5.9 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6884

Merkel: Sulmuesit në Paris e urrejnë lirinë

0

Kancelarja gjermane Angela Merkel, në një deklaratë për ngjarjet e mbrëmshme në kreqytetin francez është shprehur se sulmuesit në Paris “e urrejnë lirinë”.

Duke folur me gazetarët në Berlin, kancelarja gjermane tha se viktimat “dëshironin të jetonin jetën të lirë në një qytet që në thelb ka lirinë”.

Merkel gjitashtu i ka quajtur sulmesit si “vrasës që e urrejnë pikërisht këtë jetë të lirë”.

Gjermania ka ofruar burimet e saj kundër terrorizmit në Francë dhe për të ndihmuar hetimet për ngjarjen e mbrëmshme.

“Sulmi nuk ka për qëllim vetëm Parisin, por ka në shënjestër të gjithë ne”, ka theksuar Merkel.

Deputetët “lotsjellës” deri të martën duhet të paraqiten në Prokurori

0

Kryeprokurori i Prishtinës Imer Beka tha se prokuroria i ka bërë ftesat për intervistim të deputetëve që hodhën gaz lotsjellës në seanca të Kuvendit të Kosovës.

Sipas Bekës, katër deputetët opozitarë, Albin Kuti, Faton Topalli, Albulena Haxhiu dhe Donika Kadaj-Bujupi kanë afat deri më 17 nëntor për t’u paraqitur në prokurori.

“Ne i kemi bo ftesat. Të martën është afati i fundit për t’iu përgjigj ftesës,” tha Beka për KALLXO.com.

Por këta deputetë nuk e kanë ndërmend t’u përgjigjen ftesave të prokurorisë.

Donika Kadaj-Bujupi, deputete e AAK-së porosit kryeprokurorin Beka që të ndjekë kriminelët dhe të korruptuarit.

“Prokurori Beka sa i kërcënon deputetët dhe bëhet pjesë e përndjekjeve politike ndaj opozitës, do ishte e rrugës me fillu me reflektu dhe me i adresu pikat e raportit të progresit, të bëjë punën e vet në luftën kundër korrupsionit dhe krimit dhe të mos përfshihet në lojëra politike dhe luftë kundër njerëzve që po i dalin zot vendit,” tha Kadaj-Bujupi.

Ajo bëri të ditur se nuk i jep llogari prokurorisë.

“Unë jam deputete dhe për veprimet e mija në parlament u jap llogari qytetarëve,” theksoi Kadaj Bujupi.

Edhe Albulena Haxhiu, deputete e “Vetëvendosjes” ftesat për t’u intervistuar i konsideron përndjekje të opozitës.

“Ne nuk do të paraqitemi për t’u marrë në pyetje, sepse konsiderojmë që aksioni ynë politik është i drejtë dhe për të kemi deklaruar gjithçka publikisht. Qeveria Mustafa, i ka vënë në funksion gjithë mekanizmat e shtetit, duke përfshirë edhe prokurorinë, për ta përndjekur opozitën,” tha Haxhiu.

Deputetja Haxhiu shprehu bindjen se me veprimet ndaj opozitarëve qeveria po ia plotëson kërkesat Serbisë.

“Në kohën kur Serbia po bën çmos që ta pengojë Kosovën në raportet ndërkombëtare, Kosova po bën çmos që t’ia plotësojë kërkesat Serbisë brenda territorit tonë. Madje po përndjekjen edhe deputetët në këtë funksion,” tha Haxhiu.

Prokurori Beka tregoi se çfarë mund të bëjë në rast se katër deputetët nuk paraqiten në prokurori për marrje në pyetje.

“Prokurori e ka mundësinë me deklaru dhe me bo kërkesë në gjykatë për me i sjellë personat në prokurori me dhënë intervistë,” tha ai.

Rastet kur duhet të lëshohet fletarresti përcaktohen me Kodin e Procedurës Penale të Kosovës.

