e letërsisë me vëllimin e dytë poetik, “Baladë e humbur”, që u editua këto ditë përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”.

Libri i saj i parë “Emërtimi i ditës së nesërme” ishte botuar nga Lidhja e Shkrimtarëve të Kosovës, në vitin 2003, me mbiemrin e saj të vajzërisë, Selvete Dërguti. Ndërsa tash, pas një stabilizimi familjar e profesional, Selvetja i rikthehet dashurisë së pare, poezisë.

Vëllimi më i ri poetik i kësaj poeteje, me gjithsej 72 poezi, renditet në pesë cikle, tematikash të ndryshme.

Derisa cikli i parë “Jeton në zemrën time” preokupim kryesor ka atdhetarizmin, cikli i dytë, “Me strajcën e zbrazur”, shtjellon dhe prekë anën sociale të këtij populli . E, cikli i tretë, “Përqafimi yt jam” trajton tematikën e dashurisë. Ndërsa dy ciklet e fundit, “Nga gjithë këto trazime” si dhe “Për teket e valëve të rrëmbyeshme” që janë dhe ciklet më të realizuara të librit, prekë përditshmërinë tonë përmes refleksioneve meditative e ngjyrave poetike duke dëshmuar një afinitet të kënaqshëm poetik.

Librin në tërësi e karakterizon një bashkëbisedim i rrjedhshëm poetik, falë një gjuhe artistike dhe të pasur me figura të nduarduarta.

Preokupimet poetike të Selvete Abdullahut janë po ato preokupime të njeriut tonë të përditshëm, të cilat shpërfaqin dromca të ndryshme të kësaj jete, herë me tone pesimizmi e herë optimizmi.

Këtë mendim ka edhe njëri nga recensentët e këtij libri, Nexhat Rexha i cili thotë se poezia e Selvetes në vëllimin poetik “Baladë humbur” është realizim e reflektim i përditshmërisë sonë. Ajo ngërthen në brendi të vargjeve artikulimin e pritjeve të mundimshme, të cilat vijnë me ofshamat e ditëve të humbura.

Sipas këtij kritiku mjaft të angazhuar, në të gjitha ciklet poetike, autorja ka shprehur frymën lirike në suaza të përjetimit artistik e real. Tematika e shtruar në libër ka afërsinë shtjellimit në shprehjen e vargut sa racional, po aq edhe ilustrativ në shenjimin e arritshmërisë sa më origjinale. Autorja në vargjet e saj arrin të dokumentoje, dhembjen si kërkesë dhe si pritje për të shëruar plagët e zjarrta të dashurisë njerëzore. Mënyra e parashtrimit poetik vjen si shkrirje e refleksionit edukativ në këtë baladë të humbur, e cila kërkon rrugën e ripërtritjes për një ditë të lumtur.

Përditshmëria e dhembjes arrin të pasqyroj frymën e arsyes në vargun e angazhuar si mesazh dhe si ndërtim e kaheve orientuese për shpalosjen e botës me kontradita në zhvillimin e proceseve shoqërore. Libri ka arritshmërinë e realizmit artistik në suaza të prekjes, e përjetimit të gjërave në konkretizimin e vargut si rezultat i qëndrimit objektiv, të motimivimit për të arritur tek universalja ekzistenciale. Qartësia e vargut në tërësinë poetike arrin funksionalizimin përmes figurave të goditura artistike. Vepra ka mbarshtrim të thuktë gjuhësor dhe ajo vjen si rezultat i vargut të zgjedhur, i cili të përvetëson në koncentrimin e përjetimit poetik në libër.

Ky vëllim poetik, do të përurohet në përmbyllje të manifestimit tradicional “Vjeshta letrare e Gjilanit”, më 26 dhjetor 2015, që për here të gjashtë organizohet radhazi këtu në Gjilan e mjedise tjera të Kosovës./KultPlus.com

Monografi për personat e zhdukur

0

Në sallën universale të Pallatit të Kulturës “Asim Vokshi”, në qytetin e Gjakovës, më 15 dhjetor me fillim nga ora 12:00, do të promovohet një monografi për personat e zhdukur gjatë luftës së fundit në Kosovë, konkretisht gjatë periudhës mars – qershor 1999.

