Home Blog Page 7012

Abdullah Thaçi i jepte jetë poezisë për fëmijë

0

Biblioteka Ndërkomunale në Prizren së bashku me Redaksinë e Revistës “Fidani”, ka organizuar një takim përkujtimor për poetin Abdullah Thaçin.

Shkrimtarët kanë vlerësuar lartë kontributin që poeti Thaçi i dha letërsisë për fëmijë.

Shkrimtari Xhevat Syla tha se poeti Abdullah Thaçi i jepte jetë poezisë për fëmijë.

“ Abdullahu pasuroi letërsinë për fëmijë”, tha Syla

Ndërkaq, Selajdin Krasniqi dhe Hajdar Mallaku kanë evakuar kujtime të jetës së poetit Abdullah Thaci /PrizrenPress.com

Blerim Kuçi: Topi është në anën e pozitës

0

Sekretari i përgjithshëm i AAK-së, Blerim Kuçi ka thënë se zgjidhja e krizës politike është në duart e pozitës.
Sipas tij, alternativa më e mirë vazhdon të mbetet tërheqja nga marrëveshja për Asociacionin serb dhe nga ajo për demarkacionin me Malin e Zi.

Kuçi ka thënë për ‘Epokën e re’ se, nëse Qeveria nuk reflekton në këtë drejtim, atëherë opozita do të vazhdojë të protestojë dhe të kundërshtojë.

Ai ka thënë se është i domosdoshëm konsensusi politik kur janë në pyetje interesat nacionale të shtetit të Kosovës.
Kuçi i ka quajtur shpifje akuzat e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri, drejtuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj.

Kosova “ngel” në fushën e njohjeve

0

Gjatë dhjetë muajve sa është në detyrën e tij kryediplomati, Hashim Thaçi, ka arritur t’i sjellë Kosovës njohjen nga vetëm dy shtete, Antigua dhe Barbuda, si dhe Niue (shtet joanëtar i OKB-së). Njohja e Kosovës si shtet nga vendet e huaja ka mbetur në plan të dytë nga Qeveria e vendit. Sipas njohësve të fushës së marrëdhënieve ndërkombëtare, Kosova po dështon sa i përket procesit të njohjeve, pasi që dikasteri i determinuar për politikë të jashtme më shumë po merret me politikat e brendshme.

E po ashtu fuqia më e madhe e gjithë politikës kosovare është orientuar për në UNESCO, duke lënë anash njohjet e reja, sidomos ato nga pesëshja e BE-së. Profesori universitar i marrëdhënieve ndërkombëtare, Afrim Hoti, thotë se çështja e lobimit dhe politikës së jashtme ka qenë dytësore për institucionet e Kosovës.

Hoti thotë se Kosova ka dështuar në kuptimin e lobimit sepse formula qeverisëse është bërë mbi bazën e interesave për të zhvilluar disa objektiva ose prioritete që ka pasur vendi brendapërbrenda dhe politika e jashtme ka qenë e dorës së dytë…/zeri/

Kushtetueses nuk i beson më askush

0

Rënia e kredibilitetit të një institucioni të rëndësishëm

Politika e degraduar e degradoi edhe Gjykatën që interpreton Kushtetutën

Sipas analistëve, zgjedhja e gjyqtarëve, sipas preferencave partiake dhe aferat e pandëshkuara korruptive të ish-kreut të kësaj Gjykate, lënë vend për dyshime dhe shqetësime në vendimet e nxjerra

Gjykata Kushtetuese e Kosovës është shndërruar në institucionin më të pabesueshëm në vend. Meritë për këtë degradim duket se ka klasa politike ndër vite, pasi ka në dorë edhe emërimin e gjyqtarëve të asaj Gjykate. Në këtë situatë politikanët kosovarë në vend që ta kërkojnë fajin tek vetja, u drejtohen ndërkombëtarëve.

