7.5 C
Prizren
E diel, 12 Prill, 2026
Home Blog Page 6846

Prokuroria: Po hetohen të gjithë deputetët e dyshuar për lotsjellës

0

Pesë deputetë të opozitës janë arrestuar dhe dy të tjerë janë duke u kërkuar nga Policia e Kosovës nën dyshim se kanë kryer veprime kundërligjore duke hedhur gaz lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.

Ky është bilanci i dalë nga hetimet e policisë dhe prokurorisë për ngjarjet që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës gjatë dy muajve të fundit.

Deputeti Albin Kurti nga Vetëvendosje dhe Donika Kadaj nga AAK gjenden në paraburgim njëri në Burgun e Sigurisë së Lartë në Dyz ndërsa tjetra në Burgun e Femrave në Lipjan.

E tre deputetë të tjerë, Ismajl Kurteshi, Fisnik Ismajli dhe Haxhi Shala gjenden në arrest shtëpiak.

Këto janë masat që prokurorët kanë caktuar ndaj pesë deputetëve që janë përfshirë në hedhje dhe futje të gazit në Kuvendin e Kosovës gjatë seancave parlamentare.

Për dallim nga deputetët që kanë të shqiptuar një masë sigurie, dy deputetë tjerë, Albulena Haxhi dhe Faton Topalli gjenden në arrati.

Ndaj tyre ekziston flet-arrest që akoma është në fuqi por që nuk është zbatuar deri më sot.

Prokuroria e Shtetit në një deklaratë për KALLXO.com ka thënë se ky institucion është duke mbledhur informata ndaj të gjithë deputetëve që kanë kryer veprime kundërligjore.

“Ndaj të gjithë deputetëve që kanë kryer veprime kundërligjore janë duke u mbledhur informata nga Prokurori i Shtetit. Ndërkaq, policia është në kryerje të detyrës për zbatimin e urdhëresës së Gjykatës”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Organi i akuzës nuk ka bërë të ditur emrat e atyre deputetëve që kanë kryer këto veprime kundërligjore.

Në njërën nga seancat parlamentare, në një korridor të ndërtesës së Kuvendit, është parë deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi që po ndihmonte deputeten e AAK-së, Donika Kadaj për mbylljen e dyerve pas hedhjes së gazit lotsjellës derisa deputetët e koalicionit qeveritar po dilnin nga objekti i Kuvendit.

Deputeti Rexhep Selimi ka pranuar këto veprime ndërsa për KALLXO.com tha se nuk ka pasur ndonjë thirrje nga policia apo prokuroria për shkak se nuk ka kryer vepra të kundërligjshme.

“Nuk kam marrë ndonjë ftesë. Ne nuk distancohemi nga veprimet e kolegëve tanë të cilët kanë hedhur gaz. Ndërsa sa i përket asaj videos unë nuk kam qenë duke bërë asgjë tjetër vetëm duhet hapur një derë të mbyllur padrejtësisht”, tha Selimi.

Ndërsa sa i përket policisë dhe prokurorisë që po hetojnë gjithë deputetët nuk është ndonjë lajm e as ndonjë risi.

Ai dënoi veprimet e prokurorisë ndaj deputetëve të opozitës ndërsa the se nuk ka dijeni se ky gjenden dy kolegët e tij, Faton Topalli dhe Albulena Haxhiu.

Po ashtu në seancën e fundit që është mbajtur 31 nëntor, është parë edhe një “fërkim” mes deputetit të NISMA-së, Zafir Berisha dhe njërit nga pjesëtarëve të sigurimit të Kuvendit gjatë hedhjes së gazit lotsjellës.

Deputeti Zafir Berisha tha për KALLXO.com se ka reaguar but ndaj pjesëtarit të sigurimit.

“Sa i përket atij sigurimit, apo policit me maskë, ai ka ardhur te unë jo unë te ata. Ju e dini që Kuvendi është për deputet dhe jo për bomba, mafioza dhe njerëz me maska. Kështu që ardhja e njerëzve me maska në atë moment kur unë isha nën ndikimin e gazit lotsjellës, shumë butë kam reaguar dhe mendoj që kam qenë njeriu më paqësor në atë seancë”, tha ai.