Monografia, e titulluar “Monografia për personat e rrëmbyer dhe të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Gjakovë, 24 Mars 1999 – 12 Qershor 1999?, është përgatitur dhe botuar nga shoqata për personat e pa gjetur “Thirrjet e nënave”.

Në Kosovë janë të regjistruar rreth 1600 persona për fatin e të cilëve nuk dihet pas luftës së vitit 1999.

NISMA përgatitet për manifestim në Malishevë

0

NISMA në Malishevë ka mbajtur takimin e saj me strukturat e saj ku pjesmarrës ishin anëtarë të Kryesisë së Degës, anëtarë të Kryesisë së Gruas, Rinisë si dhe kryetarë të nëndegëve të Nismës nëpër fshatra.

Pjesë e takimit ishte edhe kryetari i NISMA-s Fatmir Limaj, i cili argumentoi edhe një herë që marrëveshjet janë të dëmshme dhe si të tilla nuk kalojnë,

Ai po ashtu bëri thirrje për manifestimin e radhës që do të mbahet në Malishevë të enjten në ora 13:00. Limaj tha se Malisheva ka ditur ti del krah Kosovës edhe në ditë më të veshtira po ashtu do ti dal edhe këtë herë që mos ta lejoj rrënimin e shtetit. /PrizrenPress.com

nisma1

Krimi dhe “Zajednica”

0

Shkruan: Bekim Rexhepi

Legjitimimi i kriminelëve në strukturat e shtetit

Shumë drejtues të SHIK-ut janë pjesë e institucioneve

Marrëveshja për “Zajednicën” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese e vendit duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje, sepse kapërcen ligjshmërinë e çështjeve që janë përcaktuar si një rregullim i brendshëm shtetëror dhe jo më si një rregullim tjetër i çështjeve të jashtme

Pse nuk kemi më shumë denoncime të krimeve? A e ndihmon shoqërinë fshehja e krimeve dhe çfarë përfiton shteti nga kjo fshehje e krimeve dhe kriminelëve? Janë këto pyetje që duhet të ekzaminohen nga institucionet e pavarura dhe përgjegjëse të vendit. Ka vite që në Kosovë flitet për krime të organizuara, dhe për këtë më e përfolura mbetet organizata e vetëquajtur SHIK – u, organizatë kjo e një llumi të kuqësh, e fshehtë dhe pa legjitimitet në veprimtarin e saj në Kosovë dhe jo vetëm. Institucionet e Kosovës duhet të veprojnë, sepse kriminelet janë të njëjtë, sipas asaj se si kriminelët nuk luajnë asnjë rol pozitiv. Dhe meqenëse një vend i përkushtuar në të drejtën ligjore dhe i përcaktuar të kërkojë karakterin pozitiv të ligjit duhet të identifikojë pa dallim kriminelët. Duke gjykuar mbi pozitivitetin, e drejta civile duhet të vihet në vend vetëm dhe për mes masave ligjore, sepse në të kundërtën e saj do të kemi një lloj të legjitimitetit kriminal nga neglizhenca e institucioneve, të cilat nuk zgjedhin mjete për ta kapur krimin dhe kriminelët. Një krim dhe një kriminel i lirë është satisfaksion i dhimbshëm, i mallkueshëm për një shtet të së drejtës. Secili njeri në bazë të së drejtës civile ka të drejtë të dijë dhe të aktpadisë shkelësin e të drejtës së tij, që më parë i është garantuar nga shteti, por kur shteti nuk mund të garantoj këtë të drejtë civile, atëherë do të kemi një natyrë të ngjashme me legjitimitetin e krimit dhe të kriminelëve në strukturat e shtetit.

