15.3 C
Prizren
E mërkurë, 8 Prill, 2026
Home Blog Page 6902

Haradinaj: Protestat nisin në nëntor

0

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se në takimin me dy liderët e tjerë opozitarë, janë pajtuar për thirrjen e protestave brenda muajit nëntor.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se në takimin me dy liderët e tjerë opozitarë, atë të Vetëvendosjes Visar Ymeri e Fatmir Limajn të Nismës për Kosovë, janë pajtuar për thirrjen e protestave brenda muajit nëntor.

Në një intervistë për Televizionin Rrokum, lideri i AAK-së i është kundërpërgjigjur edhe Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, e cila një ditë më parë, përmes Televizionit Rrokum i kërkoi opozitës të ulet në debat edhe të heqë dorë nga gazi lotsjellës.

Haradinaj thotë se pa u anuluar marrëveshjet e Brukselit nuk ka vend për debat.

Ai thotë se këto kërkesa, opozita ia ka bërë të qarta Ambasadës Amerikane.

E derisa e mohon përfshirjen e dhe të AAK-së në qeverisje, Haradinaj thotë se nëse nuk ka zgjidhje tjetër duhet të shkohet në zgjedhjet “për me i mat edhe një herë forcat”.

Lideri i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës e përshëndet vendimin e Presidentes për dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, por, sipas tij, ajo Marrëveshje duhet anular, e jo pezulluar përkohësisht.

Kinemaja e këtij viti

0

Midis titujve që kanë dalë këtë vit në sallat e kinemasë, këta janë 20 filmat më të mirë deri më tani.

Në vendin e parë, një vepër që është mjeshtërisht e pastër, por emocionalisht fshikulluese. Prej mjeshtri.

20 Njeriu-Milingonë nga Peyton Reed

Në ekuilibër midis komikes, aksionit dhe ndjenjave, superheroi i vogël i Marvel debuton në kinema me freski. Humbet paksa në gjallëri vetëm në rindërtimin e së shkuarës së Pymit, pseudonimi i Michael Douglasit. E adhurueshme kimia midis Paul Rudd dhe Evangeline Lilly, ish kukudhi i Lo Hobbit, gjithmonë e më shumë manjetik. Njeriu milingonë është një kandidat intrugues në prurjet e reja, krah për krah me Avengers.

19 Ex-Machina e Alex Garland

Është një debutim me regji intriguese, midis trillit shkencor dhe drithërimit psikologjik, megjithëse lë pak për të dëshiruar në tension dhe “kërcet” në disa detaje. Në një tërheqje futuriste në mal, një gjeni i shpikjeve provoi marrëdhëniet midis një subjekti të tij dhe një roboti grua. Ose ndoshta është ajo që i studion ata? Aktorë të rinj dhe të talentuar: Oscar Isaac, Domhnall Gleeson dhe Alicia Vikander.

18 “Ka mbërritur bija ime!”, nga Anna Muylaert

Komedi braziliane me tone edhe dramatike, e pasur me paradokse sociale: një guvernante ka jetuar larg familjes së vet, për të rritur djalin e një zonje shumë të ngarkuar… herë zbavitëse, herë sociologjikisht stimuluese. Ritmi i saj nuk është ai i një udhëtimi të zhurmshëm… por edhe pse midis anktheve të fortë, lë pas një trashëgimi emocionale të vlerësueshme.

17 “Selma: Rruga drejt lirisë” e Ava DuVernay

Regjisorja afroamerikane rindërton njërën prej betejave më të rëndësishme të ndërmarra nga Martin Luther Kingu (David Oyelowo) dhe nga populli zezak, për të fituar garancinë për të drejtën e votës. I jep hapësirë edhe njerëzve të zakonshëm, grave, personazheve minore që kanë patur një rol historik. E pamundur të mos prekesh, ndërkohë që turma e zezë kalon urën Edmund Pettus të qyetetit të vogël të Selma-s dhe sulmohet nga policia.

16 “Perla Bovery”, nga Anne Fontaine

Perla e vogël franceze për ironi, ka thellësi njerëzore dhe joshje. Madamë Bovary, romani i Gustave Flaubert, nuk ka qënë kurrë kaq zbavitës, pavarësisht nga pashmangshmëria tragjike e fatit. Meritë e alkimisë së dy aktorëve, veteranit Fabrice Luchioni dhe bukuroshes Gemma Arterton. Nga një lojë fjalësh në një prototip letrar të femrës, merr udhën një ortek i paevitueshëm e madje i padukshëm, deri sa ai bie zhurmshëm.

