28.2 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 7379

PDK-LDK, pazar edhe me postin e Jahjagës

0

Jahjaga-Thaci-MustafaEdhe dy vjet i kanë mbetur mandat presidentes së vendit, Atifete Jahjaga. Mirëpo, kjo nuk i ka penguar partnerët e koalicionit PDK-LDK që kur arritën marrëveshjen, të kalkulojnë edhe në postin më të lartë shtetëror.

Megjithatë, kalkulimet mund t’iu shkojnë huq në rast se Jahjaga nuk jep dorëheqje, pasi koalicioni PDK-LDK nuk e ka asnjë hapësirë ligjore e as kushtetuese që ta marrë postin e presidentit të vendit, raporton KTV.

Kushtetuta i përcakton qartë mënyrat se si dhe kur mund të shkarkohet presidenti.

Neni 91 i Kushtetutës thotë: “Presidenti mund të shkarkohet nga Kuvendi nëse është dënuar për kryerjen e krimit të rëndë ose nëse nuk është i aftë për të ushtruar përgjegjësitë e këtij posti për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese ka përcaktuar shkelje të rëndë të Kushtetutës”.

Procedura për shkarkimin e Presidentit të Republikës së Kosovës mund të iniciohet nga një e treta e deputetëve të Kuvendit, të cilët nënshkruajnë një peticion, i cili shpjegon arsyet për shkarkim.

Në rast se peticioni supozon sëmundjen e rëndë, Kuvendi do të kërkojë mendimin e komisionit mjekësor për gjendjen shëndetësore të Presidentit.

Në rast se peticioni supozon ndonjë shkelje të rëndë të Kushtetutës, peticioni duhet t’i dorëzohet menjëherë Gjykatës Kushtetuese, e cila vendos për këtë çështje brenda shtatë ditësh nga marrja e peticionit.

Nëse Presidenti i Republikës së Kosovës është dënuar për ndonjë krim të rëndë ose kur nëse Kuvendi, në pajtim me këtë nen, konstaton që Presidenti nuk është i aftë të ushtrojë përgjegjësitë e tij për shkak të sëmundjes së rëndë ose nëse Gjykata Kushtetuese konstaton se ai ka bërë shkelje të rëndë të Kushtetutës, Kuvendi mund të shkarkojë Presidentin me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve.

Ndërkohë që LDK e PDK kanë deklaruar se janë në përfundim të përpilimit të planit qeverisës, nuk kanë dashur të komentojnë për postin e presidentit.

Nait Hasani në gjykatë për mosdeklarim të pasurisë

0

Nait HasaniTë hënën në Gjykatën Themelore të Prizrenit u paraqit në cilësinë e të akuzuarit ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës nga PDK, Nait Hasani.

Hasani po akuzohet për veprën penale ‘’mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër material ose i detyrimeve financiare’’ vepër e dënuar sipas Kodit Penal të Kosovës me dënim me gjobë dhe burg deri në 5 vjet.

Sipas aktakuzës, së ngritur në bazë të kallëzimit penal nga Agjencioni Kundër Korrupsion, thuhet se Hasani nuk i ka paraqitur saktë të hyrat vjetore të kërkuara në deklaratë nga 1 janari 2012 deri më 31 dhjetor 2012.

“Ekziston mospërputhje në mes të hyrave vjetore të deklaruara në formularin për deklarimin e pasurisë, si dhe raportit nga të hyrat vjetore të siguruara nga Kuvendi i Kosovës, ngase është gjetur mospërputhje në mes të hyrave prej 21 mijë e 200 euro, të cilat i ka deklaruar Hasani në formularin për deklarimin e pasurisë për vitin 2012, si dhe raportit nga të hyrat vjetore që janë 26 mijë e 485,04 euro, të cilat janë siguruar nga Kuvendi i Kosovës”, thuhet në aktakuzë.

Diferenca në mes këtyre të hyrave është 5 mijë e 285,04 euro të cilat Hasani, sipas AKK-së, nuk i ka deklaruar saktë në të hyrat vjetore.

Hasani të hënën në gjykatë deklaroi se nuk ndihet fajtor dhe nuk e pranon veprën për të cilën akuzohet.

Ai e kundërshtoi në tërësi aktakuzën e ngritur nga prokuroria, për faktin se sipas tij, ka deklaruar pasurinë ashtu siç kërkohet nga AKK-ja.

Madje Hasani e njoftoi gjykatësin se rast të ngjashëm kishte pasur edhe për deklarimin e pasurisë të vitit 2011, mirëpo atëherë ishte njoftuar me shkrim nga Agjencioni Kundër Korrupsion dhe kishte bërë plotësimet e kërkuara.

“Ndërsa për deklarimin e pasurisë të vitit 2013 nuk më është kërkuar asnjë plotësim, ku unë kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj me AKK-në, mirëpo ata nuk më kanë kërkuar plotësime. Unë e shoh se kësi lloj lëshime në deklarim kanë edhe diku 80 përqind e deputetëve, mirëpo unë gjithnjë sa i përket vetes i kam kërkuar AKK-së, të më tregojë për lëshimet dhe kam qenë i gatshëm të bashkëpunoj, gjë e cila asnjëherë nuk është kërkuar nga unë”, tha Hasani.

Ai u shpreh se është e çuditshme se si të konsiderohet mosdeklarim i pasurisë, kur për pagën e marrë nga buxheti i Kosovës kishte paguar tatim dhe të njëjtat i kishte pranuar përmes llogarisë bankare.

