13 C
Prizren
E enjte, 9 Prill, 2026
Home Blog Page 6946

Pamuk me zemër të plasur

0

Në Stamboll, jeta gjatë dy muajve të fundit është bërë e pamundur. Miqtë vazhdojnë të këshillojnë: mos zbrit të marrësh metronë, mos shko në Sheshin Taksim, mos frekuento vende me shumë njerëz. Sindroma e bombës po rrethon jetët tona. Por, të gjithë njerëzit në Turqi, edhe intelektualët, si unë, nuk duan asgjë tjetër veç paqes.

Vetëm disa muaj më parë, gjithçka dukej e fituar, por lufta që shpërtheu kundër kurdëve ka shkaktuar vetëm një rikthim tek frika. Frikë në fytyrat e njerëzve, në zemrat e tyre, në mendjet tona: fatkeqësisht, kjo është ndjenja që dominon sot në Turqi.

Kështu flet Orhan Pamuk, në një intervistë për La Repubblica, nga New York’u – ku prej disa ditësh, ashtu si çdo vit, ka nisur kursin e tij në Universitetin e Columbia’s.

Dëshiron ta thotë mendimin e tij pas masakrës në Stacionin e Ankarasë. Eshtë larg, por mendja e tij sigurisht është në qytetin të cilit i ka kushtuar librin me të cilin fitoi Nobelin për Letërsinë.

Kur e morët lajmin për atentatin?

Orhan Pamuk: Menjëherë, sapo u zgjova. Më telefonuan nga Turqia, ndeza televizorin dhe pashë pamjet, fotografitë, është një gjë e frikshme. Vendi im nuk e meriton këtë.

Dhe çfarë menduat menjëherë?

Orhan Pamuk: Pata një reagim instiktiv: ky lajm na e copëton zemrën. Por, më pas, reagova duke i thënë vetes: të gjithë turqit liberalë, demokratët, laikët, të gjithë ata sot janë me kurdët dhe i mbështesin ata. Sepse, ky popull dëshiron paqen.

Stacioni i Ankarasë ku ndodhi masakra, a ka ndonjë domethënie për ju?

Orhan Pamuk: Për mua Stacioni i Ankarasë do të thotë Kemal Ataturk (themeluesi i Turqisë laike). Fotografohej kurdoherë që nisej për diku, gjatë viteve Njëzetë dhe Tridhjetë.

Në të kaluarën, ky vend ka parë katër grushte shteti. Ju a keni frikë nga një rikthim tek lufta civile, siç ndodhi gjatë viteve Gjashtëdhjetë dhe Tetëdhjetë?

Orhan Pamuk: Sigurisht që kam frikë. Mbi të gjitha, në vitet ’70, rrugët në qytetin tim kanë parë një konflikt të vërtetë mes njerëzve, të majtë e të djathtë. Ata që sot janë mbi 35 vjeç, kanë ende një kujtim fatkeqësisht të tmerrshëm të asaj periudhe dhe nuk dëshiron ta shohë kurrë më.

Por tani, në vitin 2015, çfarë ka ndodhur? Përse ky rikthim në përplasjen mes turqve dhe kurdëve?

Orhan Pamuk: Deri vetëm para tre muajsh, ky vend ka përjetuar një periudhë paqeje relative. Dhe Presidenti Erdogan ia kish dalë të niste një negociatë me PKK’në, pas disa dekadave luftë mes ushtrisë dhe guerilasve. Dhe në momentet e parë, kjo përpjekje shkoi mirë.

Më pas, çfarë e devijoi këtë projekt?

Orhan Pamuk: Humbja e Erdoganit në zgjedhjet e qershorit (partia e tij shkoi nga 49.9 në 49.9%). Nuk ia kish dalë të bindte kurdët, të cilët nuk ia besuan votat për të shkuar tek projekti i tij i Republikës Presidenciale. Kështu, për ironi të fatit, ka humbur pikërisht votën e kurdëve, që në zgjedhje i munguan në mënyrë vendimtare.

