15.3 C
Prizren
E mërkurë, 8 Prill, 2026
Home Blog Page 6932

Të dielën fillon llogaritja dimërore e kohës

0

Natën midis së shtunës dhe të dielës fillon llogaritja dimërore e kohës me ç’rast akrepat e orës do të zhvendosen për një orë mbrapa.

Kjo do të thotë se në orën 3 të natës akrepat e orës duhet të kthehen në orën 2 kështu që gjumi shtohet për një orë më shumë.

Llogaritja dimërore e kohës fillon në fundjavën e fundit të tetorit dhe zgjat deri në fundjavën e fundit të marsit.

Zhvendosja e akrepave në Evropën Perëndimore është vendosur në fillim të viteve ’70-ta me shpjegimin se me këtë “zgjatet” dita, mundësohet kursimi i konsumit të energjisë elektrike, rritet produktiviteti, përmirësohet aftësimi i njerëzve dhe dita e punës bëhet më efikase.

Kalimi i kohës verore dhe dimërore për herë të parë është vërejtur në vitin 1916 në vendet e Evropës Veriore, ndërsa deri më tani është vendosur në rreth 70 vende, kryesisht në hemisferën veriore.

Akrepat nuk zhvendosen në të njëjtën kohë kudo në botë. Kështu, SHBA-ja dhe Kanadaja në vitin 2007 e vendosën që llogaritja dimërore e kohës të fillojë në javën e parë të nëntorit dhe të përfundojë në javën e dytë të marsit.

Rusia tërësisht e ka hequr përllogaritjen dimërore të kohës në vitin 2011, ndërsa Islanda është vendi i vetëm evropian i cili nuk vendosi llogaritje dimërore dhe verore të kohës.

Megjithatë, disa astronomë janë kundër zhvendosjes së akrepave dhe “zgjatjes” artificiale të ditës, pasiqë vlerësojnë se natyra nuk duhet “munduar” madje edhe nëse arsyetohet me llogaritje ekonomike.(express)

Fragment nga libri: Rikthimi i shenjtë i feve*

0

Manlio Graziano

“Lufta e shenjtë, e shenjta aleancë”Që prej të paktën katër dhjetëvjeçarësh, fetë kanë bërë kthimin e tyre në skenën publike; indicie të shumta duken se sugjerojnë se, në të ardhmen, roli i tyre do të jetë gjithnjë e më i rëndësishëm. Vetëm në muajt e shkrimit të këtij libri, preteksti fetar u përdor për të mbuluar, justifikuar e madje fisnikëruar përplasje politike dhe ushtarake në Mali, Nigeri, Republikën e Afrikës Qendrore, Kenia, Irak, Birmani, Sri Lankë, Indi dhe madje në Ukrainë. Ishte një aspekt qendror i “pranverës arabe”, dhe vazhdon të jetë dramatikisht i tillë në vendet ku ato revolucione dështuan: Siri, Egjipt, Libi, Jemen, Bahrejn. Iraku mbetet një vatër kaosi potencial për krejt rajonin, një kaos ku muxhahedinët sa të zellshëm aq edhe të armatosur deri në dhëmbë, janë gati ta vënë kapitalin e tyre të “luftërave të shenjta” në shërbim të këtij apo atij interesi, lokal apo ndërkombëtar. U desh kohë përpara se kthimi i feve në skenën publike të mos konsiderohej më një përkim i çuditshëm, por një prirje e përgjithshme. Megjithatë, edhe sot, në disa vende me shekullarizim më të vjetër, opinion që mbizotëron gjerësisht, është se “kthimi i Zotit” nuk ka të bëjë me ta, se ka të bëjë thelbësisht me vendet në zhvillim, pa tradita të forta politike; madje për disa ka të bëjë vetëm me vendet myslimane. Moskuptimi i karakterit universal të deshekullarizimit është tejet i mprehtë në Francë, ku mbizotëron ideja sipas së cilës ligji i 1905-s mbi ndarjen midis shtetit dhe kishës i rregulloi një herë e përgjithmonë marrëdhëniet midis fesë dhe politikës. Efektet e këtij keqkuptimi – të bazuar mbi një tropizëm legalistik pothuajse pavllovian – janë nganjëherë paradoksale.

Gjatë fushatave të tyre elektorale, përkatësisht të 2007-s dhe të 2012-s, Nicolas Sarkozy dhe François Hollande u shprehën të dy mbi ligjin e 1905-s: i pari, për të propozuar zbutjen e detyrimeve, me idenë për të joshur autoritetet dhe besimtarët katolikë; i dyti, për të propozuar gdhendjen në bronz të Kushtetutës, me idenë për të joshur masat e përfytyruara si jakobine dhe antiklerikale. Duket qartë se as njëri dhe as tjetri nuk e kishin marrë mundimin të lexonin dokumentin e 2005-s të ipeshkvijve francezë, ku këta uronin që ligji i 1905-s të mos prekej: “Duket me vend të mos modifikohet ky ekuilibër, falë të cilit u bë i mundur në vendin tonë paqtimi i sotëm”. As Sarkozy, as Hollande nuk i realizuan projektet e tyre, por nëse do ta bënin, do të arrinin efektin e kundërt me atë të dëshiruarin. Si në shumë fusha të tjera, edhe në politikë gabimet e vlerësimit përcaktojnë shpesh fatkeqësi, pak a shumë të rënda. Duke luajtur kartën e konfliktit me kishën mbi çështjen e martesës homoseksuale, François Hollande arriti të sigurojë tri efekte anësore të padëshiruara: i lejoi kishës të testonte një forcë mobilizuese të pashoqe në Francë; ndihmoi në konsolidimin e konferencës së përgjegjësve të kultit (të themeluar më 23 nëntor 2010, dhe që përfshinte edhe ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj dhe budistë) rreth një objektivi të përbashkët; ndoshta ndihmoi ta bënte Francën – sipas një sondazhi të Gallup të pranverës 2013 – të vetmin vend perëndimor ku marrëdhëniet homoseksuale toleroheshin më pak në 2013-n sesa në 2007-n.

