14 C
Prizren
E diel, 5 Prill, 2026
Home Blog Page 6912

Pritet pezullimi i marrëveshjes për Asociacionin?

0

Dërgimi i Marrëveshjes për Asociacionin në Gjykatën Kushtetuese, nga ana e Presidentes së Kosovës Atifete Jahjaga, do të pezullojë marrëveshjen për krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kjo do të bëhet me kërkesë të Presidentes e cila do të kërkojë masë të përkohshme.

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga ka shpalosur sot vendimin e saj për t’a dërguar marrëveshjen për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, të arritur gjatë muajit gusht në Bruksel nga pala kosovare dhe ajo serbe, për të parë nëse ajo është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Vendimi për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatë vjen pas takimeve të Jahjagës me partitë në pushtet dhe ato opozitare. Por, plani i saj është hedhur poshtë nga opozita e cila ka kërkuar tërheqjen e menjëhershme të nënshkrimit nga Marrëveshja me Serbinë.

Sido që të jetë Jahjaga sot ka shpalosur planin e saj për ta dërguar këtë cështje në Gjykatën Kushtetuese.

“Në takime të ndara, të cilat i kam pasur me kryeministrin e vendit dhe me zëvendëskryeministrin, edhe me liderët e opozitës, kam propozuar që në kuadër të kompetencave të mia kushtetuese t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese për të shqyrtuar përputhshmërinë e parimeve të asociacionit me kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ky propozim i imi është përshëndetur dhe unë do t’i drejtohem Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Jahjaga.

Burime të Gazetës Express bëjnë të ditur se Jahjaga do të kërkojë masë të përkohshme për pezullimin e marrëveshjes.

“Presidentja pritet të kërkojë masë të përkohshme që nënkupton pezullimin e marrëveshjes deri në përgjigjen e Gjykatës Kushtetuese”, kanë thënë burime të gazetës.

Mbetet të shihet nëse opozita do të heq dorë nga bllokimi i seancave deri në përgjigjen e Gjykatës.

Hasan Hasani i kërkon falje Drita Millakut

0

Drejtori i Shërbimeve Publike komunale, Hasan Hasani, i ka kërkuar falje publike këshilltares së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millaku, në Gjykatën Themelore në Prizren. Pas kërkimfaljes është mbyllur edhe gjykimi për padinë që kishte bërë Millaku .

“Jemi pajtuar sepse nuk jemi armiq” ka konfirmuar Hasni për KD.

Vdekje e dyshimtë në Dragash

0

Një person është gjetur pa shenja jete në Dragash.

”Në rrethana të panjohura viktima mashkull K/Boshnjak është gjetur pa shenja jete i shtrirë në skaj të rrugës”, njofton Policia e Kosovës.

“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar në vendin e ngjarjes”.

“Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion./PrizrenPress.com/

Hisku: Deshën të më përdhunojnë në Beograd, Dritëroi s’më mbrojti

0

Rrëfimi i Alida Hiskut ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në opinionin publik.

Këngëtarja, që aktualisht jeton në Gjermani, rrëfeu për gazetaren Dhurata Hamzai të Shqiptarja.com se si ishte përdhunuar nga hetuesit e komunizmit.

Në pjesën e dytë të intervistës, ajo thotë se asnjë artist nuk e mbrojti kur e burgosën.

Edhe Dritëro Agolli, që ishte kryetar i Lidhjes së Artistëve dhe Shkrimtarëve nuk e mbrojti.

“Dritëroi ka qenë shumë babaxhan, por edhe ai kishte frikë. I largohej çdo bisede politike. Nuk donte të përfshihej, sepse edhe ai kishte problemet e veta. Por ai ishte babaxhan. Mos të mburret kot njeri se ka bërë trimërira. Askujt nuk ia mbante në atë kohë”.

Hisku thotë se ia ka dalë të ndërtojë një jetë të re në Gjermani.

E pyetur se ku e gjen këtë forcë, ajo thotë: “E gjej që të harroj. Kam një shtëpi tani të madhe në fshat ku punoj gjithë ditën me biznesin tim të vogël dhe vetë gjermanet më thonë se ‘ku e gjen këtë forcë, ti je një metër e gjysmë mbi tokë’. Kështu bëjnë humor disa nga mikeshat e mia”.

Hisku thotë se u arratis nga Qafë Thana në vitin 1990, bashkë me dy djemtë e saj, e ndarë nga burri.