15 “Wild” nga Jean-Marc Vallée

Një histori e shpenguar, përgjatë shtegut të kreshtave të Paqësorit, e treguar me ndershmëri, midis peisazheve që të dredhin zemrën, dhe parafytyrimeve të montuara mirë (vetëm rrallëherë të tepërta). I fortë interpretimi i Reese Witherspoon, e cila riprodhon udhëtimin në këmbë në mes të natyrës nga Cheryl Strayed, ish e toksikuar, ekskursioniste e improvizuar. Nuk ka ambicie për të dhënë përgjigje shteruese, dhe nuk mungon ironia.

14 “Hungry Hearts” / “Zemra të Uritura”, nga Saverio Costanzo

Histori dashurie dhe mani. Duke kombinuar skena pothuajse të shkatërruara pas një stuhie, ndërtohet historia e një çifti nga fillimet e veta, deri në buzë të greminës. Eshtë i adhurueshëm takimi i parë, është e vrullshme historia e mëvonshme, deri në lindjen e djalit të parë. Me shtatzaninë ajo ndryshon, do të mbrojë të voglin nga bota e ndotur. Në festivalin e Venecias 2014 dorëzohet kupa Volpi për të dy aktorët, Alba Rohrwacher e Adam Driver.

13 “The Martian” / “Marsiani”, nga Ridley Scott

Regjisori i “Alien” dhe “Prometeusit” vështron akoma qiellin dhe planetët e largët, por këtë herë duke i drejtuar këmbët për nga forca e shkencës, me shumë mbështetje nga NASA. Del një tregim i fortë i mbijetesës mbi eksplorimin hapësinor, i cili nuk do të çudisë, por që di të zbavisë. Marsi përshkohet nga sipërfaqe misterioze të kuqe, por Ridley nuk abuzon me këtë karrem të lehtë. Matt Damon nuk ka me bollëk ideale, por e përmbush misionin e tij.

12 “Taksi në Teheran”, nga Jafar Panachi

Nuk është sigurisht njëri nga ata filma, të përcaktuar si “i kënaqshëm”. Duhet “armatosur” me pasion e dëshirë për t’u ndarë me të tjerët. Në shkëmbim do të ketë një dhuratë të madhe: një reflektim i përunjur dhe i thellë në kinema, si shprehja e lirisë, brenda dhe kundër një regjimi që e shkel, por nuk ia del ta mbysë. Regjisori iranian ka xhiruar në klandestinitet, duke anashkaluar ndalimin për të mos udhëhequr xhirimet e filmit.

11 “Të mos jesh i keq”, nga Claudio Caligari

Në Festivalin e Filmit në Venecia ka qënë filmi italian më i duartrokitur. Dhe jo sepse krijuesi i tij, Caligari, vdiq pak muaj më parë. Histori droge, lagjet e varfra dhe miqësitë, dhe evolucioni i botës bredharake të Lypësit. Lëvizet midis dëshpërimit dhe pangopësisë së jetës me ekuilibër, pa asnjë batutë dhe filmim të tepërt.

10 “Nëna ime”, nga Nanni Moretti

Është një Nanni Moretti i ndryshëm nga ai i cili jemi mësuar. Eshtë më intim. Vendosmërisht autobiografik, ndoshta me tepri. Por pritja e ngadaltë dhe e dhimbshme e të paevitueshmes, për vdekjen e nënës, prototip i prototipit, është treguar me ndjeshmëri dhe delikatesë prekëse. I pafrenueshmi John Turturro, me detyrën për të na bërë të qeshim me të madhe.

9 “Mustangu”, nga Deniz Gamze Ergüven

Debutim prekës i regjisorit me origjinë turke, që ka vite që jeton në Francë, përcon thirrjen e fortë të emancipimit të pesë vajzave plot energji, në një fshat të vetmuar të Turqisë. Kanë flokë të gjatë që valëviten në ajër, si perëndesha, dhe janë rebele, krenare, si kuaj mustang. Seicila në mënyrën e duhur janë kundër kulturës arkaike, e cila kërkon të shtypë feminilitetin dhe dëshirat e tyre. E pamundur të mos dalësh nga kinemaja me zemërim.

8 “Një mike e re”, nga François Ozon

Regjisori francez thur një melodramë me ngjyra, lëviz në meandret e errëta të identitetit seksual, midis përpunimit të vajtimit dhe të dëshirave të patreguara. Gërrmon me hirësi dhe paksa humor. E talentuara Anaïs Demoustier është protagoniste dhe përmes vështrimit të saj, ne njohim “miken e saj të re”…

7 “American Sniper” / “Snaiperisti Amerikan”, nga Clint Eastwood

Historia e Chris Kyle (Bradley Cooper), snaiperi më i pagabueshëm i historisë ushatrake amerikane, ka prodhuar polemika nga e majta dhe nga e djathta. Por jemi përballë një filmi të luftës, po, por kundër luftës. Midis misioneve në Irak, patriotizmit dhe fragmeneteve të jetës private, tregimi është i tensionuar, dramatik dhe esencial. Ashtu siç di të bëjë Clint.