Për më tepër, Hollande nuk arriti as objektivin kryesor që i kishte vënë vetes me këtë operacion: të praronte sërish imazhin e tij prej burri shteti; kurba e popullaritetit të tij ndoqi një zbritje të pamëshirshme derisa preku pikën më të ulët të krejt Republikës së Pestë (13% të treguesit të pëlqyeshmërisë në shtator 2014). Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, është tashmë praktikisht e pamundur të konkurrosh me çfarëdolloj ngarkese zgjedhëse pa shfaqur një bagazh të fortë fetar: kandidati i mundur në presidencialet e 2008-s, John McCain, i dyshuar për mungesë zelli, u shtrëngua ta baraspeshonte të metën e tij duke hedhur në arenë një peshë të rëndë fondamentaliste të kalibrit të Sarah Palin-it. Në po atë fushatë të 2008-s, Barack Obama theu dy rekorde ndoshta vendimtare për fitoren përfundimtare: ishte kandidati që shpenzoi më shumë në të gjithë historinë e Shteteve të Bashkuara dhe ai që citoi më shpesh Zotin. Po ai Obamë, që duke e kthyer mbrapsht parimin e John F. Kennedy-t (“Unë besoj në një Amerikë ku ndarja midis kishës dhe shtetit është absolute”), pohoi në 2006-n se “laicistët e kanë gabim kur u kërkojnë besimtarëve ta lënë fenë te dera para se të hyjnë në sheshin publik”.

Por interesi i politikës për këtë “rizgjim të ri të madh” fetar nuk varet vetëm nga mundësia për të shfrytëzuar për qëllime të menjëhershme, qofshin ato elektorale apo ushtarake. Njëri nga frontet më kritike që u hapën me përshpejtimin dhe intensifikimin e garës ndërkombëtare është ai i shpenzimit social: me përjashtim të ndonjë vendi të sapoafirmuar, pothuajse kudo në botë shtetet janë të shtrënguara ta ulin financimin dhe administrimin e shërbimeve publike në sektorët e shëndetësisë, të arsimit, të pensioneve, të emergjencave, të kulturës, si edhe të sportit; pothuajse kudo në botë, organizatat dhe institucionet fetare janë thirrur të mbushin këto zbrazëti me rrjetet e tyre të mbrojtjes dhe asistencës sociale. Në 2000-shin (censusi i fundit i mundshëm), vetëm kisha katolike administronte në botë rreth 80 000 spitale dhe dispanseri, 14 000 shtëpi pushimi, pothuajse 9000 jetimore, pak më shumë se 1000 universitete dhe rreth 125 000 mes shkollash fillore, të mesme dhe të larta. Nëse marrim parasysh që në Francën laike, numri i instituteve katolike ka kaluar midis 2010-s dhe 2012-s nga 8847 në 9005, mund të përfytyrohet me lehtësi se me ç’ritëm shërbimet sociale katolike po zhvillohen në pjesën tjetër të botës. Projekti i Big Society-së, ideja fener e fushatës elektorale të David Camerun-it më 2010-n, synonte saktësisht të shndërronte dobësimin e kompetencave sociale të shtetit në një arsye propaganda liberiste dhe populiste.

