22.8 C
Prizren
E diel, 19 Maj, 2024

Shtohet numri i vetëvrasjeve, në krye të listës moshat e reja

Që nga paslufta e këndej numri i vetëvrasjeve në Kosovë sa shkon e shtohet vazhdimisht dhe askush ende nuk është marrë me ndonjë analizë komplekse të kësaj dukurie shqetësuese për shoqërinë tonë.

Statistikat flisnin për rritje të rasteve të vetëvrasjeve nga viti në vit. Duke iu referuar statistikave të Policisë së Kosovës, prej vitit 2001 deri në vitin 2014 kanë ndodhur 855 vetëvrasje dhe 2.967 tentim vetëvrasje, pra flitet për një rritje enorme të rasteve të tilla pas luftës. Sipas po këtyre statistikave policore vetëm në periudhën 5 mujore të këtij viti kanë ndodhur 20 vetëvrasje dhe ka pasur 64 tentime për kryerjen e një akti të tillë, madje numri më i madh i tyre u takon moshave të reja.

Ata që mundohen të zbulojnë faktorët që qojnë deri te kryerja e një akti të tillë, supozojnë se faktorët mund të jenë të ndryshëm, por që përveç sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme duket se indikatorë të fortë janë ndryshimet shoqërore dhe zhgënjimi e humbja e shpresës për një jetë më të mirë.

Sociologu Albert Mecini duke shprehur shqetësimr për rritjen e numrit të vetëvrasjeve në Kosovë shpjegimin e kësaj dukurie e mbështet në faktin se ne jemi shoqëri e dalë nga lufta, në kushtet jo të mira ekonomike dhe individualizmi drejt së cilës ka prirje sot shoqëria jonë.

“Edhe pse vetëvrasja si fenomen shoqëror është e shprehur në të gjitha shoqëritë, pavarësisht rrethanave dhe kushteve sociale dhe në përgjithësi vetëvrasjet në kontekstin e shoqërive perëndimore ndodhin për shkaqe të socializmit të tepërt shoqëror ose mungesës së këtij socializmi, varësitë e ndryshme nga alkooli, drogat që shkaktojnë veprim emocional në rast që situata bëhet e pamenaxhueshme për individin.

As në shoqërinë tonë nuk mund t’i përjashtojmë këta faktorë, por duhet theksuar se kemi të bëjmë me një situatë specifike për shkak se jemi shoqëri e dalë nga lufta dhe zakonisht stresi post-traumatik fillon të shfaqet me të madhe pas dekadës së parë”, thotë Mecini.

Ai nënvizon se ngjarjet e përjetuara janë çdoherë brenda individit dhe në një kohë të caktuar shfaqen si lloj çrregullimesh emocionale, të cilat shkaktojnë depresion dhe ndjenjë depersonalizomi në rast që situata bëhet vështirë e përballueshme që mund të qojë deri tek vendime të tilla.

“Përveç kësaj duke pas parasysh gjendjen ekonomike në vendin tonë, varfëria e skajshme dhe transformimet e shpejta që ka pasur struktura e organizimit të marrëdhënieve shoqërore janë faktorë ndikues në këtë drejtim. Shoqëria sot ka prirje drejt individualizmit gjë që bie ndesh me traditat dhe normat sociale të së kaluarës.

Prandaj ka individ që e përballojnë me vështirësi këtë ndryshim dhe thjesht nuk mund ta gjejnë vetën ne rrethanat e reja sociale, prandaj dhe ndjehen të parëndësishëm dhe të pafuqishëm”, deklaron Mecini duke përmendur si më të shprehur tipin e vetëvrasjes egoiste që shkaktohet si mungesë e socializimit- integrimit shoqëror.

Neuropsikiatri Fahri Drevinja, ndër shumë shkaqe, të cilat qojnë personin deri tek mendimi për të bërë vetëvrasje, siç janë sëmundjet psikiatrike, sëmundjet e rënda shpirtërore, përdorimi i alkoolit ose drogës, përmend si shumë të rëndësishëm faktorët social dhe ata ekonomik.

“Përveç sëmundjeve dhe çrregullimeve të ndryshme si faktorë që mund të mos jenë kryesorë, por që janë shumë ndikues në këtë drejtim janë faktorët socialë (prishja ose rënia e statusit social, prishja e marrëdhënieve bashkëshortore, prishja e ngrohtësisë familjare) dhe ata ekonomikë që ndikojnë në zhgënjimin dhe humbjen e shpresës për një jetë më të mirë”, pohon Drevinja.

