2.4 C
Prizren
E premte, 10 Prill, 2026
Home Blog Page 6957

MSA shtyn aplikimin në Këshillin e Evropës

0

Ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, me të marrë postin e shefit të diplomacisë, premtoi se Kosova shumë shpejt do të aplikojë për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE), megjithatë kjo ende nuk është bërë. Ministria e Punëve të Jashtme këtë fakt e arsyeton me pritjen për nënshkrimin e Marrëveshjes për Stabilizim-Asocimit (MSA) me Bashkimin Evropian, dhe se pas nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje, Kosova do të aplikojë për anëtarësim në KE.

Megjithatë, sipas anëtarëve të Komisionit për Punë të Jashtme, ky arsyetim nuk qëndron pasi këto dy procese nuk kanë kurrfarë ndërlidhje. Ata thonë se aktualisht Kosova i ka të sigurta votat e nevojshme për anëtarësim në KE, ndërsa, sipas tyre, nëse aplikim vonohet edhe më tutje, mund të ndryshojë qëndrimi i disa prej anëtarëve të kësaj organizate.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Petrit Selimi, ka thënë për gazetën “Zëri” se aplikimi në Këshillin e Evropës bëhet me konsultim të plotë me shtetet anëtare të KE-së prej të cilave, Selimi ka thënë se presin pastaj ndihmë në lobim. Ai më tej ka thënë se miqtë e Kosovës, u kanë sugjeruar që të mos aplikojnë për anëtarësim në KE para se të nënshkruhet MSA-ja.

Lakmia për pushtet, rrënuese për LDK-në

0

Lakmia për pozita në fundin e karrierës mund t’i kushtojë rëndë Isa Mustafës, kreut të LDK-së, që u mashtrua nga Hashim Thaçi, lider i PDK-së, pas zgjedhjeve parlamentare të vitit të kaluar, i cili i la në dorë një patate “përvëluese” të pazareve të pista politike, të nisura e të orkestruara të gjitha nga ish- kryeministri në bisedimet e dëmshme me Serbinë. Ky është një konstatim i vetë njerëzve të politikës, por edhe analistëve politikë, të cilët tani e shohin të bllokuar dhe dëmtuar rëndë kreun LDK-së.

“Unë kam frikë se e gjithë kjo mund t’i kushtojë shumë LDK-së, sepse edhe të gjitha lojërat dhe veprimet e opozitës janë të orientuara kundër kryeministrit dhe LDK-së. Përderisa heshtat thyhen në mes opozitës dhe LDK-së, PDK-ja qëndron e qetë aty në mes dhe sillet sikur e gjithë kjo nuk ka fare të bëjë me të. Lufta rraskapitëse në mes opozitës dhe LDK-së e gëzon PDK-në, e cila mund të jetë përfituese në këtë rast”, tha Adem Salihaj për “Kosova Sot”.

Sidoqoftë, ai rikujton se edhe PDK-ja dhe të tjerët kanë përgjegjësi të njëjtë për këto pazare, pasi ato rrjedhin nga Plani i Ahtisarit miratuar në Kuvendin e Kosovës.

“Tash gjithë këtë situatë po mundohen ta shfrytëzojnë ‘Vetëvendosje’ dhe dy partitë e tjera opozitare për ta sulmuar kryeministrin që vjen nga LDK-ja. Duket interesante kjo situatë në Kuvendin e Kosovës. Është shumë i dukshëm një koketim i kryetarit të Kuvendit me ‘Vetëvendosjen’ dhe simpatia e ndërsjellë për ta sulmuar kryeministrin. Shefi i SHIK-ut po i ofron Lëvizjes “Vetëvendosje” hapësirë dhe kohë të pakufizuar në Kuvend për ta sulmuar kryeministrin e Qeverisë së Kosovës”, ka pohuar deputeti Salihaj.

Kur nisi DokuFest, nisi me vetëm 2500 marka

0

Kështu ka treguar drejtori i Festivalit më të njohur në rajon, Veton Nurkollari i cili në kuadër të Forumit BarCamp ka treguar për vullnetin e këtij ekipi për themelimin e këtij festivali. Por, sipas tij, ky vullnet të mban vetëm në fillet e një nisme, por jo pa financa mund të organizohet më pas edhe një festival i madh sikurse është sot DokuFest

Forumi BarCamp Prishtina filloi me sezonin e tij të ri, me c`rast në edicionin e tij të 31-të, i cili u mbajt pasditen e së martës në Teatrin Oda u diskutua rreth asaj që kërkohet për të organizuar një festival të suksesshëm në vendin tonë, çfarë vlera shpalosin dhe sjellin ato, si dhe si priten këto festivale në Kosovë.

Të ftuar në këtë forum diskutimi ishin Veton Nurkollari dhe Eroll Bilibani nga DokuFest, Rron Bajri nga Anibar dhe Rafet Rudi nga ReMusica. Në formë rrethi i formuar nga ulëset e mbushura me të interesuar kishin ardhur për të dëgjuar diskutimet dhe këshillat se si të organizohet një festival i suksesshëm në vendin tonë ku kushtet ekonomike ta vështirësojnë gjithnjë rrugën e suksesit, e të cilët ishin të gjithë veshë për të dëgjuar sa më mirë për atë se çfarë po thuhej.