6 “Një pëllumb i ulur mbi një degë reflekton mbi ekzistencën”, nga Roy Andersen

Kapitulli i tretë i triologjisë “Triologjia e gjallë”, vizualisht i kuruar dhe origjinal në stilin tregimtar. Leone d’Oro në Festivalin e Venecias 2014, skena 39, të frymëzuara estetikisht nga pikturat e Otto Dix, skicojnë me ironi inteligjente një njerëzim qesharak, të çuditshëm, përsëritës, por edhe të tmerrshëm dhe të aftë për mizori. Filmi ndoshta jo për të gjithë, shkëlqen në kërkimin artistik. Humorizmi i regjisorit suedez është gërryes ose zbavitës.

5 “Whiplash” / “Goditje kamzhiku”, nga Damien Chazelle

Si ata që u bien shkopinjve të daulles furishëm dhe egërsisht, “Whiplash” është një film xhazi dhe vuajtjeje, që lëvizin ngadalë brenda, që nga skena e parë e deri në finalen e madhërishme që pothuajse bën të shkrepin duartrokitjet. Regjisori amerikan frymëzohet nga një eksperiencë e tij për të vënë në skenë një duel, si emocional ashtu edhe fizik, midis një djaloshi me dhunti dhe ambicioz dhe një docenti me sjellje ekstreme. Oskar i merituar për aktorin më të mirë jo protagonist, J.K.Simmons.

4 “Mad Max: Fury Road” / “Maksi i çmendur: Rruga e tërbimit”, nga George Miller

Shpërthyes, i tërbuar, vizualisht imponues, ja vlen barra qeranë të presësh 30 vjet për një kapitull të ri të sagës së makinave të garave dhe shkretëtirës prej kineastit australian. Trupa e filmit e rinovuar, Tom Hardy hero i heshtur dhe Charlize Theron idealiste bukuroshe e furishme, filmi i katërt “rënkon” nga çmenduria dhe aksioni”, duke shkëlqyer në peshën e rrëfimit.

3 “Forcë Madhore” nga Ruben Östlund

Drama ekzistenciale suedeze, heton pjesën më pak fisnike të natyrës njerëzore dhe marrëdhëniet midis individëve, duke vështruar në anën e tyre më groteske, me ironi dhe nganjëherë për të qeshur. Midis majave me borë dhe heshtjes, në fillin e një ritmi të durueshëm që magjeps, në rutinën e dashur të një jave të bardhë, një familje hyn në krizë dhe vë në lojë rolet e veta të stabilizuara.

2 “Inside out”, nga Pete Docter e Ronnie Del Carmen

I ngjyrosur, zbavitës dhe me ritëm, vizatimori i ri i Disney Pixar është një film për ta parë dhe për ta riparë. Emocionet njerëzore janë “katandisur” në Gëzim, Trishtim, Tërbim, Frikë dhe Neveri, në një sintezë befasuese mjeshtërore. Së bashku me ta udhëtojmë në trurin njerëzor, të përshkruar me zgjuarsi delikate dhe me shumë sens humori!

1 “Birdman” ose (virtuti i paparashikueshëm i injorancës), nga Alejandro González Iñárritu

Eshtë një akt virtuoziteti i pëlqyer që ngacmon Hollivudin dhe ndërkohë i shkel syrin, por shkëlqen në teknikë mjeshtërore, ka interpretime të fuqishme (Michael Keaton mbi të gjitha) dhe është emocionalisht thumbues. Komedi thumbuese, që lëviz mbi fillin e tensionit për të kulmuar në një finale ëndërruese. Me një plan të vetëm drejtori meksikan thur një betejë të brendshme midis imazhit që kemi për veten tonë dhe atij që jemi në të vërtetë. Pyet për talentin dhe ndërkohë na tregon talentin e vet. I shpërblyer me Oskar. /Bota.al

Shqipëri-Kosovë, rikthehen kontrollet e dyfishta në kufi

0

Kosova dhe Shqipëria brenda pak javësh do të jenë të detyruara që të rikthejnë kontrollet e dyfishta kufitare.

“Kjo është kërkesë eksplicite ndaj Prishtinës dhe Tiranës”, ka bërë të ditur ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku.

Por deri në rikthim praktik të kontrolleve të dyfishta, kanë mbetur edhe disa procedura qeveritare që do t’i hapnin rrugë policisë për shtimin e kontrolleve.