Berisha tha se nuk është në dijeni nëse është duke u hetuar.

“Unë nuk kam kurrfarë ftese as prej policisë dhe as prej prokurorisë sepse llogaris se e kam kryer detyrën e deputetit. Por gjithçka është e mundur duke e parë represionin e bombave të Hashim Thaçit e Isa Mustafës”, tha Berisha.

Pesë deputetë tashmë janë nën kontrollin e shtetit, kush në paraburgim e kush në arrest shtëpiak.

Por deputetët Albulena Haxhiu dhe Faton Topalli janë ende të pakapshëm për policinë.

Daut Hoxha, zëdhënës i Policisë së Kosovës për KALLXO.com tha se fletarrestet ndaj tyre akoma janë në fuqi.

“Sa i përket fletë arresteve ato janë aktive dhe normalisht në konsultim me organet e drejtësisë ato janë në realizim e sipër”, tha Hoxha.

Meta, vjen në Kosovë për të ndërmjetësuar në zgjidhjen e krizës

0

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, së bashku me dy personalitete të shquara publike, këto ditë do të vijë në Kosovë në cilësinë e ndërmjetësuesit në mes të pozitës dhe opozitës, në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike.

Meta do të takohet me liderin e PDK-së, Hashim Thaçin, zëvendësin e tij, Kadri Veselin, si deh me liderët e tri partive opozitare, atë të Vetëvendosjes, Visar Ymerin, të AAK-së, Ramush Haradinajn dhe liderin e Nismës për Kosovën, Fatmir Limajn.

Në përpjekje për të gjetur një zgjidhje për tejkalimin e krizës politike në mes të pozitës dhe opozitës në Kosovë, këto ditë do të vijë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta.

Gazeta “Epoka e re” ka mësuar të mërkurën se kryeparlamentari Meta do të jetë i shoqëruar nga dy personalitete të shquara publike, njëri prej tyre akademik.

“Ditët në vijim, brenda kësaj jave, në Prishtinë pritet të vijë kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Ilir Meta, i shoqëruar me dy personalitete publike shqiptare, njëri prej tyre akademik, në cilësinë e ndërmjetësuesve mes pozitës dhe opozitës”, ka thënë burimi i gazetës në kushte anonimiteti.

Po i njëjti burim ka treguar se kryeparlamentari Meta dhe shoqëruesit e tij do të takohen me lidershipin e PDK-së, AAK-së, VV-së dhe Nisma-s.

As pozita e as opozita nuk e gëzojnë besimin e qytetarëve

0

Muajve të fundit aq shumë është licitu me atë se kush e ka besimin e qytetarëve, pozita apo opozita. Pushteti vazhdon të thirret se e ka besimin e qytetarëve dhe si parametër matës nuk merr vetëm votat me të cilat qeverisë, por e merr edhe numrin e vogël qytetarëve që opozita po e mbledh në protesta, ndërsa opozita përmend peticionin kundër marrëveshjes për Asociacionin e komunave serbe dhe marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, të cilin thuhet se kanë nënshkruar mbi 200 mijë qytetarë, si dhe përmend manifestimin e fundit me 28 nëntor ku thotë se mblodhi rreth 35 mijë qytetarë.

Opozita ia thotë hapur pozitës se ajo për asnjë çështje nuk mund të mbledh kaq njerëz as nga ata mbi 91 mijë të punësuar në sektorin publik në nivelin qendror dhe lokal me para të buxhetit, të cilët do të rrezikonin humbjen e punës me mosdalje në ndonjë kundërprotestë që do ta thërriste pozita.

Analistë dhe njohës të çështjeve aktuale politike dhe ekonomike në vend ndërmjet këtij ‘dyluftimi” pozitë – opozitë i shohin qytetarët e Kosovës me hallet e problemet e veta, të cilat nuk po ua heq asnjëra palë, por edhe me këtë ‘dyluftim’ vetëm sa po ua rëndon edhe më shumë.

