12.6 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6887

Mehmeti: Me këtë roman, doja t’u ngrija një monument grave shqiptare

0

“Për shumë autorë është e vështirë të shpjegojnë librin e tyre. Për mua kjo është e pamundur”. Me këtë fjali, shkrimtari dhe publicisti, Kim Mehmeti, ka nisur dje një bashkëbisedim të gjatë mbi romanin e tij të fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, i cili hapi dhe siparin e promovimeve në edicionin e 18-të të Panairit të Librit që u hap dje në Pallatin e Kongreseve. I shkruar me nervin e një shkrimtari që mbart brenda dhe shqetësimin e identitetit të vendit të tij, ky roman u konsiderua nga kritika e pranishme në këtë prezantim si më i rëndësishmi i tri dekadave të fundit. “Ky është një libër i veçantë krahasuar me krijimtarinë time. Kim MehmetiPanari ri i Librit SARAS (1)Në dallim nga librat e tjerë që i shkruaja dhe i botoja menjëherë, këtë libër e kam përfunduar para dy vitesh dhe nuk më bëhej që ta botoja. Arsyet nuk i gjeta kurrë. Ndoshta është shkak i asaj që nganjëherë pretendoja edhe diçka që më dukej mbi aftësitë e mia krijuese”, tha Mehmeti. Ndryshe nga ajo që të krijohet në mendje sapo ke lexuar këtë roman, që shkrimtari ka bërë një rrëfim autobiografik, Mehmeti tha se historitë në këtë roman janë fryt i imagjinatës”.

Unë nuk jam rritur me gjyshërit e nuk kam dëgjuar rrëfime, është e imagjinuar edhe pse e marr si kompliment të madh kur më thonë se është libër biografik. Nuk ka asgjë biografike, përpos përvojës sime jetësore”, tha ai. Libri është një lojë mes imagjinatës, aq sa dhe fshati ku janë ndërtuar ngjarjet është fryt i përfytyrimeve. Nëse shumë njerëz pasi lexojnë librin duan ta vizitojnë këtë fshat, ai ekziston vetëm në fantazinë e autorit. “Libri është krejt prodhim i imagjinatës sime, por mbështetet mbi një realitet dhe dua që atë tablo ta japë sa më të saktë, siç ka qenë, pa e deformuar, por fakti që keni të bëni me art, me një prodhim që ka kaluar nëpër imagjinatë. U takoj njerëzve që besojnë fort se historia e librave mund të kompletojë vetëm me historinë e imagjinuar, ndryshe e përjetuar. Sesi është përjetuar ajo nga individi, mendoj se historia e vërtetë është kur të gjithë ne të rrëfenim përjetimet tona e të bëhej ai portreti i grupit. Mendoj se popujt që kanë histori më të kompletuar kanë edhe këtë pjesë të historisë, të imagjinuar dhe ky është rrëfimi më i plotë, për një popull, një mjedis, një qytet”, tha ai. Duke e quajtur një rrëfim për individin, Mehmeti tha se “Historia shqiptare është ajo e individëve, e gjysheve tona që nuk i shkruan e as nuk i dëgjon kush”. Rrëfimtaret në këtë libër janë femra. Dhe jo pa qëllim autori u ka besuar femrave peshën e historisë. Ai i ka bërë ato si mbrojtëset më të mira të identitetit dhe kujtesës sonë historike. “Portreti i historisë sonë, është ajo që i njohim të gjithë, por nuk është e plotë, historia jonë janë edhe ato pjesë të individëve, të jetëve të ndryshme dhe në këtë kontekst, unë kam jetuar në një mjedis ku nga fëmijëria deri sot jam i bindur se e gjithë burrëria ka qëndruar mbi shpinën e gruas. Dhe unë them nuk do të kishte burrëri, që burrëria do të rrëzohej lehtë pa grarinë shqiptare të fortë, që duke flijuar tërë jetën për atë ëndrrën e saj të heshtur që fëmijët e saj të jetojnë më mirë, sepse vetëm ashtu mund të vazhdojë ëndrra. Kjo është më e forta që posedon historia jonë kolektive”, tha Mehmeti. Sipas tij, femrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e historisë sonë kombëtare.