I pari që hapi BarCamp të këtij edicioni ishte drejtori artistik i DokuFest-it, Veton Nurkollari. Ai para të pranishmëve tregoi eksperiencën e tij me edicionin e parë të DokuFest, duke treguar vështirësitë e shumta që kishte hasur në atë kohë. Ai tha se ideja e themelimit të një festivali siç është edhe DokuFest ka lindur nga kinemaja e braktisur në atë kohë, kinemaja “Lumbardhi”.

“Në vitin e parë të hapjes së DokuFestit krejt çka kemi pas nga mjetet financiare kanë qenë 2 mijë e 500 marka të asaj kohe, mirëpo vullnetin dhe besimin e kemi pasur shumë të madh”, filloi të tregoj rrugëtimin e DokuFestit, drejtori artistik i këtij festivali, Veton Nurkollari.

“Nëse keni vullnet dhe dëshirë dhe jeni një grup i vogël apo sado persona që jeni, dhe besoni në atë që doni të filloni atëherë nuk ka asgjë që nuk mund të bëhet. Gënjeshtra janë ato që thuhet se pa para nuk mund të bëhet asgjë, ne jemi dëshmitarë që së paku tre vitet e para të DokuFest kemi realizuar pa para. Është e kuptueshme që pa të holla nuk mund të realizojmë një festival siç është tani DokuFest-i, mirëpo mund të fillohet diçka për tu rritur gjatë viteve”, tha Nurkollari.

Sipas tij, ëndrra e parë e gjithë secilit mund të realizohet edhe pa para.Ndërsa drejtori i përgjithshëm i DokuFest, Eroll Bilibani tregoi se tani DokuFest-i ka të angazhuar 18 punëtorë që merren me organizimin e tij gjatë gjithë vitit, po ashtu falë festivalit në fjalë, në qytetin e Prizrenit gjatë gjithë kohës është funksionale Dok Kino që është kinemaja e dytë në Kosovë.

Gjithashtu edhe drejtori i Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, Rafet Rudi, në këtë forum foli rreth sfidave që mbizotërojnë në Kosovë sa i përket organizimit të festivalit, mirëpo edhe mundësitë që ekzistojnë për zhvillimin e muzikës klasike, promovimin e krijimtarisë së re muzikore shqiptare, si dhe evidentimin e talenteve të reja nga perspektiva e krijuesit.

“Festivali ReMusica është festival i muzikës moderne, muzikës bashkëkohore. Është interesante nisja e festivalit, ka shumë momente që e kanë determinuar dhe e kanë përcaktuar festivalin, gjithsesi vendimtare dhe një pikënisje ka qenë se unë si muzicientë gjatë jetës jam marrë me shkrime, dhe gjatë interesimeve të mija që kanë qenë tash e tri decenie gjithnjë ka qenë arti modern dhe muzika bashkëkohore, natyrisht kjo për shkak se unë jam krijues por edhe për shkak se rrethanat kanë qenë të tilla në fillimin e moshës së re, që unë disi të njihem me festivale, e sidomos me festivale të muzikës moderne”, kështu filloi të tregoj për fillimet e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Bashkëkohore ReMusica, drejtori i këtij festivali Rafet Rudi.

Gjithashtu edhe drejtori Artistik i Anibar, Rron Bajri, tregoi më shumë rreth sfidave që dalin nga organizimi i festivalit të vetëm për film të animuar në Kosovë. “Anibar”, mbahet ne muajin gusht në qytetin e Pejës. Ai tregoi se qëllimi i festivalit është shfaqja e trendeve të fundit botërore në lëmin e filmit të animuar për publikun kosovar dhe krijimi i ambientit për autorët e rinj të cilët merren me krijimtarinë e filmave të animuar./KultPlus.com

Politikanët i tremben referendumit

0

Me ligj, ende nuk lejohet të shprehet vullneti popullor për çështje të rëndësishme

Deputetë dhe analistë vlerësojnë se frika e të inkriminuarve të politikës po bën që të mos lejohet organizimi i referendumeve për tema të ndjeshme, siç janë Asociacioni, Demarkacioni etj.

Asnjë nga qeveritë pas pavarësisë së Kosovës nuk e ka nxjerrë në planin legjislativ hartimin e Ligjit për referendumin, e drejtë e garantuar me nenin 139 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Fakti që politika e inkriminuar mbikëqyr dhe dirigjon vetë edhe përbërjen e Kuvendit të Kosovës, shumica qeverisëse është edhe një arsye shtesë pse deri më tani nuk ka pasur as nisma parlamentare për ta bërë Ligjin për referendumin.

Deputetë, qoftë nga pozita dhe opozita, theksojnë se kjo zbrazësi ligjore është lënë qëllimshëm, në mënyrë që të anashkalohet vullneti qytetar i garantuar me Kushtetutë në procesin vendimmarrës, sidomos për çështjet që janë të një rëndësie të veçantë, sikur është tani situata me marrëveshjet e fundit në Bruksel, kundër të cilëve qytetarët po japin firmën e tyre në peticionin e organizuar nga opozita.

