Home Blog Page 6933

Kadaj-Bujupi nuk është helmuar, por ka tension të lartë dhe marramendje

0

Sokol Zogaj nga Shërbimi Korrektues ka thënë se Donika Kadaj-Bujupit, nesër do t’i bëhen të gjitha analizat në qendër korrektuese.
“Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi, nuk është e helmuar, por ka tension të lartë dhimbje dhe marramendje”, ka thënë ai për

Ora e Fundit në Klan Kosova. “Para një ore jam kthyer, kam qëndruar dy orë në burg dhe kam biseduar me zonjën Kadaj-Bujupi. Gjendja ka filluar t’i përmirësohet. Shihet që ka ngritje të tensionit, por jo të lartë. Ka dhimbje dhe marramendje. Nesër do t’i bëhen të gjitha analizat në qendër korrektuese. Nëse ka nevojë për analiza më të thella do t’ia bëjmë ato në QKUK”.

Zogaj tha se e ka vizituar edhe deputeten tjetër të opozitës që po qëndron në paraburgim, Albulena Haxhiun, dhe se në plan e ka të njëjtën gjë ta bëjë edhe me Albin Kurtin në ditët e ardhshme.

“E kam vizituar edhe deputeten Albulena Haxhiu, ajo ka qenë shumë mirë e pranuar, e trajtuar dhe e sistemuar. Edhe Albin Kurti është duke u trajtuar mirë”, ka thënë Zogaj, i cili ka shtuar se në burgjet e Kosovës të gjithë të burgosurit trajtohen mirë dhe pa dallim. /klan Kosova/

Seanca të hënën, opozita e quan provokim

0

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që seanca e Kuvendit të Kosovës të mbahet të hënën e ardhshme, në orën 10:00. Në këtë seancë do të jenë 26 pika të rendit të ditës, duke përfshirë shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për buxhetin e vitit 2016.

Gjithashtu është vendosur që më 17 dhjetor presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, të mbajë fjalimin e saj vjetor para deputetëve të Kuvendit.

Kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë u bëri thirrje subjekteve opozitare që t’i kthehen Kuvendit dhe të mos vetëpërjashtohen.

“Kisha dëshiruar ta shfrytëzoj këtë moment t’i bëj ftesë serioze opozitës që të vije në seancë. Në asnjë moment qëllimi as imi, as i kësaj Kryesie nuk ka qenë dhe nuk është që të përjashtohet dikush nga opozita. Ju edhe vetë e keni vënë re që çdo herë jam munduar t’i thërras të marrin pjesë në seancë, mos ta vetëpërjashtojnë veten, mos të vetinkriminohen”, është shprehur Veseli.

Kreu i Kuvendit më tej i ka përgëzuar institucionet e drejtësisë për punën profesionale, siç ka thënë ai.

“Sido që të jetë dua të përçoj mesazhin se askush nuk është mbi ligjin dhe t’i përgëzoj organet e rendit për punën e tyre dhe organet gjyqësore për punën e tyre profesionale”, ka deklaruar Veseli.

Kryeparlamentari Veseli ka sqaruar se nënkryetarja e Kuvendit nga Lëvizja “Vetëvendosje”, Aida Dërguti, ka kërkuar që të mos mbahet seanca për shkak të iniciativës së presidentes për dialog. Por, sipas tij, kjo nuk pengon asgjë që të vazhdojnë me mbajtjen e seancave plenare. /Zëri/

Grabovci: Jam i bindur se opozita nuk dëshiron zgjedhje

0

Nënkryetari i PDK-së, Adem Grabovci ka thënë se për të dalë nga situata aktuale duhet vullnet i dyanshëm politik.
Ai e ka fajësuar opozitën se nuk po lëviz nga qëndrimet e saj, pasi, sipas tij, pozita e ka bërë hapin që e ka takuar.

Grabovci ka vlerësuar për ‘Epokën e re’, se roli presidentes është shumë i rëndësishëm në këto zhvillime.

Sipas tij, gjasat për zgjidhje brenda institucioneve të Kosovës ekzistojnë.

Duke e komentuar kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme, Grabovci ka thënë se ka bindje se opozita nuk dëshiron zgjedhje, por edhe nëse shkohet në zgjedhje të reja, ai thotë se PDK-ja do të dalë partia e parë politike.