Në parullën “hiqua pushtetin politikanëve dhe jepua njerëzve”, “njerëzit” ishin administratat lokale dhe vullnetariati (shpesh përhapje organizatash dhe institucionesh fetare) të implikuara në administrimin e bizneseve sociale, atje ku shteti britanik nuk ka më mjetet dhe as vullnetin për t’u implikuar. Është domethënëse që, dy vjet pas zgjedhjes së tij, Cameron-i ka uruar një “kryengritje të krishterë”, duke pohuar se “vlerat e Biblës, vlerat e krishterimit janë vlerat për të cilat kemi nevojë”. Në frontin tjetër, në enciklikën e tij Caritas in veritate, të 2009-s, Benedikti XVI e përsëriti plot trembëdhjetë herë ofertën e qartë të një ndarjeje të përgjegjësive sociale, duke rivendikuar “hapjen progresive, në kontekst botëror, ndaj formave të veprimtarisë ekonomike të karakterizuara nga kuota pa pagesë dhe bashkësie”, domethënë vullnetariati dhe forma të tjera veprimtarish dashamirëse të administruara direkt ose indirekt nga instanca fetare). Forma veprimtarie, saktësoi më pas Papa Françesku, që nuk duhet të konsistojnë “vetëm në veprime apo në programe promovimi dhe asistence”, por duhet të jenë “para së gjithash një vëmendje e drejtuar ndaj gjërave të tjera” (Evangelii Gaudium). Është një më shumë, në krahasim me çfarëdolloj strukture sociale të shtetit, që nuk mund të mos e forcojë ndjenjën e superioritetit historik të feve dhe të kishave mbi institucionet publike. Një arsye tjetër pse politika mendon të përfitojë nga rishfaqja e fenomenit fetar, në fund, është konteksti ndërkombëtar. Fetë përbëjnë një element qëndrueshmërie dhe ankorimi pas traditës tejet të dobishme në një epokë të karakterizuar nga paqëndrueshmëria dhe nga ndryshimi. Sa më shumë një fe është e fortë dhe me ndikim, aq më shumë është në gjendje ta kryejë këtë detyrë prej ndihmësi politik. Qeveritë e vendeve myslimane prezantohen shpesh si mbrojtëset e kauzës fetare për të shfrytëzuar besimin që besimtarët kanë tek islami si garanci për drejtësi; por sa më shumë islami përthyhet ndaj interesave të veçanta, aq më shumë humbet efikasitet politik (e ndoshta edhe fetar) në sytë e masave. Vendet me shumicë ortodokse përfitojnë nga mbështetja e plotë e kishave të tyre përkatëse, që e forcojnë identitetin e tyre dhe ndihmojnë në ruajtjen e rendit social dhe politik. Por një mbështetje që është shterpë në rrafshin ndërkombëtar, sepse rrezja e veprimit të këtyre kishave nuk shtrihet pothuajse kurrë përtej kufijve kombëtarë.

Për vendet me shumicë luterane apo për Britaninë e Madhe anglikane, mbështetja e kishave kombëtare është edhe më e kufizuar: jo vetëm që ato nuk kanë ndikimin në rrafshin ndërkombëtar, por kanë gjithnjë e më pak edhe në rrafshin kombëtar, ku kanë humbur një pjesë të madhe të përkatësisë së tyre sociale. Kurse kisha katolike e ushtron autoritetin e saj si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse është e vështirë të gjesh vende që i mbyllin dyert. Edhe Izraeli, nga 1993-shi, ka vendosur marrëdhënie diplomatike me Selinë e Shenjtë; dhe Arabia Saudite ka dashur ta ftojë Benediktin XVI, ndonëse duke e refuzuar kërkesën e tij për të hapur vende kulti katolike në gadishull. Dhe për sa ka të bëjë me marrëdhëniet me Republikën Popullore Kineze, amullia e tyre aktuale nuk varet, me sa duket, nga vullneti (apo mungesa e vullnetit) të Pekinit. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë natyrisht vendi më i goditur nga zhvendosja aktuale e boshtit gjeopolitik të botës.

Ndoshta është pikërisht kjo arsyeja pse disa personalitete të komunitetit katolik amerikan (që përfaqëson midis 25 dhe 30% të popullsisë) kanë një peshë kaq të shpërpjesëtuar në institucionet e saj politike, ushtarake dhe gjyqësore. Zëvendëspresidenti, shefi i qeverisë, gjysma e anëtarëve të qeverisë, kryetari i Dhomës (republikan) dhe kryetari i grupit parlamentar demokrat, këshilltari për sigurinë kombëtare, këshilltari për sigurinë e brendshme, drejtori i CIA-s dhe shefi i shtabit të përgjithshëm ishin katolikë në çastin e fillimit nga puna të administratës së dytë Obama, në shkurt të 2013-s. Pa llogaritur gjashtë gjykatësit e Gjykatës së Lartë në një total prej nëntë vetash. Mund të vihet bast se, në starting blocks-et e garës presidenciale të 2016-s, konkurrentët katolikë do të jenë të shumtë. Në historinë e shkurtër të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, katolikët nuk kanë gëzuar kurrë një dukshmëri të tillë politike. Edhe kisha katolike ka arsye të shëndosha për të mbajtur marrëdhënie të ngjeshura me Shtetet e Bashkuara. Roma ka adoptuar që prej të paktën një gjysmë shekulli modelin “e tregut të lirë të besimit”, shpesh i konsideruar si një nga faktorët e fetarisë së veçantë të amerikanëve. Kisha nxjerr, nga ai model, një përfitim tjetër në perspektivë: në çfarëdolloj sistemi të bazuar mbi konkurrencën e lirë, është gjithnjë konkurrenti më i pajisur që përfundon duke u imponuar. Gjithashtu, çdo lidhje me fuqinë e parë botërore ka jehonë edhe mbi kishën (edhe, e ndoshta sidomos, kur merr distancat nga Shtetet e Bashkuara). Në fund, bujaria e besimtarëve amerikanë garanton një pjesë të madhe të fluksit të arkës, për të cilin ka nevojë kisha universale. Në konklavën e fundit, roli i prelatëve amerikanë ishte tejet i dukshëm dhe ndihmoi në mënyrë jo margjinale në zgjedhjen e një pape që Andrea Riccardi e përkufizoi “pothuajse panamerikan”. Nëntëmbëdhjetë kardinalët nuk ishin vetëm kontingjenti më i madh kombëtar i Kolegjit të Shenjtë pas atij italian, por edhe kontingjenti më i madh i kardinalëve amerikanë në historinë e kishës, tregues i një marrëdhënieje gjithnjë e më të ngushtë.