“Gjyqtari i procedurës paraprake, gjyqtari i vetëm gjykues ose kryetari i trupit gjykues sipas detyrës zyrtare mund të lëshojë urdhërarrest me kërkesë të prokurorit të shtetit, ose në rrethana të ngutshme me kërkesë të policisë, kur i kërkuari fshihet, mund të asgjësojë provat, ose të ketë tendencë të përsëritjes së veprës penale,” thuhet në këtë kod.

Sipas kodit, fletarresti lëshohet edhe “kur i pandehuri i cili pasi është thirrur me rregull nuk paraqitet dhe nuk e arsyeton mungesën e tij, ose kur thirrja nuk ka mundur t’i dërgohet sipas rregullit dhe kur sipas rrethanave është e qartë se i pandehuri i shmanget pranimit të thirrjes”.

Më tutje thuhet se urdhërarrestin e ekzekuton policia.

“Zyrtari i policisë i ngarkuar për ekzekutimin e urdhrit ia dorëzon urdhrin të pandehurit dhe kërkon që i pandehuri ta shoqërojë. Kur i pandehuri këtë e refuzon, atëherë dërgohet forcërisht,” precizon kodi. /Kallxo.com

Dështimi në UNESCO, leksion për INTERPOL

0

Mosvotimi për pranimin e Kosovës në UNESCO, sidomos nga shtetet që e kanë njohur pavarësinë e vendit si: Japonia, Korea e Jugut, Polonia…, është dështim i diplomacisë vendore. Kështu vlerëson ish-ambasadori i Kosovës, Lulzim Peci, duke shtuar se për këtë dështim Ministria e Jashtme e Kosovës duhet ta marrë përgjegjësinë dhe jo ta projektojë humbjen si një lloj fitore.

Peci ka thënë për “Zërin” se Kosova nuk duhet të ngurrojë për të aplikuar në organizata ndërkombëtare, por këtë duhet ta bëjë me kujdes dhe vetëm atëherë kur të sigurojë votat e nevojshme për pranim.

“Me këtë rast nuk duhet harruar edhe njohjet e mëtutjeshme, të cilat mund të janë pengesë për pranimin e Kosovës, sidomos në ato organizata ku kërkohet vota pro e 2/3 e anëtarëve. Mospranimi i Kosovës në UNESCO duhet të jetë leksion për aplikimin eventual në INTERPOL, që ka formë të njëjtë të votimit”, ka shtuar ai.

Sipas tij, as Serbia e as Rusia nuk kanë pasur mundësi që të ndikojnë te Japonia, apo Korea e Jugut, ndonëse nuk mund të përjashtohet ndikimi tek Egjipti.

Edhe profesori i së drejtës ndërkombëtare, Afrim Hoti, ka thënë për gazetën “Zeri” se diplomacia kosovare është dashur që të mbajë kontakte të vazhdueshme me shtetet, të cilat e kanë njohur pavarësinë e vendit. Ai thotë se neglizhenca ndaj këtyre shteteve mund të ketë qenë njëri ndër faktorët, të cilët ndikuan në mospranimin e Kosovës në UNESCO.

U2 anulon koncertin në Francë

0

Koncerti i bandit të njohur muzikor U2, i planifikuar të mbahej në Paris, është anuluar për shkak të sulmeve të mbrëmshme terroriste në Paris, që kanë lënë mbi 150 qytetarë francezë të vdekur.

Koncerti planifikohej të mbahej sot në “Bercy Arena”, që është vetëm pak kilometra larg teatrit të Bataclanit, në vendin ku u zunë peng disa qytetarë francezë, përpara se të vriteshin.

Parisi mbrëmë është goditur nga disa sulme serike terroriste të kryera nga tetë xhihadistë, 7 prej të cilëve kanë kryer sulme vetëvrasëse, ndërsa njëri është vrarë nga Policia.

Sulmi më i madh ndodhi në sallën e koncerteve në Bataclan, ku u vranë rreth 120 persona.

Ndërron jetë humoristi Ibrahim Krajkova – Leci

0

Ka ndërruar jetë humoristi i mirënjohur, Ibrahim Krajkova që njihej në popull si Leci.

