7.7 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6944

Studentët bllokojnë Rektoratin!

0

Studentët e Universitetit të Prishtinës e kanë bllokuar Rektoratin që nga ora 8 e mëngjesit të sotëm.

Këtë informatë e ka bërë të ditur në një postim në Facebook Rifat Krasniqi, senator i senatit të UP-së njëherit organizator i protestës.

“Rektorati është bllokuar nga studentet për të drejtat e tyre, ?#?EjaBashkohuedhe ?#?Ti”, ka shkruar ai.

Kjo bllokadë erdhi si rezultat i mbledhjes së djeshme të këshillit Drejtues të UP-së me ç`rast studentët theksuan se rektori Ramadan Zejnullahu i anashkaloi kërkesat e tyre dhe nuk deshi të merrej me to.

SHIK-u po nxit trazira

0

Mënyra se si është menaxhuar kriza parlamentare nga kryekuvendari Kadri Veseli dhe ndërhyrja e policisë për të arrestuar deputetin e Lëvizjes ‘Vetëvendosje’, Albin Kurti, me pretekstin për t’u dërguar në intervistim nga Prokuroria në mënyrë shumë të parregullt, gjatë orëve të natës dhe pa e dëshmuar autorizimin e Prokurorisë së shtetit, nga deputetë të LDK-së dhe analistë politikë interpretohet si skenar i qëllimshëm i përdorimit të elementeve kriminale të SHIK-ut të PDK-së. Sipas analistëve, këto elemente janë kudo në institucione, në polici, gjykata, prokurori e media, dhe përmes këtyre verimeve synojnë të nxisin trazira, me qëllimin final rrëzimin e Qeverisë aktuale dhe të sjelljes në krye të ekzekutivit të ri të ish-shefit të SHIK-ut, Kadri Veseli, në vend të Isa Mustafës.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, i ka thënë gazetës Kosova Sot se këtë skenar e ka hetuar kaherë dhe dyshon se është edhe qëllimi final i krejt këtyre zhvillimeve që po e trazojnë vendin.

“Unë e kam theksuar që nga fillimi se Kadri Veseli jo vetëm që po e toleron ‘Vetëvendosjen’ për veprimet në Kuvend, por ai me mjeshtri po i nxit ata që të krijojnë anarki dhe krizë politike. Në seancën e fundit ai luajti rolin e soditësit të kënaqur në gjithë atë tollovi në Kuvend, duke bërë sehir skenarin e tij për një konfrontim fizik të deputetëve të opozitës me ata të pozitës”, deklaroi Salihaj.

“Skenarët e fundit ishin kryekëput të SHIK-ut, duke krijuar situata shumë të tensionuara, duke arrestuar një deputet pa fletarrest, duke nxitur kështu trazira dhe duke e liruar pastaj atë. E gjithë kjo shërbeu për nxitje dhe inkurajim të ‘Vetëvendosjes’ për të vazhduar trazirat… Këto lojëra të rrezikshme të SHIK-ut nuk i sheh vetëm ai që është i verbër politikisht. U pa qartë se Policinë e Kosovës dhe prokurorë të caktuar i kontrollon SHIK-u dhe bën me ta çfarë të dojë”, tha deputeti Adem Salihaj. /Kosova Sot

Opozita: Do t’i zhbëjnë marrëveshjet

0

Tri subjektet opozitare, Lëvizja “Vetëvendosje”, AAK-ja dhe “Nisma”, janë të vendosura në iniciativën për zhbërjen e Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe dhe për Demarkacionin e Kufirit me Malin e Zi.

Bllokimi i punës së Kuvendit është mjeti aktual që po përdor opozita, ndërsa, sipas tyre, demonstratat do të jenë të pashmangshme nëse kryeministri nuk i tërheq nënshkrimet nga këto dy marrëveshje.

Opozitarët përmes një komunikate të përbashkët kanë thënë se çdo tensionimi i situatës do të jetë përgjegjësi e pushtetit.