Policia e Kosovës në një përgjigje elektronike për Top Channel ka sqaruar se janë në pritje të një vendimi të qeverisë për të nisur pastaj me zbatimin e kontrolleve të dyfishta kufitare.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrim Europian, ministri Çollaku ka thënë se Komisioni Europian ka kërkuar rikthimin e dy ndalesave kufitare, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar.

Sipas Çollakut, kërkesa e Komisionit Europian lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.

Pas aplikimit sezonal në stinën e verës, kontrolli në të dy pikat kufitare gjatë kalimit të kufirit ishte hequr përfundimisht në korrik të 2011-ës në bazë të marrëveshjes dypalëshe “Një ndalesë, një kontroll”.

Marrëveshja në lidhje me procedurat e përbashkëta të kontrollit në pikëkalimet kufitare Morinë-Vermicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë u zbatua pas instalimit të sistemit TIMS edhe në pikën kufitare kosovare të Vërmicës.

Reduktimi i kontrolleve ndikoi në pakësimin e radhëve të automjeteve në kufirin mes dy vendeve, sidomos gjatë stinës së verës. /TCh

Bernard Përlazri shan, kërcënon dhe kërkon të gjykohet nga EULEX-i

0

Bernard Përlazri, i dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës nuk i zgjodhi fjalët në gjykimin ku akuzohet për detyrim në bashkëkryerje të mbetur në tentativë.

Bashkë me Bernard Përlazrin për këtë vepër po akuzohen edhe Pashk e Jozef Përlazri.

Në fillim të seancës në Gjykatën Themelore në Prizren, Nikë Shala, avokati i Bernard Përlazrit, me kërkesë të klientit të tij kërkoi përjashtimin e gjykatëses dhe prokurores dhe marrjen e kësaj lënde nga EULEX-i.

Këtë kërkesë avokati e arsyetoi me atë se nuk i beson kësaj gjykate dhe prokurorie me ndryshimin e rrethanave pas vrasjes së Hekuran Morinës, të dëmtuarit të këtij procesi.

Pastaj i akuzuari Bernard Përlazri nuk mundi ta përmbajë veten, duke shpërthyer në fyerje dhe kërcënime, ndaj të cilave nuk pati reagim nga gjykatësja dhe prokurorja.

“Zoja gjykatëse prej policisë dhe prokurorisë së Prizrenit krejt kjo ka ardhë, ju s’ keni faj si trup gjykues, po krejt k’ta e kanë pru punën deri qetu. Më mshelën në burg gjashtë muj ditë, m’dulën 4 vetë, ken tuj më vra, s’ pata ku me shku mo. Këta nuk janë tu punu drejt. 6 muj ditë për dy shuplaka m’ kanë majtë, krejt këto prokuroria dhe Nexhmedin Krasniqi i kanë bo,” tha Përlazri.

Ai kërkoi me të njëjtën gjuhë kërcënuese e fyese të largohen ata që kanë ngritur aktakuzën.

“Ju kisha lutë që këtë prokurore dhe çka ka prokuror mos me mi pru këtu, se krejt kjo Ervehe Gashi, së bashku me Sylë Hoxhën dhe Nexhmedin [Krasniqin] e kanë pru deri këtu… po nihet kur të del edhe Zoti ka me e marrë vesh, se më morën në qafë mu, e morën në qafë atë [Hekuran Morinën] dhe mu, e ju ardhtë rendi ju kajshin fëmija edhe këtyne, qysh janë tu i kajtë atina, se nuk e kam lehtë as unë, i lashë fëmijët rrugës,” vazhdoi të flasë Përlazri.

Përlazri, u ankua në gjykatë edhe për faktin se pse po mbahej i lidhur me zinxhirë në këmbë dhe duar.

“Mos më shtini me vjellë prej goje, se kur të vjelli keni me u zhveshë krejt qysh ka shku ai. Edhe zonja gjykatëse a ka mundësi me e ditë pse në këmbë e në duar janë tuj më lidhë. Këta po thonë gjykata ka urdhëru… gjykatësja: jo, jo… po kush ka urdhëru ai Nexh p…, se ka me ja q… familjen edhe atij,” kërcënoi, shau dhe u ankua Përlazri.

Avokati Nikë Shala nuk i komentoi fjalët e pamatura të të mbrojturit të tij.

“Ishte kërkesë e klientit tim që të kërkohet përjashtimi edhe i gjyqtares edhe i prokurores për shkak se i njëjti dyshon në objektivitetin e vendorëve. Kërkesa e tij është që kjo çështje t’i dërgohet në kompetencë Eulexit. Veprimet e tij janë çështje personale dhe unë nuk isha lëshu në to,” tha Shala për KALLXO.com.

Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon të akuzuarit Bernard, Pashk dhe Jozef Përlazrin se në bashkëkryerje prej mesit të janarit e deri më 23 shkurt 2015 në Prizren me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përdorur forcën apo kanosjen serioze ndaj personit tjetër.

“I pandehuri Bernard Përlazri i shoqëruar me një person për momentin ende të panjohur për prokurorinë, shkojnë në lokalet e biznesit të të dëmtuarit Hekuran Morina, kërkojnë të bisedojnë me të dhe gjatë bisedës me të dëmtuarin Hekuran, e në prezencën e dëshmitarëve Fadil dhe Afrim Morina, kërkojnë nga Hekurani shumën prej 70 mijë euro, gjoja në emër të borxhit që e kishte babai i tyre, tani i ndjeri Beg Morina,” thuhet në aktakuzë.

Aktakuza përshkruan edhe ngjarjen e 23 shkurtit të këtij viti.

Më 23 shkurt 2015 rreth orës 19:40 minuta në Prizren derisa i dëmtuari Hekuran Morina ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, pranë tij ndalen dy automjete njëri BMW X5 dhe tjetri Audi A4, nga njëra veturë del i pandehuri Bernard ku i ofron një kopje të letërnjoftimit ku thuhet “Beg Morina i murr te Bernard Përlazri më 22.01.2012, 70 mijë euro borxh, brenda 6 muajve me u kthy borxhi,” shpjegon aktakuza.

Më tutje në aktakuzë flitet për sulmin që të akuzuarit ia bënë Hekuran Morinës kur ky kishte thënë se shkrimi në kopjen e letërnjoftimit nuk ishte i babait të tij.

Në atë moment Jozef Përlazri kishte filluar ta godiste me grushta, ndërsa të pandehurit Bernard e Pashk, i hapin të gjitha dyert e automjetit dhe e sulmojnë me dru duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit. I pandehuri Jozef Përlazri e ofron dorën në brez duke thënë a ta vrasim, ndërsa Bernardi kishte thënë largohuni mos i bjerni, pasi që e ndërprejnë sulmin, i pandehuri Bernard i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: ‘Këtij borxhi ke me ju përgjigj’,” vijon aktakuza.

Shtatë muaj më pas, më 7 shtator 2015 te rrethi i “Bazhderhanes” në Prizren u vra Hekuran Morina dhe u plagosën edhe tre persona, mes tyre edhe vëllai i Hekuranit, Fadili.

Pas vrasjes familjarët e të dëmtuarve protestuan edhe para gjykatës dhe prokurorisë duke kërkuar drejtësi. KALLXO.com, raportoi për këto raste.

Bernard Përlazri, i dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës u arrestua më 9 tetor, ndërsa atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh. /Kallxo.com

Arrestohen tre zyrtarë të “Hidroregjionit Jugor” për keqpërdorim të detyrës

0

Tre zyrtarë të kompanisë Ujësjellësit “Hidroregjionit Jugor” në Prizren, janë arrestuar të mërkurën nën dyshim për keqpërdorim të detyrës zyrtare duke përvetësuar mjete financiare të kompanisë.

Personat e arrestuar janë: H.G. (1966), F.B. (1973) dhe I.RR. (1954).

“Njësia për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, sipas autorizimeve të prokurorisë kompetente, ka ndërmarr veprime e nevojshme hetimore disa mujore në kompaninë e Ujësjellësit të Hidroregjionit Jugor lidhur me dyshimet se disa zyrtarë të kësaj kompanie duke keqpërdorë detyrën zyrtare kanë përvetësuar mjete financiare të kompanisë dhe sot me datë 04.11.2015, janë arrestuar të dyshuarit si në vijim: H.G. viti i lindjes 1966, mashkull/shqiptar, F.B. viti i lindjes 1973, mashkull/shqiptar dhe I.RR. viti i lindjes 1954, mashkull/shqiptar.

Si rezultat i procedurave hetimore dhe operacionale janë gjetur prova të mjaftueshme se ekziston dyshimi i bazuar se personat e dyshuar tani më të arrestuar të lartpërmendur me iniciale kanë kryer veprat penale’ keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar’ dhe ‘ përvetësim në detyrë’, duke përvetësuar në mënyrë të kundërligjshme dhe duke i shkaktuar dëme material kësaj kompanie mbi 23.000 mije Euro (kjo shifër është konstatuar nga kompania), mirëpo ka dyshime se vlera mund të jetë më e madhe pasi që edhe tridhjetë e nëntë (39) blloka (me fletëdëftesa) me nga tridhjetë e tri (33) dëftesa nuk janë dorëzuar në kompani dhe shuma e përvetësuar nga ana e këtyre zyrtarëve mund të ndryshoj.