Cilado qoftë pesha e komponentit amerikan, kisha sigurisht që nuk mbështetet mbi Shtetet e Bashkuara për të afirmuar forcën e saj në nivel ndërkombëtar, as mbi ndonjë pushtet tjetër politik apo ekonomik. Nuk refuzon apriori asnjë mbështetje – materiale apo politike – por me kusht që të ruajë gjithnjë dhe në çdo rrethanë lirinë e vet të lëvizjes. Në këtë libër këmbëngulëm në rolin potencial që kisha katolike mund të luajë në politikën kombëtare dhe ndërkombëtare të shekullit XXI. Përdorëm shpesh termin “strategji” për të treguar objektivat e mundshme afatgjata të Romës në një çast historik, kur misioni për ta çuar fjalën e Krishtit “deri në kufijtë e skajshëm të tokës” nuk mund të përdorë më metodat e vjetra të pushtimit dhe të konvertimit. Por kjo strategji nuk është fryt i reflektimit të një shtabi të përgjithshëm, siç janë, për shembull, doktrinat ushtarake të fuqive të mëdha apo, si parva licet. strategjitë elektorale të partive parlamentare. Bëhet fjalë më tepër për formën konkrete që merr, në çdo epokë historike, përvoja e saj e grumbulluar; një përvojë unike që i lejon ta regjistrojë veprimin dhe perspektivat e saj në një shkallë kohore (dhe hapësinore) pa masë të përbashkët me atë të çfarëdolloj organizate tjetër apo institucioni njerëzor. Strategjia e kishës rrjedh “natyrisht” nga kjo përvojë e grumbulluar.