Sondazhet e ndryshme në media dhe ato të organizuara nga shoqëria civile vazhdimisht sjellin të dhëna që flasin për humbje të besimit të popullit te pushteti dhe institucionet e tij, sidomos në gjyqësorin. Tani më haptas flitet se në Kosovë nuk është gjyqësori, por është politika ajo që të fut në burg dhe ajo që të nxjerr nga burgu, ose nuk të lë të shkosh në burg. Dhe, shembuj për ta argumentuar këtë ka mjaft që nga rasti i Xhabir Zharkut.

Ish-politikani kosovar dhe njohësi i çështje politike, Azem Vllasi, thotë për KosovaLive se besimin e qytetarëve në kuptimin e plotë nuk e kanë asnjëra palë as pozita as opozita.

Sipas tij, me sjelljet e pozitës dhe opozitës, duke mos hapur mundësi për zgjedhje politike rreth temave që janë konfrontuar të dyja palët, ato vetëm sa po e humbin besimin e qytetarëve.

“Së pari opinioni qytetar në Kosovë për gjendjen që e kemi më shumë probleme nuk matet vetëm me qëndrim ndaj ‘Zajednicës’ dhe demarkacionit të kufirit me Malin e Zi, por tash opozita po thirret në peticionin dhe manifestimin që u mbajt të shtunën, kurse pozita në numrat e votave prej zgjedhjeve që i kanë.

Vlerësimi im është se po të mund të organizohej një protestë gjithëpopullore opozita do ta organizonte që moti. As pozita as opozita me këto sjellje nuk mund të organizojë protestë gjithëpopullore, po ashtu as pozita nuk mund të organizojë kontraprotestë gjithëpopullore për të treguar që ka shumicën e popullit pas vetes. Prandaj me këto mënyra nuk mund të testohet as disponimi gjithëpopullorë as besueshmëria që gëzojnë nga populli”, thekson Vllasi.

Ai pohon se në të dyja blloqet pozitë dhe opozitë, brenda tyre ka njerëz që përpiqen të ashpërsojnë gjendjen në vend në mënyrë që e vetmja rrugëdalje të mbesin zgjedhjet e jashtëzakonshme.

“Si duket në të dyja blloqet ka njerëz të tillë që i bëjnë pikërisht hyzmet kësaj pune. Ta ashpërsojnë gjendjen deri në parrugëdalje dhe të mbes e vetmja rrugëdalje zgjedhjet e jashtëzakonshme. Kuptohet secili llogarit që në zgjedhje të jashtëzakonshme të dalë më mirë dhe ajo është një punë krejt tjetër, por po shihet që të dyja palët po i bëjnë hyzmet që të vjen puna deri te zgjedhjet e jashtëzakonshme”, shton Vllasi.

Analisti Haki Abazi deklaron për KosovaLive se vetëm zgjedhjet e vërteta, të lira e demokratike mund të tregojnë se kush në fakt e ka besimin e qytetarëve.

Ai shton se dy zgjedhjet e fundit nuk kanë qenë as të lira e as demokratike, pasi siç thotë përderisa në vitin 2010 janë vjedhur votat në mënyrë industriale në zgjedhjet e fundit janë zaptuar institucionet dhe gjykata kushtetuese duke zhveshur nga kredibiliteti institucionet e shtetit.

“Zgjidhja nga kjo situatë është qe të krijohet grup punues me të gjitha forcat parlamentare dhe shoqërinë civile për të diskutuar për marrëveshjen për Asociacionin dhe për marrëveshjen për vijën e demarkacionit kufitar. Derisa ky grup punues nuk del me pozicionim të qartë nuk do të duhej të ecej përpara në zbatimin e marrëveshjeve, ose zgjidhja e dytë janë zgjedhjet e lira e demokratike, me pozicion të barabartë për të gjitha partitë, të cilat do t’i përgatiste një qeveri teknokratike”, vlerëson Abazi.