Një veprim të tillë ka bërë deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, në cilësinë e anëtares së Komisionit për integrime evropiane, derisa i është ankuar kreut të zyrës së BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, për jokredibilitetin e Gjykatës Kushtetuese. Në fakt, një përplasje në fytyrë, në lidhje me degradimin e Kushtetueses e meritojnë kolegët e Osmanit, deputetët e tjerë, qeveritarët që kanë qenë edhe vitet e kaluara pjesë e Kuvendit dhe e Qeverisë. “Nuk duhet t’i mbyllim sytë para realitetit, se nuk ka besim në Gjykatën Kushtetuese.

Të gjithë do ta respektonin një vendim për Asociacionin, nëse ai do të merrej në Komisionin e Venecias”, ka thënë Vjosa Osmani, ndërsa i ka kërkuar shefit të Zyrës së BE-së që çështjen e demarkacionit me Malin e Zi dhe çështjen e Asociacionit ta dërgonin në Komisionin të Venecias. Por, shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, ka kërkuar nga deputetja Osmani dhe kolegët e saj që të respektojnë institucionet vendore dhe në këtë rast Gjykatën Kushtetuese, e cila, sipas tij, ka gjyqtarë kredibilë, pasi pjesë e saj janë edhe dy anëtarë ndërkombëtarë.

“Duhet t’i përdorni së pari institucionet tuaja. Nuk ju rekomandoj që ta anashkaloni Gjykatën Kushtetuese, duke u bazuar në vendimet që ajo i ka nxjerrë. Gjykata Kushtetuese është institucioni më i lartë që e mbron Kushtetutën e Kosovës. Rruga e duhur është t’i drejtoheni Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Zhbogar…/kosova sot/

Lumezi: Mos na detyroni t’ju arrestojmë

0

Kryeprokurori i Kosovës, Aleksandër Lumezi, ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që kanë hedhur gaz lotsjellës gjatë seancave plenare, që të paraqiten për t’u marrë në pyetje në Prokurori, në të kundërtën, siç tha ai, do të zbatohen dispozitat ligjore që çojnë në arrestimin tyre.

Në një bisedë për “Zërin” kryeprokurori i Shtetit, ka thënë se Prokuroria Themelore në Prishtinë nuk i ka ftuar deputetët për t’i arrestuar, por vetëm për ta dhënë versionin e tyre në lidhje me ngjarjet e javëve të fundit në Kuvendin e Kosovës.

Lumezi këtë apel e ka bërë në drejtim të tre deputetëve të Lëvizjes “Vetëvendosje”, Albin Kurti, Faton Topalli e Albulena Haxhiu, si dhe ndaj shefes së Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Donika Kadaj-Bujupi. Këta katër deputetë dyshohen për hedhjen e gazit lotsjellës gjatë tri seancave të Kuvendit të Kosovës.

Gazi u gjuajt në shenjë pakënaqësie me nënshkrimin e dy marrëveshjeve të fundit nga kryeministri Isa Mustafa në Bruksel dhe Vjenë, njërën për Asociacionin e Komunave Serbe dhe tjetrën për Demarkacionin e kufirit me Malin e Zi…

Koalicioni frymon në ëndrrën presidenciale të Thaçit

0

Pazaret për pushtetin në Republikën e kapur

Dështimi i zgjedhjes së zv.kryeministrit sjell zgjedhje të reja

“Mbijetesa e koalicionit në mandatin e paraparë katërvjeçar, mendoj se do të varet definitivisht nga zgjedhja e presidentit. Nëse LDK-ja nuk do të arrijë që t’ia sigurojë votat që Thaçi të zgjidhet president, e unë besoj që në këtë format aktualisht koalicioni nuk i ka votat e mjaftueshme për ta zgjedhur presidentin, koalicioni ose do të ribëhet, do të riformatohet, në mënyrë që të ndryshohen pozicionet mes lojtarëve kryesorë ose koalicioni do të prishet. Por, kjo gjë nuk do të ndodhë para se të përfundojë mandati i zonjës Jahjaga”, tha Fisnik Korenica për “Kosova Sot”.