Hetimet janë udhëhequr nga Prokurori i shtetit dhe me urdhër të tij ndaj tre (3) të dyshuarave të potencuar me lartë është caktuar masa e ndalimit për 48 orë”, njofton Policia e Kosovës. /PrizrenPress.com

E vërteta ime për “Kandidati”-n, Shuteriqin dhe Nosin

0

Nga Ben Blushi

Përjetimi se po sheh njerëz të sillen si personazhet që ke krijuar është unik. Dhe meqë po me ndodh për herë të parë, dua ta ndaj.

Para dhjetë ditësh kam botuar një roman që quhet “Kandidati”. Ky libër tenton të tregojë se çfarë ndodh në një qytet, pasi njëri nga dy kandidatët për bashkinë e tij, vdes. Kandidati i vdekur i fiton zgjedhjet, kundër çdo parashikimi, pasi njeriu që merr përsipër të bëjë fushatën e tij, rindërton një histori të vërtetë, të Luftës së Dytë Botërore dhe duke e kthyer në një çështje politike, dëmton kandidatin tjetër. Historia që përdoret për të dëmtuar kandidatin e gjallë, është historia e Lef Nosit. Ky ka qenë njëri nga katër regjentët e Shqipërisë gjatë pushtimit nazist të vendit dhe kjo nuk është trillim. Megjithatë, unë nuk dua të tregoj fabulën e librit dhe as të rrëfej historinë e Lef Nosit.

Dua të them se qysh se është botuar, po përpiqen të më sulmojnë me të njëjtin stil dhe çuditërisht, me të njëjtën histori: me Lef Nosin. Të gjithë ata që po marrin pjesë në këtë skeç, të cilin modestisht e kam krijuar vetë, duhet ta dinë se nuk ka asgjë që më argëton më shumë. I simpatizoj kur shoh se me çfarë zelli dhe konkurrence po sillen si personazhet e mi. Argëtim më të madh për një njeri që shkruan nuk ka.

Me pak fjalë, ajo që po ndodh këto ditë është kjo: Nga pluhuri u nxor një letër që Mitrush Kuteli ia ka nisur një mikut të tij, në të cilën mes të tjerash i thotë se Dhimitër Shuteriqi,im gjysh,i paska pranuar atij se ka përvetësuar disa dorëshkrime të Lef Nosit. Unë nuk dua të merrem as me Mitrush Kutelin dhe as me Lef Nosin. Nëse letra është e vërtetë, kjo është një shpifje shumë e lehtë për t’u provuar se është shpifje. Shkrimtarët kanë pasur dhe do kenë zilitë dhe cmirat e tyre, të cilat i nxjerrin me letra apo me letërsi. Dua të merrem me ata që i besojnë këto shpifje dhe meqë i besojnë, i përdorin kundër meje.

Sigurisht më vjen keq që im gjysh po përgojohet për shkakun tim dhe meqë ai nuk është më, nuk kam mundësi t’i kërkoj ndjesë.

Por le të besojmë se letra e Mitrush Kutelit është e vërtetë. Pra që Dhimitër Shuteriqi ka përvetësuar dorëshkrime të Lef Nosit dhe këto i ka botuar si të tijat. Për këdo që e njeh, Lef Nosi nuk ka qenë shkrimtar. Nuk ka botuar poezi, tregime apo romane, por vetëm disa artikuj dhe korrespondenca. Dhimitër Shuteriqi ka qenë poet, tregimtar, romancier dhe studiues. Nga viti 1945 kur Lef Nosi u pushkatua e deri në vitin 2003 kur Dhimitër Shuteriqi u nda nga ne,ai ka botuar afërsisht 100 libra. A ka njeri që mund të bindet se këto ia ka përvetësuar Lef Nosit? Unë them se kjo është e pamundur. Imagjinoni një njeri që për 60 vjet boton librat e dikujt që ka vdekur dhe shumica e të cilëve bëjnë fjalë për kohë, të cilat njeriu i vdekur nuk i ka jetuar.

Por, siç e thashë, nuk dua të merrem as me Dhimitër Shuteriqin, as me Mitrush Kutelin dhe as me Lef Nosin. Unë kam mendimet e mia për të tre. Është e natyrshme që për njërin prej tyre, të jem subjektiv për shkak se e kam dashur shumë si njeri. Nuk kam për të krahasuar kurrë se kush ishte më patriot ndër të tre dhe kush ishte më i talentuar ndër të tre. Edhe në këtë rast do të isha subjektiv dhe prandaj edhe i pabesueshëm. E vetmja gjë që mund të them, sepse është një fakt historik është kjo: në vitin 1944, kur Shqipëria ishte e pushtuar nga nazistët, Lef Nosi ishte kolaboracionist ndërsa Dhimitër Shuteriqi ishte partizan.