“Kronika jonë dhe ajo që duhet mbajtur mend, është mbajtur mend vetëm prej memories së gruas. Dhe duke qenë ashtu siç ishin gjyshet tona, analfabete, ashtu siç ishin edhe nënat tona, ato duhet të ishin regjistër i mirë që i kujtojnë gjërat dhe dinë t’i rrëfejnë mirë, në një mjedise, ku çdonjëra nga ato gra do të ishte shkrimtare më e mirë se unë, sikur të kishin qenë të shkolluara. Kam bindjen se e gjithë jeta e tyre përbëhej vetëm nga ajo: të rrëfyerit dhe të rikujtuarit të gjërave që të kanë ndodhur dhe duke imagjinuar gjërat që dëshironin të ndodhnin. Ato gra nuk kishin jetë të vetën, kishin një jetë brenda një oborri të rrethuar me mur ku duhej vetë t’i gëzoheshin asaj lojës sonë përtej atij muri”, tha Mehmeti, duke shtuar se përmes këtij libri kishte dashur t’i ndërtonte një përmendore gruas shqiptare. Ato, sipas tij, ishin mbrojtëset më të mëdha të gjuhës. “Doja t’u ndërtoja një përmendore nënave të atjeshme, gruas dhe motrës së atjeshme, të cilat flijuan çdo gjë duke u orvatur të ruajnë dallueshmërinë tonë nga të tjerët dhe të vetëdijshme se ajo ruhet nëse ruan gjuhën, nëse ruan të gjitha këto tiparet religjioze që i ke dhe të mbash mend cili je dhe të dish që të kthehesh, por të kthehesh në atë pastërti që ta japin kur të përshëndesin nga porta, ato gra të cilat i njohin mirë ato fole kur i prisnin pjellën e vet, mirëpo nuk e njohin përtejbotën, përtej avllisë ato nuk e njohin botën, mirëpo është e magjishme sa ato nuk ndiejnë nevojë ta njohin atë botë, sepse për ta ajo botë është shumë e trishtueshme, ajo bota që ua gëlltit fëmijët, që ua bën fëmijët shkije, në kuptimin e sllavit dhe nuk kanë atë urrejtje shovene, por një urrejtje që u vjen nga frika se bota që i tjetërson fëmijët tanë, i bën aq të ndryshëm sa ne nuk i njohim”, tha Mehmeti.

Në roman ndihet dhe shqetësimi i autorit mbi identitetin e shqiptarëve. Publicisti i angazhuar mbi fatin e vendit të tij, ndihet dhe në zërin e shkrimtarit në këtë libër. Tepër kritik ndaj politikës dhe Tiranës kulturore, që sipas shkrimtarit nuk sillet si i ka hije Piemonti kulturor. “Politika në Shqipëri është kuptuar si një spektakël televiziv. Shpesh mendoj se qeveritarët e Shqipërisë nuk kanë kabinet, por kanë studiot televizive, sepse vetëm aty i sheh. Kam frikë të hap edhe frigoriferin, sepse edhe nga aty del ndonjë ministër dhe në këto rrethana më e habitshme është që flitet edhe për seksin e mizave që fluturojnë mbi Shqipërinë, mbi peshqit më të ushqyeshmit, pro asnjëherë nuk diskutohet për çarjen e kulturës në luginën e Preshevës, çfarë bëjnë shqiptarët në Maqedoni, as diskutohet kur dalim në protesta ne dhe na futet edhe policia maqedonase”, tha Mehmeti, duke shtuar se “Shqipëria nuk na ka asgjë borxh neve, por ka borxh ndaj vetvetes’. Mehmeti ka folur për një vëllazëri e cila në një farë mënyre është koordinimi i raporteve politike kulturore apo ekonomike në hapësirat shqiptare. “Borxhi ndaj Shqipërisë është që të funksionojmë si një vëllazëri që mund të jetojë edh në 3-4 shtëpi të ndara, pro duhet ta dijë se cila është ara e përbashkët, kopshti i përbashkët. Krijuesi shqiptar në Maqedoni është krijues shqiptar. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk i ka borxh asnjë shkrimtari jashtë, por i ka borxh vetes, që të jetë Shqipëri, që na jep emrin shqiptar”, tha ai.