Pavarësisht presionit të madh opozitar, kërcënimit ndaj partnerëve të koalicionit qeverisës, me kushtëzimin e tërheqjes nga marrëveshjet e 25 gushtit, ose në të kundërtën do të krijojnë terren destabilizues në vend për të çuar vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme, përfaqësues të subjekteve politike në koalicion, PDK-ja dhe LDK-ja, përjashtojnë çfarëdo opsioni që viti 2016 të jetë vit zgjedhor.

Ata theksojnë se kërkesa ultimative dhe parashikimet apo projektet e kujtdo qoftë të kësaj natyre janë të parealizueshme, derisa koalicioni qeverisës e ka shumicën e votave dhe po funksionon në mënyrë stabile. Sekretari i përgjithshëm i PDK-së, Basri Musmurati, i kontaktuar nga gazeta, tha se sa i takon atij plani dhe përgatitjeve për të cilin flasin serbët, si publicisti Dushan Janjiq, nuk e merr fare në konsideratë. Ndërsa sa i takon kësaj situate të krijuar me situatën në Kuvend, beson që edhe opozita e ka kuptuar që Evropa është duke na mbështetur ne si Kosovë, sepse është një angazhim permanent në mbështetje të Kosovës dhe kjo agjendë duhet të ruhet në interesin nacional…/kosova sot/

Haradinaj: Protestat nisin në nëntor

0

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se në takimin me dy liderët e tjerë opozitarë, janë pajtuar për thirrjen e protestave brenda muajit nëntor.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj thotë se në takimin me dy liderët e tjerë opozitarë, atë të Vetëvendosjes Visar Ymeri e Fatmir Limajn të Nismës për Kosovë, janë pajtuar për thirrjen e protestave brenda muajit nëntor.

Në një intervistë për Televizionin Rrokum, lideri i AAK-së i është kundërpërgjigjur edhe Ambasadës Amerikanë në Prishtinë, e cila një ditë më parë, përmes Televizionit Rrokum i kërkoi opozitës të ulet në debat edhe të heqë dorë nga gazi lotsjellës.

Haradinaj thotë se pa u anuluar marrëveshjet e Brukselit nuk ka vend për debat.

Ai thotë se këto kërkesa, opozita ia ka bërë të qarta Ambasadës Amerikane.

E derisa e mohon përfshirjen e dhe të AAK-së në qeverisje, Haradinaj thotë se nëse nuk ka zgjidhje tjetër duhet të shkohet në zgjedhjet “për me i mat edhe një herë forcat”.

Lideri i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës e përshëndet vendimin e Presidentes për dërgimin e Asociacionit në Kushtetuese, por, sipas tij, ajo Marrëveshje duhet anular, e jo pezulluar përkohësisht.

Kinemaja e këtij viti

0

Midis titujve që kanë dalë këtë vit në sallat e kinemasë, këta janë 20 filmat më të mirë deri më tani.

Në vendin e parë, një vepër që është mjeshtërisht e pastër, por emocionalisht fshikulluese. Prej mjeshtri.

20 Njeriu-Milingonë nga Peyton Reed

Në ekuilibër midis komikes, aksionit dhe ndjenjave, superheroi i vogël i Marvel debuton në kinema me freski. Humbet paksa në gjallëri vetëm në rindërtimin e së shkuarës së Pymit, pseudonimi i Michael Douglasit. E adhurueshme kimia midis Paul Rudd dhe Evangeline Lilly, ish kukudhi i Lo Hobbit, gjithmonë e më shumë manjetik. Njeriu milingonë është një kandidat intrugues në prurjet e reja, krah për krah me Avengers.