“Protesta jonë në Kuvend do të vazhdojë dhe nuk do të ketë kompromis pa u tërhequr marrëveshjet. Çdo tensionim i situatës, pas këtyre masave policore, është përgjegjësi e kryetarit të Kuvendit dhe e Qeverisë së Kosovës”, thuhet në komunikatën e tri subjekteve opozitare.

Ndërsa, Shefi i Grupit Parlamentar të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Glauk Konjufca, ka thënë se opozita kundërshtimin e këtyre marrëveshjeve e ka filluar duke dhënë argumente para qytetarëve se përse janë të dëmshme. Pastaj, sipas tij, kundërshtimi ka vazhduar me organizimin e peticionit dhe me bllokimin e punës së Kuvendit. Ndërsa ka bërë të qartë se opozita është e vendosur që të përdorë atë formë të kundërshtimit që e pamundëson themelimin Asociacionit. /Zëri

Rugova: S’do të tërhiqemi

0

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Haki Rugova ka vlerësuar se zgjidhja më e mirë për tejkalimin e situatës është funksionimi i Kuvendit të Kosovës.

Ai ka thënë për ‘Epokën e Re’ se seanca e sotme e Kuvendit duhet të mbahet dhe ka kërkuar nga kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ta zbatojë Rregulloren e punës.

Rugova ka bërë me dije se mbajtja e zgjedhjeve të reja dhe formimi i qeverisë teknike nuk janë opsione të pranueshme.

Ai ka thënë se, pavarësisht sulmeve, kryeministri Isa Mustafa nuk do të tërhiqet dhe pushteti nuk do të ndërrohet në rrugë nëpërmjet dhunës dhe anarkisë.

Seancë me policë

0

Për herë të parë pas një muaji të bllokadës në Kuvend të Kosovës pritet të ndërhyjë policia për t’i larguar nga salla 30 deputetët opozitarë që do të pengojnë zhvillimin e punimeve të Parlamentit. Burimet e gazetës “Zëri” mësojnë se të enjten do të ndërhyjë sigurimi brenda sallës së Kuvendit, kjo pasi opozita ka paralajmëruar që sërish nuk do të lejojnë mbajtjen e seancës.

Pas gazit lotsjellës, që hodhi opozita javën e kaluar brenda sallës së Kuvendit, Kryesia ka marrë vendim që t’i shtrëngojë masat e sigurisë me kontroll të rreptë të deputetëve me qëllim të mos lejimit të futjes së armëve dhe mjeteve të rrezikshme brenda ndërtesës së Kuvendit.

Vendimit të kontrollit të detajuar do t’i nënshtrohen duke filluar nga kryetari i Kuvendit dhe stafi i tij përcjellës, deputetët bashkë me stafin, ministrat, nëpunësit e Kuvendit, gazetarët dhe gjithë vizitorët, por kjo rregull nuk do të aplikohet edhe për delegacionet e jashtme ndërkombëtare.

Sipas kryeparlamentarit, Kadri Veseli, ky vendim vije më qëllim të mos lejimit të futjes së armëve apo mjeteve tjera të rrezikshme brenda sallës sikurse ka ndodhur javën e kaluar, ku është futur gazi lotsjellës. /Zëri

Kurti: Fotografia e Selimit me Daçiqin është perverse

0

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në emisionin Opinion të Tv Klanit, duke komentuar gjuajtjen me vezë të Petrit Selimit, Zëvendësministër i Punëve të Jashtme, nga aktivistë të kësaj lëvizje, e ka justifikuar plotësisht sulmin.

“Fotografia e Petrit Selimit me Daçiqin është perversitet”.

“Të fotografohesh me një kriminel si Daçiqi, me urdhërin e të cilit janë vrarë mijëra shqiptar, madje edhe fëmijë nën moshën shtatë vjeçare dhe poashtu kemi mijëra të zhdukur dhe të prekur – të dalësh në fotografi me të duke buzëqeshur është plotësisht e papranueshme”.

Petrit_Selimi_Dacic_FOTO-690x380

Zviceranët mbështesin Malishevën

0

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, ka pritur të mërkurën në një takim përfaqësuesit e Agjencisë zvicerane të mjekësisë tropikale dhe të shëndetit publik, përkatësisht Debra Stevenson dhe Qamile Ramadanin, udhëheqës të projektit që kjo agjenci planifikon ta realizojë për ndihmë në kujdesin shëndetësor parësor.