Në fakt, ajo e di me saktësi se ku do të shkojë (“deri në kufijtë e skajshëm të tokës”), si edhe, falë praktikës së saj të gjatë historike dhe politike, si të mbërrijë atje: të mbrojë me xhelozi autonominë dhe pavarësinë e vet, të jetë e vetëdijshme për detyrimet objektive dhe të shmangë me sa ka mundësi përplasjen frontale (Papa Françesku flet për “ledhatimin e konflikteve”). Kisha di ta gërshetojë rreptësinë në parimet strategjike me një elasticitet të skajshëm në praktikën e përditshme (complexio oppositorum). Gjon Pali II dhe Benedikti XVI përcaktuan se disa vlera janë “të panegociueshme”, duke e ditur shumë mirë që, në jetën e përditshme, pjesa më e madhe e besimtarëve të tyre (dhe disa prej drejtuesve të tyre) jo vetëm i negociojnë, por i shkelin me të njëjtën lehtësi. Nëse kisha katolike do t’u impononte besimtarëve të saj t’u përshtateshin rreptësisht parashkrimeve të saj morale, nuk do të ishte më një forcë e madhe politike botërore – ndoshta forca më e madhe dhe më e rëndësishme politike botërore – por një sekt me ndikim të kufizuar dhe pa kurrfarë peshe politike, si çdo sekt tjetër. Papa jezuit e mishëron qartë këtë ndryshim. Që kur Mario Jorge Bergoglio u zgjodh, shumë vëzhgues bënë thirrje për “revolucion”, për fundin e rreptësisë së centralizmit roman, të interdiktëve më të vjetruar. Në çastin kur shkruajmë, pak indicie duket se e autorizojnë një entuziazëm të tillë; gjithashtu, shumë vetë duket se e nënvleftësojnë faktin që Bergoglio-ja është Papa i parë jezuit, domethënë anëtar i një rendi pastërtish politik, që është ilustruar gjatë historisë për përsosurinë e tij në cilësi, si hollësia, maturia, kujdesi dhe ligësia. Ajo që duket qartë, është se Papa argjentinas po përpiqet të krijojë një atmosferë të volitshme për zbatimin e një vije të pranuar tashmë teorikisht nga trupi i madh i kishës, por të penguar deri këtu nga inercia e plogësht e zakoneve: roli karizmatik i një kishe që nuk bazohet më vetëm në rentat e pozicionit dhe bëhet kishë në “dalje”, domethënë në gjendje misioni të përhershëm. Bëhet fjalë për një vijë të shpallur zyrtarisht nën Benediktin XVI në konferencën e ipeshkvijve latino-amerikanë të 2007-s, fryt i garës së drejtpërdrejtë me lëvizjet evangjelike rrëshajore dhe karizmatike, dhe që tani Papa latino-amerikan ka detyrën t’i shtrijë në tërësinë e kishës universale. Françesku sigurisht që nuk do të heqë dorë prej avantazhit politik të përfaqësuar nga vija ratzingeriane e “etikës së detyrave”. Që nga paragrafi i dytë i Evangelii Gaudium-it kujton se “rreziku i madh i botës së sotme […] është një trishtim individualist që buron nga zemra e rehatshme dhe koprrace, nga kërkimi i sëmurë i kënaqësive sipërfaqësore, nga ndërgjegjja e izoluar”. Nuk ia kthen, pra, shpinën asaj vije, por synon ta kthejë në “një përpjesëtim të përshtatshëm”: një prift që “flet dhjetë herë për vetëpërmbajtjen dhe vetëm dy apo tri herë për dhembshurinë apo për drejtësinë”, përcjell një mesazh “të shpërpjesëtuar” që përfundon me errësimin e disa virtyteve në të mirë të të tjerave. Pastoralja misionare nuk duhet të jetë “e fiksuar nga transmetimi i joartikuluar i një morie doktrinash që përpiqet t’i imponojë duke këmbëngulur vazhdimisht”. “Përpjesëtimi i ri” i kishës së Françeskut duket se sillet rreth nocionit karizmatik të “gëzimit” dhe të “hovit misionar”. Nuk është një rastësi që shumë vetë janë joshur nga karizma e tij personale. Por Jorge Mario Bergoglio e di mirë që një fytyrë e qeshur dhe një stil jete i përkorë janë efekte imazhi shumë të rëndësishme, që e mbështesin, por nuk e zëvendësojnë forcën politike të kishës. Një forcë që përbëhet nga përvoja, organizimi, centralizimi, marrëdhënie dhe parime të forta rreth të cilave duhet të ndërtohet aleanca e shenjtë. Në përfundim të këtij libri, lypset të kujtojmë edhe një herë se, në politikë, si pothuajse kudo, nuk ekzistojnë kurrë prirje të njëkuptimshme dhe absolute; dhe se njëra prej fytyrave të zhvillimit të pabarabartë është zhvillimi fetar i pabarabartë. Prirja për deshekullarizim përbën kontekstin historik të domosdoshëm për çdo hipotezë të “aleancës së shenjtë” midis feve të mëdha të botës. Por kjo prirje për deshekullarizim bashkekziston me prirjet për shekullarizim: në vende të ndryshme dhe, nganjëherë, brenda të njëjtit vend. Shumë vende po “modernizohen”, domethënë po ripërshkojnë rrugën “pak a shumë të njëtrajtshme”, siç thoshte Braudel-i, të çdo procesi industrializimi. Efektet e atyre proceseve janë, edhe ato, “pak a shumë të njëtrajtshme”: nëse zhvillimi ekonomik dhe social në Turqi, Brazil, Indi apo Kinë arrin të japë përshtypjen e një “rritjeje të fortë dhe të përhershme” aq sa gjeneron pritshmërinë e një “përmirësimi të vazhdueshëm” (Ernest Gellner), ka mundësi që shumë prej atyre që kanë arritur stadin psikologjik të klasës së mesme të fillojnë të adoptojnë modele dhe stile jetese gjithnjë e më të shekullarizuara. Ka gjithashtu mundësi që këto prirje të përfundojnë duke u gjendur në terrenin e një forme të re fetare, më individualiste dhe më të shekullarizuar, duke mbetur në të njëjtën kohë rreptësisht fondamentaliste: lufta e disa hebrenjve ultraortodoksë për të drejtën për t’u lutur te Muri i Vajit mund të jetë simboli i kësaj forme të re fetare. Shift of poëer-i aktual do t’i shtyjë pothuajse me siguri popullsitë e fuqive të vjetra “të përparuara” të jetojnë në kushte gjithnjë e më të paqëndrueshme; ka mundësi që, në të kundërt, popullsitë e të ashtuquajturave vende të sapoafirmuara të mund të jetojnë në të ardhmen në kushte gjithnjë e më pak të pasigurta. Një mundësi e tillë mund të çonte në një rezultat paradoksal: një Europë dhe një Amerikë më fetare, duke u marrë me një Azi dhe një Afrikë më materialiste, me të cilat do të ushqehen “përplasje të reja qytetërimesh”.

Presidentja sot bën bashkë pozitën dhe opozitën

0

Raportohet se Presidentja Atifete Jahjaga do të shikojë mundësinë që sot t’i bëjë bashkë pozitën dhe opozitën në një tryezë të përbashkët.

Pozita dhe opozita kanë qenë ndarazi në takim te Presidentja Atifete Jahjaga. Të dy palët kanë bërë të ditur se ia kanë përcjellur qëndrimet Presidentes Jahjaga.

Por pavarësisht mesazhit të opozitës se nuk do të diskutojë në asnjë rrethanë me pozitën për kërkesat e tyre, pa tërheqjen e nëshkrimit nga marrëveshja në Bruksel, RTK merr vesh se Presidentja Jahjaga po bënë përpjekje që një takim i përbashkët mes pozitës dhe opozitës të bëhet nesër.

Zyra e Presidentes, nuk e ka mohuar se mund të ndodhë një takim i tillë por pa specifikuar se kur do të ndodhë ai.

“Ftesës së Presidentes për takime i janë përgjigjur të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës ndërkohë që takimi i përbashkët mes pozitës dhe opozitës mbetet synin i cili varet tërësisht nga vullneti i partive politike të përfaqësuara në Kuvend”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes.