19 Ex-Machina e Alex Garland

Është një debutim me regji intriguese, midis trillit shkencor dhe drithërimit psikologjik, megjithëse lë pak për të dëshiruar në tension dhe “kërcet” në disa detaje. Në një tërheqje futuriste në mal, një gjeni i shpikjeve provoi marrëdhëniet midis një subjekti të tij dhe një roboti grua. Ose ndoshta është ajo që i studion ata? Aktorë të rinj dhe të talentuar: Oscar Isaac, Domhnall Gleeson dhe Alicia Vikander.

18 “Ka mbërritur bija ime!”, nga Anna Muylaert

Komedi braziliane me tone edhe dramatike, e pasur me paradokse sociale: një guvernante ka jetuar larg familjes së vet, për të rritur djalin e një zonje shumë të ngarkuar… herë zbavitëse, herë sociologjikisht stimuluese. Ritmi i saj nuk është ai i një udhëtimi të zhurmshëm… por edhe pse midis anktheve të fortë, lë pas një trashëgimi emocionale të vlerësueshme.

17 “Selma: Rruga drejt lirisë” e Ava DuVernay

Regjisorja afroamerikane rindërton njërën prej betejave më të rëndësishme të ndërmarra nga Martin Luther Kingu (David Oyelowo) dhe nga populli zezak, për të fituar garancinë për të drejtën e votës. I jep hapësirë edhe njerëzve të zakonshëm, grave, personazheve minore që kanë patur një rol historik. E pamundur të mos prekesh, ndërkohë që turma e zezë kalon urën Edmund Pettus të qyetetit të vogël të Selma-s dhe sulmohet nga policia.

16 “Perla Bovery”, nga Anne Fontaine

Perla e vogël franceze për ironi, ka thellësi njerëzore dhe joshje. Madamë Bovary, romani i Gustave Flaubert, nuk ka qënë kurrë kaq zbavitës, pavarësisht nga pashmangshmëria tragjike e fatit. Meritë e alkimisë së dy aktorëve, veteranit Fabrice Luchioni dhe bukuroshes Gemma Arterton. Nga një lojë fjalësh në një prototip letrar të femrës, merr udhën një ortek i paevitueshëm e madje i padukshëm, deri sa ai bie zhurmshëm.

15 “Wild” nga Jean-Marc Vallée

Një histori e shpenguar, përgjatë shtegut të kreshtave të Paqësorit, e treguar me ndershmëri, midis peisazheve që të dredhin zemrën, dhe parafytyrimeve të montuara mirë (vetëm rrallëherë të tepërta). I fortë interpretimi i Reese Witherspoon, e cila riprodhon udhëtimin në këmbë në mes të natyrës nga Cheryl Strayed, ish e toksikuar, ekskursioniste e improvizuar. Nuk ka ambicie për të dhënë përgjigje shteruese, dhe nuk mungon ironia.

14 “Hungry Hearts” / “Zemra të Uritura”, nga Saverio Costanzo

Histori dashurie dhe mani. Duke kombinuar skena pothuajse të shkatërruara pas një stuhie, ndërtohet historia e një çifti nga fillimet e veta, deri në buzë të greminës. Eshtë i adhurueshëm takimi i parë, është e vrullshme historia e mëvonshme, deri në lindjen e djalit të parë. Me shtatzaninë ajo ndryshon, do të mbrojë të voglin nga bota e ndotur. Në festivalin e Venecias 2014 dorëzohet kupa Volpi për të dy aktorët, Alba Rohrwacher e Adam Driver.

13 “The Martian” / “Marsiani”, nga Ridley Scott

Regjisori i “Alien” dhe “Prometeusit” vështron akoma qiellin dhe planetët e largët, por këtë herë duke i drejtuar këmbët për nga forca e shkencës, me shumë mbështetje nga NASA. Del një tregim i fortë i mbijetesës mbi eksplorimin hapësinor, i cili nuk do të çudisë, por që di të zbavisë. Marsi përshkohet nga sipërfaqe misterioze të kuqe, por Ridley nuk abuzon me këtë karrem të lehtë. Matt Damon nuk ka me bollëk ideale, por e përmbush misionin e tij.

