5.6 C
Prizren
E shtunë, 11 Prill, 2026
Home Blog Page 6862

Kanoset me jetë një person në Prizren

0

Një qytetar i nacionalitetit ashkali në Prizren, ka raportuar në polici se ka pranuar një telefonatë kërcënuese nga një person me inicialet N.N.

“Viktima është kanosur me jetë dhe i janë kërkuar para në vlerë 265.000 €”, njofton Policia e Kosovës, raporton PrizrenPress.

Lidhur me rastin është njoftuar prokurori, ndërsa njësiti i hetimeve po merret me hetimin e rastit./PrizrenPress.com/

Blerim Çoçaj tregon fajtorët për korrupsionin në Kosovë

0

Gazetari nga Prizreni, Blerim Çoçaj ka thënë për gazetën “Kosova Sot” se Kosova ka kohë që është bërë çerdhe e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Fatkeqësisht pjesë e këtij krimi nuk janë vetëm politikanët vendor, por edhe misionet ndërkombëtare”, ka thënë Çoçaj.

Sipas tij, skandalet e vazhdueshme të publikuar për misionin e EULEX-it tregojnë qartë se në Kosovës ky mision jo vetëm që nuk e ka luftuar këtë dukuri,por është bërë pjesë e saj.

“Ky fenomen nuk mund të zhduket nga politikanë të korruptuar, por as nga misionet ndërkombëtare që janë dhe do të instalohen në Kosovë”.

“Shoqëria është fuqia e vetme që mund të luftojë dhe ndalë degradimin e këtij vendi”.

“Protestat janë forma më demokratike që një shoqëri e shpreh pakënaqësinë për çështje të caktuar, prandaj çdo protestë vlerësoj se është e drejtë dhe duhet të mbështetet”.

“Kosova ka humbë mjaft kohë, prandaj është momenti i fundit që ky popull të zgjohet nga gjumi”.

“Nuk mund të presim zhvillim ekonomik, por as sundim të ligjit nga një klasë politike, apo misionet ndërkombëtare të cilat për 15 vjet kanë investuar për këtë

degradim të Kosovës”./Kosova Sot/

Evidentohen shkelje ligjore nga MAPL në 3 komuna fqinje të Prizrenit

0

Kuvendet e Komunave fqinje të Prizrenit gjatë këtij viti në raste të caktuara kanë marrë vendime që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi. Në bazë të vlerësimeve të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal del se në KK-në e Suharekës, atë të Malishevës dhe të Rahovecit janë evidentuar nga një shkelje ligjore, derisa në ata të Mamushës, Dragashit e Shtërpcës nuk janë identifikuar raste të këtilla.

Sipas informatave të marra nga MAPL-i, KK-ja e Malishevës edhe pse e ka pranuar shkresën nga kjo ministri, aktin e vet nuk e ka harmonizuar sipas kërkesës së ministrisë në fjalë, por e ka rikonfirmuar vendimin e miratuar më parë. Ndërsa KK-ja e Suharekës ende nuk e ka kthyer në rishqyrtim shkeljen e bërë, derisa KK-ja e Rahovecit ende ka kohë që ta rishqyrtoj vendimin e jashtëligjshëm.

MAPL ka sqaruar se gjatë monitorimit të KK të Suharekës si dhe vlerësimit të ligjshmërisë së akteve komunale, gjatë këtij viti në rishqyrtim është kthyer një akt nga komisioni i përbashkët MAPL-MF, përkatësisht Rregullorja për tarifa, ngarkesa dhe gjoba nga shërbimet dhe veprimtaritë komunale 01 Nr.16-9856, e datës 30 shtator 2015.

“Komuna e Suharekës ende nuk e ka kthyer në rishqyrtim këtë shkelje për ta harmonizuar në përputhje më kërkesën e organit mbikëqyrës”, thuhet në përgjigjen e MAPL-it.

Ndërsa Komunës së Malishevës, MAPL-i i ka kthyer në rishqyrtim Vendimin 02/268 të KK-së lidhur me miratimin e deklaratës për kundërshtimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.

“Kuvendi i Komunës së Malishevës e ka rishqyrtuar me datën 30.10.2015, i cili akt nuk është harmonizuar sipas kërkesës së MAPL-së. Por komuna e ka rikonfirmuar vendimin e miratuar më parë”, ka bërë të ditur MAPL-i.