Arjeta Nezaj: Të pafytyrët po kërkojnë shkarkimin e Haxhi Avdylit

0

Ish-kuvendarja e LDK-së në Prizren, Arjeta Nezaj i ka quajtur të paftyrë iniciatorët e shkarkimit të kryetarit të Degës së LDK-së Haxhi Avdyli.

Sipas saj, iniciativa për shkarkimin e Avdylit është marrë nga njerëzit që kanë frikë nga gjeneratat e reja.

“Njëherë kërkonim një person të ri, të kualifikuar, të dashur nga populli dhe këtë person e zgjodhëm”, shkruan Nezaj në Facebook.

“Tani ka demonë që kanë frikë, që gjeneratat e reja do t’i përjashtojnë ata nga pozitat që i morën në rrugë të ndryshme”.

“Disa me para, disa me dinakëri, disa i punësuan edhe gratë, sa për të marrë një rrogë dikund dhe shumë e shumë fakte tjera që bien shumë lehtë në sytë e popullit”./PrizrenPress.com/

Drama presidenciale e Hashim Thaçit

0

Liderin e PDK-së e pret një vit i vështirë politik e juridik

“Siç duket, Thaçi në asnjërin variant nuk e ka një të ardhme të ndritshme, nuk po e presin ditë të mira. Situata çdo ditë e më shumë po komplikohet për të. Ndoshta do të jetë një fat për Kosovën që të mos komprometohet Kosova me një president të tillë si Hashim Thaçi”, tha deputeti i koalicionit qeverisës, Adem Salihaj, për “Kosova Sot”

Marrëveshja në letër me LDKnë ia mundëson Hashim Thaçit që të ulet pas disa muajsh në karrigen e të parit të shtetit, por zhvillimet politike dhe juridike mund të sjellin befasi për liderin aktual të PDK-së. Kriza që ka shpërthyer pas marrëveshjeve të 25 gushtit dhe Gjykata Speciale, e cila njërin nga “klientët” mund ta ketë edhe protagonistin e raportit të Dik Martit, Hashim Thaçin, janë bërë pengesa serioze të ambicies presidenciale të këtij të fundit.

Një nga deputetët e LDK-së, që bën pjesë në grupin e kundërshtarëve të zgjedhjes së Thaçit president të vendit, Adem Salihaj, i kontaktuar nga gazeta, ka pohuar se rrethanat politike janë komplikuar aq shumë dhe po shkaktojnë ngecje serioze në të gjitha fushat e funksionimit të shtetit, duke mos përjashtuar edhe nevojën e shkuarjes së shpejtë në zgjedhje të reja, të jashtëzakonshme…/kosova sot/

Deputeti i koalicionit kundër dy marrëveshjeve (Video)

0

Deputeti i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Raif Qela, është kundër dy marrëveshjes së Asociacionit të Komunave me shumicë serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Këto komente ai i ka dhënë në emisionin “Kontakt” me Valdrin Krasniqin në Tribuna Channel, duke shtuar se këto marrëveshje janë të këqija për Kosovën dhe i bëjnë dëm të ardhmes së saj.

Qela tha se kauza e opozitës është mjaft e drejtë, por metoda e saj nuk të çon askund, sepse Kosova është në një ngërç dhe duhet të gjendet në zgjidhje me vullnet të dy palëve.

Deputeti i Lëvizjes për Bashkim e cila është në koalicion me PDK-në, shtoi se edhe pa opozitën këto dy marrëveshje nuk kalojnë, sepse ka shumë deputetë kritikë ndaj mënyrës se si janë zhvilluar bisedimet.

Haxhi Avdyli: Duan të më shkarkojnë të dështuarit (Video)

0

Kryetari i Degës së LDK-së në Prizren, Haxhi Avdyli, në emisionin Rrokum Roll, thotë se ka filluar një iniciativë për shkarkimin e tij.

Sipas tij, këta që e kanë nisur këtë iniciativë janë persona të dështuar me zemër tek partitë tjera.

Në TV Rrokum ai tha se nuk beson se prapa tyre qëndron Kryesia Qendrore e LDK-së.

Gjurmët rikthehen me koncert në Tiranë

0

Pasi u rikthyen me projektin muzikor “Synin si qershija” , rock grupi “Gjurmët” do të bashkohen edhe për një koncert në Tiranë.