Pas problemeve shëndetësore që ka pasur vitet e fundit ai është tërhequr nga skena publike.

Krajkova ishte bërë i njohur nga projekti filmik “Treshi përsheshi”, ndërsa ka qenë pjesë edhe e shumë projekteve të tjera.

Varrimi i tij do të bëhet sot në ora 16:00 na varrezat e qytetit në Prishtinë, njofton Klan Kosova.

Shtohet numri i vetëvrasjeve, në krye të listës moshat e reja

0

Që nga paslufta e këndej numri i vetëvrasjeve në Kosovë sa shkon e shtohet vazhdimisht dhe askush ende nuk është marrë me ndonjë analizë komplekse të kësaj dukurie shqetësuese për shoqërinë tonë.

Statistikat flisnin për rritje të rasteve të vetëvrasjeve nga viti në vit. Duke iu referuar statistikave të Policisë së Kosovës, prej vitit 2001 deri në vitin 2014 kanë ndodhur 855 vetëvrasje dhe 2.967 tentim vetëvrasje, pra flitet për një rritje enorme të rasteve të tilla pas luftës. Sipas po këtyre statistikave policore vetëm në periudhën 5 mujore të këtij viti kanë ndodhur 20 vetëvrasje dhe ka pasur 64 tentime për kryerjen e një akti të tillë, madje numri më i madh i tyre u takon moshave të reja.

Ata që mundohen të zbulojnë faktorët që qojnë deri te kryerja e një akti të tillë, supozojnë se faktorët mund të jenë të ndryshëm, por që përveç sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme duket se indikatorë të fortë janë ndryshimet shoqërore dhe zhgënjimi e humbja e shpresës për një jetë më të mirë.

Sociologu Albert Mecini duke shprehur shqetësimr për rritjen e numrit të vetëvrasjeve në Kosovë shpjegimin e kësaj dukurie e mbështet në faktin se ne jemi shoqëri e dalë nga lufta, në kushtet jo të mira ekonomike dhe individualizmi drejt së cilës ka prirje sot shoqëria jonë.

“Edhe pse vetëvrasja si fenomen shoqëror është e shprehur në të gjitha shoqëritë, pavarësisht rrethanave dhe kushteve sociale dhe në përgjithësi vetëvrasjet në kontekstin e shoqërive perëndimore ndodhin për shkaqe të socializmit të tepërt shoqëror ose mungesës së këtij socializmi, varësitë e ndryshme nga alkooli, drogat që shkaktojnë veprim emocional në rast që situata bëhet e pamenaxhueshme për individin.

As në shoqërinë tonë nuk mund t’i përjashtojmë këta faktorë, por duhet theksuar se kemi të bëjmë me një situatë specifike për shkak se jemi shoqëri e dalë nga lufta dhe zakonisht stresi post-traumatik fillon të shfaqet me të madhe pas dekadës së parë”, thotë Mecini.

Ai nënvizon se ngjarjet e përjetuara janë çdoherë brenda individit dhe në një kohë të caktuar shfaqen si lloj çrregullimesh emocionale, të cilat shkaktojnë depresion dhe ndjenjë depersonalizomi në rast që situata bëhet vështirë e përballueshme që mund të qojë deri tek vendime të tilla.

“Përveç kësaj duke pas parasysh gjendjen ekonomike në vendin tonë, varfëria e skajshme dhe transformimet e shpejta që ka pasur struktura e organizimit të marrëdhënieve shoqërore janë faktorë ndikues në këtë drejtim. Shoqëria sot ka prirje drejt individualizmit gjë që bie ndesh me traditat dhe normat sociale të së kaluarës.

Prandaj ka individ që e përballojnë me vështirësi këtë ndryshim dhe thjesht nuk mund ta gjejnë vetën ne rrethanat e reja sociale, prandaj dhe ndjehen të parëndësishëm dhe të pafuqishëm”, deklaron Mecini duke përmendur si më të shprehur tipin e vetëvrasjes egoiste që shkaktohet si mungesë e socializimit- integrimit shoqëror.