Në tërë këtë situatë kur vendi po përballet me krizë politike më së shumti po e pësojnë qytetarët e Kosovës. Këtë e pohojnë edhe njohësit e zhvillimeve politike në vend, ndërsa qytetarët janë ata që për tërë situatën e krijuar flasin me mllef dhe madje edhe me pendim për votën që e kanë dhënë.

Ali Kurteshi, qytetar nga Prishtina, thotë se edhe pse është kundër dy marrëveshjeve asaj për Asociacionin e komunave serbe dhe për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi megjithatë nuk pajtohet me veprimet e opozitës, por as me kundërpërgjigjen e pozitës.

Sipas tij, në krejt këtë situatë të krijuar në vend askush nuk po interesohet për qytetarët, ndërsa po mjegullohet ose po liget anash lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar.

“Nuk pajtohem me veprimet e fundit të asnjërës palë as të pozitës e as të opozitës edhe pse edhe unë jam kundër këtyre marrëveshjeve që janë bërë nga qeveritarët tanë. Mënyra që e ka zgjedhur opozita për t’i kundërshtuar këto marrëveshje është e gabueshme dhe po e qon vendin drejtë një krize të thellë politike.

Edhe ashtu ne kemi probleme të shumta si korrupsioni e krimi i organizuar, papunësia e varfëria në shkallë të lartë dhe nuk na duhen probleme të tilla nga ata që ne u kemi besuar duke ua dhënë votën.

Të dyja palët duhet të reflektojnë, kryeministri duhet të shqyrtojë mundësinë t’i tërheq marrëveshjet, por edhe opozita e ka vendin në Kuvend dhe jo në burg e në rrugë”, nënvizon ai.

Se kosovarët e kanë humbur besimin në institucionet në vend e dëshmon edhe raporti i fundit “Pulsi publik 10” i publikuar muajin e kaluar nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) ku një nga të gjeturat kryesore tregon se kënaqësia e qytetarëve me punën e institucioneve ka arritur nivelin më të ulët që nga marsi i vitit 2007.

Sipas këtij hulumtimi të UNDP-së dhe USAID-it se vetëm 18 % e kosovarëve janë të kënaqur me institucionet ekzekutive, legjislative dhe gjyqësore në vendin tonë.

Derisa në mars të këtij viti 24 % e qytetarëve shpreheshin të kënaqur me punën e kryeministrit, në shtator kjo kënaqshmëri bie në vetëm 15 % të qytetarëve që janë deklaruar të kënaqur me punën e kryeministrit.

Të gjeturat gjithashtu tregojnë se faktorët ekonomikë, si papunësia, varfëria dhe korrupsioni vazhdojnë të mbeten problemet më madhore në Kosovë.

Raporti thotë se 43 % e qytetarëve kanë deklaruar se e shohin papunësinë si problemin më të madh, 31 % varfërinë, ndërsa 45 % e kosovarëve mendojnë se korrupsioni është problemi më i madh. /KosovaLive

Ekspozitë për terrorin dhe gjenocidin e Serbisë në Kosovë

0

Me rastin e shënimit të Ditës Ndërkombëtare të të Drejtave të Njeriut, Instituti për Hulumtimin e Krimeve të Luftës (IHKL) hap sot Ekspozitën “Terrori dhe Gjenocidi i Serbisë në Kosovë 1998-1999”, t? autores Fetnete Ramosaj, bashkëpunëtore profesionale në Institutin për Hulumtimin e Krimeve të Luftës.

Ekspozita hapet në orën 18:00, në Galerinë e Pallatit të Rinisë në Prishtinë dhe do t? qëndrojë e hapur deri më 9 dhjetor.

S’ka forcë e as propagandë që na ndal

0

Sekretari i Nismës për Kosovën, Bilall Sherifi ka thënë se Nisma do të mbetet pjesë e opozitës së bashkuar deri në tërheqjen e dy marrëveshjeve.

Ai tha për ‘Epokën e re’ se nuk do të ketë dhunë, burgosje e as persekutim që do ta detyrojë opozitën të tërhiqet nga kërkesat e saj për mbrojtje të shtetit.