“Isha maskuar si një grua e panjohur. Fshatarët më ndihmuan pa e ditur se kush isha. Isha maskuar si një grua e panjohur me shami në kokë, që kishte mbetur me dy fëmijët e tonte të ikte. Unë madje mora një guxim të madh se në rrugë do të prisja në autostop për të shkuar më tej. Kaluan dy maune të mëdha eksporti dhe unë me ato ika”.

Ajo thotë se shoferët tentuan ta përdhunojnë.

“Në mes të rrugës së Beogradit, deshën të më përdhunonin. I tha njëri: Ti mbaj fëmijët këtu dhe unë ta çoj këtë në maunen tjetër”. Unë u zbrita nga makina dy shoferëve të Durrësit dhe qëndrova në të ftohtë atje në rrugë me fëmijët përdore. Ata u kthyen dhe më morën. U erdhi keq…

Kur mbërrita, u dhashë dyqind dollarët që u kisha premtuar për transportin dhe u thashë: Faleminderit pos mor harroni se keni shpëtuar jetën e dy fëmijëve dhe të një gruaje që quhet Alida Hisku.

Ata u turpëruan se nuk më kishin njohur, ngaqë isha veshur si fshatare. Ja kështu bëjnë shqiptarët”.

Ajo rrëfen edhe si ka njohur të shoqin gjerman, që vinte rregullisht në hotel për të pirë birrë.

Edhe ai ishte i divorcuar.

Hisku thotë se ia ka treguar të shoqit të gjitha peripecitë e jetës.

Tani familja ka një restorant në fshat në Gjermani.

“Aty gjermanët, pasi mësojnë se kam qenë artiste në vendin tim, befasohen që jam kaq e thjeshtë atje me fshatarët gjermanë, që hanë nga duart e ‘shqiptares’”.

Nxënësit e Suharekës në marsh paqësor kundër dhunës ndaj grave

0

Nxënësit e shkollës fillore “Destan Bajraktari”, mbajtën sot një marsh paqësor kundër dhunës ndaj gruas në shenjë solidarizimi me viktimën e fundit të këtij fenomenin, 39 vjeçaren Zejnepe Bytyqi.

Ajo është vrarë të premten në mbrëmje nga burri i saj pas disa goditjeve me thikë përderisa njëra nga vajzat e tyre ka mbetur e plagosur.

Në shkollën e cila doli sot në marsh, vijojnë mësimin edhe dy vajzat tjera të viktimës.

Marshit të qindra nxënësve i janë bashkuar edhe mësimdhënës, asamblistë, gra dhe familjarë të Zejnepe Bytyqit.

Ky marsh filloi nga shkolla fillore “Destan Bajraktari”, përgjatë rrugës Birgada 123, për të përfunduar para stacionit policor në Suharekë.

Burri i viktimës ishte i njohur për policinë, pasi vite më parë Zejnepe Bytyqi e kishte paraqitur një rast për dhunë në familje.

Mësuesja Mimoza Krasniqi, e cila ishte edhe njëra prej të shumtëve që kishin dalë në këtë ecje tha se kërkesa e tyre e vetëm është të ndalohet dhuna ndaj grave.

“Kërkesa e jona është të ndalohet dhuna ndaj grave. Ka qenë edhe kërkesë e fëmijëve, sloganet dhe pankarta e tyre e dëshmojnë këtë”, tha Mimoza Krasniqi.

Në përkrahje të marshit paqësor kishin dalë edhe disa asamblistë të Komunës së Suharekës. Behare Sopa, asambliste e komunës së Suharekës, tha se ky rast i ka prekur të gjithë dhe se gratë duhet të mbrohen nga dhuna.

“Sinqerisht, si edhe krejt femrat tjera edhe unë jam ndikuar shumë nga ky rast, sidomos në gjendjen emocionale. Ky rast ka prekur secilën familje, secilën nënë, secilën vajzë”, tha Sopa.

Nexhat Çoçaj paralajmëron Gjykatën se do t’i sjellë 1,200 dëshmitarë

0

U zhvillua sot në Prizren seanca e gjykimit ndaj drejtorit të Arsimit dhe dy mësimdhënësve që akuzohen për keqpërdorim të manifestimit “Java e Remzi Ademajt”.

Pas leximit të aktakuzës nga prokurori i shtetit Mehdi Sefa, asnjëri nga të akuzuarit nuk pranoi fajësinë për veprat penale me të cilat ngarkohen.

Në fjalën hyrëse prokurori Sefa përmendi provat kyçe mbi të cilat do të bazohet.

“Mund të përmendi raportin e ekspertit financiar, Agim Kastratit, si dhe provat materiale të transaksioneve bankare të këtu të akuzuarve Nexhat Çoçaj, Bekim Thaçi dhe Bedri Çeku, kanë kryer në cilësi të zyrtarëve në Javën Remzi Ademaj,” tha prokurori.