Neuropsikiatri Fahri Drevinja, ndër shumë shkaqe, të cilat qojnë personin deri tek mendimi për të bërë vetëvrasje, siç janë sëmundjet psikiatrike, sëmundjet e rënda shpirtërore, përdorimi i alkoolit ose drogës, përmend si shumë të rëndësishëm faktorët social dhe ata ekonomik.

“Përveç sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme si faktorë që mund të mos jenë kryesorë, por që janë shumë ndikues në këtë drejtim janë faktorët socialë (prishja ose rënia e statusit social, prishja e marrëdhënieve bashkëshortore, prishja e ngrohtësisë familjare) dhe ata ekonomikë që ndikojnë në zhgënjimin dhe humbjen e shpresës për një jetë më të mirë”, pohon Drevinja.

Ai shpreh shqetësimin për numrin e madh të vetëvrasjeve që po ndodhin kohëve të fundit në vendin tonë e që është numër i madh krahasuar me numrin e popullsisë.

“Prej fillimit të vitit deri më tani aq sa unë kam njohuri kanë ndodhur 51 ose 52 vetëvrasje. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur paraluftës, por që nga paslufta ky numër ka shkuar duke u shtuar e që për një gjë të tillë mendoj se indikatorë janë rënia e të ardhurave tona dhe rënia e statusit social. Jo pse paraluftës kemi pasur kushte më të mira se që kemi sot, por që tani ka ndryshuar pritshmëria e njerëzve.

Asokohe brengë kryesore kemi pasur mbijetesën dhe çlirimin, as që kemi menduar për suicid (vetëvrasje), por pasluftë gjërat ndryshuan. Shoqëria jonë u hap dhe iu dha mundësia për të parë botën. Kështu shumë njerëz krijojnë vizione për të ardhëm dhe kanë dëshira të ndryshme për të arritur më tepër, ndërsa kushtet ekonomike nuk ua lejojnë një gjë të tillë dhe ata zhgënjehen, shohin një jetë të paperspektivë në vendin tonë”, thotë Drevinja.

Ai tutje thotë se shkaku i kushteve financiare shumë të rinj që kanë aspirata më të mëdha dhe vizione për jetën, duke mos pasur përkrahje për realizimin e tyre degradohen dhe për shkak të këtij degradimi fillojnë mendimet negative, e dalëngadalë vije deri tek mendimi për vetëvrasjen, sepse njeriu e sheh që materialisht nuk ka rrugëdalje dhe aspiratat e tij mbesin në gjysmë të rrugës.

Sipas tij, në shmangien e rasteve të tilla rëndësi shumë të madhe ka përkrahja familjare, por nëse familja është e lodhur financiarisht e që nuk mund të japin një mbështetje të tillë pikërisht, këtu fillon ajo përçarja ku personi fillon të mendoj gjëra negative dhe bie edhe në depresion. Situatat e këtilla, në shumë raste shpijnë deri tek vetëvrasja, veprim ky i cili lëre që nuk është zgjidhje, por mund të shërbej si shembull shumë i keq për brezat e ardhshëm.

Drevinja tregon se numri më i madh i atyre që bëjnë vetëvrasje i takon brezit të ri, ndërsa shkaqet duhet kërkuar te paperspektiva, papunësia, pastaj edhe te intensiteti i sëmundjeve psikiatrike akute që është në shkallë të lartë, e të cilat prodhojnë ide për vetëvrasje te të rinjtë,pasi dihet se të rinjtë janë impulsiv dhe auto agresiv.

“Edhe përdorimi i madh i internetit që bëhet nga brezat e rinj ka ndikim, pasi jo rrallë ata marrin dikë ose diçka si model të sjelljes, duke mos pasur mundësi realizimi degradohen gjë që është filli i mendimeve negative”, deklaron Drevinja.