Fillimisht Begaj ka falënderuar këtë agjenci për përfshirjen e Komunës së Malishevës në këtë projekt për përkrahje në fushën e shëndetësisë. “Ne si komunë jemi të gatshëm të bashkëpunojmë në projektin tuaj, pasi është me rëndësi të madhe për shëndetësinë në Malishevë”, është shprehur Begaj.

Ndërsa Debra Stevenson, duke e prezantuar projektin në fjalë, ka thënë se në të janë të përfshira 12 komuna dhe ky projekt kërkon që të merren parasysh prioritetet e komunave në fushën e shëndetësisë.

Ky projekt pritet të realizohet në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Shëndetësisë e sidomos me nivelin lokal dhe për këtë nevojitet edhe bashkëpunimi i Malishevës, përkatësisht Drejtorisë për Shëndetësi dhe QKMF-së. /PrizrenPress.com

Çohuni burra ta demolojmë shtetin!

0

Nazmi Elezi

Lajmet që dëgjon e lexon sot, të çojnë kudo e të kthejnë prapa në kohë dhe të kujtojnë ngjarje e personazhe.

Një lajm i tillë që u plasua sot në portalet tona seç ma kujtoi një detaj nga koha e fëmijërisë. Më ktheu në kohën kur familja shqiptare, sado konservative e patriarkale të ketë qenë, ishte institucion i shenjtë. Atëherë, kur prindërit ishin autoriteti që respektohej, mbase më shumë se sot, nga fëmijët. Por, edhe atëherë kishte fëmijë problematikë, me të cilët nuk ia dilnin as prindërit as mëhalla.

I tillë ishte edhe Ceni (emri i imagjinuar) i mëhallës sime, i cili shquhej për agresivitet, thyerje e shkatërrim të gjësendeve në shtëpi, po që se ia prishte dikush. Bile njëherë, kur një mysafir kishte rastisur të jetë në familjen e fqinjit në momentin Ceni kishte qenë në “elementin” e tij dhe atë ditë e kishte në radhë thyerjen e gotave në shenj mllefi e nervoze. Mysafiri i habitur me veprimin e fëmijës e pyet babain e Cenit: “Pse po e lejon djalin të bëjë kështu?”. I zoti i shtëpisë i përgjigjet: “Nuk ban me ia prish se veç bahet ma agresiv, e i then edhe xhamat”.

Mysafiri i habitur nga përgjigja e të zotit të shtëpisë, i thotë: “Ishalla nuk i shkon mendja me hip e me jau qit kulmin në tokë”.

Këtë storje nga fëmijëria ime ma kujtoi sot një kërcënim i bërë nga një grup i studentëve të Universitetit të Prishtinës, të cilët kishin thënë se “në qoftë se nuk përmbushen kërkesat e tyre do ta demolojnë Rektoratin”.

Po de po, e demolojnë. Ia fusin e dhe flakën. Pse jo. Në shtetin tonë të brishtë secili Cen i jep vetës të drejtë të demolojë e të thyejë çka të dojë, veç nëse dikush guxon e ia “prish tripin”. Nëse dikush merr guximin institucional e qytetar dhe kërkon të sillemi si studentë, si deputetë e si qytetarë normalë, atëherë do të pasojë reaksioni demolues-vandalizues.

Mund të kenë të drejtë studentët, të cilitdo grup protestuesish qofshin, edhe ata që protestojnë e kundër protestojnë, me çfarëdo kërkese e motivi. Mund të kenë të drejtë edhe ata që thonë se në Universitetin e Prishtinës nuk ka mësim cilësor dhe se ka profesorë plagjiatorë, e qe besa edhe të tillë që nuk dihet as ku e si i fituan a blenë titujt shkencorë (e çuditshme është se si në listën e “profesorëve” që dalin e kërkojnë shkarkimin e Rektorit ka pikërisht të tillë që veç ata e dinë se kush dhe si ua dha diplomat dhe titujt Mr. e Dr.).