“Kjo qeveri sa më shpejt duhet ta kuptojë se për të vazhduar jeta normale parlamentare duhet të hiqen nga rendi i ditës këto marrëveshje. Mos harron se populli ynë reagon ngadalë, por kur reagon, reagon shumë keq”, ka thënë Sherifi.

Opozita e bashkuar nesër takohet për veprimet e ardhshme

0

Opozita e bashkuar pritet që nesër të mbajë takimin e radhës, për të diskutuar rreth veprimeve të ardhshme.

Muharrem Nitaj, zëdhënësi i AAK-së, ka konfirmuar për “Zëri”, se opozita do të takohet nesër në ora 16:00, në selinë e Lëvizjes “Vetëvendosje”.

Ai ka thënë se qëllimi i këtij takimi është për hapat e mëtutjeshëm të opozitës si dhe manifestimi që do të mbahet të shtunën në Gjakovë.

VV: Qeveria po keqpërdor përkrahjen amerikane

0

Lëvizja Vetëvendosje çmon vizitën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, John Kerry, duke e vlerësuar si shumë të rëndësishëm mesazhin e tij sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit

Në një deklaratë për media të VV-së thuhet se vizita e Kerry-t ishte vizitë e një zyrtari të nderuar të një vendi aleat për Kosovën, dhe si e tillë respektohet nga spektri politik e qytetar në Kosovë.

“Orientimi gjeopolitik i Kosovës, në këtë botë e cila funksionon në logjikën e kampeve, është i përcaktuar qartë dhe nuk ka alternativa të tjera”.

“Një aleancë e çmuar siç është mes dy vendeve tona, sigurisht që kanë nevojë për një investim serioz të dyanshëm. Ndërkohë që nuk jemi në pozitën e shqyrtimit të kësaj marrëdhënie nga ana e SHBA-së, është detyra jonë si subjekt politik i Kosovës, të vëmë nën shqyrtim kritik qasjen e palës kosovare në këtë marrëdhënie”.

VV thotë se Qeveria e Kosovës nuk po e përdor përkrahjen dhe respektin e Amerikës për Kosovën, për fitore ndaj Serbisë, por po e keqpërdor atë në funksion të projekteve të Serbisë në Kosovë.

“Qeveritarët e Kosovës duhet të kërkojnë prej SHBA-së ndihmë për të ndërtuar një ekonomi prodhuese, një drejtësi funksionale, arsim e shërbime publike cilësore, dhe mbi të gjitha ushtrinë e Kosovës, në mënyrë që partneriteti me SHBA-në të zhvillohet edhe më tej edhe të bëhet edhe ushtarak. Por një politikë të tillë të jashtme Kosova nuk do ta ketë për sa kohë të qeveriset nga njerëz të cilët për shkak të frikës nga ndëshkimi i korrupsionit duan të mbajnë me çdo kusht veten në pushtet”.

“Mesazhi i zotit Kerry, sa i përket demokracisë përfaqësuese dhe shenjtërisë të Kuvendit, është shumë i rëndësishëm”.

“Dëshirojmë të vëmë në dukje se Kuvendi i Kosovës është cënuar dhe është degraduar pikërisht përmes ushtrimit arrogant të pushtetit nga shumica e cila po zhvillon një formë të diktaturës së numrave. Ka qenë kjo shumicë që, në rastin e amandamenteve për Gjykatën Speciale, i ka përsëritur votimet e Kuvendit, duke mos e respektuar vendimin e parë të këtij organi që zoti Kerry e cilëson të shenjtë”.

“Kjo shumicë arrogante, e mishëruar në pushtetin e Thaçit e Mustafës, ka nënshkruar marrëveshje ndërkombëtare të cilat nuk i ka diskutuar më parë në Kuvend, duke anashkaluar kështu parimin kryesor të demokracisë, që është përfshirja e respektimi i opozitës. Thirrjet e sotme të Isa Mustafës për dialog në Kuvend janë hipokrite, pasi janë post-festum. Tërheqja nga matrëveshjet do të nënkuptonte kthim në normalitet të institucioneve. Përndryshe, të thërrasësh për dialog mbi një fakt të kryer, s’është gjë tjetër përveçse një tallje që zoti Mustafa ia bën demokracisë”.