Dhe si u mbërrit më pas në luftën me PKK?

Orhan Pamuk: Humbja elektorale e zemëroi Erdoganin. Ai synon të ribëjë një ekzekutiv njëngjyrësh, të përbërë vetëm nga partia e tij, konservatore dhe me frymëzim islamik, ai nuk donte një koalicion qeverisës. Kështu u vendos rikthimi tek votimet në 1 nëntor. Por, duke mos qenë të kënaqur me mënyrën si janë gjërat, qeveria dhe ushtria vendosën të rinisin luftën kundër lëvizjes kurde.

Por, në Turqi ka gjithësesi njerëz që mbështesin Erdoganin.

Orhan Pamuk: Por, është kombi i tërë që sot e kupton llogarinë e tij. Në fillim nuk donte të ishte pjesë e koalicionit ndërkombëtar që lufton Kalifatin Islamik. Më pas ka pranuar të bëjë atë që i kërkonin amerikanët: por, bashkë me Kalifatin ka bombarduar edhe kurdët.

Dhe njerëzit në rrugë, në zyra, në shkolla, si reaguan?

Orhan Pamuk: Mbetën të habitur, të shastisur. Zbuluan se nga një vend në paqe, krejt papritur u gjendën në një vend në luftë, si me Kalifatin, edhe me PKK.

Rrëfimi i gjithë këtyre për gazetarët është bërë i vështirë. Ka nga ata që janë arrestuar për një tweet kritik kundër Presidentit, siç ndodhi dy ditë më parë me drejtorin e të përditshmes “Zaman”, Bulent Kenes…

Orhan Pamuk: Dhe sa shumë gazetarë të zotë shoh sot që i pushojnë nga puna, në gazetat e opozitës. Dua të them: SHBA ndonjëherë bëjnë luftëra të tmerrshme, por këtu askush as nuk e çon nëpër mend që të prekë lirinë e shprehjes.

Po ju mendoni që zgjedhjet e ardhshme të 1 nëntorit, mund ta ndryshojnë këtë situatë frike në Turqi?

Orhan Pamuk: Unë shpresoj që po. Unë jam me liberalët dhe demokratët që janë zemëruar me Erdoganin.

Ju, Pamuk, e doni thellësisht vendin tuaj, të cilin e keni përshkruar shumë herë në librat tuaj. Sot, a nuk jeni i shqetësuar për Turqinë?

Orhan Pamuk: Po, jam. Sepse, di që në fund partia e Erdoganit dëshiron të qeverisë e vetme me çdo kusht. Unë shpresoja që të mbërrihej në një koalicion qeverisës. Tani Erdogani nuk do të fitojë as simpatinë, as mbështetjen, nga ana e kurdëve. Jam i shqetësuar. Dhe jam prej mënyrës gjithnjë e më autoritare me të cilën Presidenti qeveris vendin. Tani, fatkeqësisht pozicionet janë polarizuar. Ai nuk dëshiron ta ndajë pushtetin. Përkundrazi, dëshiron të kontrollojë të gjithë Turqinë.

Në Prizren protestohet kundër arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Qindra qytetarë protestuan kundër arrestimit të komandantit të UÇK-së Xhemshit Krasniqi.

Marshi protestues i organizuar nga shoqatat e dala nga lufta dhe Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit filloi në orën 12:00 në sheshin e UÇK-së që ndodhet në rrethin e Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe vazhdoi drejt sheshit “Shatërvan”.

Nehat Gashi nga Parlamenti Studentor i Universitetit të Prizrenit paralajmëroi se marshi i sotëm nuk do të jetë aktiviteti i vetëm

“Flas edhe në emër të rinisë në Prizren, e po ashtu edhe në emër të gjithë qytetarëve të Prizrenit se ne nuk do të ndalemi asnjëherë dhe për asnjë moment deri në lirimin e tij (Xhemshit Krasniqit),” tha Gashi.