SHIK-u në krye të shtetit

Pak a shumë në Kosovë shteti është i kapur nga kriminelët, sepse shumë drejtues të SHIK-ut, janë pjesë e institucioneve, dhe prandaj kanë të drejtë mëdyshjet ndërkombëtare se Kosova përbën një shqetësim. Shqiptarët duket se janë bërë imunë të krimit dhe të kriminelëve të tyre, madje krimi dhe kriminelët kanë edhe legjitimitet politik, ekonomik dhe përfundimisht atë ligjor, sepse janë të rizgjedhur. Shqiptarët nuk kanë guxim që të nxjerrin shtetin e tyre nga duart e krimit dhe kriminelëve, apo që shtetin e tyre domosdoshmërish ta kthejnë në të drejtën civile, sepse tashmë kjo e drejtë e tyre përmbarohet nga krimi dhe kriminelë të zgjedhur me votë. Gjendja në Kosovë është një fotografi e kuptueshme dhe shprehje e vetëdijshme e shoqërisë së veçantë (partikulare), mosndarja nga lidershipi i krijon përmasat e një shoqërie apolitike, që gjërat madhore u besohen përfundimisht njerëzve që drejtojnë sektorit e sistemit, pa pasur mundësi kontrolli e shkarkimi, që në njëfarë forme do të mund më pas të rregullojnë sjelljet e tyre në sistem. Jo pa humor të ditës është edhe kjo se kriminelët nuk janë edhe aq fajtorë, kur kihet parasysh se shoqëria është aq e varfër politikisht që të mos mund t’i gjejë mënyra për t’i ndëshkuar apo përjashtuar nga sistemi të gjithë individët që korruptojnë apo e kriminalizojnë shtetin. Kosova si shtet i kapur nga të korruptuar dhe të kriminalët, padyshim se ka arritur tek gjendja ku është e dukshme përbuzja ndaj institucioneve relevante. Madje edhe sjellja e pushtetit ndaj ngjarjeve të rëndësishme dhe të disa marrëveshjeve kanë nxjerr në shesh mos seriozitet dhe mos përkushtim e plotë ndaj vendit.