12 “Taksi në Teheran”, nga Jafar Panachi

Nuk është sigurisht njëri nga ata filma, të përcaktuar si “i kënaqshëm”. Duhet “armatosur” me pasion e dëshirë për t’u ndarë me të tjerët. Në shkëmbim do të ketë një dhuratë të madhe: një reflektim i përunjur dhe i thellë në kinema, si shprehja e lirisë, brenda dhe kundër një regjimi që e shkel, por nuk ia del ta mbysë. Regjisori iranian ka xhiruar në klandestinitet, duke anashkaluar ndalimin për të mos udhëhequr xhirimet e filmit.

11 “Të mos jesh i keq”, nga Claudio Caligari

Në Festivalin e Filmit në Venecia ka qënë filmi italian më i duartrokitur. Dhe jo sepse krijuesi i tij, Caligari, vdiq pak muaj më parë. Histori droge, lagjet e varfra dhe miqësitë, dhe evolucioni i botës bredharake të Lypësit. Lëvizet midis dëshpërimit dhe pangopësisë së jetës me ekuilibër, pa asnjë batutë dhe filmim të tepërt.

10 “Nëna ime”, nga Nanni Moretti

Është një Nanni Moretti i ndryshëm nga ai i cili jemi mësuar. Eshtë më intim. Vendosmërisht autobiografik, ndoshta me tepri. Por pritja e ngadaltë dhe e dhimbshme e të paevitueshmes, për vdekjen e nënës, prototip i prototipit, është treguar me ndjeshmëri dhe delikatesë prekëse. I pafrenueshmi John Turturro, me detyrën për të na bërë të qeshim me të madhe.

9 “Mustangu”, nga Deniz Gamze Ergüven

Debutim prekës i regjisorit me origjinë turke, që ka vite që jeton në Francë, përcon thirrjen e fortë të emancipimit të pesë vajzave plot energji, në një fshat të vetmuar të Turqisë. Kanë flokë të gjatë që valëviten në ajër, si perëndesha, dhe janë rebele, krenare, si kuaj mustang. Seicila në mënyrën e duhur janë kundër kulturës arkaike, e cila kërkon të shtypë feminilitetin dhe dëshirat e tyre. E pamundur të mos dalësh nga kinemaja me zemërim.

8 “Një mike e re”, nga François Ozon

Regjisori francez thur një melodramë me ngjyra, lëviz në meandret e errëta të identitetit seksual, midis përpunimit të vajtimit dhe të dëshirave të patreguara. Gërrmon me hirësi dhe paksa humor. E talentuara Anaïs Demoustier është protagoniste dhe përmes vështrimit të saj, ne njohim “miken e saj të re”…

7 “American Sniper” / “Snaiperisti Amerikan”, nga Clint Eastwood

Historia e Chris Kyle (Bradley Cooper), snaiperi më i pagabueshëm i historisë ushatrake amerikane, ka prodhuar polemika nga e majta dhe nga e djathta. Por jemi përballë një filmi të luftës, po, por kundër luftës. Midis misioneve në Irak, patriotizmit dhe fragmeneteve të jetës private, tregimi është i tensionuar, dramatik dhe esencial. Ashtu siç di të bëjë Clint.

6 “Një pëllumb i ulur mbi një degë reflekton mbi ekzistencën”, nga Roy Andersen

Kapitulli i tretë i triologjisë “Triologjia e gjallë”, vizualisht i kuruar dhe origjinal në stilin tregimtar. Leone d’Oro në Festivalin e Venecias 2014, skena 39, të frymëzuara estetikisht nga pikturat e Otto Dix, skicojnë me ironi inteligjente një njerëzim qesharak, të çuditshëm, përsëritës, por edhe të tmerrshëm dhe të aftë për mizori. Filmi ndoshta jo për të gjithë, shkëlqen në kërkimin artistik. Humorizmi i regjisorit suedez është gërryes ose zbavitës.