Në emër të këshillit organizativ të shoqatave të dala nga lufta dhe familjes së Krasniqit foli Isa Berisha.

“Shumë dëshmitarë që ishin bashkëpunëtorë të Serbisë, së bashku masakruan, dogjën dhe e vranë me dekada këtë popull dhe sot ende flasin dhe shëtisin lirisht brenda dhe jashtë Kosovës, duke shpifur me akuza të pavërteta ndaj çlirimtarëve dhe abuzojnë me realitetin në Kosovë. Ata janë individë të mbrojtur, të garantuar dhe të stimuluar nga vetë EULEX-i,” tha Berisha.

Me fjalimin e tij u përmbyll marshi protestues. Në marsh u panë edhe përfaqësues nga partitë politike si të pozitës, po ashtu edhe të opozitës.

Xhemshit Krasniqi u arrestua më 6 tetor nën dyshimet për krime lufte, ndërsa një ditë më pas atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh./Kallxo.com/

Kërcënoi gjyqtarin në Prizren, hetohet për pengim të personit zyrtar në detyrë

0

Prokuroria Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka nxjerrë aktvendim për fillimin e hetimeve kundër të pandehurit, R.K. me dyshimin se ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare.

I pandehuri R.K. dyshohet se më datë 01 tetor 2015 dhe 12 tetor 2015, ka penguar personin zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare.

Derisa gjyqtari, Agron Hoxha, ishte duke mbajtur seancën në çështjen juridike rikthim në gjendjen e mëparshme, i pandehuri e kanos me fjalët: “Nëse ju dëshironi që të vdisni si gjyqtar dhe si palë, atëherë edhe unë do të vdes dhe do të mbroj pronën time”, ku gjyqtarit më tej ia pamundëson mbajtjen e seancës gjyqësore.

I pandehuri me këto veprime ka kryer vepër penale pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare nga neni 409 paragrafi 5 lidhur me paragrafin 1 të KP-së.

Po ashtu, më datë 12 tetor 2015, i pandehuri R.K., seriozisht ka kanosur me fjalë të dëmtuarin N.P., palë në procedurë, më qëllim të frikësimit ose të shkaktimit të ankthit. Gjatë seancës përmbaruese në vendin e ngjarjes, e kanos me fjalët: “unë po të them mos hyj në pronën time, po nëse hyn, unë kam me të ngre zhag”. Me këto veprime i pandehuri R.K., ka kryer veprën penale kanosje nga neni 185 paragrafi 1 të KP-së. Prokuroria e Prizrenit ka bërë kërkesë në Gjykatën Themelore të Prizrenit, për caktimin e paraburgimit.

Festivale të mëdha në botë po hapin dyert për filmin “Babai”

0

Filmi “Babai” i regjisorit Visar Morina, i cili edhe është zgjedhur për të qenë propozimi i Kosovës për Oscar, po vazhdon rrugëtimin e suksesshëm nëpër festivale evropiane e botërore.

Çelësin e suksesit duket se “Babai” e mori në edicionin e 50-të të Festivalit Ndërkombëtar të filmit, Karlovy Vary, ku triumfoi me 2 çmime për të vazhduar me 4 të tjera që i mori në Film Fest Munchen, e gjithashtu ky film u shfaq edhe në edicionin e 23-të të festivalit prestigjioz, The Hamptons, dy herë me radhë.

Pas suksesit që pati “Babai” në disa festivale, ai u prezantua edhe para publikut kosovar gjatë shtatorit në Prishtinë, e ekipi i tij u prit edhe nga ministri i Kulturës, Rinisë e Sportit, Kujtim Shala.

“Ndihem shumë i lumtur që filmi më në fund do të shfaqet në Kosovë, meqenëse edhe ka të bëjë me Kosovën dhe gati i gjithë ekipi i filmit është nga Kosova. Shpresoj që edhe publikut do t’i pëlqejë”, pat thënë për KosovaLive regjisori.

