10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Manifestimi i opozitës për 28 Nëntor i qëlluar apo jo!

Tri partitë opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Lëvizja Vetëvendosje (VV) dhe Nisma për Kosovën, kanë vendosur që në datën historike të 28 Nëntorit të mbahet një manifestim gjithëpopullor.

Manifestimi publik, siç thonë ata, do të jetë kundër marrëveshjes për Asociacionin dhe asaj për Demarkacionin, ndërkaq opozita do të shpreh pakënaqësinë e saj edhe ndaj Qeverisë, raporton lajmi.net.

Subjektet politike në fjalë, kanë theksuar se nuk do të jetë protestë siç është paralajmëruar, por një manifestim gjithëpopullor, përderisa vazhdimisht janë duke mobilizuar qytetarët që të jenë pjesëmarrës në po këtë datë, në sheshin “Zahir Pajaziti”.

Ata kanë garantuar se manifestimi do të jetë paqësor dhe se tubimi sipas tyre nuk do ta rrezikojë sigurinë e askujt.

Por vendimin e opozitës, që një manifestim të tillë ta mbajë pikërisht në datën historike, një festë kjo që festohet në mbarë trojet shqiptare, është vlerësuar si jo korrekt nga analisti i vendit, Belul Beqaj.

Madje ai thotë se Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe, nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës.

“Mbajtja e protestës, që disa opozitarë po e cilësojnë si manifestim, është një test jo korrekt i opozitës gjoja se për të vërtetuar mbështetjen masive që e kanë nga qytetarët. Dita e Flamurit është festë e të gjithëve dhe nuk do të ishte korrekte që ajo të kuptohet si mbështetje vetëm ndaj opozitës, por duhet të kuptohet si manifestim gjithë popullor”, tha Beqaj në një prononcim për lajmi.net.

Ndërsa për eskalimin e mundshëm të situatës, Beqaj vlerëson se një gjë e tillë mund të pritet vetëm nga dashakëqijtë që ta përdhosin edhe këtë ditë sublime.

“Por, mendoj se të tillë ka vetëm mes mendjeve të çoroditura të cilat nuk besoj se janë mes njerëzve të opozitës as të pushtetit, por vetëm të atyre që dëshirojnë përdhosjen e shtetit dhe kombit shqiptarë”, ka shtuar ai.

Por mendim ndryshe, ka analisti Nexhmedin Spahiu, për caktimin e manifestimit nga ana e opozitës në datë 28 Nëntor.

Ai, thotë se çështja e tyre që janë përcaktuar për të protestuar është e drejtë e opozitës për ta caktuar datën e protestës, pa marr parasysh nëse kjo është ndonjë ditë e shënuar historike ose jo.

“Protesta si protestë nuk e prish hijeshinë e festës nëse ajo është paqësore, por tash varet se kush e merr përgjegjësinë për ta prishur në qoftë se kjo eskalon në dhunë. Pra varet se kush shkakton incidente, d.m.th organizatorët e protestës apo pushteti i cili tenton ta prishë këtë apo të mos e lejojë mbajtjen e një manifestimi të tillë. Nuk po mundem me paragjyku se kush mundet me prish”, tha Spahiu për lajmi.net.

Data e 28 Nëntorit, sipas tij, është në rregull dhe është e drejtë e gjithë atyre qe e kanë menduar një gjë të tillë.

“Opozita ka menduar që data 28 nëntor është datë e përshtatshme për një protestë që në këtë rast, sipas tij, nënkupton çlirimin e Shqipërisë apo ditën e kryengritjes nëse e marrim 28 nëntorin si ngjarjen kur UÇK-ja është bërë publike në Llaush të Skenderajt dhe në njëfarë mënyrë kjo nuk është vetëm festë e Shqipërisë por edhe e Kosovës për shkakun që me këtë datë kjo mund të konsiderohet si datë e kryengritjes në Kosovë kundër Serbisë. Dhe fakti që opozita e konsideron që pushteti aktual është vegël e Serbisë, natyrisht se e ka këtë dimension”, ka përfunduar ai.

Përndryshe, paralajmërimi i opozitës për mbajtjen e një manifestimi në këtë datë erdhi pas një proteste dy ditore që eskaloi deri në dhunë, ku mes tjerash patë edhe të lënduar.

Më Shumë

Dërgohet në mbajtje shoferi i veturës së përfshirë në aksidentin ku mbetën të vdekur dy persona në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës ku si pasojë kanë vdekur dy persona, të dielën. Lajmin për...

Zhduket policja nga Rahoveci

Një zyrtare policore nga Rahoveci, është larguar nga shtëpia e saj të dielën. Të marten, ajo u raportuar e zhdukur nga familjarët. Rasti u konfirmua për...

Lajmet e Fundit