5 “Whiplash” / “Goditje kamzhiku”, nga Damien Chazelle

Si ata që u bien shkopinjve të daulles furishëm dhe egërsisht, “Whiplash” është një film xhazi dhe vuajtjeje, që lëvizin ngadalë brenda, që nga skena e parë e deri në finalen e madhërishme që pothuajse bën të shkrepin duartrokitjet. Regjisori amerikan frymëzohet nga një eksperiencë e tij për të vënë në skenë një duel, si emocional ashtu edhe fizik, midis një djaloshi me dhunti dhe ambicioz dhe një docenti me sjellje ekstreme. Oskar i merituar për aktorin më të mirë jo protagonist, J.K.Simmons.

4 “Mad Max: Fury Road” / “Maksi i çmendur: Rruga e tërbimit”, nga George Miller

Shpërthyes, i tërbuar, vizualisht imponues, ja vlen barra qeranë të presësh 30 vjet për një kapitull të ri të sagës së makinave të garave dhe shkretëtirës prej kineastit australian. Trupa e filmit e rinovuar, Tom Hardy hero i heshtur dhe Charlize Theron idealiste bukuroshe e furishme, filmi i katërt “rënkon” nga çmenduria dhe aksioni”, duke shkëlqyer në peshën e rrëfimit.

3 “Forcë Madhore” nga Ruben Östlund

Drama ekzistenciale suedeze, heton pjesën më pak fisnike të natyrës njerëzore dhe marrëdhëniet midis individëve, duke vështruar në anën e tyre më groteske, me ironi dhe nganjëherë për të qeshur. Midis majave me borë dhe heshtjes, në fillin e një ritmi të durueshëm që magjeps, në rutinën e dashur të një jave të bardhë, një familje hyn në krizë dhe vë në lojë rolet e veta të stabilizuara.

2 “Inside out”, nga Pete Docter e Ronnie Del Carmen

I ngjyrosur, zbavitës dhe me ritëm, vizatimori i ri i Disney Pixar është një film për ta parë dhe për ta riparë. Emocionet njerëzore janë “katandisur” në Gëzim, Trishtim, Tërbim, Frikë dhe Neveri, në një sintezë befasuese mjeshtërore. Së bashku me ta udhëtojmë në trurin njerëzor, të përshkruar me zgjuarsi delikate dhe me shumë sens humori!

1 “Birdman” ose (virtuti i paparashikueshëm i injorancës), nga Alejandro González Iñárritu

Eshtë një akt virtuoziteti i pëlqyer që ngacmon Hollivudin dhe ndërkohë i shkel syrin, por shkëlqen në teknikë mjeshtërore, ka interpretime të fuqishme (Michael Keaton mbi të gjitha) dhe është emocionalisht thumbues. Komedi thumbuese, që lëviz mbi fillin e tensionit për të kulmuar në një finale ëndërruese. Me një plan të vetëm drejtori meksikan thur një betejë të brendshme midis imazhit që kemi për veten tonë dhe atij që jemi në të vërtetë. Pyet për talentin dhe ndërkohë na tregon talentin e vet. I shpërblyer me Oskar. /Bota.al

Shqipëri-Kosovë, rikthehen kontrollet e dyfishta në kufi

0

Kosova dhe Shqipëria brenda pak javësh do të jenë të detyruara që të rikthejnë kontrollet e dyfishta kufitare.

“Kjo është kërkesë eksplicite ndaj Prishtinës dhe Tiranës”, ka bërë të ditur ministri i Integrimit Europian Bekim Çollaku.

Por deri në rikthim praktik të kontrolleve të dyfishta, kanë mbetur edhe disa procedura qeveritare që do t’i hapnin rrugë policisë për shtimin e kontrolleve.

Policia e Kosovës në një përgjigje elektronike për Top Channel ka sqaruar se janë në pritje të një vendimi të qeverisë për të nisur pastaj me zbatimin e kontrolleve të dyfishta kufitare.