“I bëjmë me dije opinionit publik se kundër këtyre marrëveshjeve qytetarët e Kosovës kanë nënshkruar një peticion me mbi 205 mijë nënshkrime, e megjithatë kjo qeveri nuk e ka marrë parasysh. Një qeveri e cila lidh marrëveshje mbi territorin e vet pa përfshirë opozitën, pa pyetur popullin, pa marrë parasysh peticione, nuk është qeveri demokratike dhe as transparente. Një qeveri e tillë nuk është sipas modelit të SHBA-së. Qeveri të tilla më shumë i ngjajnë modelit të zotit Mubarak në Egjipt, i cili po ashtu i përdorte takimet me zyrtarë të lartë perëndimorë për të fituar legjitimitet, ndërkohë që shtypte opozitën dhe varfëronte popullin”.

VV vlerëson thirrjen e zotit Kerry për gjykimin dhe ndëshkimin e korrupsionit e të krimit të organizuar. “Por, në shtetin tonë fatkeqësisht është instaluar një kastë politike e cila njëson pushtetin shtetëror me atë ekonomik e me atë mafioz. Kjo kastë politike jo rrallë ushtron ndikim të fortë mbi institucionet e pavarura, mbi gjykatat madje dhe mbi mediat e mbi shoqërinë civile. Për të çrrënjosur këtë kastë kriminale, ne kemi nevojë edhe për ndihmën e partnerëve si SHBA-ja”.

“Ne kemi besimin e plotë se SHBA, si edhe vendet e tjera aleate të Kosovës, do të përkrahin forcimin e sovranitetit të Kosovës, si edhe demokratizimin e jetës politike në vend, si dhe do të dënojnë dhunën e papranueshme e përjashtimin që ushtrohet në Kosovë ndaj opozitës aktuale, e cila shumë shpejt do të jetë qeveria e nesërme”, thuhet në deklaratën e V-së.

Osmani: LDK meriton shuplakë nga votuesit (Video)

0

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani ka deklaruar se do ishte mirë që votuesit të ndëshkonin disa prej individëve të Lidhjes Demokratikë të Kosovës, në mënyrë që të marrin mësim nga gabimet e bëra.

Në emision ‘Republika’ të Tribuna Channel, Osmani ka shtuar gjithashtu se Isa Mustafa ka tradhtuar elektoratin e LDK-së në momentin që nënshkroi koalicionin me PDK-në, dhe elektorati do vendos në zgjedhjet e ardhshme se si e kanë vlerësuar këtë vendim të tij.

Osmani tha se sipas rregullores së Kuvendit të Kosovës, vetëm kryetari i Kuvendit ka të drejtë të marrë vendim për suspendimin individual të deputetëve, dhe jo kryesia e Kuvendit.

Ajo ka theksuar se është habitur me vendimin e kryesisë për suspendim të kolegëve opozitar, duke shtuar se deputet nuk kanë të drejtë të përjashtojnë deputet tjerë ngasë ata të gjithë janë të njëjtë.

Shkolla e muzikës në Rahovec emërohet “Faik Sylka”

0

Me një ceremoni të organizuar nga kolektivi i shkollës së muzikës në qytetin e Rahovecit, sot u bë emërimin i kësaj shkolle me emrin e veprimtarit Faik Sylka. Në këtë ceremoni morën pjesë kryetari i Komunës së Rahovecit, Idriz Vehapi; drejtorja e Arsimit, Vjollca Vuçiterna; familjarë, mësimdhënës e nxënës të kësaj shkolle.

Me rastin e emërimit të shkollës, një fjalë rasti e mbajti edhe kryetari i Komunës, Idriz Vehapi, i cili tha se kjo është një ditë e veçantë për familjen, nxënësit, mësimdhënësit dhe për të gjithë rahovecianët, sepse një institucion arsimor po e emërohet me emrin e një veprimtari të shquar, siç është Faik Sylka.