Ai shpreh shqetësimin për numrin e madh të vetëvrasjeve që po ndodhin kohëve të fundit në vendin tonë e që është numër i madh krahasuar me numrin e popullsisë.

“Prej fillimit të vitit deri më tani aq sa unë kam njohuri kanë ndodhur 51 ose 52 vetëvrasje. Një gjë e tillë nuk ka ndodhur paraluftës, por që nga paslufta ky numër ka shkuar duke u shtuar e që për një gjë të tillë mendoj se indikatorë janë rënia e të ardhurave tona dhe rënia e statusit social. Jo pse paraluftës kemi pasur kushte më të mira se që kemi sot, por që tani ka ndryshuar pritshmëria e njerëzve.

Asokohe brengë kryesore kemi pasur mbijetesën dhe çlirimin, as që kemi menduar për suicid (vetëvrasje), por pasluftë gjërat ndryshuan. Shoqëria jonë u hap dhe iu dha mundësia për të parë botën. Kështu shumë njerëz krijojnë vizione për të ardhëm dhe kanë dëshira të ndryshme për të arritur më tepër, ndërsa kushtet ekonomike nuk ua lejojnë një gjë të tillë dhe ata zhgënjehen, shohin një jetë të paperspektivë në vendin tonë”, thotë Drevinja.

Ai tutje thotë se shkaku i kushteve financiare shumë të rinj që kanë aspirata më të mëdha dhe vizione për jetën, duke mos pasur përkrahje për realizimin e tyre degradohen dhe për shkak të këtij degradimi fillojnë mendimet negative, e dalëngadalë vije deri tek mendimi për vetëvrasjen, sepse njeriu e sheh që materialisht nuk ka rrugëdalje dhe aspiratat e tij mbesin në gjysmë të rrugës.

Sipas tij, në shmangien e rasteve të tilla rëndësi shumë të madhe ka përkrahja familjare, por nëse familja është e lodhur financiarisht e që nuk mund të japin një mbështetje të tillë pikërisht, këtu fillon ajo përçarja ku personi fillon të mendoj gjëra negative dhe bie edhe në depresion. Situatat e këtilla, në shumë raste shpijnë deri tek vetëvrasja, veprim ky i cili lëre që nuk është zgjidhje, por mund të shërbej si shembull shumë i keq për brezat e ardhshëm.

Drevinja tregon se numri më i madh i atyre që bëjnë vetëvrasje i takon brezit të ri, ndërsa shkaqet duhet kërkuar te paperspektiva, papunësia, pastaj edhe te intensiteti i sëmundjeve psikiatrike akute që është në shkallë të lartë, e të cilat prodhojnë ide për vetëvrasje te të rinjtë,pasi dihet se të rinjtë janë impulsiv dhe auto agresiv.

“Edhe përdorimi i madh i internetit që bëhet nga brezat e rinj ka ndikim, pasi jo rrallë ata marrin dikë ose diçka si model të sjelljes, duke mos pasur mundësi realizimi degradohen gjë që është filli i mendimeve negative”, deklaron Drevinja.

Ai këshillon të rinjtë që të kenë kujdes në modelet që zgjedhin dhe të mos bien pre e lakmive të ndryshme duke dashur të bëhen si dikush që nuk mund të jenë pasi zgjedhja për të bërë diçka duhet të ketë bazë, përfshirë këtu edhe atë ekonomike duke marrë vetëm ato modele që të përshtaten dhe jo të tilla që nuk ke mundësi t’i arrish dhe të përfundosh i zhgënjyer dhe assesi ta mendosh vetëvrasjen. /KosovaLive

Më Shumë

Kuvendi i Kosovës miraton disa marrëveshje ndërkombëtare

Kuvendi i Kosovës ka miratuar shumicën e marrëveshjeve ndërkombëtare, ratifikimi i të cilave kishte mbetur pezull që një kohë për shkak të mungesës së...

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit acarohet me vendimin e MPJ-së ku iu ndalua hyrja në Kosovë, patriarkut serb

Dioqeza e Rashkës dhe Prizrenit, ka reaguar ndaj vendimit të autoriteteve kosovare, të cilat i ndaluan hyrjen në territorin e Kosovës, patriarkut serb, Porfirije. Nga...

Lajmet e Fundit