15.8 C
Prizren
E hënë, 13 Maj, 2024

Zafir Berisha: Do t’i shkojmë deri në fund

Deputeti i Nismës për Kosovën, Zafir Berisha në një intervistë të dhënë për Gazetën Blic, ka thënë se Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse, sa i përket tërheqjes së nënshkrimit të Kryeministrit Mustafa nga Marrëveshjet e Brukselit.

Berisha e ka komentuar edhe deklaratën e deputetit të PDK-së, Adem Grabovit, i cili pati thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më në Kuvend për marrëveshjet në fjalë. Sipas tij, kjo nuk paraqet ndonjë gjë të re apo “lajm” siç ai e ka quajtur, ngase në vetë kulturën e Qeverisë, është “injorimi i Kuvendit”.

“Z. Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk përbën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës në Komisionin për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur”, ka thënë ai për Gazetën Blic.

Ai më pas, gjatë intervistës, ka folur edhe për largimin e Qeverisë së tanishme, si dhe për nënshkrimet e mbledhura nga qytetarët, të cilat u mundësuan me organizimin e partive opozitare.

Gazeta Blic: Opozita ka mbledhur diku më shumë se 90 mijë nënshkrime për tetë ditë. Çka prisni të ndryshojnë këto nënshkrime?

Zafir Berisha: Nënshkrimet e qytetarëve përmes peticionit janë mishërim dhe fuqizim i kërkesave të opozitës, drejtuar Kryeministrit Mustafa, lidhur me “Zajednicën” dhe çështje të tjera që kanë të bëjnë me marrëveshjet me Serbinë, ku Serbia bëhet faktor determinues i funksionimit të brendshëm të shtetit tonë, gjë që për ne është e papranueshme.

Gazeta Blic: Keni paralajmëruar bllokim të Kuvendit deri në tërheqje të nënshkrimit nga Marrëveshjet. A ekziston ndonjë mundësi tjetër (psh., dialogu me qeverinë)?

Zafir Berisha: Opozita do të vazhdojë të jetë këmbëngulëse në kërkesat e veta, drejtuar Isa Mustafës dhe të veprojë brenda rregullave ligjore e demokratike, edhe pse shumë rregulla janë jashtë funksionit, për arsye se, Qeveria e ka vendosur opozitën dhe qytetarët para aktit të kryer, gjë që pamundëson disa hapa që janë dashur të merren, para se të bëhen veprimet e dëmshme për vendin.

Gazeta Blic: Mirëpo, deputeti Grabovci ka thënë se Kryeministri nuk do të raportojë më. Si e komentoni ju këtë?

Zafir Berisha: Z.Mustafa mund edhe të mos vijë dhe kjo nuk bën ndonjë lajm, sepse injorimi i Kuvendit është kulturë e kësaj qeverie. Rastin eklatant të injorimit ndaj trupave të Kuvendit, e keni rastin e Isa Mustafës për politikë të jashtme, i cili përkundër 3 shkresave për të raportuar në Komisionin për Politikë të Jashtme të Kuvendit, nuk është përgjigjur.

Gazeta Blic: A mendoni se do të arrini ta rrëzoni këtë Qeveri? Kur dhe çka do të bëhet më pas, nëse po?!

Zafir Berisha: Qeveria për ne e ka rrëzuar veten me dëmtimin që është duke ia bërë funksionalitetit të vendit. Kështu që, sa më parë që e kupton, aq më mirë është për vendin dhe qytetarët, ndryshe shkuarja e kësaj qeverie në shtëpi, është urgjente për perspektivën evropiane të Kosovës dhe funksionimin demokratik të vendit.

Më Shumë

Hamilton: Dua të fitoj Botërorin e tetë

Nuk mund të mungonte në eventin mondan më të pritur të vitit. Lewis Hamilton ishte mes protagonistëve të mëdhenj në “Met Gala”, mbrëmjen e...

Osmani kujton komandant Drinin: U vra para shtëpisë pak kohë pasi Kosova u bë e lirë

Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka kujtuar Ekrem Rexhën, që njihet si komandant Drini. E para e vendit thotë se komandant Drini, pas vetes la...

Lajmet e Fundit