Image
“Puna e tij dhe angazhimi i tij na ka obliguar që ta emërojmë shkollën e muzikës me emrin e këtij veprimtari i cili ishte i respektuar nga të gjithë”.
Në emër të familjes së veprimtarit Faik Sylka, foli djali i tij, Adoris Sylka, i cili falënderoi kryetarin Vehapi dhe të gjithë të pranishmit të cilët ishin në ceremoninë e emërimit të shkollës. Gjithashtu, ai falënderoi të gjithë ata të cilët bënë të mundur emërimin e shkollës me emrin e prindit të tij.

Nxënësit dhe mësimdhënësit e shkollës fillore të muzikës “Faik Sylka”, kishin përgatitur një program të pasur kulturorë-artistik.

Malisheva falënderon Norvegjinë

0

Sot në Malishevë, nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, është organizuar ngjarja “Faleminderit Norvegji”. Me këtë rast, Malishevën e ka vizituar edhe Ambasadori i Norvegjisë, në Kosovë dhe në Shqipëri, z.Jan Braathu. Përveç pritjes nga kryetari Begaj, në Qendrën e Kompetencës, është organizuar një pritje, ku Malisheva, i tha FALEMINDERIT shtetit të Norvegjisë.

Fillimisht, kryetari Begaj, e ka falënderuar ambasadorin Braathu, për vizitën sotme, si dhe për investimet e shtetit të Norvegjisë në Komunën e Malishevës, në veçanti, për ndërtimin e Qendrës së Kompetencës, e cila është një shkollë profesionale, me mbi nëntëmijë metra katrorë, moderne, me të gjitha kabinetet përcjellëse, për mbajtjen e mësimit profesional.

“Shkollimi është investimi më i mirë në zhvillimin e një vendi, dhe unë, në emër të popullatës së Malishevës, ju falënderoj për këtë investim kaq të madh që keni bërë në Malishevë, në edukimin dhe arsimimin e gjeneratave të reja”, tha kryetari Begaj.

Ndërsa ambasadori Braathu, shprehi kënaqësinë e tij, që është prezent në këtë ngjarje, përmes së cilës, i shprehën falënderimet shtetit Norvegjez, për kontributin e saj në një vend evropian, siç është Kosova. “Është kënaqësi e imja, kur takoj të rinjtë evropian, si juve sot”, tha ambasadori Braathu, para nxënësve në Qendrën e Kompetencës. “Arsimohuni, që të keni një të ardhme më të mirë, dhe arsimimi i juaj, e arsyeton edhe investimin tonë. E çmoj shumë këtë ngjaje dhe ju them se ju keni miq, e një prej miqve tuaj është edhe Norvegjia”, tha Braathu, duke i falënderuar organizatorët për këtë pritje.

Pas fjalimeve të rastit, ambasadori Braathu dhe kryetari Begaj, të shoqëruar nga drejtori i shkollës, z.Nazmi Zogaj, u njohën me klasat dhe drejtimet në Qendrën e Kompetencës, dhe më pas vizituan panairin e organizuar nga nxënësit e Qendrës së Kompetencës, përkatësisht drejtimet për hotelieri dhe turizëm, dhe marketing, ku u prezantuan ushqimet tradicionale dhe ofertat e nxënësve, sipas mësimeve të marra në këtë shkollë.

Ambasadori, Braathu, vizitoi edhe ekspozitën e pikturës në shtëpinë e kulturës “Tahir Sinani” në Malishevë, e hapur për nderë të 28 Nëntorit.

Gjatë bisedave, Begaj e Braathu, biseduan për të gjitha zhvillimet në Komunën e Malishevës, nga përfundimi luftës e deri më sot, si dhe për nevojat që ka Komuna e Malishevës, si komuna më e re dhe më e shkatërruara gjatë luftës.

Ambasadori Braathu, shprehi gatishmërinë e tij dhe të shtetit që përfaqëson, për shikimin e mundësive për përkrahje të mëtutjeshme për Komunën e Malishevës.

Po ashtu, kryetari Begaj dhe ambasadori Braathu, u shprehën të gatshëm për bashkëpunim të ndërsjellë edhe në fushën e kulturës dhe të aktiviteteve tjera.