Ndërkaq Komunës së Rahovecit në ri-shqyrtim nga MAPL i është kthyer Vendimi 01 Nr.94/2015, për bartjen e pronës shoqërore, i miratuar në mbledhjen e KK-së më 28 shtator 2015.

“MAPL- i ka dërguar shkresën komunës për rishqyrtim më datën 26 tetor 2015. Pritet nga komuna e Rahovecit që në afatin ligjor prej 30 ditësh të rishqyrtoj dhe harmonizoj vendimin konform kërkesës së MAPL-it”, theksohet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Ndërkohë KK-të e Suharekës dhe të Rahovecit, përmes njoftimeve publike, kanë bërë të ditur se vendimet e sipërpërmendura që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi, do t’i shqyrtojnë brenda pak ditësh, në seancat e radhës që do të mbahen në fund të nëntorit.

Në anën tjetër gjatë vlerësimit të ligjshmërisë se akteve të komunës së Mamushës, Dragashit e Shtërpcës, MAPL ka bërë të ditur se nuk ka evidentuar asnjë shkelje ligjore.

Bazuar në këto të dhëna, EC Ma Ndryshe konsideron se KK-të e lartpërmendura duhet të jenë më të përgjegjshme gjatë vendimmarrjes. Po ashtu përkujton se Kuvendi i Komunës është organi më i lartë përfaqësues në nivel lokal dhe se të gjithë anëtarët e KK-ve betohen se do t’i kryejnë detyrat dhe ushtrojnë autorizimet sipas ligjit.

Prandaj, EC Ma Ndryshe, sikurse KK-të e komunave të mëdha të Kosovës, po ashtu rekomandon KK-të e komunave fqinje të Prizrenit që pas marrjes së vlerësimeve nga niveli qendror në afatin sa më të shkurtër kohor t’i rishqyrtojnë aktet që nuk janë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe t’i harmonizojnë ato në linjë me udhëzimet e marra nga MAPL-i.

Gjithashtu i bëjmë thirrje KK-ve të lartpërmendura që të angazhohen në përmirësimin e reputacionit të tyre, duke u angazhuar në mënyrë të sinqertë për përmirësimin e cilësisë së jetesës së qytetarëve dhe zhvillimin e përgjithshëm të komunave përkatëse. /PrizrenPress.com

Policia: Ja pse po e përgjojmë Spitalin e Prizrenit

0

Policia e Kosovës e ka pranuar që po përgjon ambientet e Spitalit Regjional të Prizrenit.

Sipas Policisë së Kosovës, arsyja e përgjimit të këtij spitali është për shkak të një hetimi që është duke u bërë me urdhër të Prokuroit dhe Gjykatës për një rast që ka të bëjë me marrje ryshfeti.

Zëdhenësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Prizrenit, kapiten Hazir Berisha ka thënë se Policia e Kosovës është duke u marrë me një rast që ka të bëjë me marrje ryshfeti në Spitalin Rajonal të Prizrenit, por siç tha ai nuk mund të jipen detaje të tjera për shkak se mund të pengohet ky hetim.

“Jemi në vazhdën e hetimeve të dyshura për këtë rast me masa të fshehta, me urdhër të Prokurorisë për keqpërdorim të detyrës zyrtare, përkatësisht marrje ryshfeti. Kjo mund të themi se është e tera sepse nëse themi diçka më tepër vetëm sa mund ti dëmtojmë hetimet”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Gjatë ditës së sotme, deputeti nga Suhareka nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, ka denoncuar një rast përgjimi të bërë, siç thotë ai, nga Policia e Kosovës në Spitalin Regjional të Prizrenit.

“Aty më pas, siç më kanë informuar qytetarët, po vendosen kamera dhe përgjues nga Policia e Kosovës”, thotë Muharremaj, duke shtuar: “Më habit fakti, si ka mundësi që në dhomat ku kontrollohen qytetarët nga mjekët, të ketë vëzhgim nga organet e rendit”, ka shkruar Muharremaj.

Opozita me aktivitet në mbrojtje të republikës (Foto)

0

Aktivist të partive opozitare të Kuvendit të Kosovës të mërkurën kanë organizuar një aktivitet para Kuvendi në mbrojtje të republikës, për të kundërshtuar marrëveshjet – demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe Asociacionin e komunave me shumicë serbe apo “zajednica”.