Mirëpo, as studentët e pakënaqur e as disa “Dr. Mr.” (të cilët gjithçka tjetër mund të jenë, veç Dr. Mr. e profesorë nuk mund të jenë) nuk kanë të drejtë të demolojnë UP-në, sado që për gurë e stupca nuk duhet të shkojnë më larg se deri në rrugën përballë objektit kryesor të Policisë së Kosovës në kryeqytet.

Demoluesit le të mjaftohen me degradim që ia kanë bërë tash e mbi 15 vjet autoritetit arsimor e shkencor këtij institucioni universitar.

Është krejt normale të ketë të pakënaqur e të dëshpëruar, sepse në gjendjen çfarë jemi më së paku ka vend për të qenë i kënaqur. Mund edhe të jetë i kapur shteti, siç po thuhet nga parti politike e analistë, por demolimi e shkatërrimi i pronës publike nuk e ç’kap as nuk e forcon shtetin.

Nejse, mund edhe ta kem gabim, por kjo është demokracia. Prandaj, sot secili ka të drejtë të gabojë, veç jo të bëjë diçka të hairit. Bile “ka të drejtë” edhe ai që demokracinë e zëvendëson me anarki, e thërret: “Çohuni burra ta demolojmë shtetin”.

Parlamentin ta bëjmë teatër të tragjikomedive dhe cirk të gjuajtjeve me vezë dhe lojës me e filikaça. UP-në ta bëjmë market për shitblerje diplomash e titujsh shkencorë. Policët tanë, shënjestra të hedhjes së gurve e druve në kokat e tyre. Gjykatat, vend ku shpërblehet krimi…/telegrafi/

I mbijetuari i aksidentit të Fushë-Arrëzit, Jeton Morina: Zoti deshi që unë të jetoj

0

Jeton Morina nga Damaneku i Malishevës sot është në prag të viteve 30. Por ai mund të mos ishte fare sikur të kishte pakëz më pak fat në aksidentin e Fushë-Arrëzit ku humben jetën pesëmbëdhjetë bashkëmoshatarë të tij.

Më 14 tetor të vitit 2004 një nga autobusët e nxënësve të Malishevës derisa po kthehej nga një ekskursion në Shqipëri do të ndeshej me një makinë tjetër dhe do të binte në njërën nga greminat përreth rrugës. Pesëmbëdhjetë nxënës të Gjimnazit “Abdyl Frashëri” do të vdisnin, kurse disa të tjerë do të lëndoheshin.

Morina, që sot është afër diplomimit në Fakultetin e Mjeksësisë në Prishtinë dhe i cili tashmë edhe është martuar atë ditë ishte në autobusin e aksidentuar.

Ai në një bisedë për portalin Online ka kujtuar ngjarjen e tmerrshme. “Ani pse ka kaluar një kohë e gjatë mua më kujtohet ende kjo ngjarje e rëndë. Mesditën e 14 tetorit 2004 ishim duke u kthyer nga një vizitë që i bëmë pjesës tjetër të atedheut. Të lumtur e me plot gëzim vazhdonim rrugen duke kujtuar sekuenca të bukurive të Shqipërisë, ishim me plot humor, disa këndonin, disa vallëzonin, por kishte edhe që flinin”, e nis Jetoni rrëfimin e tij.

“Papritur në një moment një makinë ia pret rrugën autobusit tonë, ku pas një përplasje me makinën autobusi humb drejtim dhe bie në një humnerë diku rreth 50 metra thellë”. Ai thotë se ishte e rëndë që të shohësh shokët në gjendjen në të cilën ranë. “Ishte tmerr me të vërtetë, t’i shohësh të gjithë ata shokë e shoqe të gjakosur e shumë prejt tyre pa ndjenja. Kujtoj se poshtë rruge kishin zbritur shumë profesorë e nxënës duke u munduar të na ndihmonin pasiqë disa prej shokëve tanë kishin ngelur nën autobus. Dëgjoheshin shume rënkime e të qara nga nxënës e profesorë”, vazhdon ai.