Deputeti i LDK-së, Adem Salihaj, është tepër i sigurt që frika e politikës për t’i nxjerrë çështjet e mëdha për shtetin, që vendosen përmes referendumit popullor, është arsyeja e vetme pse është anashkaluar deri më tani bërja e një ligji të tillë. /Kosova Sot

Zafir Berisha: Do t’i shkojmë deri në fund

0

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse, sa i përket tërheqjes së nënshkrimit të Kryeministrit Mustafa nga Marrëveshjet e Brukselit.

Berisha e ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të PDK-së, Adem Grabovit, i cili pati thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më në Kuvend për marrëveshjet në fjalë. Sipas tij, kjo nuk paraqet ndonjë gjë të re apo “lajm” siç ai e ka quajtur, ngase në vetë kulturën e Qeverisë, është “injorimi i Kuvendit”.

“Z. Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk përbën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës në Komisionin për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Ai më pas, gjatë intervistës, ka folur edhe për largimin e Qeverisë së tanishme, si dhe për nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët, të cilat u mundësuan me organizimin e partive opozitare.

Gazeta Blic: Opozita ka mbledhur diku më shumë se 90 mijë nënshkrime për tetë ditë. Çka prisni të ndryshojnë këto nënshkrime?

Zafir Berisha: Nënshkrimet e qytetarëve përmes peticionit janë mishërim dhe fuqizim i kërkesave të opozitës, drejtuar Kryeministrit Mustafa, lidhur me “Zajednicën” dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjet me Serbinë, ku Serbia bëhet faktor determinues i funksionimit të brendshëm të shtetit tonë, gjë që për ne është e papranueshme.

Gazeta Blic: Keni paralajmëruar bllokim të Kuvendit deri në tërheqje të nënshkrimit nga Marrëveshjet. A ekziston ndonjë mundësi tjetër (psh., dialogu me qeverinë)?

Zafir Berisha: Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse në kërkesat e veta, drejtuar Isa Mustafës dhe të veprojë brenda rregullave ligjore e demokratike, edhe pse shumë rregulla janë jashtë funksionit, për arsye se, Qeveria e ka vendosur opozitën dhe qytetarët para aktit të kryer, gjë që pamundëson disa hapa që janë dashur të merren, para se të bëhen veprimet e dëmshme për vendin.

Gazeta Blic: Mirëpo, deputeti Grabovci ka thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më. Si e komentoni ju këtë?

Zafir Berisha: Z.Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk bën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur.

Gazeta Blic: A mendoni se do të arrini ta rrëzoni këtë Qeveri? Kur dhe çka do të bëhet më pas, nëse po?!

Zafir Berisha: Qeveria për ne e ka rrëzuar veten me dëmtimin që është duke ia bërë funksionalitetit të vendit. Kështu që, sa më parë që e kupton, aq më mirë është për vendin dhe qytetarët, ndryshe shkuarja e kësaj qeverie në shtëpi, është urgjente për perspektivën evropiane të Kosovës dhe funksionimin demokratik të vendit.

Letra e hapur e Ramadan Zejnullahut drejtuar Arsim Bajramit

0

Ramadan Zejnullahu, rektori i Universitetit të Prishtinës, i ka drejtuar një letër publike ministrit të Arsimit, Arsim Bajrami, ku e ka kritikuar këtë të fundit për ndryshimin e qëndrimit të tij ndaj çështjeve aktuale në UP.

“E kam të qartë se ju jeni ministër në një shtet ku, përveç politikës zyrtare, ka edhe “politika” të tjera, partiake, personale, grupore e klanore, prandaj edhe nuk është lehtë të mos ndikohesh prej tyre”, ka shkruar ndër të tjera rektori Zejnullahu.

Më poshtë letra e hapur e rektorit Zejnullahu, drejtuar ministrit Bajrami:

Ministri Bajrami: MASHT përkrah standarde të larta, por ne jemi Kosovë, nuk jemi Kembrixh.

Të kërkosh standarde të larta të cilësisë dhe, njëkohësisht, të kesh rezervë ndaj zbatimit të kritereve minimale akademike, të përcaktuara me Statut që nga viti 2004, është kundërthënie logjike. Larg jemi ne nga Kembrixhi zoti Ministër, e larg jemi edhe nga vendet e tjera të rajonit. Pra, nuk bëhet fjalë këtu për Kembrixh, por për kritere minimaliste çfarë nuk gjeni në asnjë vend tjetër të rajonit, përveç ndoshta në Shqipëri. Plotësimi i këtyre kritereve nuk quhet “standard i lartë”, përderisa ato janë minimaliste. Problemi ynë është, z. Ministër, se edhe këtyre kritereve minimaliste po ju shmangemi dhe po duam t’i zhbëjmë. Po mundohemi ta “shesim” një revistë të një kolegji privat të Kosovës si ndërkombëtare, ose siç thot populli, po shesim dushk për gogla. Ju lutem mos i përkrahni standardet e larta se atëherë duhet ta mbyllim universitetin. Mjafton t’i jepni mbështetje respektimit të kritereve tona minimaliste që janë në fuqi nga viti 2004, kur Ju keni qenë prorektor për mësim, dhe kjo na ndihmon të bëhemi pak më të mirë se që jemi tani.

Ministri Bajrami: Çështjet duhet të zgjidhen në proces e jo me prerje kirurgjike.