Frikë nga grushtet në seancë

0

Seanca e Kuvendit të Kosovës, e cila është thirrur për ditën e premte, ka rrezik që të shndërrohet në një arenë përleshjesh në mes deputetëve të pozitës dhe opozitës. Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, bashkë me anëtarët e Kryesisë, pavarësisht kërcënimit të opozitës se do të përdorë të gjitha mjetet për ta pamundësuar vazhdimin e punimeve, ka vendosur që të mbajë seancë të re.

Përfaqësuesit e tri partive politike opozitare thonë se thirrja e seancës për ditën e premte pa pasur lëvizje rreth marrëveshjeve të arritura për Asociacionin e Komunave Serbe dhe Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi është provokim i situatës. Fatmir Limaj, nga “Nisma për Kosovën”, gjatë një debati televiziv ka thënë se posedon informacione se partitë në pushtet janë duke e përgatitur një skenar që në seancën e radhës të ketë edhe përleshje fizike në Kuvend në mes deputetëve.

Të njëjtin mendim e ndan edhe shefi i Grupit Parlamentar të “Vetëvendosjes”, Glauk Konjufca, i cili thotë se ekziston rreziku që seanca e radhës të ketë epilog përleshjesh në mes deputetëve…/zeri/

Protestë në përkrahje të rektorit të shkarkuar

0

Është paralajmëruar për sot një protestë para Ministrisë së Arsimit në përkrahje të rektorit Ramadan Zejnullahu, të cilin dje e shkarkoi Këshilli Drejtues i Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.

Protesta po organizohet përmes një grupi të krijuar dje në facebook “Protestë në mbështetje të Rektorit Zejnullahu”, të cilit i janë bashkangjitur mijëra shfrytëzues të rrjetit social.

“Sot Këshilli Drejtues i UP-së mori vendim skandaloz që të shkarkojë Rektorin Zejnullahu për shkak të përpjekjeve të tij për të vendosur rend në Universitet. Ju ftojmë të bashkëngjiteni në protestë para Ministrisë së Arsimit të enjten në orën 11:00, ku do t’i bëjmë thirrje Ministrit Arsim Bajrami të shfuqizojë vendimin e sotëm dhe të shkarkojë kryesuesen e Këshillit Drejtues, Shefkije Islamaj, e cila dha hapësirë për malverzime të tilla”, thuhet në thirrjen në Facebook.

Pas vendimit të Këshillit Drejtues të UP-së, mbrëmë reaguan, ndër të tjerët, presidentja Atifete Jahjaga, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Arsimit Arsim Bajrami, të cilët kërkojnë rishikimin e shkarkim it të Zejnullahut.

Haradinaj: Marrëveshjet do të tërhiqen

0

Marrëveshjet gjithqysh do të tërhiqen. Por, se a do të tërhiqen me anulim, me rënie të Qeverisë apo me zgjedhje, pritet të shihet kur të tërhiqen thotë Ramush Haradinaj.

Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj, ka thënë se opozita nuk po ushtron dhunë. Sipas tij, opozita po i mbron institucionet dhe demokracinë. Ai ka thënë se dhunë mbi shtetin e Kosovës është duke ushtruar koalicioni qeverisës.

Haradinaj në një intervistë për ‘Epokën e Re’, ka porositur Kryeministrin Isa Mustafa ta anuloj marrëveshjen për asociacionin dhe atë për demarkacionin, përndryshe të largohet nga posti i Kryeministrit.

Ai ka bërë me dije se opozita do të marrë pjesë në seancën e së premtes dhe nuk do të ndryshojë qëndrim në veprime.

Tentimi për bashkim

0

Presidentja Atifete Jahjaga pritet ta shikojë mundësinë që nesër t’i bëjë bashkë pozitën dhe opozitën, në një tryezë.

Pozita dhe opozita kanë qenë ndarazi në takim te Presidentja Atifete Jahjaga. Të dy palët kanë bërë të ditur se ia kanë përcjellur qëndrimet Presidentes Jahjaga.

Por, pavarësisht mesazhit të opozitës se nuk do të diskutojë në asnjë rrethanë me pozitën për kërkesat e tyre, pa tërheqjen e nëshkrimit nga marrëveshja në Bruksel, RTK merr vesh se Presidentja Jahjaga po bën përpjekje që një takim i përbashkët mes pozitës dhe opozitës të bëhet nesër.

Zyra e Presidentes nuk e ka mohuar se mund të ndodhë një takim i tillë por pa specifikuar se kur do të ndodhë ai.

“Ftesës së Presidentes për takime i janë përgjigjur të gjithë udhëheqësit e subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës ndërkohë që takimi i përbashkët mes pozitës dhe opozitës mbetet synin i cili varet tërësisht nga vullneti i partive politike të përfaqësuara në Kuvend”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së Presidentes. /RTK

Zejnullahu: Besoj në ndërtimin e institucioneve pa klane njerëzish të fuqishëm

0

Pas shkarkimit të tij nga detyra e Rektorit të Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu ka thënë se sot ka fituar ideja e mashtrimit dhe shantazhit, të cilën e përkrahin njerëz të fuqishëm.

Ai, ka thënë se vendimi i sotëm i Këshillit Drejtues nuk kishte të bënte me të apo stafin e tij, por me idenë e reformës dhe progresit që ata e përkrahnin.