Ai këshillon të rinjtë që të kenë kujdes në modelet që zgjedhin dhe të mos bien pre e lakmive të ndryshme duke dashur të bëhen si dikush që nuk mund të jenë pasi zgjedhja për të bërë diçka duhet të ketë bazë, përfshirë këtu edhe atë ekonomike duke marrë vetëm ato modele që të përshtaten dhe jo të tilla që nuk ke mundësi t’i arrish dhe të përfundosh i zhgënjyer dhe assesi ta mendosh vetëvrasjen. /KosovaLive

Asociacioni, zgjidhje afatshkurtër e BE-së

0

Karakteri i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë ishte një zgjidhje klasike afatshkurtër e Bashkimit Evropian (BE) që kishte për synim arritjen e çfarëdo kompromisi të realizueshëm, pa pasur parasysh implikimet negative në aspektin afatgjatë për demokracinë dhe sundimin e ligjit në Kosovë. Kështu thuhet në raportin e Këshillit për Politika të Demokratizimit, me seli në Berlin të Gjermanisë, të përgatitur nga autori Bodo Weber.

Në raportin e këtij Këshilli të përgatitur gjatë këtij muaji, po ashtu, përmendet se “sipas një zyrtari të Bashkimit Evropian, drafti i dokumentit i Asociacionit i cili shërbeu si bazë për negocim në Bruksel ishte hartuar nga një jurist i Shërbimit të Jashtëm të BE-së (EEAS), i cili nuk kishte fare përvojë në fushën e qeverisjes lokale”.

“Situata bëhet edhe më e komplikuar kur t’i shtohet fakti se teksti në gjuhën shqipe dhe serbe dallon nga teksti në gjuhën angleze. Prandaj, është e qartë se forma dhe karakteri i Asociacionit do të varet nga përmbajtja e statutit të tij”, thuhet mes tjerash në këtë raport me titull: “Zhbërja e progresit? – Këmbimi i demokracisë me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve rreth statusit”. /Zëri

Terrori në Paris, mbi 158 të vrarë

0

Parisi është futur në një “shtetrrethim” të përkohshëm pas ngjarjeve terroriste që tronditën kryeqytetin francez mbrëmjen e së premtes, me 7 sulme të koordinuara në zemër të qytetit, që lanë të paktën mbi 158 viktima.

Tmerri i vërtetë ndodhi në sallën e koncerteve “Bataclan”, ku u vranë 118 persona, të cilët fillimisht u morën peng dhe më pas u ekzekutuan nga tre pengmarrësit. Forcat e policisë bastisën sallën, duke ekzekutuar pengmarrësit, ndërsa liruan pengjet e mbetur.

Fillimisht u raportua për të shtëna brenda restorantit “Petit Cambodge” në “Rue Bichat”, ku mbetën të vdekur 11 persona, ndërsa pak më vonë ndodhën dy shpërthime pranë stadiumit “Stade de France”, ku po zhvillohej ndeshja miqësore mes Francës dhe Gjermanisë. Policia franceze njoftoi se ka vënë në pranga 4 ekstremistë, të cilët dyshohet se kanë lidhje me sulmet e së premtes.

Restoranti ku ndodhi sulmi i parë është shumë pranë vendit ku ndodhën të shtënat e “Charlie Hebdo” në janar të këtij viti. Një person brenda teatrit tha për një radio franceze se terroristët kishin bërtitur “Allah Akbar” përpara se të hapnin zjarr. Dëshmitarët thanë se pengmarrësit ishin të veshur jelekë antiplumb, ndërsa nuk ishin të maskuar. Sipas dëshmitarëve, ata qëlluan me kallashnikovë AK47, si dhe hodhën edhe granata. Sulmi në sallën e koncerteve ka zgjatur më shumë se 15 minuta.

Nga raportimet e fundit thuhet se edhe Presidenti francez, Francois Hollande, i cili ishte duke parë ndeshjen miqësore France-Gjermani, është larguar për arsye sigurie nga stadiumi, ndërkohë që të gjithë tifozët e pranishëm janë bllokuar brenda stadiumit, për shkak se janë mbyllur dyert e tij. Pas qetësimit të situatës jashtë stadiumit, ata u lanë të dilnin jashtë tij.