Po Ministër, pajtohem me Ju sepse nga funksionimi joligjor i institucioneve kemi përfituar të gjithë. Prandaj zgjidhja në proces e problemeve që ka sot UP-ja d.m.th. te lejojmë që përfituesit joligjorë të vazhdojnë zhvatjen edhe për disa vjet, por me intensitet diç më të vogël. Në fund, ajo që mbetet nuk i duhet më askujt. Paramendoni sikur të fillonim t’i ndalonim regjistrimet joligjore të studentëve,në proces, duke negociuar me argatët e së keqes.

Ministri Bajrami: Jemi të pakënaqur me trendin, atje nuk ka kurrfarë përmirësimi, atje universiteti nuk po e zhvillon komponentën kryesore – cilësinë, nuk është cilësia çështje administrative.

Nuk e mendoj se mendoni ashtu, të paktën në takime tona të punës e keni thënë të kundërtën. Nëse e keni thënë për të balancuar me ata që humbën mundësinë e ndërhyrjes në vendimmarrje në UP do ju mirëkuptoj se ata janë ende të “fuqishëm”. Por ama mos pritni që gjendja do të përmirësohet brenda një viti pas 15vjet katandisje të UP-së, nga e cila përfituan dhe vazhdojnë te përfitojnë të gjithë ata që kanë “fuqi”, nga majat e shtetit deri te ata që kryejnë shërbime për UP. Për këtë kam qenë i vetëdijshëm që në fillim.

Ministri Bajrami: Ne do të vërejmë cilësi nëse rektori do t’i përkushtoj dekanët që të punojnë me mësimdhënësit, që të japin ligjërata me cilësore.

Për fat të keq, asnjëherë në këtë universitet nuk është biseduar për cilësinë e ligjëratave dhe Ju e dini këtë fare mirë. Bile kur studentët flasin për cilësinë e ligjëratave dhe mungesat e profesorëve prej ligjëratave, ua mbyllim gojën. Por, një gjë dihet – cilësinë e sjellin njerëzit e kualifikuar, të përkushtuar dhe të përgatitur në aspektin profesional. Dhe, nëse Ju e quani “bllokim” insistimin e menaxhmentit për t’i marrë me meritë gradat akademike, atëherë nuk po e inkurajoni zhvillimin e cilësisë në Universitet, por po e shndërroni cilësinë në viktimë të ambicieve personale të individëve.

Ministri Bajrami: I kam kërkuar rektorit të jetë me fleksibil, të hap debatin të mos bllokoj zgjedhjet.

Zoti ministër, do të ju rikujtoj se, para një muaji, vet e keni propozuar debatin me dekanët e njësive akademike rreth zgjedhjeve të stafit, madje e kemi caktuar edhe datën për mbajtjen e debatit. Kjo ndodhi pasi e keni pranuar një grup të senatorëve që kërkuan nga Ju të merrni masa ndaj menaxhmentit, ndërsa unë bashkë me dekanët e kemi pritur idenë e debatit me shumë kënaqësi. Pse nuk po e sqaroni para publikut arsyen e anulimit të pjesëmarrjes Suaj në debatin që e propozuat vet? A ishte ky vendim i Juaji apo i dikujt tjetër? Tregoni opinionit për kërkesat që i shtruat para meje për mbrojtje te kritereve akademike, bile edhe duke u thirrur në qëndrimet e partnerëve ndërkombëtarë. Debatin e kemi zhvilluar edhe në Senat, por kërkesa ishte që ky debat të mbyllet me shumicë votash që, në praktikë, do të thotë të avancohen të gjithë, pavarësisht plotësimit të kritereve ligjore. Bile, shkuam aq larg në debat sa që filluam të diskutojmë nëse një revistë që publikohet nga një kolegj privat në Prishtinë është revistë ndërkombëtare.

Ministri Bajrami: Zgjedhjet nuk janë bllokuar as në kohën e okupimit

Zoti ministër,nëse 16 vjet pas përfundimit të okupimit ne dëshirojmë të veprojmë si në vitet e 90-ta, kjo do të thotë se, jo që nuk jemi ambicioz, por as nuk dëshirojmë përparim. Kriteret nuk i ka vendosë rektori, por Statuti. Këtë e dinë të gjithë. Nëse dëshironi, ndërrojeni Statutin dhe nuk e kam problem që të zbatoj standarde më pak rigjide. Por, nëse e anashkalojmë me vetëdije dhe me shumicë votash, atëherë nuk mbetet më universitet.

Ministri Bajrami: Unë vet kam qenë rektor, por çdo mëngjes kam pas takim me dekanë dhe të gjitha çështjet i kemi zgjidhur me mirëkuptim.

Më kujtohet mirë koha kur ju ishit prorektor, por nuk e besoj se as Ju as opinioni akademik mendon se ajo ishte kohe e lavdisë së UP. Përkundrazi, ajo ishte koha kur në UP u krijua një atmosferë e kontrollit të rreptë politik, që hapi rrugë për krijimin e grupeve të interesit me qëllim sigurimi të përfitimeve personale dhe joligjore. Si rrjedhojë, në këtë aspekt shpesh është vepruar pa kurrfarë kriteri, si gjatë pranimit të studentëve, ashtu edhe gjatë promovimit në thirrje akademike dhe pranim të kuadrit. Falë politikës që u promovua në atë kohë, u katapultuan në jetën akademike individë që njiheshin në opinion si shpërdorues të financave publike dhe të tillë që ishin të lidhur me klane që abuzuan dhe vazhdojnë ta abuzojnë këtë Universitet.