Tanimë janë paralajmëruar edhe disa prezantime të këtij filmi gjatë muajit tetor, nisur nga Belgjika, ku filmi do të shfaqet në festivalin e Genti më 15 e 16 tetor, për të vazhduar në Londër më 17 dhe 18 tetor në festivalin “BFI London Festival 2015” dhe për ta përfunduar muajin në “LA Screenings”, në SHBA.

Filmi shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë, i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve të 90-ta. Kur babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani, i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë në mes të dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë – bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë. /KosovaLive

Marlon James, fitues i “Man Booker Prize 2015”

0

Shkrimtari nga Xhamajka, Marlon James, është fituesi i çmimit prestigjioz për letërsi, “Man Booker Prize 2015” për romanin e tij “A Brief History of Seven Killings”, inspiruar nga tentimet për ta vrarë Bob Marley-n, në vitet 1970, raporton BBC.

Michael Wood, kryetari i jurisë, e përshkroi romanin si librin “më emocionues” në listën e ngushtë të garuesve.

Marlon është i pari autor nga Xhamajka që fiton këtë çmim. Gjatë marrjes së çmimit ai tha se ai tha se një pjesë e madhe e romanit është frymëzuar nga muzika reggae. Çmimi ka vlerë 50.000 funta.

Ky ishte edicioni i 47-të i çmimit prestigjioz “Man Booker Prize” që për herë të dytë përfshiu të gjithë shkrimtarët që shkruajnë anglisht nga e gjithë bota.

Kurti: Mustafa e Thaçi të shitur tek Serbia

0

Një ditë pas ndalimit dhe mbajtjes për 3 orë me radhë nga Policia e Kosovës, deputeti i Vetëvendosjes dhe ish-lideri i saj ka thënë për News24 se nuk do të ndalet deri në anulimin e marrëveshjes për asociacionin e komunave serbe dhe demarkacionit me Malin e Zi.

Kurti ka treguar momentet e para të arrestimit duke u shprehur se vetëm falë protestave policia e la të lirë.

“Unë mbrëmë po kthehesha nga Shkupi për në Prishtinë, dhe në hyrje të Prishtinë një task-forcë e policisë së Kosovës me 15 policë na kishte organizuar një pritë dhe kërkuan të dal nga makina. U kërkova të më tregonin urdhër-arrestin apo fletë-arrestin më thanë se është urdhër i prokurorit, por nuk kishte emër prokurori. Pas refuzimit tim me nxorën dhunshëm nga makina, rrugës më premtuan se kur të shkonin në postë do më tregonin urdhrin. Por as atje nuk ma treguan, më morën në pyetje hetues, por jo prokuror. Më thanë nuk je i arrestuar, por i ndaluar, kur i thashë se a mund të shkoj më thanë jo nuk mund të shkosh. Deshën që të më intervistojnë për atë që ndodhi në parlament, por nuk dhashë asnjë deklaratë. Dhashë vetëm gjeneralitetet e mia. E gjitha ka të bëjë me gazin lotsjellës në Kuvendin e Kosovës. Prokurori nuk erdhi, thanë që janë duke biseduar me prokurorin. Ata kishin të drejtë të më mbanin 6 orë, por më liruan pas 3 orësh për shkak të protestave”, u shpreh Kurti.

I pyetur nga gazetari Edvin Parruca nëse do të dëshmonte në prokurori për ngjarjet në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku u hodh gaz lotsjellës, Kurti tha se nuk do të përgjigjej në një situatë hipotetike. Ai deklaroi se VV nuk do të ndalet dhe nuk do të lejojë të vijojnë seancat në Kuvend.

