10.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Mehmeti: Me këtë roman, doja t’u ngrija një monument grave shqiptare

“Për shumë autorë është e vështirë të shpjegojnë librin e tyre. Për mua kjo është e pamundur”. Me këtë fjali, shkrimtari dhe publicisti, Kim Mehmeti, ka nisur dje një bashkëbisedim të gjatë mbi romanin e tij të fundit “Shpërngulja e të vdekurve”, i cili hapi dhe siparin e promovimeve në edicionin e 18-të të Panairit të Librit që u hap dje në Pallatin e Kongreseve. I shkruar me nervin e një shkrimtari që mbart brenda dhe shqetësimin e identitetit të vendit të tij, ky roman u konsiderua nga kritika e pranishme në këtë prezantim si më i rëndësishmi i tri dekadave të fundit. “Ky është një libër i veçantë krahasuar me krijimtarinë time. Kim MehmetiPanari ri i Librit SARAS (1)Në dallim nga librat e tjerë që i shkruaja dhe i botoja menjëherë, këtë libër e kam përfunduar para dy vitesh dhe nuk më bëhej që ta botoja. Arsyet nuk i gjeta kurrë. Ndoshta është shkak i asaj që nganjëherë pretendoja edhe diçka që më dukej mbi aftësitë e mia krijuese”, tha Mehmeti. Ndryshe nga ajo që të krijohet në mendje sapo ke lexuar këtë roman, që shkrimtari ka bërë një rrëfim autobiografik, Mehmeti tha se historitë në këtë roman janë fryt i imagjinatës”.

Unë nuk jam rritur me gjyshërit e nuk kam dëgjuar rrëfime, është e imagjinuar edhe pse e marr si kompliment të madh kur më thonë se është libër biografik. Nuk ka asgjë biografike, përpos përvojës sime jetësore”, tha ai. Libri është një lojë mes imagjinatës, aq sa dhe fshati ku janë ndërtuar ngjarjet është fryt i përfytyrimeve. Nëse shumë njerëz pasi lexojnë librin duan ta vizitojnë këtë fshat, ai ekziston vetëm në fantazinë e autorit. “Libri është krejt prodhim i imagjinatës sime, por mbështetet mbi një realitet dhe dua që atë tablo ta japë sa më të saktë, siç ka qenë, pa e deformuar, por fakti që keni të bëni me art, me një prodhim që ka kaluar nëpër imagjinatë. U takoj njerëzve që besojnë fort se historia e librave mund të kompletojë vetëm me historinë e imagjinuar, ndryshe e përjetuar. Sesi është përjetuar ajo nga individi, mendoj se historia e vërtetë është kur të gjithë ne të rrëfenim përjetimet tona e të bëhej ai portreti i grupit. Mendoj se popujt që kanë histori më të kompletuar kanë edhe këtë pjesë të historisë, të imagjinuar dhe ky është rrëfimi më i plotë, për një popull, një mjedis, një qytet”, tha ai. Duke e quajtur një rrëfim për individin, Mehmeti tha se “Historia shqiptare është ajo e individëve, e gjysheve tona që nuk i shkruan e as nuk i dëgjon kush”. Rrëfimtaret në këtë libër janë femra. Dhe jo pa qëllim autori u ka besuar femrave peshën e historisë. Ai i ka bërë ato si mbrojtëset më të mira të identitetit dhe kujtesës sonë historike. “Portreti i historisë sonë, është ajo që i njohim të gjithë, por nuk është e plotë, historia jonë janë edhe ato pjesë të individëve, të jetëve të ndryshme dhe në këtë kontekst, unë kam jetuar në një mjedis ku nga fëmijëria deri sot jam i bindur se e gjithë burrëria ka qëndruar mbi shpinën e gruas. Dhe unë them nuk do të kishte burrëri, që burrëria do të rrëzohej lehtë pa grarinë shqiptare të fortë, që duke flijuar tërë jetën për atë ëndrrën e saj të heshtur që fëmijët e saj të jetojnë më mirë, sepse vetëm ashtu mund të vazhdojë ëndrra. Kjo është më e forta që posedon historia jonë kolektive”, tha Mehmeti. Sipas tij, femrat kanë luajtur një rol të rëndësishëm në ruajtjen e historisë sonë kombëtare.