“Vendimi i sotëm i Këshillit nuk kishte të bënte me mua ose me stafin tim, por me idenë e reformës dhe progresit që ne po e përkrahim fuqishëm dhe idenë e mashtrimit dhe shantazhit që e përkrahin disa njerëz të fuqishëm. Sot, fatkeqësisht, fitoi kjo e dyta”, ka thënë Zejnullahu.

Megjithatë, ka thënë Zejnullahu, beson në fuqinë e UP-së, duke respektuar vlerat dhe duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme, e jo për klanë njerëzish të fuqishëm.

“Unë ende besoj në fuqinë e UP-së dhe të shoqërisë sonë për t’u transformuar, duke respektuar vlerat e duke ndërtuar institucione që punojnë për të mirën e përgjithshme e jo për klane njerëzish të fuqishëm. Unë do të vazhdoj ta jap kontributin tim për të mirën e UP-së në cilëndo pozitë që jam. Forca e dijes dhe arsyes do të triumfojë herët apo vonë. Rrugës do të humbim shumë beteja, por nuk duhet të ndalemi”, ka thënë Zejnullahu.

Ndryshe, ai u shkarkua para pak çastesh, pasi gjashtë (6) anëtarët e Këshillit votuan pro këtij vendimi./Indeksonline
…………..

Shkarkohet rektori Ramadan Zejnullahu

Iniciativa e senatorëve të UP-së për shkarkimin e rektorit Ramadan Zejnullahu u miratua në Këshillin Drejtues.

Anëtarët e këtij këshilli i dhanë mbështetje kërkesës së senatorëve për shkarkimin e Zejnullahut.

Votimi i fshehtë tregoi që të 6 anëtarët e Këshillit votuan pro shkarkimit./Kallxo.com

Kishë romake në Rahovicë

0

Dy lokalitete të rëndësishme arkeologjike janë zbuluar këto ditë në Rahovicë të Ferizajt, me rastin e punimeve në trasenë e rrugës magjistrale Prishtinë – Hani i Elezit.

Besohet se këto objekte datojnë që nga periudha e vonshme romake. Arkeologë nga Instituti për Trashëgimi Kulturore kanë thënë se bëhet fjalë për një kishë të vogël dhe një banesë që, sipas artefakteve të gjetura, mund të jenë të shekullit XV. Në terren është duke u bërë faza e fundit e gërmimeve dhe për pak kohë do të merret një vendim për ndryshimin e trasesë apo mbulimin e këtyre lokaliteteve të vjetra, ndërkohë që në këtë pjesë punimet janë ndërprerë nga kompania “Bectel-Enka” deri në një vendim nga organet përgjegjëse.

“Janë zbuluar gjurmët e një kishe mesjetare me dimensione 16 x 6 metra, e cila është dydhomëshe. Në përbërjen e saj e ka edhe apsiden, edhe pse është shumë e shkatërruar. Për ne nuk është ndonjë gjë e ndërlikuar për ta njohur nëse është kishë apo objekt. Puna jonë është të bëhet gërmimi i saj që të dihet saktë se për çfarë bëhet fjalë. Madje do të formohet një komision vlerësues për ta parë se çfarë do të bëhet më tutje me këtë objekt”, ka thënë arkeologu Premtim Alaj nga Instituti për Trashëgimi Kulturore.

Institucionet komunale për trashëgiminë kulturore janë alarmuar nga mundësia e zhdukjes së këtyre lokaliteteve. Nexhat Shanini, zyrtar i Njësisë për Trashëgimi Kulturore, ka thënë se do të përpiqen maksimalisht që këto gjetje me vlera të rralla historike për Komunën e Ferizajt të ruhen dhe të mos mbulohen.

Punonjësit e Muzeut të Ferizajt janë kujdesur t’i marrin të paktën disa artefakte nga këto lokalitete për t’i forcuar dëshmitë e hershme të jetës këtu, ndërsa zhdukjen e kanë konsideruar të dëmshme. Zyrtari i Muzeut të Ferizajt, Ilir Bytyqi, ka thënë se, pas informacioneve që ka marrë nga arkeologët për mbulimin e këtij lokaliteti, kishte ardhur këtu për të marrë dëshmi.

“Këto qeramika e tjegulla i mora si elemente për të dëshmuar se ka pasur vendbanime në trasenë e re që po ndërtohet. Kjo tregon edhe një dimension tjetër se treva jonë është shumë e pasur me vlera arkeologjike”, ka thënë Bytyqi.

Në Komunën e Ferizaj ka shumë vende që i përkasin trashëgimisë kulturore, mirëpo mirëmbajtja e tyre lë shumë për t’u dëshiruar, pasi kjo komunë nuk ka arkeolog. Vite më parë në shumë lokalitete të Ferizajt janë gjetur gjurmë të tumave ilire dhe sarkofagë të ndryshëm, të cilat dëshmojnë për ekzistimin e objekteve të lashta nga periudha ilire e romake si në Komogllavë, Nikadin, Varosh e Jezerc. /Epoka e Re

A po rrëshqet demokracia jonë në tirani?!