Përballë politikës

I ndjeshëm ndaj çështjeve politike, duke qenë dhe zëri më aktiv në mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni, Mehmeti tha se në letërsi përpiqet të mos bëjë politikë. “Jam munduar që letërsinë të mos e ndot me politikë. Aq sa edhe në raste kur më është dashur të përmend popujt sllavë, kujdesem të mos ketë asnjë notë të politizimit. Arti dhe politika nuk shkojnë bashkë. Jam munduar që t’i ndaj ato gjëra dhe them se ia kam dalë. Kur shkruaj për politikën, mat shkrimtarin”, tha Mehmeti, duke shtuar se për shkak të kritikave të tij ndaj politikës, shpesh librat e tij janë marrë si të tillë. “Dua Kimin që kryen obligimin e vet qytetar, si shqiptar që jeton në këtë kohë, në rrjedhat e këtij lumi, që të gjithëve na ka marrë e na çon përpara, ta ndaj nga Kimi që kur ulet e shkruan atë historinë e imagjinuar, apo të fshatit tim apo të familjes sime që absolutisht t’i nënshtrohet parimit se punëtoria në art është imagjinata, por jo në politikë nuk është kështu, aty duhet të jem sa më objektiv, sa më i drejtpërdrejtë”, tha Mehmeti.

Ja momenti i vrasjes dje në Tiranë (Video)

0

ABC News publikon për herë të parë foton e çastit pak minuta para se autorët të ekzekutonin me një plumb në kokë Enton Nikajn, dje në një lokal në Linzë, Tiranë.

Në foto duket momenti i përplasjes fizike mes tyre, ku me ndihmën e kamerave të sigurisë edhe policia ka dokumentuar ngjarjen.

https://youtu.be/thV7ML6es54

Zafir Berisha kërkon Task Forcë për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Prizren

0

Deputeti i NISMA-s për Kosovën, Zafir Berisha, i ka kërkuar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezit, që të formoj një Task Forcë për të luftuar krimin dhe korrupsionin në Prizren që ka marr përmasa alarmante.

“Gjendja e fundit e krijuar në Prizren kërkon një përqendrim të organeve të drejtësisë për ta rikthyer gjendjen normale në këtë qytet që është përfshirë nga skandalet në të gjitha resorët e qeverisë lokale, ku dhjetëra zyrtarë politikë e administrativ janë përfshirë si një bandë e organizuar nën petkun partiak në krim të organizuar, korrupsion, kidnapime, haraç, fajde për të realizuar pasurimin në kurriz të qytetarëve dhe pasurisë publike duke zhvatur taksat e qytetarëve”, ka shkruar Berisha në rrjetin e tij social Facebook.

Sipas Berishës arresimi i drejtorit të arsimit në Prizreni, është vetëm një nga shumë rastet e rënda të shkeljes të ligjit në këtë qytet. Ai përmendi edhe ndikimet që ka politika në organet e drejtësisë.

“Duke filluar nga vet Ramadan Muja si kryetar i qytetit, të gjithë janë involvuar si një bandë në krim të organizum duke degraduar qytetin e Prizrenit deri në shkallën e papërballueshme. Nisja e hetimeve edhe pse me vonesë ndaj zyrtarëve të Urbanizmit dhe Ispektoriatit besoj shumë se i hap rrugë hetimeve që duhet ti bëhen fenomenit të tenderomanisë në Shëndetësi, ku Muja përmes djalit të vet besoj se është i involvuar, si dhe Shërbimeve Puplike ku dyshoj se janë të involvuar edhe koka e krimit që gjendet në Prishtinë”, shkruan më tej Berisha. /PrizrenPress.com

Konfiskohen armë dhe municion në Prizren

0

Në fshatin Nashec të Prizrenit është konfiskuar një armë pushkë gjuetie, 10 fishekë dhe një thikë.

“Policia ka ndaluar një veturë në të cilën gjendeshin dy të dyshuar meshkuj shqiptarë. Gjatë kontrollimit brenda në veturë janë gjetur dhe konfiskuar një armë pushkë gjuetie, 10 fishekë dhe një thikë”, njofton Policia e Kosovës.