Një pushtet pa opozitë është pushtet totalitar

Ky pushtet mbi të gjitha është i interesuar më shumë për vetveten se sa për vlerat e një politike institucionale e shtetërore. Madje edhe duke përjashtuar opozitën nga shqetësimet e saja të drejta, ata (pozita) po privojnë aktet e demokracisë në vend. Një pushtet pa opozitë është pushtet totalitar. Opozita nuk dëshiron që marrëveshjet e fundit t’i kalojë nëpër një legjitimitet të kontestuar dhe që më pas mund të jenë të dhimbshme për vendin e të ardhmen e tij. Marrëveshjet me Serbinë kanë kapërcyer kompetencat e brendshme të Kosovës, sepse kontraktimi i marrëveshjeve me serbët lokalë duhet të jetë marrëveshje e brendshme dhe jo me një shtet tjetër që gjithsesi synon të komprometojë rregullimin e brendshëm dhe mosfunksionalizimin e shtetit të Kosovës. Meqenëse marrëveshja për “Zajednicën” është dërguar në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa Gjykata Kushtetuese e vendit duhet ta hedhë poshtë këtë marrëveshje sepse kapërcen ligjshmërinë e çështjeve që janë përcaktuar si një rregullim i brendshëm shtetëror dhe jo më si një rregullim tjetër i çështjeve të jashtme. Koalicioni qeverisës pa ndonjë koncept a vizion vazhdon të thellojë krizën politike në vend se ta lehtësojë atë, marrëveshjet e fundit në Bruksel, të qeverisë edhe këtë herë demonstruan mënyrën e vet të njëanshme dhe më të pakonsideratë, luajtën rolin e aktit të kryer ndaj parlamentit, si institucioni më i lartë dhe më vendimmarrës në vend. Opozita ka të drejtën e vet të bëjë përpjekjet maksimale që ta pengojë pozitën të shndërrohet në një pushtet totalitar, në të cilin pushtet bie demokracia. E kemi parë se si është përjashtuar opozita nga punimet e Parlamentit në sallën alternative të Kuvendit, ku u miratuan ligje në mënyrë unanime, një taktikë e njohur si në regjimin e Milosheviqit (për vetëm 2 orë deputetët e Parlamentit miratonin 19 ligje!) që e shfrytëzonte mungesën e opozitës. Çfarë përfiton Kosova nga politika e përngjasimit të një politike totalitare, që më unanimitet miraton ligje, madje e vendosur t’ia pamundësoi pjesëmarrjen opozitës në punimet e përbashkëta, pavarësisht se opozita në të drejtën e saj dëshiron të pengoj punimet e kuvendit, pa i ngrirë dy marrëveshjet e fundit qe në theks të veçantë e dëmtojnë vendin e sidomos marrëveshja e “Zajednicës” me Serbinë. Do të humbim shumë në qoftë se tregohemi të paqartë me vetveten. E tërë politika e Kosovës duhet të jetë në funksion të një uniteti ndërpartiak, sa i përket marrëveshjeve të rëndësishme për vendin, nuk i bëhet mirë vendit nëse pozita s’postohet në diferencim të skajshëm të opozitës. Një pozitë nuk mund të jetë kurrë e mirë në një pushtet të dhënë, në çoftë se nuk e ndjenë edhe shqetësimin real të opozitës sepse mjaftueshmëria në pushtet ka të ngjarë më shumë të krijojë një lloj komoditet të rrejshëm institucional, i cili më shumë mund të jetë i rrezikshëm se sa i dobishëm për vendin dhe të ardhmen e tij.

Kjo situatë nuk ka zgjidhje politike

0

Politologu Belul Beqaj ka vlerësuar të hënën se Kosova aktualisht gjendet në një udhëkryq, ku nuk ka zgjidhje politike.
Ai ka thënë për ‘Epokën e re’ se zgjidhja më e mirë do të ishte formimi i një qeverie teknike.

Sipas Beqajt, vazhdimi i këtij skenari politik mund të ketë epilog tragjik për shtetin e Kosovës. Ai ka deklaruar se Kuvendi është shndërruar në gjenerator të përçarjeve dhe armiqësive dhe nuk është në shërbim të qytetarëve.

Në këtë kontekst, ai ka thënë se legjitimiteti i Kuvendit dhe i vendimeve të tij tashmë është vënë në pikëpyetje.

Beqaj ka vlerësuar se zgjedhjet nuk janë zgjidhje ngaqë klima është konfliktuoze dhe sipas tij, humbësi nuk mund të pranojë në një klimë të mosbesimit total humbjen zgjedhore.

Aida Dërguti me uniformë të UÇK-së dhe kallashnikov në luftë

0

Dikur mbante pushkën në duar për të mbrojtur atdheun e saj, sot me fuqinë e fjalëve mundohet të bëjë më të mirën për të ardhmen e vendit.

Aida Dërguti e cila tashmë është deputete nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje njëherësh edhe nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, është ndër të paktat femra deputete që ishte pjesëtare e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në një fotografi shihet Aida Dërguti veshur me uniformën e UÇK-së ku në krahë mban edhe kallashnikovin, gjë që tregon se Dërguti edhe sot e asaj dite ende e ka një shpirt luftarak.

E këtë më së miri na e vërtetojnë edhe sjelljet e saj në Kuvend ku dje ajo gjatë mbledhjes së kryesisë së Kuvendit ka hedhur gaz lotsjellës, transmeton Indeksonline.

Dërguti është arrestuar mbrëmë nga policia mu për shkak të këtij veprimi.