I bindur se Europa ka përcaktuar një standard moral me të cilin gjykon kolaboracionistët, pra ata të cilët i shërbyen pushtimit gjerman, kam thënë se Lef Nosi duhet gjykuar si i tillë dhe i duhet hequr busti që ka në qendër të qytetit të Elbasanit. Këtë bindje e mbroj dhe do ta mbroj gjithë jetën. Kolaboracionistët nuk mund të jenë nderi i një qyteti. Kjo është e gjitha.

Megjithatë, kur kam folur për Lef Nosin, në të vërtetë nuk kam folur për Lef Nosin. Kam folur për më shumë se kaq. Për shoqërinë e ditëve tona. Për Shqipërinë që njoh.

Çështja nuk është nëse Lef Nosi ishte apo jo një burrë i mirë. Unë them se ishte, por kjo nuk ka rëndësi. Çështja është, nëse shoqëria do të vazhdojë të nderojë ata, që megjithëse ishin burra të mirë, një ditë të keqe e tradhtuan atë dhe u bënë me pushtuesit. Pavarësisht nga rrethanat. Dikush mund të thotë se edhe kjo nuk ka rëndësi.

Unë besoj se ka rëndësi për dinjitetin tonë dhe për moralin që ne u trashëgojmë brezave. Një shoqëri nuk çlirohet dot kollaj nga varfëria, por nga mashtrimi mund dhe duhet të çlirohet. E vërteta në këtë rast është e thjeshtë: Lef Nosi ishte kolaboracionist. Nëse Europa u ngre buste kolaboracionistëve, atëherë të gjithë mund të kenë një ngushëllim, por kjo nuk është e vërtetë. Europa i ka dënuar të gjithë kolaboracionistët dhe me këtë standard moral nuk negocion më për të paktën gjysmë shekulli. Për fat të keq, ne negociojmë dhe këtë jemi duke bërë. I shkëmbejmë standardet tona morale për një grusht votash.

Por për t’u kthyer te debati, sipas të cilit unë e kam ndëshkuar Lef Nosin për shkak të inateve të gjyshit tim, Dhimitër Shuteriqit. Në të vërtetë nuk është kështu dhe nuk kam nevojë të mbrohem, sepse këto gjëra s’kanë lidhje. Nëse kanë një lidhje ajo është artistike dhe jo historike. Unë e kam përdorur Lef Nosin si personazh historik, duke e vendosur në qendër të një konflikti të trilluar që ndez një qytet në funksion të zgjedhjeve. Kandidati që kishte ngritur bustin e Lef Nosit i fiton zgjedhjet, megjithëse ishte i vdekur. Ndërsa kandidati tjetër, megjithëse ishte nipi i Lef Nosit dhe ishte i gjallë, i humb zgjedhjet. Pra libri tregon se çfarë fuqie ka një manipulim elektoral mbi zgjedhësit. A ndodh kjo përditë me ne? Unë e di që ndodh. Dhe jam pjesë e tij.

Por në fund të fundit, libri është letërsi. Dhe unë nuk mërzitem. Përkundrazi, argëtohem duke parë që personazhet që kam krijuar shëtisin çdo ditë nëpër faqe gazetash duke u marrë me mua. Sigurisht që nuk është etike që një shkrimtar të sulmojë personazhet e tij. Ai duhet t’i mbrojë ato, dhe unë këtë po bëj.

Grushta mes policëve privatë në zyrat e OSHEE

0

Punonjësit e OSHEE u tronditën kur panë duke u rrahur dy punonjës të një agjencie të kontraktuar për t’u garantuar atyre sigurinë.

Dy policë privatë të kompanisë “Ndreu Security” janë përfshirë në një sherr pas një debati për motive të dobëta, raporton Lapsi.

Ata janë qëlluar me grushta me njëri – tjetrin edhe është dashur ndërhyrja e kolegëve të tjerë për t’i ndarë.

Pse deputetët e Opozitës duhet të shkojnë në Prokurori

0

Jakup Krasniqi

Nuk ka asnjë fije dyshimi se deputetët e opozitës së bashkuar që në Kuvendin e Kosovës kanë gjuajtur gazinlotsjellës, kanë bërë veprim patriotik, se më atë veprim kanë protestuar për t’i treguar çdo qytetari, se marrëveshjet e arritura në Bruksel janë antikushtetuese nga do që t’i merresh. Bile dhe ai që e ka nënshkruar MSA-në – Kosovo me fusnotë, ka bërë shkelje të Kushtetutës, për faktin se Republika e Kosovës është shtet pa fusnotë.