Me vendim të prokurorit rasti procedohet në procedurë të rregullt./PrizrenPress.com

Prizren: Policia arreston një person të dyshuar për fajde

0

Policia në Prizren ka njoftuar se ka arrestuar një person të dyshuar për fajde, detyrim, kanosje dhe krim të organizuar.

Sipas raportit të Policisë, pas hetimeve në bazë të planit operativ “Kristali” është arrestuar i dyshuari.

Të njëjtit me urdhër të gjykatës kompetente i është kontrolluar shtëpia dhe lokalet përcjellëse, ku janë konfiskuar një telefon celular, disa dokumente si dhe një armë gjuetie për të cilën është iniciuar rast në stacionin policor në Prizren.

Me urdhër të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje./PrizrenPress.com

Shpërthen Blushi: Kuvendi si paraburgim, plot kriminelë

0

Deputeti socialist, Ben Blushi shpërtheu në Kuvend në një fjalim për nevojën e reformës në drejtësi.

“Unë isha në Bruksel para dy ditësh dhe dua të them dy fjalë. Ajo që kuptova është se Europa do të na integrojë, por ne nuk duam. Progres-raporti ishte shkruar më mirë se ç’do e shkruante çdo shqiptar. Europa ka vendosur të na integrojë kështu siç jemi, pa e humbur durimin e saj,” tha Blushi.

Ai shtoi se në Shqipëri gjendet e vetmja klasë politike, të cilës po i ikin zgjedhësit.

“Ky vend po pakësohet duke u bërë i paqeverisshëm,” tha Blushi.

Sipas tij, reforma në drejtësi është e domosdoshme.

“Europa po bën çdo përpjekje për të na integruar dhe ne po bëjmë çdo përpjekje për t’u larguar nga Europa”.

“Për fajin tonë, integrimi vetëm është shtyrë. Disa vite më parë ishim ne që shpikëm atë rastin e famshëm të Fierit. Ky është një pingpong absurd se kush e shtyn më shumë integrimin”.

Duke folur për reformën në drejtësi, Blushi tha: “Deri diku ka të drejtë opozita, që ky parlament nuk mund të miatojë reformën në drejtësi, pa kryer dekriminalizimin e vet më parë. Unë besoj se kriminelët nuk kanë të drejtë të zgjedhin gjykatësit apo prokurorët e tyre”.

“Ka kaq shumë njerëz me të shkuar kriminale këtu, sa më duket vetja sikur jam në kushtet e paraburgimit. Kjo nuk është për të qeshur, por është një turp. Ky do hyjë në analet e historisë si parlamenti më qesharak dhe i turpshëm në histori”.

“Populli shqiptar i ka votuar të dy palët, sepse nuk ka pasur një ofertë më të mirë, si të tillë ata janë legjitimë. Pyetja ime është kjo: a do ishte ky parlament i tillë nëse do kishte drejtësi të pavarur? Unë them se jo. Vetëm drejtësia e pavarur është mënyra për të penguar ndotjen e parlamentit. Prandaj reforma në drejtësi është një reformë politike”.

“Nëse drejtësia funksionon, një pjesë e madhe e anëtarëve të parlamentit nuk do shkelnin dot këtu. Nëse ka diçka që nuk i ikim dot, kjo është reforma në drejtësi, të cilës nuk i ikim dot”.

“Unë besoj se vetëm drejtësia mund të përmirësojë politikën”.

“Ka një debat se kush meriton të shkojë në burg: sot shkon në burg si shofer që shkel semaforin, shkon si student që proteston, si konsumator, si sipërmarrës se nuk ke paguar taksat, edhe si gazetar, por pyetja është: po si politikan a shkon në burg? Deri tani nuk ka ndodhur. Kjo nuk është pyetja ime, por është pyetja e njerëzve jashtë kësaj salle”.