Dhe, pasi i analizova të gjitha, z. Ministër mbetet tek unë dilema se çfarë pret një ministër i arsimit, që ka deklaruar si prioritet të vetin cilësinë, nga rektori i Universitetit më të madh në vend – insistim për respektim të kritereve të cilësisë apo ruajtje të sqatus quo-së që na solli deri këtu ku jemi?
Me respekt,

Ramadan Zejnullahu

Autori është rektor i Universitetit të Prishtinës

Qëndrimet e shprehura janë personale

Pusi, si metaforë e Dashurise dhe varrit të saj!

0

Për mua, një roman, dramë a poezi, duhet t’i japë shkëndijat e së magjishmes qysh në fillim. Përndryshe, unë i them: “më fal, por kohën e kam të cmuar. Mirupafshim”. Për fat të mirë, kjo nuk ndodhi në dramën e Gjergjit. Qysh në parathënien e dramës unë e dija që kjo dramë do të bëhej një vakt qiellor për shpirtin tim. “Zemra” e njeriut aty konsiderohet si motori i dramës. Kjo më dha një garanci se këtu do të sakrifikohej, dhe aty ku sakrifikohet fiton njerëzorja, dhe kur fiton njerëzorja fiton edhe letërsia. Pa dashur të bëj kritikun, letërsisë shqipe moderne të fundshekullit të njëzetë, i mungon sakrifica njerëzore për një ideal të madh.

Drama e Gjergjit, ka si personazh kryesor, Mark Brenga. Gruaja e tij ka vdekur, por prej saj ai zbuloi dhe shijoi një dashuri të pashtershme. Mbas vdekjes së gruas së tij, të cilën e deshi dhe e do pa kushte, plaku, sa herë që ajo i mungon, e kërkon frymën e saj metafizike në grykën e lagësht dhe të freskët të pusit. Mbas 1500 ditësh vetmie, në portën e shtëpisë së Mark Brenga, troket e dashura e tij e parë, Helena Shkurti.

Autori u ka dhënë personazheve emra me domethënie, sinonime që simbolizojnë dhimbjen, dertet, si mbiemri i personazhit kryesor, Brenga, dhe mbiemri i dashnores së tij të parë, Shkurti, e cila, këtu nënkupton dashurinë jetëshkurtër.

Marku e ironizon bukur mënyrën se si e vuan Helena mungesën e burrit të saj të ri, që sipas saj kishte vdekur…

Kam diarre, tash sa vjet, qëkur me ka dekë burri e kam marrë e nuk po din me mu largue. Mjeku thotë se sa herë kujtoj diçka në të kaluemen, kujtesa e shtyp fort zorren e trashë. Uroj te mos kem sëmundjen e keqe…

Marku, e shpreh dashurinë për ish gruan e tij nëpëmjet një gjuhe mjaft poetike dhe romantike. Kur e pyet Helena, se si ishte jot shoqe, ai i përgjigjet:

Ajo mblidhte lule, tanë kohën, në dimen e verë e kjo me ka mbetë ndër mend prej saj.

Helena, përpiqet që ta joshë Markun me lloj-lloj lajkash. Ajo gënjen pa pikën e turpit duke e shpallur burrin e saj të vdekur. Marku përpiqet nga ana e tij, tia bëjë të qartë qysh në fillim Marisë, se ai nuk vë asnjë grua tjetër, dhe se ka ndërmend ta mbyllë jetën e tij, duke e ushqyer vetminë me kujtimet e bukura që ai ka pasur me Marinë, lexuar dhe rilexuar plot passion dhe mall poezitë që Maria, poete, shkroi, sa qe gjallë. Por, Helena, që Markun e tradhtoi përpara 50 viteve me një burrë më të pasur financiarisht, sot, shpik një truk, i cili e zgjon njerëzimin e madh të Markut. Ajo e gënjen atë, duke i thënë se fëmijët kërcënojnë ta vrasin, dhe se e kanë c’trashëguar atë prej cdo lloj pasurie që burri i saj, grumbulloi sa qe gjallë. Me një dinakëri mjaft të hollë ajo i kërkon Markut që fillimisht ta strehojë atë në shtëpizën e tij, ku deri përpara 1500 diteve jetonte me Marinë. Por Helena, e ka shumë të kthjellët planin e saj TROJAN. Helena e reflekton paturpshmërisht opurtunizimin e saj nihilist, kur Marku e pyet nëse ajo ka menduar ndonjëherë për botën tjetër. Opurtunizmi i saj, përkon mjaft mirë me atë shqiptar, dritëshkurtësinë tonë vetëvrasëse, kur bota komuniste materiale qëndron mbi atë shpirtërore. Ja një pasazh që e demonstron këtë:

Marku:? A ke mendue ndonjihere për jetën tjetër, për botën tjetër ?

Helena: Cilën botë ? Mu me del e më mjafton kjo këtu, se me ka ardhë në maje të hundës.