Fatmire Kollqaku, nga Lëvizja Vetëvendosje!, tha se me 28 nëntor do të jenë së bashku në mbrojtje të më të shtrenjtës – republikës.

“Çdo ditë po zbutet retorika e këtij vendi dhe na vjen mirë që po kuptohet sa janë të dëmshme këto marrëveshje. Tri vite më herët u takuam në Tiranë dhe sot po paraqitet nevoja që të takohemi në shesh me 28 nëntor kundër marrëveshjes për demarkacionin dhe ‘zajednicen’”, theksoi ajo.

Ndërsa, Time Kadrija, deputete e Kuvendit të Kosovës nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) tha se me moton “Për republikën” me 28 nëntor do të ketë një manifestim paqësor në mbështetje të Kosovës, pra kundër marrëveshjeve të arritura.

“Ftoj qytetarët pa dallim partie dhe ata që e kanë nënshkruar peticionin që me 28 nëntor të dalim në marshin shumë paqësor”, theksoi ajo.

Shyqeri Bytyqi, kryetar partisë Nisma për Kosovën dega në Prishtinë, tha se 28 nëntori është festë që i ka bashkuar burrat për vendosjen e themelit të shtetit, kurse ky do të jetë për mbrojtjen e shtetit.

“Si opozitë e bashkuar bëjmë thirrje që të tregojmë se për gjërat e mëdha do të jemi bashkë, do të jetë manifestim dhe nuk mund të flitet për kontrollin e turmës”, theksoi ai.

Opozita ka kërkuar anulimin e marrëveshjeve dhe që t’i kthehet vendi normalitetit. /KosovaLive

Opozita-Per Republiken1Opozita-Per Republiken

Whitesnake sonte në Shkup

0

Rok grupi legjendar, Whitesnake, mban koncert në Shkup të Maqedonisë sonte, më 25 nëntor, në kuadër të turneut botëror.

Biletat, për koncertin që do të mbahet në arenën “Boris Trajkovski” me fillim nga ora 20:00, janë shitur tashmë.

Grupi janë të njohur botërisht me hitet e tyre “Is this love”, “Here i go again”, “Fool for loving you”, “Still of the night” etj. Gjatë këtij turneu ata po promovojnë albumin “The Purple”.

Përveç Shkupit gjatë këtij muaji Whitesnake mbajti koncerte edhe në Zagreb e Beograd.

Shqipëria 25 vjet postkomunizëm, ende me demokraci të brishtë

0

Instituti Shqiptar për Studime Ndërkombëtare “Friedrich Ebert Stiftung” zhvilloi sot në Tiranë, simpoziumin me temë “Shqipëria 25 vite pas komunizmit: rindërtimi i shtetit dhe shoqërisë”, ku morën pjesë personalitete të politikës, shoqërisë civile, publicistikës dhe përfaqësuesit më të lartë të trupit diplomatik në Tiranë, ambasadori i SHBA, Donald Lu, ambasadorja e BE, Romana Vlahutin, dhe ambasadori i OSBE, Florian Raunig.

Pjesëmarrësit që morën fjalën në këtë takim, siç raporton atsh, folën jo vetëm për sfidat e mëdha që ka kapërcyer vendi gjatë këtij 25-vjeçari, por edhe për ato që e presin deri në konsolidimin e plotë të demokracisë, shtetit të së drejtës, ekonomisë së tregut etj.

Ambasadori i OSBE, Florian Raunig gjatë fjalës së tij evidentoi arritjet e Shqipërisë gjatë këtij 25-vjeçari, por tha se ka ende edhe shumë për të bërë.

“Kur hedhim vështrimin pas te 25 vitet e fundit, e kuptojmë që Shqipëria pësoi një ndryshim të pamashëm. Vendit iu desh të përballej me sfida të jashtëzakonshme përgjatë kësaj rruge, si gërryerja e shtetit në anarki më 1997 apo vërshimi i afro 400 000 refugjatëve më 1999 nga Kosova, si dhe me krizën e njohur të piramidave.