Dëshmitarët pranë stadiumit kanë thënë për gazetën “Liberation” se ka dëgjuar mbi 100 të shtëna, ndërkohë që agresori dyshohet të jetë larguar nga vendi i ngjarjes.

Të shtëna dhe shpërthime bombash janë dëgjuar edhe në galerinë e artit “Louvre”, si dhe në dy qendra tregtare.

Ndërkaq, në Francë, Presidenti Hollande ka thirrur një mbledhje të kabinetit të emergjencave duke startuar kështu të ashtuquajturin plan alfa të kuq, i vlefshëm në çdo rast kur ndodh ndonjë sulm terrorist në territorin francez.

Në konferencën e shkurtër për shtyp, Presidenti Hollande u shpreh se “populli francez duhet të qëndrojë i bashkuar dhe i qetë, pavarësisht çfarë po ndodh”, ndërkohë që ka urdhëruar mbylljen e kufijve të Francës, për të shmangur ndonjë largim të mundshëm të terroristëve. Hollande shtoi se “janë duke u kryer të gjitha operacionet e nevojshme në këtë situatë, ndërsa forcat e policisë janë në kërkim të atentatorëve në Paris”.

Pas sulmeve, ka reaguar përmes një konference për shtyp nga Shtëpia e Bardhë edhe Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barack Obama.

Në fjalimin e tij, Obama u shpreh se “sulmet në Paris janë një përpjekje nga njerëz të egër për të terrorizuar civilë të pafajshëm. Shtetet e Bashkuara do të qëndrojnë përherë në krah të Francës në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit dhe do të bëjnë gjithçka mundet për të dërguar terroristët përpara drejtësisë”.

Veton Surroi në stendën e “Sarasit”

0

Veton Surroi, një nga personazhet më të njohura në fushën e mendimit në hapësirat shqiptare, prezantohet në edicionin e 18 të Panairit të Librit, me katër vepra që vijnë nën siglën e botimeve “Saras”. I njohur për stilin dhe metaforat përmes së cilave mund të lexosh shpesh të ardhmen e asaj çdo ndodhë jo vetëm në Kosovë, publicistika e Surroit gjithnjë lë një shije të gjatë te ty, pasi e ke lexuar. Të njëjtën ndjesi ta jep dhe leximi i dy veprave publicistike, të cilat mund t’i gjesh në stendën e “Sarasit” “Flutur” dhe “Ambasadori i Melkizedekut”.

Ky i fundit të bën të takosh personazhe të rëndësishme të historisë së Kosovës së pasluftës dhe të shohësh një portret gati historik që Surroi i bën ish-presidentit të ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. I ashpër ndaj krizës së gjatë politike ekonomike jo vetëm në Kosovë, në këtë libër Surroi flet dhe për atë çfarë shihet si shqetësim sot, islamin politik. Por “Sarasi” na jep mundësinë ta shohim ndryshe publicistin.

Në stendën e saj ju mund të gjeni dy romanet e tij, që tregojnë një shkrimtar po aq interesant sa në publicistikë, i cili të bën të ndihesh i ndryshuar, pasi e ke lexuar. “Këmbët e gjarprit”, libri që u prit me debate në Kosovë, si një alegori ndaj ish-kryeministrit Hashim Thaçi, tashmë është në stendën e “Sarasit”. Në shijen e letërsisë së mirë të Surroit, vjen dhe romani “Miliarderi”. Surroi do të ketë një takim me lexuesit nesër, në orën 14:00, në sallën ovale të Panairit të Librit.

Aksident tragjik në Prizren

0

Besnik Shefki Krasniqi  nga fshati Medvec  i Prizrenit ka humbër jetën aksidentalisht . Aksidenti tragjik ka ndodhur në rrugën Prizren-Gjakovë,përkatësisht në fshatin Landovicë .

Zëdhënësi i Policisë në Prizren, Hazir Berisha,ka konfirmuar për “PrizrenPress”, aksidentin tragjik në Landovicë.

“ Viktima ka humbur jetën aksidentalisht me kamion të betonit të ndërtimtarisë”, ka konfirmuar Berisha./PrizenPress.com/