“Pyetja mbetet: pse zgjedhësi shkon në burg dhe të zgjedhurit e tyre nuk shkojnë në burg. Kjo sepse nuk kemi bërë një ligj apo reformë që na ndëshkon ne. Ne gjithmonë përdorim procedurën për të shmangur ndëshkimin. A kanë të drejtë zgjedhësit të na pyesin, përse të shkojmë ne në burg dhe ju të mos shkoni në burg asnjëherë? Është koha për t’i dhënë përgjigje serioze kësaj pyetje”./Mapo.al

Libri mbi John Lennon fiton Goldsmiths Prize

0

Libri fiksion me personazh legjendarin nga Beatles – John Lennon ka fituar Goldsmiths Prize. Libri “Beatlebone” i shkruar nga Kevin Barry është përshkruar si novelë që e qon lexuesin deri në kufirin e fjalëve, famës, e çmendurisë evropiane.

Barry ka triumfuar mbi pesë kandidatë të tjerë, në çmimin që kushton 10 mijë dollarë.

Libri tregon mbi ngjarje në vitin 1967, në një ishull në Irlandë ku Lennon qëndroi për shumë kohë. Më pas Lennon fillon edhe terapi mbi kontrollimin e panikut dhe agresionit.

Juria e sivjetme e çmimit është përbërë nga gazetari Leo Robson, Profesiori Josh Cohen dhe autori John McGregor.

Nishani kundërshton projektligjin për burgosjen e gazetarëve

0

Presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani ka reaguar kundër projektligjit, i cili parasheh burgosjen e gazetarëve.

“Befasues për mua si qytetar i këtij vendi, por edhe si President i Republikës u shfaq projektligji i qeverisë që kërkon rikthimin e burgimit për gazetarët me pretendimin e luftës ndaj shpifjes. Personalisht një akt të tillë e shoh me preokupim dhe shqetësim. E gjykoj kufizim të lirisë së shprehjes dhe cenim të standardeve demokratike të arritura deri më tash me kontributin e të gjitha palëve politike në vend,” ka shkruar Nishani në profilin e tij në Facebook.

Nishani ka thënë se shpifja është një gjest i ulët porse “burgosja e një gazetari është burgosje jo vetëm e fjalës, por e vetë lirisë, është goditje e sistemit demokratik, papajtueshmëri me të”, ka shkruar Nishani.

Kërkohet angazhim për rritjen e transparencës në komunën e Rahovecit

0

Instituti Demokratik i Kosovës ka vazhduar me aktivitetet avokuese për përmirësimin e indikatorëve të transparencës komunale. Tryeza me aktorët kyç në nivel komunal për të diskutuar transparencën komunale sot u mbajt në Komunën e Rahovecit dhe qëllim në vete kishte ndikimin në përmirësim të performancës komunale në katër shtyllat e vlerësimit.

Në fillim të këtij takimi nënkryetari i Komunës së Rahovecit, Xhemali Haxhimustafa, e theksoi rëndësinë e Transparometrit dhe e te gjitha indikatorëve e përdorur për vlerësimin e transparencës duke thënë se me pak përkushtim dhe angazhim nga ana e ekzekutivit dhe e kuvendit komunal mund të eliminohen edhe këto mungesa. Haxhimustafa vazhdo se ky nivel i ulet i transparencës sa ka rezultuar si pasojë e neglizhencës nga zyrtarët e komunës mirëpo ai u tregua i gatshëm për përmirësime.

Kryesuesi i Kuvendit te Komunës, Nehat Elshani, potencoi se edhe pse Kuvendi i Komunës së Rahovecit është vlerësuar si organi më transparent në krahasim me Kuvendet e Komunave të tjera të regjionit të Prizrenit, ka ende hapësirë për përmirësimin e disa indikatorëve. Elshani gjithashtu shtoi se është në interes të qytetarëve të bëhet publikimi i procesverbaleve, rregulloreve dhe i të gjitha vendimeve qe janë marrë në kuvend, ku ata mund të shohin se si përfaqësohen nga te zgjedhurit e tyre.

Lulzim Sylejmani, Drejtor i Financave, tha se ai është gjithmonë i gatshëm të ju përgjigjet kërkesave të qytetarëve dhe OJQ-ve sa i përket raporteve financiare dhe se plani i prokurimit është në përputhje me projektet që zhvillohen dhe ato duhet vetëm të publikohen në faqen zyrtare të Komunës. Sylejmani tha se ka çalime mirëpo të gjitha indikatorët të cilët mungojnë ne Komunën e Rahovecit duhet të merren më me seriozitet.