0

Nga Jakup Krasniqi

Në të gjithë librat që merren më shpjegimin e fjalës demokraci zakonisht atë e shpjegojnë si sundim të popullit që në të shumtën interpretohet edhe si sundim i shumicës. Ky sundim i shumicës qytetare i quajtur demokraci ka kaluar në tri faza të mëdha të historisë: a) demokracia e drejtpërdrejt e qytet-shteteve (Greqi – Romën e vjetër), b) demokracia e tërthortë deri në vitin 1905, kur delegatët e zgjedhur nga zgjedhësit, caktonin deputetet e Parlamentit (Kuvendit) dhe c) demokracia përfaqësuese që del nga zgjedhjet e lira parlamentare (pas vitit 1905). Në demokracinë parlamentare, kanë pushuar zgjedhjet e tërthorta për Parlament, por vazhdohet me zgjedhjet e tërthorta për ekzekutivin i cili del nga votimi i shumicës parlamentare (Knut Midgaard & Bjorn Erik Rasch ; Demokracia – kushtet dhe pasojat, faqe 12). Në demokracinë parlamentare, ku qeveria zgjidhet nga Parlamenti (Kuvendi), formalisht ekziston mundësia për t’ia marrë besimin një qeverie e cila qeverisë keqe, por në demokracitë e brishta, një gjë e tillë nuk ndodh. Kjo nuk po ndodh as tek ne.

Duke e parë se si po trajtohet vullneti i kombit nga qeveritarët tanë, e në mënyrë të veçantë sa i përket sovranitetit të vendit tonë, na përkujton konstatimin e A. D. Tokvilë, i cili thoshte: “Vullneti kombëtar është njëra ndër fjalët të cilën e kanë shpërdorur më të madhe intrigantët dhe despotët e të gjitha kohëve ”. (Mbi demokracinë në Amerikë, faqe 57).

Nuk ka asnjë dyshim, se pas zgjedhjeve të tetë qershorit 2014, edhe despotët tanë në mënyrën më flagrante e kanë shpërdorur vullnetin e kombit, në emër të cilit po marrin vendime në dëm të se ardhmes se tij dhe kjo sidomos po shihet me marrëveshjet e arritura në Bruksel dhe demarkacionit të kufirit më Malin e Zi, për faktin se janë nisur nga premisat e gabuara, për ketë të fundit.

Demokracinë apo shtetin demokratik, Platoni e shihte si një formë të diktaturës së butë në të cilën do të sundonin mbretërit filozofë (andrew heywood; politika, faqe 13) dhe filozofët ishin njerëzit më të urtë të Athinës apo qytet-shteteve në Greqinë Antike dhe Romën e lashtë. Ndërsa në shekullin tonë, demokracia është një sistem i avancuar, qëllimi i të cilit është për të penguar tiranin dhe për t’i ndihmuar vendimet e drejta, që në perspektivë ajo të ndihmonte marrjen e vendimeve kolegjiale (Midgaard & Rasch, f. 15) në shërbim të kombit apo qytetarëve. Siç po shihet në kohën tonë, demokracia duhet të shërbej për të krijuar një konsensus për çështje të një rëndësie kombëtare. Ndërsa sa u parkete çështjeve që shkojnë përtej një mandati qeverisës, duhet të jenë të hapura në atë mënyrë që të gjithë pjesëmarrësit t’i kenë mendimet dhe propozimet e tyre, këtu duhet llogaritur pesha e argumentit e në asnjë mënyrë forca e votës apo ndonjë mënyrë tjetër ( po aty), si zakonisht e kemi parë gjatë këtyre viteve në Kuvendin tonë.

Nga kjo që u tha del se për të pasur institucione funksionale, të besueshme e demokratike është e domosdoshme që të sigurohet integriteti dhe legjitimiteti i Sistemit Zgjedhor (po aty . 58).

Ne kemi pasur zgjedhje që janë vlerësuar si të “rregullta”, por vërtetë, sa kanë qenë të tilla?!

Sa besojnë qytetarët tanë, se vërtetë zgjedhjet ishin të rregullta?

Mënyra se si po qeveriset, si janë të ndara e të balancuara pushtetet, si po funksionojnë institucionet e pavarura, e në veçanti Sistemi i Drejtësisë, përfshirë edhe Gjykatën Kushtetuese, le për të dëshiruar shumë, madje tepër shumë. Jo vetëm kaq, por gjatë këtyre viteve të lirisë, të pavarësisë e të demokracisë, a mund të themi se pushtetet i kemi të ndara, a mund të themi se, institucionet e pavarura kushtetuese janë të pa kapura politikisht?

Se demokracia jonë po rrëshqet në një tirani e cila nuk është si “diktatura e butë” e Platonit, e cila duhej të udhëhiqej nga “mbretërit filozof”, përkthyer në realitetin tonë, donë të thotë, nga njerëz të ditur, që dinë të qeverisin në të mirë të qytetarëve. Konsideroj që është e qartë për një numër të rëndësishëm të qytetarëve tanë, por çështja shtrohet: A ka politika jonë, vullnet politik për të marr seriozisht, ndërtimin e shtetit të së drejtës? Qofsha i gabuar, por unë nuk po e shoh ketë gatishmëri, pasi demokracinë, mashtruesit nuk e kanë asnjë predispozitë që ta instalojnë në qeverisjen e vendit.