Pas fjalëve të prokurorit, mbrojtja e të akuzuarve e paralajmëroi trupin gjykues se do të kërkojë ekspertizë të re financiare, gjë e cila u lejohet me ligj.

I akuzuari Nexhat Çoçaj, drejtor i Arsimit në Komunën e Prizrenit ia bëri të ditur trupit gjykues se do të paraqesë 1 mijë e 200 dëshmitarë.

Ai tha se do t’i sjellë në gjykatë të gjithë nxënësit që kanë marrë shpërblime deri në 20 euro gjatë manifestimeve të javës që tradicionalisht i kushtohet ish-komandantit të UÇK-së Remzi Ademajt.

Si dëshmitar sot u paraqit Arbër Rexhaj nga Lëvizja “Vetëvendosje”. Rexhaj që në vitin 2012 kishte qenë kryetar i LVV-së, kishte parashtruar kallëzim penal në prokurori ndaj tani të akuzuarve Nexhat Çoçaj dhe Bekim Thaçi.

Rexhaj tregoi se kallëzimin penal e kishin hartuar juristët e “Vetëvendosjes” pasi kishin vërejtur parregullsi në transaksione bankare.

“Ato transaksione ashtu siç përmendet edhe në kallëzimin penal janë bërë nga drejtori i Arsimit Nexhat Çoçaj dhe mësimdhënësi Bekim Thaçi,” tha Rexhaj.

“Vetëvendosje” ngriti këtë kallëzim penal, pasi siguroi gjendjen e llogarive bankare të Nexhat Çoçajt dhe Bekim Thaçit.

Për këto xhirollogari nën akuzën për zbulim të fshehtësisë zyrtare është dënuar me 5 mijë euro gjobë Abdullah Thaçi, ish-punëtor i Bankës “Pro Credit”.

Dëshmitari Rexhaj deklaroi se paratë për Manifestimin “Java e Remzi Ademajt” janë shpenzuar edhe jashtë vendit në bregdet të Durrësit.

Sipas Rexhajt me këto para është paguar edhe kësti i kredisë së Nexhat Çoçajt, ndërsa një pjesë janë deponuar edhe në llogari të fëmijëve të drejtorit të Arsimit.

“Vetëvendosje” ngriti këtë kallëzim penal, pasi siguroi gjendjen e llogarive bankare të Nexhat Çoçajt dhe Bekim Thaçit.

Për sqarime më të hollësishme rreth kallëzimit penal, dëshmitari Rexhaj propozoi që të ftohet Armend Shkoza nga Zyra Juridike e LVV-së.

Seanca e radhës do të mbahet më 3 dhjetor 2015.

Nexhat Çoçaj akuzohet se gjatë pesë vjetëve të manifestimit “Java e Remzi Ademajt” keqpërdori 61 mijë e 303 euro./kallxo.com/

Zhvillohet në Suharekë marshi “Stop dhunës ndaj gruas”

0

Ka filluar në Suharekë marshi i paralajmëruar “Stop dhunës ndaj gruas”, i organizuar në shenjë proteste për rastin e vrasjes së Zejnepe Bytyçit.

Marshi “Stop dhunës ndaj gruas” në Suharekë, po mbahet në shenjë solidarizimi me viktimat dhe reagimi ndaj joefikasitetit të institucioneve.

Ky marsh u organizua nga shkolla fillore “Destan Bajraktari”, shkolla ku mësojnë fëmijët e viktimës, Zejnepe Bytyçi, e vrarë mizorisht nga burri i saj në Suharekë.

Marshuesit bënë ndalesa simbolike para Qendrës për Punë Sociale, Gjykatës, Komunës së Suharekës dhe Stacionit Policor.

Një rrugë jetëshkurtër në Qendrën Historike të Prizrenit (Video)

0

Edhe pse është shtruar para gjashtë vjetësh, rruga “Themistokli Gërmenji” në Qendrën Historike të Prizrenit është dëmtuar në dy vjetët e fundit.

Rruga ndodhet në Zonën e Parë Mbrojtëse të kësaj qendreje, ndërsa banorët tregojnë se komuna nuk po e rregullon atë.

Nue Prenqi, banor i lagjes, thotë se bashkë me fqinjët e tij është ankuar në Komunën e Prizrenit.