Bota e pastër shqipërore e Markut, e larë me gjakun poetik të MARIT, e pengon ose nuk i jep asnjë shkak atij për t’i shkuar mendja për keq, dhe nuhasë qëllimet grabitqare të Helenës. Kemi të bëjmë me një Helenë moderne, e cila tradhton jo për dashuri, por për pasuri. Para, pasuri të patundshme. Edhe pse ajo e ka braktisur Markun 50 vite më parë për arysye shumë imorale, asaj nuk i trembet qerpiku, as i dridhen mëlcitë e ndërgjegjes, por tenton në mes të ditës me diell, t’i përlajë Markut shtëpinë e tij të dashur, të cilën e ka ndarë me dashuri dhe dhimbje me Marinë dhe fëmijët e tij, të cilët tashmë jetojnë në emigracion dhe që ai komunikon nëpërmjet Skypit, cka e skicon atë si një plak sa romantik apo konservator, aq edhe modern, duke i përqafuar mediat elektronike për të komunikuar me fëmijët e tij emigrantë.

Në pjesën e dytë, pika kulminante nuk qëndron vetëm kur Helena i kërkon Markut hollësi rreth tapisë së shtëpisë ku ai banon, por edhe kur i rrëfen për dashnoret, burrat me të cilët ajo ka ndarë shtratin. Marku reagon si një burrë mjaft modern, fenomen i rrallë ky në hapësirën shqiptare ose më gjërë. . Ai nuk e shpall Helenën kurvë, sic do ta bënte një burrë ballkanik, sidomos plak i sotëm shqiptar. Ai nuk i paragjykon lidhjet e Helenës me të paktën gjashtë burra, si lidhje pornografike. Ai toleron, sepse tek e fundit, trupi është i yni dhe ne kemi të drejtë të bëjmë ctë na dojë zemra me të. Tradhtitë që Helena i ka bërë mbrapa kurrizit të burrit të saj, ajo i justifikon, ngaqë edhe burri i saj, doktor, e ka luajtur bishtin me infermieret e tij. Helena, me karakterin e saj hakmarrës, i përgjigjet plumbit me plumb…

Sidoqoftë Helena nuk ka dëshirë të vetëreflektojë, marrë lamtumirë nga e kaluara e saj e dyfytyrë. Këtë ajo e shpreh vetë kur thotë:

Helena:?Marku, kjo diarreja tash ma merr shpirtin nji ditë. Edhe kam deshire me folë për të kaluemen edhe sapo flas më shpërthen diçka brenda. Ça je tuj kërkue në pus?

Sa herë që ajo tenton ta bëjë këtë, e sulmon një diarre e fuqishme, cka nënkupton këtu se “hijet e Enver Hoxhes” i kanë bllokuar si mos më keq zorrët e barkut dhe gypat frymëmarrës të shpirtit tonë. Autori na e jep mjaft të qartë mesazhin e tij politik në vargjet e mëposhtme…

Marku:

Prej shegave të kryqëzueme?të mbjedhuna jashtë stinës?dolën fruta të idhta per zemren,?prandaj ti besoji asaj që ke ndigjue shpesh se “ky vend nuk bahet kurre”

aty deget e egra e kthejnë token pjellore?në shkrepa dhe zhabinj prej mercenaresh?gjallojnë nëper shullaje e perherë e ma shumë?je i sigurte se dikush ta ka vjedhë vendlindjen?e dashuninë e kanë vjerrë jashtë me krena poshtë….

Helena, edhe pse mjaft dritëshkurtër dhe armike e ndjenjës njerëzore, abuzon me Markun, kur ajo i kujton atij fjalët ose citatin empatik të Nënë Terezës, që ka thënë se për njeriun gjëma më e madhe është vetmia.

Sakrifica madhështore, sa naive aq edhe humane apo idealiste, vjen kur Marku pranon të martohet me Helenën mbasi kjo e fundit i përgjërohet ta strehojë, në të kundërtën do ta vrasin fëmijët e saj. Këtu vjen falja e madhe që i bën Marku, Helenës. Ai i hedh mbrapa krahëve tradhtitë e Helenës, dhe pranon të martohet me të, në letra, packa se ai është pafundësisht i dashuruar me Marinë e ndjerë. Marku e ka shumë të vështirë ta pranojë këtë fillimisht. Shtëpia ku ai banon, është një pjesë e dashurisë së tij me Marinë, DASHURI, që në vetvete e ka një birë ose vrimë të lindur, por KJO VRIMË zmadhohet, sepse duke e ndarë shtëpinë me Helenën, ai ndien se po baltos dashurinë e tij të përjetshme me Marinë. Sidoqoftë, zemërgjërësia e tij, mëshira e tij ndaj njeriut në nevojë, në rrezik, e bën atë në sytë e mi një personazh, nobel, qytetar model përballë Shqipërisë së sotme, të anti-humanizuar. Njerëz të tillë i duhen fort hapësirës shqiptare.

Në pjesën e tretë dhe të fundit, burri i Helenës, shfaqet në dhomën e Markut dhe e shtyn Markun të firmosë testamentin e shtëpisë, e cila ndodhet ende në emrin e vajzave të Markut. Marku e akuzon Helenën se po e gënjen në mes të ditës ngaqë ajo i tha qysh në fillim se i shoqi i saj, dikur doktor i suksesshëm, ka vdekur.