“Kronika jonë dhe ajo që duhet mbajtur mend, është mbajtur mend vetëm prej memories së gruas. Dhe duke qenë ashtu siç ishin gjyshet tona, analfabete, ashtu siç ishin edhe nënat tona, ato duhet të ishin regjistër i mirë që i kujtojnë gjërat dhe dinë t’i rrëfejnë mirë, në një mjedise, ku çdonjëra nga ato gra do të ishte shkrimtare më e mirë se unë, sikur të kishin qenë të shkolluara. Kam bindjen se e gjithë jeta e tyre përbëhej vetëm nga ajo: të rrëfyerit dhe të rikujtuarit të gjërave që të kanë ndodhur dhe duke imagjinuar gjërat që dëshironin të ndodhnin. Ato gra nuk kishin jetë të vetën, kishin një jetë brenda një oborri të rrethuar me mur ku duhej vetë t’i gëzoheshin asaj lojës sonë përtej atij muri”, tha Mehmeti, duke shtuar se përmes këtij libri kishte dashur t’i ndërtonte një përmendore gruas shqiptare. Ato, sipas tij, ishin mbrojtëset më të mëdha të gjuhës. “Doja t’u ndërtoja një përmendore nënave të atjeshme, gruas dhe motrës së atjeshme, të cilat flijuan çdo gjë duke u orvatur të ruajnë dallueshmërinë tonë nga të tjerët dhe të vetëdijshme se ajo ruhet nëse ruan gjuhën, nëse ruan të gjitha këto tiparet religjioze që i ke dhe të mbash mend cili je dhe të dish që të kthehesh, por të kthehesh në atë pastërti që ta japin kur të përshëndesin nga porta, ato gra të cilat i njohin mirë ato fole kur i prisnin pjellën e vet, mirëpo nuk e njohin përtejbotën, përtej avllisë ato nuk e njohin botën, mirëpo është e magjishme sa ato nuk ndiejnë nevojë ta njohin atë botë, sepse për ta ajo botë është shumë e trishtueshme, ajo bota që ua gëlltit fëmijët, që ua bën fëmijët shkije, në kuptimin e sllavit dhe nuk kanë atë urrejtje shovene, por një urrejtje që u vjen nga frika se bota që i tjetërson fëmijët tanë, i bën aq të ndryshëm sa ne nuk i njohim”, tha Mehmeti.

Në roman ndihet dhe shqetësimi i autorit mbi identitetin e shqiptarëve. Publicisti i angazhuar mbi fatin e vendit të tij, ndihet dhe në zërin e shkrimtarit në këtë libër. Tepër kritik ndaj politikës dhe Tiranës kulturore, që sipas shkrimtarit nuk sillet si i ka hije Piemonti kulturor. “Politika në Shqipëri është kuptuar si një spektakël televiziv. Shpesh mendoj se qeveritarët e Shqipërisë nuk kanë kabinet, por kanë studiot televizive, sepse vetëm aty i sheh. Kam frikë të hap edhe frigoriferin, sepse edhe nga aty del ndonjë ministër dhe në këto rrethana më e habitshme është që flitet edhe për seksin e mizave që fluturojnë mbi Shqipërinë, mbi peshqit më të ushqyeshmit, pro asnjëherë nuk diskutohet për çarjen e kulturës në luginën e Preshevës, çfarë bëjnë shqiptarët në Maqedoni, as diskutohet kur dalim në protesta ne dhe na futet edhe policia maqedonase”, tha Mehmeti, duke shtuar se “Shqipëria nuk na ka asgjë borxh neve, por ka borxh ndaj vetvetes’. Mehmeti ka folur për një vëllazëri e cila në një farë mënyre është koordinimi i raporteve politike kulturore apo ekonomike në hapësirat shqiptare. “Borxhi ndaj Shqipërisë është që të funksionojmë si një vëllazëri që mund të jetojë edh në 3-4 shtëpi të ndara, pro duhet ta dijë se cila është ara e përbashkët, kopshti i përbashkët. Krijuesi shqiptar në Maqedoni është krijues shqiptar. Në këtë kontekst, Shqipëria nuk i ka borxh asnjë shkrimtari jashtë, por i ka borxh vetes, që të jetë Shqipëri, që na jep emrin shqiptar”, tha ai.

Përballë politikës

I ndjeshëm ndaj çështjeve politike, duke qenë dhe zëri më aktiv në mbrojtje të shqiptarëve në Maqedoni, Mehmeti tha se në letërsi përpiqet të mos bëjë politikë. “Jam munduar që letërsinë të mos e ndot me politikë. Aq sa edhe në raste kur më është dashur të përmend popujt sllavë, kujdesem të mos ketë asnjë notë të politizimit. Arti dhe politika nuk shkojnë bashkë. Jam munduar që t’i ndaj ato gjëra dhe them se ia kam dalë. Kur shkruaj për politikën, mat shkrimtarin”, tha Mehmeti, duke shtuar se për shkak të kritikave të tij ndaj politikës, shpesh librat e tij janë marrë si të tillë. “Dua Kimin që kryen obligimin e vet qytetar, si shqiptar që jeton në këtë kohë, në rrjedhat e këtij lumi, që të gjithëve na ka marrë e na çon përpara, ta ndaj nga Kimi që kur ulet e shkruan atë historinë e imagjinuar, apo të fshatit tim apo të familjes sime që absolutisht t’i nënshtrohet parimit se punëtoria në art është imagjinata, por jo në politikë nuk është kështu, aty duhet të jem sa më objektiv, sa më i drejtpërdrejtë”, tha Mehmeti.

Më Shumë

Në Prizren nis ndërtimi i një parku

Dje nisi përgatitja e terrenit në hapësirën e udhëkryqit mes rrugëve "Reshat Karjagdiu" dhe "Zahir Pajaziti" në Prizren për ndërtimin e një parku. Ky park...

1 Maji, Kurti thërret për solidaritet dhe organizim sindikal

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në Ditën Ndërkombëtare të Punëtorëve, ka treguar për rezultatet e qeverisjes së tij në ekonomi, punësim dhe ngritjen e...

Lajmet e Fundit