Gjatë raportimit në Komisionin Parlamentar për Integrim Europian, ministri Çollaku ka thënë se Komisioni Europian ka kërkuar rikthimin e dy ndalesave kufitare, me qëllim parandalimin e krimit ndërkufitar.

Sipas Çollakut, kërkesa e Komisionit Europian lidhet me procesin e liberalizimit të vizave.

Pas aplikimit sezonal në stinën e verës, kontrolli në të dy pikat kufitare gjatë kalimit të kufirit ishte hequr përfundimisht në korrik të 2011-ës në bazë të marrëveshjes dypalëshe “Një ndalesë, një kontroll”.

Marrëveshja në lidhje me procedurat e përbashkëta të kontrollit në pikëkalimet kufitare Morinë-Vermicë, Qafë-Prush dhe Qafë-Morinë u zbatua pas instalimit të sistemit TIMS edhe në pikën kufitare kosovare të Vërmicës.

Reduktimi i kontrolleve ndikoi në pakësimin e radhëve të automjeteve në kufirin mes dy vendeve, sidomos gjatë stinës së verës. /TCh

Bernard Përlazri shan, kërcënon dhe kërkon të gjykohet nga EULEX-i

0

Bernard Përlazri, i dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës nuk i zgjodhi fjalët në gjykimin ku akuzohet për detyrim në bashkëkryerje të mbetur në tentativë.

Bashkë me Bernard Përlazrin për këtë vepër po akuzohen edhe Pashk e Jozef Përlazri.

Në fillim të seancës në Gjykatën Themelore në Prizren, Nikë Shala, avokati i Bernard Përlazrit, me kërkesë të klientit të tij kërkoi përjashtimin e gjykatëses dhe prokurores dhe marrjen e kësaj lënde nga EULEX-i.

Këtë kërkesë avokati e arsyetoi me atë se nuk i beson kësaj gjykate dhe prokurorie me ndryshimin e rrethanave pas vrasjes së Hekuran Morinës, të dëmtuarit të këtij procesi.

Pastaj i akuzuari Bernard Përlazri nuk mundi ta përmbajë veten, duke shpërthyer në fyerje dhe kërcënime, ndaj të cilave nuk pati reagim nga gjykatësja dhe prokurorja.

“Zoja gjykatëse prej policisë dhe prokurorisë së Prizrenit krejt kjo ka ardhë, ju s’ keni faj si trup gjykues, po krejt k’ta e kanë pru punën deri qetu. Më mshelën në burg gjashtë muj ditë, m’dulën 4 vetë, ken tuj më vra, s’ pata ku me shku mo. Këta nuk janë tu punu drejt. 6 muj ditë për dy shuplaka m’ kanë majtë, krejt këto prokuroria dhe Nexhmedin Krasniqi i kanë bo,” tha Përlazri.

Ai kërkoi me të njëjtën gjuhë kërcënuese e fyese të largohen ata që kanë ngritur aktakuzën.

“Ju kisha lutë që këtë prokurore dhe çka ka prokuror mos me mi pru këtu, se krejt kjo Ervehe Gashi, së bashku me Sylë Hoxhën dhe Nexhmedin [Krasniqin] e kanë pru deri këtu… po nihet kur të del edhe Zoti ka me e marrë vesh, se më morën në qafë mu, e morën në qafë atë [Hekuran Morinën] dhe mu, e ju ardhtë rendi ju kajshin fëmija edhe këtyne, qysh janë tu i kajtë atina, se nuk e kam lehtë as unë, i lashë fëmijët rrugës,” vazhdoi të flasë Përlazri.

Përlazri, u ankua në gjykatë edhe për faktin se pse po mbahej i lidhur me zinxhirë në këmbë dhe duar.