“Na kemi qenë me shokët e mi të mahallës, kena shku në komunë këtu në Prizren, kena lajmëru për rrugë. Na kanë thënë shkoni te filani, na kanë dhënë edhe emrin tash s’ po më kujtohet, na kanë thënë peticion me bo, i kemi marrë krejt nënshkrimet po prapë kurrfarë përgjigje,” thotë Nue Prenqi.

Pjetër Prenqi, banor i moshuar i “Themistokli Gërmenjit” i frikohet më shumë dimrit që po vjen, me rrugën në këtë gjendje.

“Na ju lusim të gjithëve me na ndihmu për këtë rrugë se shumë kerre kemi, e rruga është e lujtme. Shihe këtu është shembur pak, përpara kështu ka qenë te ky kojshia tash ka dalë këndej e andej. Aman ju lutem se kena kerre shumë, e rruga është e prishtë,” thotë Pjetër Prenqi.

Taksisti Sami Maqkaj që nëpër këtë rrugë kalon nga 4-5 herë në ditë, thotë se gjatë dimrit ajo bëhet e pakalueshme.

“Faqja e zezë, kurrë ma keq s’ janë kanë, kurrë! Asnjë lagje çka ekziston nuk është ma keq se kjo,” thotë Maqkaj.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, thotë se komuna është e gatshme të ndërhyjë për rregullim të rrugës “Themistokli Gërmenji” por mund t’i paraqet problem fakti se kjo rrugë është pjesë e Qendrës Historike.

“Duhet parë se cila është kërkesa, sa është emergjente ajo dhe ne absolutisht jemi në shërbim të qytetarëve, por po them se qytetarët do t’ i ndihmojnë vetes edhe neve që të bisedojnë me komisionet e Zonës së Parë të Mbrojtur dhe absolutisht jemi të gatshëm të jemi bashkë me shqetësimet e këtyre qytetarëve dhe ta zgjidhim këtë problem,” thotë Berisha.

Përfaqësuesi i banorëve të kësaj rruge Nue Prenqi thotë se nëse rruga nuk rregullohet politikanët nuk mund të shkojnë më aty as për vota.

“Si banorë, kërkesa jonë është me ardhë me e ndreqë, qe nuk vinë ata, na e ndreqim vetë, e prishim krejt, i hijmë me tarrakop e prishim krejt, s’ ka nevojë me ardhë komuna mo, edhe mos të na lypin vota se nuk i japim vota kërkujna mo,” shpreh mllefin ai. /Kallxo.com

Begaj viziton bizneset

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, me qëllim të njohjes me punën e bizneseve në qytetin e Malishevës, sot i ka vizituar disa prej tyre, kryesisht në rrugën “Rilindja Kombëtare”, ku është njohur me punën që bëjnë, problemet me të cilat ballafaqohen bizneset, si dhe për pengesat që shkaktohen nga parkingu përgjatë kësaj rruge.

“Ne i kemi hequr taksat komunale dhe kjo ka qenë mundësia jonë si komunë, në mënyrë që të krijojmë sadopak lehtësira për zhvillimin e veprimtarisë së bizneseve tona”, the kryetari Begaj, gjatë bisedave me pronarët e këtyre bizneseve.

“E di që keni probleme në punën tuaj, por ne si komunë jemi për shfrytëzimin e të gjitha mundësive, që bizneset të zhvillohen, pasi rrjedhimisht me zhvillimin e bizneseve, hapen edhe vende të reja pune”, tha Begaj.

Po ashtu një problem me të cilin ballafaqohet qyteti i Malishevës, është edhe qarkullimi i automjeteve përgjatë rrugëve kryesore, pasi parkingu përgjatë rrugës e pengon qarkullimin e lirë të automjeteve, prandaj, hapja e parkingjeve të reja, prapa lokaleve afariste, apo hapja e disa parkingjeve të mëdha, është zgjidhja më e mirë, për largimin e pengesave në qarkullim. /PrizrenPress.com

Rektori Vataj në vizitë zyrtare në ShBA

0

Rektori i Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren, Ramë Vataj, po qëndron në ShBA me ftesë zyrtare nga Lilburn GA. Kosovo HOPE.

Kjo vizitë ka synim të krijojë një marrëveshje përmes Georgia Gwinnet College me Universitetin e Prizrenit, në kuadër të këmbimit te studentëve.

Rektori Vataj, do të qendrojë një jave në SHBA dhe do të takoj gjithashtu nxënësit dhe studentët, që tashmë janë atje përmes projekteve të “Kosovo HOPE”.

Ai gjithashtu do të takohet me stafin e GGC dhe me Kryetarin e Lilburnit Johnny Crist dhe me Grace Atlanta. /PrizrenPress.com