Anarki totale në Kuvendin e Gazit

0

Deputetët opozitarë u përpoqën të pamundësojnë seancat përmes hedhjes së gazit lotsjellës, por koalicioni miratoi buxhetin e mjerimit, shkel e shko, duke e akuzuar pakicën parlamentare për uzurpim të Kuvendit. Beteja opozitare kundër Asociacionit dhe Demarkacionit vazhdon, ndërsa vendi është në krizën më të madhe të pasluftës

Seanca e Kuvendit nisi dje si të gjitha seancat e javëve të fundit. Pak çaste pasi filloi kryeparlamentari Kadri Veseli të flasë, përsëri opozita hodhi gaz lotsjellës, duke bërë kështu të pamundur vazhdimin e seancës në kushte normale. I gjithë objekti i Kuvendit ishte nën masa të rrepta sigurie, çdokush kontrollohej dhe asnjë gjë nuk ishte në normalitet. Menjëherë pas hedhjes së gazit lotsjellës, kësaj radhe nga Pal Lekaj i AAK-së dhe Glauk Konjufca i VV-së, ata folën për medie duke përsëritur qëndrimet e pathyeshme të opozitës së bashkuar. Konjufca, ndër të tjerash, edhe pranoi që ai hodhi gazin lotsjellës. “Po, sot jam njëri që ka hedhur personalisht gazin lotsjellës,” tha Konjufca për medie pasi seanca u ndërpre.

“Veprimet tona po bëhen vetëm sa për ta pamundësuar punën për të paralizuar Qeverinë brenda Kuvendit të Kosovës. Kjo është shtëpia ku banojmë dhe aty po veprojmë të mund ta pengojmë punën e Qeverisë,” tha Konjufca. Ai bëri të ditur se me këto veprime opozita po dëshiron që t’i bëjë Qeverisë presion për tërheqjen e nënshkrimeve nga marrëveshjet. Konjufca vazhdoi të flasë se si realisht vullneti prej Malit të Zi ekziston për rishqyrtim të Marrëveshjes për Demarkacionin, duke përmendur reagimet e autoriteteve atje të krijuara pas situatës momente politike në Kosovë../kosova sot/

Hashim Thaçi synon konsolidimin e diktaturës

0

“Pozitën e kryetarit Hashim Thaçi e do për lojëra politike të uzurpimit të mëtejmë të shtetit dhe konsolidimin e diktaturës, e jo për udhëheqje që i duhet Kosovës”, tha analisti Isa Mulaj për “Kosova Sot”

Në prag të krijimit të Gjykatës Speciale dhe ngritjes së aktakuzave të para për ishdrejtues të UÇK-së, për të mos rrëshqitur vendi në një krizë akoma më të thellë institucionale, bllokimit dhe rënies edhe të Qeverisë së Kosovës, njohësit e fushës së legjislacionit dhe të interpretimit të Kushtetutës konsiderojnë se presidentja aktuale Atifete Jahjaga, duhet të mbetet në detyrë, sepse kandidati i koalicionit për president, Hashim Thaçi mund të jetë njëri nga të akuzuarit eventualë.

Eksperti i fushës së legjislacionit, profesor Muhamet Kelmendi i tha gazetës se, sipas marrëveshjes, propozimin për president e bën koalicioni, edhe opozita nëse e ka ndonjë propozim të caktuar dhe konsideron se i kanë votat e mundshme. Mirëpo, sipas tij, në rastin aktual, kur po flitet se ish- kryeministri Thaçi, që është emër i kontraktuar mes PDK-së dhe LDK-së për president të vendit, mund të ballafaqohet me Gjykatën Speciale, atëherë nuk ka logjikë që i njëjti edhe të kandidohet në fillimin e vitit që vjen.

“Nëse kandidati mund të akuzohet në të ardhmen për veprimtari kriminale, nuk ka të drejtë të paraqitet si kandidat për president, edhe pse me ligj penal thuhet se i dyshuari nuk është kryes i veprës penale derisa nuk vërtetohet nga ana e gjykatës”, tha Kelmendi për “Kosova Sot”…