“Mos më shtini me vjellë prej goje, se kur të vjelli keni me u zhveshë krejt qysh ka shku ai. Edhe zonja gjykatëse a ka mundësi me e ditë pse në këmbë e në duar janë tuj më lidhë. Këta po thonë gjykata ka urdhëru… gjykatësja: jo, jo… po kush ka urdhëru ai Nexh p…, se ka me ja q… familjen edhe atij,” kërcënoi, shau dhe u ankua Përlazri.

Avokati Nikë Shala nuk i komentoi fjalët e pamatura të të mbrojturit të tij.

“Ishte kërkesë e klientit tim që të kërkohet përjashtimi edhe i gjyqtares edhe i prokurores për shkak se i njëjti dyshon në objektivitetin e vendorëve. Kërkesa e tij është që kjo çështje t’i dërgohet në kompetencë Eulexit. Veprimet e tij janë çështje personale dhe unë nuk isha lëshu në to,” tha Shala për KALLXO.com.

Aktakuza e Prokurorisë i ngarkon të akuzuarit Bernard, Pashk dhe Jozef Përlazrin se në bashkëkryerje prej mesit të janarit e deri më 23 shkurt 2015 në Prizren me qëllim të fitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, kanë përdorur forcën apo kanosjen serioze ndaj personit tjetër.

“I pandehuri Bernard Përlazri i shoqëruar me një person për momentin ende të panjohur për prokurorinë, shkojnë në lokalet e biznesit të të dëmtuarit Hekuran Morina, kërkojnë të bisedojnë me të dhe gjatë bisedës me të dëmtuarin Hekuran, e në prezencën e dëshmitarëve Fadil dhe Afrim Morina, kërkojnë nga Hekurani shumën prej 70 mijë euro, gjoja në emër të borxhit që e kishte babai i tyre, tani i ndjeri Beg Morina,” thuhet në aktakuzë.

Aktakuza përshkruan edhe ngjarjen e 23 shkurtit të këtij viti.

Më 23 shkurt 2015 rreth orës 19:40 minuta në Prizren derisa i dëmtuari Hekuran Morina ishte duke shkuar në shtëpinë e tij, pranë tij ndalen dy automjete njëri BMW X5 dhe tjetri Audi A4, nga njëra veturë del i pandehuri Bernard ku i ofron një kopje të letërnjoftimit ku thuhet “Beg Morina i murr te Bernard Përlazri më 22.01.2012, 70 mijë euro borxh, brenda 6 muajve me u kthy borxhi,” shpjegon aktakuza.

Më tutje në aktakuzë flitet për sulmin që të akuzuarit ia bënë Hekuran Morinës kur ky kishte thënë se shkrimi në kopjen e letërnjoftimit nuk ishte i babait të tij.

Në atë moment Jozef Përlazri kishte filluar ta godiste me grushta, ndërsa të pandehurit Bernard e Pashk, i hapin të gjitha dyert e automjetit dhe e sulmojnë me dru duke e goditur në të gjitha pjesët e trupit. I pandehuri Jozef Përlazri e ofron dorën në brez duke thënë a ta vrasim, ndërsa Bernardi kishte thënë largohuni mos i bjerni, pasi që e ndërprejnë sulmin, i pandehuri Bernard i drejtohet të dëmtuarit me fjalët: ‘Këtij borxhi ke me ju përgjigj’,” vijon aktakuza.

Shtatë muaj më pas, më 7 shtator 2015 te rrethi i “Bazhderhanes” në Prizren u vra Hekuran Morina dhe u plagosën edhe tre persona, mes tyre edhe vëllai i Hekuranit, Fadili.

Pas vrasjes familjarët e të dëmtuarve protestuan edhe para gjykatës dhe prokurorisë duke kërkuar drejtësi. KALLXO.com, raportoi për këto raste.

Bernard Përlazri, i dyshuari për vrasjen e Hekuran Morinës u arrestua më 9 tetor, ndërsa atij iu caktua paraburgimi prej 30 ditësh. /Kallxo.com