Ata duhet të shkojnë në prokurori që t’ju tregojnë se, sikur ata të ishin në krye të përgjegjësisë se tyre, si prokuror të shtetit, duhet të viheshin në mbrojtje të tij, pasi më marrëveshjet e Brukselit e sidomos me “Zajednicen”, është shkelur rend Kushtetuta e Kosovës, akti më i lartë shtetit.

Duhet t’ju thuhet prokurorëve të shtetit se Republika e Kosovës më 17 shkurt 2008 është shpallë shtet i pavarur, sovran dhe demokratik pa fusnotë dhe ata që ia vunë fusnotën e mohun sovranitetin dhe pavarësinë e shtetit dhe po ashtu edhe ai që e nënshkroi marrëveshjen e 25 gushtit 2015 i vuri themelet e një Republika Serbska në Kosovë. Kështu kishte filluar edhe Republika Serbska, me Bashkësinë e Komunave serbe në Bosnje e Hercegovinë.

Përveç qeveritarëve që e kanë mohuar Republikën edhe e para e shtetit i ka mbështetur qeveritarët që e shkelen Kushtetutën, duke u bërë kështu edhe ajo shkelëse e aktit më të lartë të shtetit.

Gjithashtu, këta mbrojtës te Republikës duhet t’i thonë Prokurorisë se shtetit, se nuk jemi ne që po e rrezikojmë Republikën, por janë zyrtarët serb që në mes të Republikës po deklarojnë se “Kosova është Serbi”. Madje e pari i kishës serbe po kërkon ripushtimin e Kosovës me forcën e armeve. Kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, ka deklaruar të martën në Nish se të gjithë janë të detyruar të ngrenë zërin në mbrojtje të Kosovës e Metohisë dhe “duhet bëjmë çdo gjë që me hatër a me forcë ta kthejmë atë”.

Pra, rreziku i Kosovës nuk vjen opozita e bashkuar, por nga shkelësit e Kushtetutës dhe kërcënuesit nga Serbia. Prandaj detyrë mbi detyrë për ta është mbrojtja e Atdheut nga shkelësit e kushtetutës dhe ish agresorët shovinistë nga kisha e shteti.

Nuk do të hezitoja të shkoja në polici a prokurori për t’ju treguar sesi duhet te kryhet detyra e Prokurorisë së Shtetit në mbrojtje të Republikës! Përndryshe, nëse ata vihen në shërbim te politikës e jo të atdheut, ata duhet të përgjigjen para ligjit.

Zafir Berisha: Koci është hajn ordiner

0

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga NISMA ka konsideruar se shumë lehtë e ka fyer zëvendësministrin Gani Kocin. Ai ka thënë për Indeksonline se Gani Koci është një hajn ordiner duke shtruar pyetjen se “çka ka ai njeri me mua”.

“S’kam pasur kurrfarë debati në mes ti. Unë mbrëmë kam qenë në emision edhe s’kam pasur debat dhe unë se di çka ka ai me mua. Unë ia kam dhënë një përgjigje private komplet dhe ai e ka publikuar e kjo është një pafytyrësi e Gani Kocit që merret me kësi gjërash. Po sido që të jetë, nuk ka ra kalaja mbi shatërvan.

Unë shumë lehtë e kam fyer çka meriton ai hajn ordiner. Edhe unë nuk e di çka ka ai njeri me mua, por një idiot i tillë me qenë pjesë e Qeverisë, tash e kuptova për besë se ai qenka edhe zëvendësministër”, ka thënë Berisha për Indeksonline.

Berisha ka komentuar edhe përbërjen e Qeverisë, ku Koci është zëvendësministër.

“Imagjinoni çfarë bërlloga ka në Qeveri si Gani Koci, imagjino në cilin nivel ka rënë Kosova”, ka thënë Berisha./Indeksonline/

Digjet banesa e një serbi në Prizren

0

Një banesë është djegur dje në Prizren.Policia e Kosovës njofton se shtëpia është pronë e një serbi.

“ Në rrethana të panjohura nga zjarri është djegur një banesë pronë e një serbi në të cilën ka jetuar i dyshuari”,njofton Policia e Kosovës.

Njësitë përkatëse dhe zjarrfikësit kanë dalë në vendngjarje dhe kanë lokalizuar zjarrin. Përveç dëmeve materiale nuk raportohet për të lënduar. Njësitë policore janë duke hetuar rastin./PrizrenPress.com/