Florije Boshnjaku (AAK), anëtare e Kuvendit të Komunës, ka konsideruar si çështje shumë të rëndësishme mungesën e publikimit të planit të prokurimit, rregulloreve, vendimeve dhe statutit ne faqen zyrtare të Komunës. Ajo tha se në vend që këto dokumente të ruhen në arkiv ato nevojiten të publikohen në buletin apo gazetë zyrtare e cila do të mund të ju ofrohet edhe publikut.

Fatmir Iska (AAK), anëtarë i Kuvendit të Komunës, e shprehu pakënaqësinë e tij sa i përket nivelit të transparencës në Komunën e Rahovecit duke theksuar se gjatë seancave të mbajtura në Kuvendin e Komunës në shumicën e rasteve asamblistët nuk marrin përgjigje sa ju përket pyetjeve të parashtruara ekzekutivit të komunës, dhe raporti gjashtëmujor i punës nuk raportohet nga Kryetari i cili është shumë pak prezent ne mbledhjet asambleiste. Ai gjithashtu tha duhet inkurajohen qytetarët për të marrë pjesë në debate publike në mënyrë që të merren kërkesat dhe sugjerimet e tyre.

Ndërkaq, Komuna e Rahovecit gjatë periudhës janar-qershor 2015 është vlerësuar me mungesë të transparencës komunale duke arritur vetëm 40.3% të vlerësimit të përgjithshëm në katër shtyllat e vlerësimit: Zyra e Kryetarit, Kuvendi i Komunës, Financat Komunale dhe transparenca në Konsultime me Publikun (secila nga katër shtyllat përmban nga 11 indikator). /PrizrenPress.com

Raporti i Progresit konfirmon nevojën për rritjen e transparencës në komuna

0

Organizata Jo-qeveritare “EC Ma Ndryshe” vlerëson se Raporti i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2015 ka vënë në pah edhe njëherë nevojën që pushteti i nivelit lokal të rris transparencën në vendimmarrje, gjë që përputhet edhe me thirrjet e vazhdueshme të shoqërisë civile në Kosovë. Një tjetër çështje që përmendet në Raport, e ku po ashtu mund të tërhiqen paralelet me Komunat e Kosovës, ka të bëjë me pamjaftueshmërinë e transparencës buxhetore.

Në këtë Raport janë marrë parasysh përpjekjet e qeverisjes lokale në Kosovë për përmirësimin e kapaciteteve dhe vendimmarrjen në përputhje me Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, por po ashtu është vënë në pah nevoja që Komunat e Kosovës të vazhdojnë angazhimet për rritjen e transparencës.

“Përpjekjet e qeverisjes lokale duhet të vazhdojnë për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe fuqizimin e rolit mbikëqyrës të Kuvendeve të Komunave”, thuhet në Raport.

Ndërkohë Raporti në pjesën ku përshkruan zhvillimet në menaxhimin e financave publike në Kosovë thekson se “transparenca buxhetore është e pamjaftueshme”, gjë që vlen edhe për Komunat e Kosovës.

“Në veçanti, informatat mbi buxhetin duhet të jenë më të besueshme dhe më të hollësishme për të fuqizuar llogaridhënien. Prezantimi i informatave kryesore buxhetore në mënyrë të qasshme do të krijojë besim te publiku dhe do të kontribuoj në përmirësimin e marrëdhënieve qytetar-shtet”, thuhet në Raport.

Shqetësimet lidhur me çështjet e lartpërmendura janë ngritur shpeshherë nga “EC Ma Ndryshe”.

“Prandaj, konstatimet e Raportit të Komisionit Evropian duhet të kuptohen drejtë nga Komunat e Kosovës, të cilat duhet të marrin veprime të menjëhershme për rritjen e transparencës në vendimmarrje dhe menaxhim të buxhetit, si dhe të mundësojnë mbikëqyrje më efektive nga Kuvendet e Komunave. Njëkohësisht i bëjmë thirrje edhe ministrive të linjës në Qeverinë e Kosovës që të ndërmarrin veprime të duhura në mënyrë që të kemi përmirësimin thelbësor në transparencën e nivelit komunal”, thuhet në komunikaten e OJQ-së “EC Ma Ndryshe”. /PrizrenPress.com