Pasi përmendi arritjet që ka shënuar vendi ynë gjatë periudhës postkomuniste, si në aspektin e zhvillimeve të brendshme por edhe në planin ndërkombëtarë të partneritetit, Rauning kujtoi se “Në fillim të viteve 1990, ndërkombëtarët, sikundër edhe shqiptarët, qenë të bindur se një dhjetëvjeçar do të mjaftonte për të ndërtuar një sistem demokracie dhe ekonomi tregu funksionalë dhe të rrënjosur mirë. Mbi dy dekada më vonë, e kuptojmë që na pret edhe shumë punë. 25 vjet mund të mos tingëllojnë shumë në terma të tillë historikë, por në jetën e një individi, 25 vjet janë shumë. Kjo mospërputhje mund të jetë një prej arsyeve që nxisin pyetjen me të cilën vijojmë të përballemi edhe sot, pyetjen kuptueshmërisht të paduruar: edhe sa duhet?”.

Ndërsa apeloi për mobilizm të të gjithë potencialeve që ka vendi ynë për kapërcimin e sfidave drejt integrimit të plotë, siguroi mbështetjen e plotë të OSBE-së ndaj Shqipërisë edhe në vijim.

Policia përgjon Spitalin e Prizrenit! (Foto)

0

Deputeti nga Suhareka nga radhët e AAK-së, Bali Muharremaj, ka denoncuar një rast përgjimi të bërë, siç thotë ai, nga Policia e Kosovës në Spitalin Regjional të Prizrenit.

Përmes një statusi në Facebook, Muharremaj ka thënë se me urdhër të drejtorit të këtij spitali është bërë konfiskimi i çelësave të dhomave të mjekëve me arsyetimin se po e bëjnë dezinfektimin e tyre.

“Aty më pas, siç më kanë informuar qytetarët, po vendosen kamera dhe përgjues nga Policia e Kosovës”, thotë Muharremaj, duke shtuar: “Më habit fakti, si ka mundësi që në dhomat ku kontrollohen qytetarët nga mjekët, të ketë vëzhgim nga organet e rendit”.

“A ka privatësi? A ka kod etik? A jeni t’u e shndërru këtë vend në shtet policor, ku as për shërbimet shëndetësore nuk ka privatësi?”, pyet deputeti Muharremaj.

Për të, si përfaqësues i qytetarëve, kjo është jashtëzakonisht shqetësuese.

“Kjo formë e trysnisë mbi qytetarë duhet të përfundoj. Ndryshe nuk e di qysh ka kuptim Liria e Njerëzve”, ka përfunduar Muharremi postimin e tij duke bashkëngjitur edhe dy fotografi për të cilat pretendon se janë bërë në Spitalin Regjional të Prizrenit ku shihet një pajisje e cila mban mbishkrimin “Policia e Kosovës”.

Policia pergjon Spitalin e Prizrenit Policia pergjon Spitalin e Prizrenit1

Manifestimi i opozitës për 28 Nëntor i qëlluar apo jo!

0

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Nisma për Kosovën, kanë vendosur që në datën historike të 28 Nëntorit të mbahet një manifestim gjithëpopullor.

Manifestimi publik, siç thonë ata, do të jetë kundër marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për Demarkacionin, ndërkaq opozita do të shpreh pakënaqësinë e saj edhe ndaj Qeverisë, raporton lajmi.net.

Subjektet politike në fjalë, kanë theksuar se nuk do të jetë protestë siç është paralajmëruar, por një manifestim gjithëpopullor, përderisa vazhdimisht janë duke mobilizuar qytetarët që të jenë pjesëmarrës në po këtë datë, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ata kanë garantuar se manifestimi do të jetë paqësor dhe se tubimi sipas tyre nuk do ta rrezikojë sigurinë e askujt.

Por vendimin e opozitës, që një manifestim të tillë ta mbajë pikërisht në datën historike, një festë kjo që festohet në mbarë trojet shqiptare, është vlerësuar si jo korrekt nga analisti i vendit, Belul Beqaj.

Madje ai thotë se Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe, nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës.

“Mbajtja e protestës, që disa opozitarë po e cilësojnë si manifestim, është një test jo korrekt i opozitës gjoja se për të vërtetuar mbështetjen masive që e kanë nga qytetarët. Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës, por duhet të kuptohet si manifestim gjithë popullor”, tha Beqaj në një prononcim për lajmi.net.