“Nuk kam parë ende asnjë dokument. Nuk do të isha përgjigjur në një situatë të tillë hipotetike, këtu gjithçka është e parregullt. Vetëvendosje është këmbëngulëse në kundërshtim të “Zajednicës” (asociacionit të komunave serbe) dhe demarkacionit me Malin e Zi. Nuk do të lejojmë që të vazhdojnë seancat e Kuvendit. Nga marrëveshja Mustafa e bosnjëzon Kosovën. Marrëveshja me Malin e zi, i fal 9 mijë hektarë. Ne jemi të vendosur që të mos ndalemi, deri sa ti tërheqin këto marrëveshje të dëmshme dhe të turpshme”, theksoi deputeti i VV.

Kurti justifikoi mënyrat e dhunshme të përdorura nga opozita në Kuvend, pasi sipas tij nuk mund të ketë shumicë kundër republikës.

“Nuk mund të ketë shumicë numrash kundër Republikës. Koalicioni qeverisës nuk mund të rebelohet kundër Republikës së Kosovës, duke e futur këtë kalë të Trojës, asociacionin e komunave serbe”, u shpreh ai.

Kurti ka shpjeguar pse VV është kundër asociacionit të komunave serbe. Ai nënvizoi faktin se ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në të gjitha fushat, do të kenë qasje në sistemin kosovar, por qeveria nuk do të ketë qasje tek këto komuna.

“Në Kosovë janë 10 komuna me shumicë serbe, si rezultat i planit të Ahtisarit. Tani këto komuna duan të bëhen bashkë kundër Kosovës. Pra qeveria e Kosovës do të formojë diçka që nuk e shpërbën dot. Ky asociacion do të ketë kompetenca të plota në shumë fusha. Do ketë asamblenë e vetë, presidentin dhe zëvendëspresidentin, flamurin e saj, do ketë të drejtë të hyjë në marrëdhënie me vende të tjera, me Serbinë e Rusinë. Komandant i Policisë për veriun thuhet se do të jetë serb. Pra ata kanë qasje në sistemin tonë, ndërsa ne nuk kemi tek ata. Do financohet nga Beogradi”, tha Kurti.

Ish-lideri i Vetëvendosjes tha se ata që i kanë pranuar këto marrëveshje janë njerëz të shitur, dhe po kërkojnë të shesin edhe Kosovën.

“Ne kemi shumë njerëz të shitur, ata nuk mendojnë, ata janë të shitur. Qëndrimet e tyre pasojë e faktit që janë të shitur. Po kërkojnë të shesin edhe Kosovën. Është shkelur kushtetutshmëria e Kosovës. Ne nuk kemi ligj për referendum. 9 veta në gjykatën Kushtetuese do vendosin për këtë, kur aty janë 3 të huaj dhe njerëz të biznesit. Gjykata Kushtetuese në Kosovë nuk është as Gjykatë dhe as Kushtetuese. Kosova është në krizë të thellë për shkak të kësaj qeverie, që pas marrëveshjes Mustafa-Thaçi-Jabllanoviq. Këta janë marrë vesh me Serbinë dhe po sundojnë Kosovën, kjo është kriza. Nëse bie në krizë edhe një marrëveshje me Serbinë është mirë, por nuk ka marrëveshje me Serbinë në krizë. Nga njëra anë po na zhysin në borxhe tek FMN dhe nga ana tjetër po na bosnjëzojnë”, deklaroi Kurti.

Protestë në Prizren për kundërshtimin e arrestimit të Xhemshit Krasniqit

0

Qytetarët dhe veteranët e Ferizajt, janë thirrur të nisen për në protestë në qytetin e Prizrenit, për të nderuar familjen e ish-komandantit Xhemshit Krasniqi.

Thirrjen për protestë e ka publikuar këngëtari Labinot Tahiri, i cili ka thënë se me këtë protestë do të shprehen pakënaqësitë e komandant Xhemshitit, transmeton Indeksonline.

Protesta niset në orën 10:00, ndërsa pjesëmarrësit pritet të mbërrijnë në Prizren në orën 12:00.