30 vite që nga ndarja ata kanë vendosur të rikthehen me rock-koncert me pjesëmarrjen e Orkestrës Simfonike të RTSH-së.

Kjo mbrëmje muzikore sipas anëtarëve të grupit do të përmbajë edhe një histori të shkurtë për Republikën.

Të ftuar do të ketë artistë të zhanreve të ndryshme muzikore si Mc Kresha, Kastro Zizo, Genc Salihu, Bojken Lako, Juliana Pasha, Xuxi, Dren Abazi e shumë të tjerë.

Koncerti do të mbahet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë me datën 29 dhjetor, në ora 20:00. /Telegrafi

Gashi: Shkarkimi i Haxhi Avdylit i konvenon vetëm PDK-së

0

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, në një lidhje telefonike në emisionin Rrokum Roll, tha se shpreson që mos të jetë ndonjë i nivelit të lartë në subjektin e tij që ka kërkuar shkarkimin e Haxhi Avdylit nga kryetari i Degës së LDK-së në Prizren.

“Mendoj se kryetari Isa Mustafa duhet me reflektu e mos me leju shkarkimin e tij”, tha Gashi, duke shtuar se shkarkimi i Avdylit i konvenon PDK-së, e duke thënë me bindje se ky s’është interes i Mustafës dhe i partisë.

Qosja: Hivzi Islami analfabet

0

Akademiku Rexhp Qosja, ka reaguar në lidhje me viziten e Kryetarit të Kuvendit, Kadri Veselit në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës si dhe në lidhje me dekleratat e të paritë të këtij i institucioni, Hivzi Islamit.

Qosja reagimin e tij e ka bërë në rrejtin social Facebook.

Ky është reagimi i plotë i Qosjes:

Sot pasdite, në medie dëgjova dy deklarata që u dhanë me rastin e vizitës së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

E para ishte deklarata e kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës i cili tha, me një gramatikë prej analfabeti, se problemet e Asociacionit të Komunave Serbe dhe të Demarkacionit me Malin e Zi nuk zgjidhen ashtu si po shohim në televizione, domethënë si po kërkon opozita, por zgjidhen me institucione ashtu si po kërkon kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, domethënë ashtu si duan Serbia dhe Mali i Zi! Unë kuptoj pse kryeministri i Kosovës pajtohet të krijohet edhe një shtet serb në Kosovë dhe t’i jepet një pjesë e Kosovës Malit të Zi. Njëkohësisht, unë kuptoj pse me këtë pajtim të kryeministrit të Kosovës pajtohen edhe shërbëtorët e tij të Akademisë, të cilët e kanë bërë akademik pa kurrfarë meritash shkencore dhe pa kurrfarë vlerash intelektuale!

Meqenëse kuptoj se kryetari i qeverisë së Kosovës dhe kryetari i Akademisë pajtohen me dy marrëveshje që cenojnë rëndë interesat e përtashme dhe historike të Kosovës më duhet të kuptoj edhe pajtimin e mendjes katërkëmbëshe të kryetarit të Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës me burgosjet politike të anëtarëve, të deputetëve e të deputeteve, të opozitës!

Deklarata e dytë ishte ajo e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, i cili tha se ligji për Akademinë e Shkencave e të Arteve, i cili është në procedurë, do të miratohet ashtu siç do Akademia! Në këtë mënyrë kryetari i Kuvendit të Kosovës shpërfilli dhe përbuzi opinionin e Kosovës, institucionet e ndryshme shkencore, fakultetet, studiuesit shkencorë dhe krijuesit e arteve, që para miratimit të tij kanë të drejtën të shfaqin mendimin për këtë ligj. Për të qenë puna edhe më zi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, shpërfilli plotësisht edhe vullnetin e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, të cilët do të duhej ta diskutojnë e ta miratojnë atë ligj jo ashtu si do ajo Akademi private, të cilën qe 20 vjet e sundon, e shfrytëzon, e korrupsionon një klan mafioz, por ashtu si e duan interesat e Republikës së Kosovës.

Askund në botë në shtetet demokratike kuvendet nuk miratojnë ligje duke shpërfillur ata që ka zgjedhur populli për vlerësimin dhe miratimin e tyre.

Demokracitë e tilla, ku ligjet aprovohen siç tha sot kryetari i Kuvendit të Kosovës, në botën moderne quhen demokraci skllavopronare.

Rexhep QOSJA