Ndërsa për eskalimin e mundshëm të situatës, Beqaj vlerëson se një gjë e tillë mund të pritet vetëm nga dashakëqijtë që ta përdhosin edhe këtë ditë sublime.

“Por, mendoj se të tillë ka vetëm mes mendjeve të çoroditura të cilat nuk besoj se janë mes njerëzve të opozitës as të pushtetit, por vetëm të atyre që dëshirojnë përdhosjen e shtetit dhe kombit shqiptarë”, ka shtuar ai.

Por mendim ndryshe, ka analisti Nexhmedin Spahiu, për caktimin e manifestimit nga ana e opozitës në datë 28 Nëntor.

Ai, thotë se çështja e tyre që janë përcaktuar për të protestuar është e drejtë e opozitës për ta caktuar datën e protestës, pa marr parasysh nëse kjo është ndonjë ditë e shënuar historike ose jo.

“Protesta si protestë nuk e prish hijeshinë e festës nëse ajo është paqësore, por tash varet se kush e merr përgjegjësinë për ta prishur në qoftë se kjo eskalon në dhunë. Pra varet se kush shkakton incidente, d.m.th organizatorët e protestës apo pushteti i cili tenton ta prishë këtë apo të mos e lejojë mbajtjen e një manifestimi të tillë. Nuk po mundem me paragjyku se kush mundet me prish”, tha Spahiu për lajmi.net.

Data e 28 Nëntorit, sipas tij, është në rregull dhe është e drejtë e gjithë atyre qe e kanë menduar një gjë të tillë.

“Opozita ka menduar që data 28 nëntor është datë e përshtatshme për një protestë që në këtë rast, sipas tij, nënkupton çlirimin e Shqipërisë apo ditën e kryengritjes nëse e marrim 28 nëntorin si ngjarjen kur UÇK-ja është bërë publike në Llaush të Skenderajt dhe në njëfarë mënyrë kjo nuk është vetëm festë e Shqipërisë por edhe e Kosovës për shkakun që me këtë datë kjo mund të konsiderohet si datë e kryengritjes në Kosovë kundër Serbisë. Dhe fakti që opozita e konsideron që pushteti aktual është vegël e Serbisë, natyrisht se e ka këtë dimension”, ka përfunduar ai.

Përndryshe, paralajmërimi i opozitës për mbajtjen e një manifestimi në këtë datë erdhi pas një proteste dy ditore që eskaloi deri në dhunë, ku mes tjerash patë edhe të lënduar.

Nait Hasani: Po krijohen universitete etnike

0

Kryetari i Komisionit për Arsim Nait Hasani tha se po krijohen universitete etnike, teksa foli për universitetet në Mitrovicën Veriore dhe atë Jugore.

Hasani këtë shqetësim të tij e shfaqi para ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, i cili mori pjesë në mbledhjen e Komisionit për Arsim.

Hasani kërkoi të dijë nga ministri nëse në universitetin e Mitrovicës Veriore do të ketë studentë të komuniteteve tjera përveç serbëve.

“Dy universitete publike i kemi në Mitrovicë dhe të dytë i kemi dyetnike. A do të ketë studentë shqiptarë në Universitetin e Mitrovicës Veriore dhe të komuniteteve të tjera dhe ne në universitete publike e kemi edhe gjuhën serbe dhe mund të shkojnë studentët të regjistrohen në çdo fakultet. Në këtë universitet a do të jenë këto mundësi, a do t’i njohë dikush?” pyeti Hasani.

Ministri Bajrami tha se universitetet nuk guxojnë të ndërtohen mbi parime etnike.

“Asnjë universitet nuk guxon të ndërtohet në baza etnike. Tani a do të ketë studentë shqiptarë, boshnjakë, turq, varet se a do të kenë dëshirë, a do të ketë kushte të sigurisë. Ligji ua mundëson. Ligji dhe fryma universitare ndërtohen në frymën e tolerancës ndëretnike, jo në frymën e homogjenizimit etnik,” tha Bajrami.

Bajrami tha se në universitetin e Mitrovicës Veriore mund të ketë profesorë shqiptarë, nëse atje krijohet katedra e gjuhës shqipe, njësoj sikurse edhe në Universitetin e Prishtinës do të ketë profesorë serbë, nëse do të ketë kërkesa për mësim të serbishtes. /Kallxo.com