Bëhen 11 vjet nga tragjedia e maturantëve të Malishevës

0

Sot bëhen 11 vjet kur 15 maturantë të shkollës së mesme “Abdyl Frashëri” nga Malisheva kanë humbur jetën gjatë një ekskursioni që po bënin në Shqipëri.

Autobusi që po barte 15 maturantët që s’janë më dhe 34 shokë të tyre që u lënduan rëndë, u rrokullis dhe ra në humnerë. Aksidenti u shënua rreth orës 14:00 të datës 14 tetor 2004, në Fushë Arrëz të Pukës.

Të nesërmen, më 15 tetor, pas identifikimit të trupave të nxënësve të vdekur, shteti shqiptar i përcolli në mënyrë dinjitoze nga ushtria shqiptare deri në kufirin me Kosovën, prej nga TMK ata i solli në lokalet e gjimnazit “Abdyl Frashëri” të Malishevës.

Varrimi i tyre u bë më 16 tetor, te “Lëndina e Lotëve”, të lagjes së Gurit.

Në një vjetorin e ngjarjes tragjike, Qeveria shqiptare ka ngritur një obelisk përkujtimor tek vendi i ngjarjes në Fushë-Arrëz, kurse në përkujtimin e dy vjetorit të kësaj ngjarjeje, filloi ndërtimi i kompleksit memorial të varrezave të maturantëve edhe nga Qeveria e Kosovës, në qytezën e Malishevës.

Në kujtim të përjetshëm për ta, drejtoria e gjimnazit ka vendosur që në vend të orës së dytë në çdo përvjetor nuk do të mbahet ora e dytë e mësimit, me ç’rast do të mbahen homazhe dhe vendosja e luleve të freskëta mbi varret e 15 maturantëve.

Selimi: Do t’i marrim 2/3 e votave për në UNESCO

0

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka bërë me dije se Kosova shpreson fuqishëm se do të arrijë t’i marrë 2/3 e votave për anëtarësim në UNESCO.

Ai ka thënë se përfshirja e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë në agjendë nga Këshilli Ekzekutiv i UNESCO-s është një ogur i mirë për votimet e mëvonshme.

Në këtë intervistë për “Epokën e re”, Selimi ka pranuar se fushata e egër e Serbisë për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë do të ketë ndikim te disa shtete.

“Votimi më 21 tetor është në bord ekzekutiv për një rezolutë përkrahëse për anëtarësim, ndërsa në javën e dytë të nëntorit votohet për anëtarësim. Kemi shpresa të fuqishme se do t’i bëjmë 2/3 e votave që nevojiten për anëtarësim. Serbia ka një fushatë të egër dhe shumë negative. Kjo do të ketë ndikim në disa shtete”, ka thënë Selimi.

Ai ka treguar se tani Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës është duke e vazhduar fushatën pozitive në 195 kryeqytete, sidomos në shtetet që duken abstenuese për marrjen e votave të nevojshme për anëtarësim në UNESCO. Sipas tij, tashmë Kosova ka arritur t’i prezantojë mjaft mirë argumentet për ta arritur qëllimin e synuar.

“Kemi bërë hesap se disa shtete do të jenë kundër dhe kemi përgatitur dhe pajisur aleatët e Kosovës me kundërargumente. Mendoj se tashmë dihen argumentet tona si dhe sulmet negative të Serbisë totalisht pa argumente”, është shprehur ai.

Më tutje, ai është shprehur i shokuar me gënjeshtrat e diplomacisë serbe për ta penguar anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.

“S’mund ta fsheh faktin se jam i shokuar me strategjinë e Serbisë. Ajo bazohet në një qasje tejet negative dhe gënjeshtra të kulluara. Qeveria e Serbisë po shpreson se, nëse i përsërit shumë herë deklaratat e paqena, ndoshta një numër i mjaftueshëm shtetesh do t’u besojnë atyre”, ka deklaruar Selimi.