“Nuk e di kush më ka ndihmuar të dalë nga atje, por e di që jam futur në një makinë dhe më kanë transportuar për në Pukë, me një qendër spitalore të vogël, që nuk i përballonte të gjithë ata pacientë. Më pas na shpërndanë nëpër spitale regjionale: Tiranë, Shkodër, Lezhë”.

Jetoni shp;timin e tij e lidh me Zotin dhe fatin. “Zoti deshi që unë të shpëtoj, ishte fati në fatkeqësi që më përcolli, ani pse me lëndime të rënda, por shpëtova. Nuk pata hapësirë t’i gëzohem shpëtimit tim, pasiqë të nesërmen nga shtypi ditor në Lezhë, ku isha në spital mësova se pesëmbëdhjetë nga shokët tanë kishin vdekur dhe ai lajm më tronditi tej mase: për mua ishte moment shumë i rëndë kur i lexova të gjithë ata emra të atyre djemve që nuk ishin më në jetë dhe që nuk e dija se do i gjeja vetëm në fotografitë që i kishim bërë nëpër vende të ndyshme”, tregon ai.

Ai tregon se jo vetëm ai por edhe të tjerët akoma i vuajnë pasojat e aksidentit. “Shumica prej të mbijetuarve sot e asaj dite i vuajnë pasojat e atij aksidenti, pothuajse të gjithë kanë lëndime që ende vazhdojnë t’i rikuperojnë, kush më të lehta e kush më të rënda”, shprehet Jetoni.

Ai thotë se asnjëherë nuk pati kompensim për aksidentin.

“Kompenzimi nuk i është dhënë askujt, ka munguar vullneti institucional si në nivel qendror ashtu edhe në atë lokal për ta trajtuar si rast specifik. Shumë të mbietuar kanë edhe invaliditet të perhershëm nga mungesa e kushteve për t’i trajtuar lëndimet me kohë. Që nga atëherë të gjithë kemi bërë përpjekje që të dimë pse ky rast nuk u trajtua asnjëherë seriozosht nga askush. Sot e asaj dite endemi nëpër zyre të ndryshme avokatësh duke u munduar që ta marrim atë që na takon”, thotë Jetoni.

Aksidenti i Fush-Arrëzit ishte më i rëndi në histori të ekskursioneve të nxënësve jo vetëm të Malishevës. Që të gjithë ata që e humben jetën ishin meshkuj. Ata u varrosen bashkë në dalje të qytetit të Malishevës. Aty u ngrit edhe një lapidar. Një pllakë në kujtim të nxënësve është ngritur edhe në Fushë-Arrëz. Kosova dhe Shqipëria në atë kohë patën shpallur ditë zije./Portalionline/

LDK-ja në Prizren nuk mbështeti protestën kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Lidhja Demokratike (LDK) në Prizren, ka qenë subjekti i vetëm politik, që nuk ju ka bashkuar sot protestës kundër arrestimit të ish-eprorit të UÇK-së, Xhemshit Krasniqi.

Zëdhënësi i Degës së LDK-së, Shkëmbim Cikaqi thotë se nuk është i autorizuar të flasë për këtë temë.

“Lidhur me këtë nuk jam i autorizuar të flasë”, thotë shkurt Cikaqi.

Shoqatat e dala nga lufta dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit, kanë organizuar sot protestë kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit.

Protestës ju kanë bashkuar të gjitha partitë politike në Prizren, përjashtuar LDK-së.

Përfaqësuesi i Këeshillit Organizativ të Protestës, Isë Berisha thotë se organizatorët e protetës kanë vizituar dhe kërkuar mbështetje vetëm te Lëvizja Vetëvendosje!

“ Nuk kemi pasur kohë që të shkojmë të të gjitha partitë politike. Kemi qenë vetëm te VV-ja, kurse subjektet e tjera publikisht përmes komunikatave për media kanë konfirmuar mbështetjen e protestës”, thotë Berisha për “PrizrenPress”.

Xhemshit Krasniqi u arrestua më 6 tetor nën dyshimet për krime lufte, ndërsa një ditë më pas atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh/PrizrenPress.com/