Helena e përgënjështron praninë fizike të burrit të saj në dhomë. Ajo i thotë se është hija e tij. Këtu drama merr përmasa metafizike. Tashmë nuk është vetëm hija e Marit që shfaqet magjishëm në gryken e pusit, por edhe hija e frikshme e burrit të Helenës. Këtu përplasen dy botë: ajo shpirtërore, prania prej ajri e poetizuar e gruas së Markut, Maria, dhe silueta e burrit të Helenës, i cili në fakt, jeton, është gjallë, dhe ka ndërmend që nëpërmjet Helenës, të gllabërojë shtëpinë e Markut. Ky i fundit përpiqet ta gjejë shpëtimin te pusi, i cili simbolizon edhe dashurinë në kohë të vështira dhe të lumtura. Vrima e zemrës në dashurinë e Markut, tashmë bëhet po aq e madhe sa ajo e pusit. Pusi, ose dashuria, të mbyt ose të shpëton. Në këtë rast, Marku e mashtron/mbyt Helenën duke i thënë asaj se në tabanin e pusit gjenden rubinë dhe flori. Helena, si lekiste e pashoqe që është, ashtu si pjesa më e madhe e shqiptarëve, gënjehet dhe zbret në pus për të gjetur arin. Kjo përbën edhe fundin e Helenës. Dashuria e madhe këtu hakmerret, ngaqë Helena nuk arrin të dalë më nga pusi. Dashuria të pranon në ujin e pusit të saj, kur ti e përqafon atë pa kushte apo interesa të ngushta, kryesisht materiale, sic ndodh me Helenën.

Metafora e pusit këtu, merr një dimension të dyfishtë, magjik të dashurisë. Bira e Dashurisë, këtu bëhet gryka e pusit, të poetizuar prej Marisë dhe Markut, që i reciton ato me mall dhe lot në sy.

Drama mbyllet me një skenë mjaft të poetizuar, ku shfaqet personaliteti i dytë, i padukshëm i të dy personazheve kryesorë. Autori është përpjekur që nëpërmjet kësaj mbylljeje sa abstrakte aq edhe biblike, të na japë rilindjen e njeriut që në jetë vlerëson më shumë shpirtin, ndjenjën, dashurinë, se sa arin, floririn apo paranë, sic ndodh edhe në dramë, kur Helena1 e pyet Markun1 se ku është unaza që ai i dhuroi ditën që u martuan në letra. Një mesazh i qartë pra, për të gjithë botën shqiptare ose më gjërë, se nëse njeriu dëshiron të ketë një të ardhme të ekuilibruar dhe njerëzore, duhet të lajë së pari mëkatet e së kaluarës në pusin e dashurisë…

Në vargjet e mëposhtme, autori na shpalos ringjalljen dinjitoze të dy personazheve. Mund të themi më mirë, ringjalljen njerëzore të Helenës, e cila mbasi është zhytur në ujin e pusit të dashurisë, del prej andej e shpëlarë nga mëkatet dhe balta e dritëshkurtësisë materialiste, e cila edhe e ka mbrujtur atë me daltën e saj… Marku nuk ka ndonjë nevojë për ringjallje, ngaqë ai i qëndroi besnikërisht idealeve dhe virtyteve të dashurise dhe jetës dinjitoze familjare.

Marku i ri:?( e ndjek mrapa)?Unazen e ke hjedhe vetë në pus mramë.?Helena e re:?Unë e kam hjedhë? Pse? Jam çmendë??Marku i ri:?Më the se nuk don me kenë e lidhun me kurgja në jetë, donë me ndeje e lire si zogjtë.

Helena e re:? Po si zogjtë në ajër e si peshqit në uje. Du unazen teme me brilant.

Marku:?Gzohem pra për ju te dyja. Me sjelljen tonë i mësojme të tjerët se si me u lirue prej nesh. Nxirrë pra nxirrë letra, se poezitë janë rubinët e Merit!

( Helena i rrëshqet prej duerve dhe bjen në pus, bashkë me Helenen e re.

Marku i ri shkon afer Markut dhe i rrin afër. Ata janë lirue tashma prej te kaluemes)

Marku i ri:?Kur vdesim, tana kohet tona shkrihen bashke në nji!?(Prej pusit del nji dritë e projektohet nelt si nji kolonë zjermit. )

Marku:?Unë jam njeriu i vetëm në botë që e din se kur ka me ardhë fundi i botës.

Marku i ri:

Kur pra ma thuej ditën ?

Marku:

Atë ditë kur prej gurëve të pusit të jetës të mos rrjedhin ma poezi, atë ditë, zemra e njirit ka shterrë dhe kjo asht shenja se po mbaron bota…. Marku i ri:

Deri atëhere dashunija asht dielli që lind perditë e kërkon me na ba të lire!

Do t’i mbyllja shënimet e mia për dramën e Gjergjit, me fjalinë mbyllëse të dramës së tij, që mbart si shpend triumfues, shqiponjën…

Marku:?Njeri liroju prej të kaluemes së zezë dhe fluturo si shqiponjë e lirë!

Rezart Palluqi

Ameterdam, qershor-korrik 2015

Limaj: Prokuroria po vazhdon me spektakle mediale

0

Fatmir Limaj, ish-ministër i Transportit dhe Telekomunikacionit, tash kryetari i NISMA-së, nëpërmjet një postimi në Facebook ka reaguar ndaj njoftimit të Prokurorisë se për të kanë filluar hetimet për rastin sa ka qenë ministër.