Ndër të tjera, zëvendësministri i MPJ-së ka treguar se, pas anëtarësimit të Kosovës në UNESCO, prioritet kryesor i diplomacisë së vendit do të jetë anëtarësimi në Këshillin e Evropës dhe afrimi me NATO-n. /Epoka e Re

Minarja pa xhami në Çarshinë e Arastës së Prizrenit

0

Ylli i Davidit, i gdhendur në gur në trungun e objektit

Xhamia e Arastës llogaritet se është ndërtuar në mes të viteve 1526 – 1538 nga ana e Evrenos-Zade Jakup Beut

Çarshia e Arastës në Prizren thuhet se ishte njëra ndër çarshitë më të bukura të Prizrenit, por nga e gjithë ajo çarshi ka mbetur vetëm një minare e xhamisë në afërsi të urës së Arastës. Është ky një rast unik i minares pa xhami, derisa historiku i saj shtrihet thellë në kohë. Kur në shekullin XVI vinin karvanët nga Shkodra për të bërë tregti në këtë çarshi, Jakup Ahmed Evrenostit iu desh të hapte edhe një xhami për falje dhe vendosi ta ndërtonte pikërisht në afërsi të urës, e që do të marrë emrin Xhamia e Arastës. Arasta në persishte do të thotë e mbyllur.

“Aty kishte dyqane nga të dyja anët e që lidheshin me tregun e “Shatërvanit”, shkruan Maliq Osi, në librin”Prizreni, qytet i lashtë, muze me thesar të pasur kulturor”. Pas Luftës së Dytë Botërore, pushteti serb dogji urën e vjetër dhe në vend të saj ngriti një urë betoni pa ndonjë strukturë karakteristike.

Pushteti komunist e rrafshoi kompleksin Arasta

Xhamia e Arastës llogaritet se është ndërtuar në mes të viteve 1526 – 1538 nga ana e Evrenos-Zade Jakup Beut. Pasi xhamia gjendej në kompleksin tradicional të dyqaneve “Arasta”, atëherë kryesisht tregtarët e shfrytëzonin objektin për lutje. Xhamia ishte ndërtuar në dy kate, ku pjesën përdhese tregtarët e shfrytëzonin për ruajtjen e mallit dhe si zyrë, ndërsa pjesa e katit shfrytëzohej si hapësirë për lutje. Xhamia kishte planimetri drejtkëndëshe, e mbuluar me kulm katërujor me tjegulla argjile. Gjatë kohës objekti ka pasur disa renovime, ku restaurimi i fundit ishte bërë në vitin 1911. Sipas historianit prizrenas, Esad Haskuka, iniciatorët e restaurimit të fundit ishin zejtarët dhe tregtarët e çarshisë së Arastës. Pasi donacionet e zejtarëve dhe tregtarëve prizrenas nuk mjaftuan për kryerjen e punimeve restauruese, atëherë ata i drejtohen Sulltan Reshatit nëpërmjet Shyqri Ballëkut, i cili udhëtonte shpesh për në Stamboll. Sulltan Reshati ndau 2 herë nga 1000 lira të arit, donacion i cili mjaftoi për t’i përfunduar punimet e mbetura.

Xhamia e Arastës ka pasur funksionin burimor deri në vitin 1960. Për të zhdukur pamjen e një qyteti oriental, qeveria e atëhershme, duke u thirrur në “modernizimin” e qytetit, rrënoi komplekse të tëra në bërthamën e vjetër të Prizrenit, ku fatkeqësisht edhe xhamia së bashku me lagjen “Arasta” rrënohet dhe ndërtohen banesa shumëkatëshe dhe objekti i Bankës, duke u zhdukur kështu në mënyrë totale pamja burimore e kësaj pjese të qytetit. Nga Xhamia e Arastës mbetet pa u rrënuar vetëm minarja, e cila është e ndërtuar nga gurë shtufe të lidhur me llaç gëlqeror. Nuk është e suvatuar, prandaj struktura shihet qartë. Ka bazë katrore me një derë druri në murin lindor që shpie në shkallët e drurit në brendi të minares./kosova sot/