Sipas Limajt, prokuroria është duke e manipuluar të vërtetën me qëllimin për ta denigruar figurën e tij.

Ja postimi i plotë i tij në Facebook:

Për hir të informimit të opinionit publik

Siç edhe e din opinioni publik, unë zakonisht nuk flas në publik për lëndët në gjykim, por atë e bëj në gjykatë.

Për hir të së vërtetës ndihem i detyruar të jap një sqarim publik në lidhje me një “njoftim për media” të lëshuar sot nga prokuroria speciale.

Rasti i MTPT-së i filluar si një spektakël medial, fatkeqësisht edhe sot pas gjithë këtyre viteve prokuroria është duke vazhduar me të njëjtin mentalitet, me mentalitetin e manipulimit të së vërtetës, me të vetmin qëllim për të vazhduar në pakufi duke shfrytëzuar dhe abuzuar me ligjin për të denigruar personalitetin tim.

Prokuroria për tashmë afro 6 vite duke mos qenë e aftë për të ndërtuar një aktakuzë të bazuar mbi prova dhe fakte ashtu siç e parasheh ligji, ka zgjedhur rrugën e abuzimit të pakufishëm me detyrën dhe obligimet e saj.

Njoftimi për media (deklarata) e zyrës për media të prokurorisë speciale është E PAVËRTETË, është njoftim me qëllim për të MANIPULUAR me opinionin publik, është njoftim me qëllim për të fshehur abuzimet e saj, shkeljet me ligjin që vazhdimisht i ka bërë me rastin tim.

Së pari për atë që akuzohem unë hetimet kanë filluar nga viti 2009 për të vazhduar me spektakle mediale në vitin 2010, dmth që gati 6 vite, dhe nga kjo kohë janë mbajtur vetëm seancat e konfirmimit gjyqësor dhe një seancë e vetme shqyrtuese gjyqësore diku para një viti e gjysmë.

Në vend që sipas procedurave gjyqësore të vazhdohet me procesin e shqyrtimit gjyqësor dhe kjo çështje të merr epilogun e vet, prokuroria speciale përmes njoftimit për media apo deklaratës së saj sot tenton të mashtroj opinionin duke lënë të kuptohet në njoftimin e saj se gjoja “pas një pune dhe hetimi të gjatë dhe të ndërlikuar prokuroria speciale ka ngritur një aktakuzë në rastin e MTPT-së”.

Në fakt ky është vetëm një mashtrim, sepse bëhet fjalë për akuzën e vjetër, që tashmë opinioni është shumë mirë i njohur.

Për ta vërtetuar këtë mashtrim të tyre, prokuroria sot për opinionin publik lëshon njoftim tjetër (siç tashmë opinioni është në dijeni), kurse palëve (mua dhe të tjerëve) na dorëzon krejt tjetër gjë, që të jem më i qartë, dorëzon aktakuzën e njëjtë.

Cili është qëllimi dhe pse prokuroria ka zgjedhur këtë rrugë të tillë të sjelljes dhe komunikimit ?

A është kjo drejtësi ?

A është ky shteti ligjor ?

A jemi të gjithë të barabartë para ligjit ?

A ka drejtësi të pavarur ?

Për mua tashmë janë të qarta përgjigjet në këto pyetje?

Sinqerisht, F.L (sic) /Telegrafi/

Tomë Gashi: Qëllimi i EULEX-it është që ta mbaj te shantazhuar Fatmir Limajn

0

Avokati Tomë Gashi ka reaguar ndaj aktakuzës së Prokurorisë Speciale që u shpallë sot për rastin e MTPT-së, në kohën kur ministër ishte Fatmir Limaj.
Gashi nëpërmes një postimi në Facebook ka shkruar se qëllimi i EULEX-it është që ta mbaj të shantazhuar Limajn.

Ky është shkrimi i plotë i Gashit në Facebook:

Aktakuza kunder Fatmir Limajt e publikuar sot nga Prokuroria Speciale e Kosoves ( Prokuror i EULEX-it) nuk eshte aktakuze e re.
Kjo aktakuze eshte ngritur ne vitin 2012, dhe me urdhër te Gjyqetarit te EULEX-it eshte kerkuar ndryshimi/modifikimi i saje.
Qellimi i EULEX-it eshte qe ne vazhdimesi ta mbaj te shantazhuar Fatmir Limajn.

AKI konfirmon se rajoni i Prizrenit është i mbushur me fajdexhinj

0

Kryetari i Komisionit për Mbikëqyrjen e Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Haxhi Shala ka konfirmuar se rajoni i Prizrenit është i mbushur me fajdexhinj, njofton Klan Kosova.

Këtë informacion e ka nxjerrë kryetari i Komisionit për AKI-në, Haxhi Shala.

Shala ka thënë se pas vrasjes në Prizren, Komisioni e ka vizituar drejtorin e AKI-së për këtë rajon ku sipas tij drejtori atje e ka konfirmuar se ky rajon është i mbushur me fajdexhinj, ndërkohë informacionet se kush janë ata duket se i kanë organet e sigurisë.