Madje Hasani tha se kishte deklaruar edhe kursimet e fëmijëve për të cilat nuk ka qenë i obliguar që t’i deklarojë, ngase kanë qenë në shumën nën 5 mijë euro. Gjithashtu ai tha se kishte deklaruar edhe makinën në vlerë prej 10 mijë euro.

Në fund, Hasani, kërkoi nga gjykata që ta hedhë aktin akuzues dhe të pushohet procedura ndaj tij.

Mirëpo, mendim tjetër pati prokurori i shtetit. Ai i propozoi gjykatës që çështja të vijojë në stade të tjera të procedurës, që të shkohet në shqyrtimin kryesor, ku tha se aty do të zbardhen dhe të ndriçohen pretendimet e AKK-së me kallëzimin penal të parashtruar ndaj të pandehurit Nait Hasani.

Për propozimet e të pandehurit nga njëra anë dhe të prokurorisë nga ana tjetër, mbetet që të vendos gjykata Themelore e Prizrenit.

Gjykatësi individual i çështjes paralajmëroi se në rast se do të vendoset të shkohet në shqyrtimin kryesor dhe nëse gjykata e Apelit do ta aprovojë një vendim të tillë, seanca e shqyrtimit kryesor do të mbahet më 22 dhjetor./Kallxo.com/

Pse ka nevojë Isa Mustafa të kërcënojë publikisht Hashim Thaçin?!

0

ADRIAN ÇOLLAKUAdrian Çollaku
Deklarata e sotme e liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa se nëse ai nuk do të bëhet kryeministër do ta prish koalicionin me Partinë Demokratike të Kosovës duket paksa e çuditshme. Nëse është ashtu siç po thonë në LDK tash e sa ditë se tashmë puna e kryeministrit është e kryer, përse Isa Mustafës i nevojitet që përmes presionit publik ta kërcënoj liderin e PDK-së, Hashim Thaçi.
Kjo deklaratë e tij në fakt e bartë në vete këtë mesazh:Së pari, marrëveshja e nënshkruar ndërmjet Isa Mustafës dhe Hashim Thaçit nuk po ia garantojka Isa Mustafës 100% postin e kryeministrit. Pra, të gjitha deklarimet e deritashme të njerëzve të LDK-së dhe të vetë Mustafës janë bërë me njëfarë forme “paushall”.

Së dyti, Isa Mustafa dhe njerëzit e tij, kur po deklarojnë se do ta prishin koalicionin me PDK-në, aq shumë e “frikësojnë” Hashim Thaçin e PDK-në, saqë tash e dy javë prej kur u arrit marrëveshja PDK- LDK për bashkëqeverisje, askush nga partia më e madhe në vend nuk e tha se shefi i ezekutivit kosovar i takon liderit të LDK-së. Bile, bile në PDK thonë edhe publikisht se ende nuk është ndarë asnjë post.

Së treti, nëse e lexojmë mes rreshtave këtë deklaratë, Isa Mustafa është ai i pari, i cili po fillon ta përgatis elektoratin e LDK-së, (i cili më nuk po i beson asnjë lideri, që nga vdekja e Ibrahim Rugovës) se edhe kësaj radhe mund t’iu rrëshqas nga duart posti i kryeministrit.

Së katërti, pavarësisht se sa të “fuqishme” Isa Mustafa i jep deklaratat, pak kush do t’u besoj atyre. Kjo u vërtetua me vendimin e tij dhe të partisë së tij për të hyrë me PDK-në, ku na patën lodhur i madh e i vogël nga LDK, për 5 muaj rresht duke e sharë Hashim Thaçin, PDK-në e SHIK-un. Dhe çka ndodhi në fund. Doli që as nuk kishte kauzë, e as nuk kishte ideal, por kishte luftë vetëm për pushtet.

Andaj, lideri i LDK-së, Isa Mustafa nuk ka nevojë të na lodh me ato deklarata se nëse nuk do të jetë kryeministër do ta prish kaolicionin me PDK-në. Për qytetarët e këtij vendi sot për sot është shumë pak me rëndësi se kush do të jetë kryeministër, a Hashim Thaçi apo Isa Mustafa, sepse si njëri si tjetri kanë dëshmuar se e duan vetëm karrigen e butë të pushtetit e asgjë më shumë. Qytetarëve të këtij vendi u intereson një jetë më e mirë, një zhvillim ekonomik, ju intereson thjeshtë mbijetesa.

Është mirë që edhe Isa Mustafa edhe Hashim Thaçi si dhe njerëzit e tyre që i kanë për rreth, e aq shumë janë vërbuar për të marrë pushtet, që të brengosen për hallet e atyre qytetarëve që s’ju ka mbetur rrugë tjetër, vetëm ikja nga vendlindja.
Askush nuk ik për qejf, duke lënë gjithçka prapa, por po ikin, ngase ju, të gjithë që ishit deri më sot në pushtet, ia bëtë të pamundur që të jetojnë këtu. Në Kosovë.

Administrata e Malishevës e përgatitur për ofrimin e shërbimeve për mërgimtarët

0

MalishevaKomuna e Malishevës, ka marrë të gjitha masat dhe ka bërë të gjitha përgatitjet e duhura, për pjesën e dytë të dhjetorit, kur pritet të ketë fluks të qytetarëve që kanë nevojë për nxjerrjen dhe rregullimin e dokumenteve, e ky fluks pritet të jetë nga mesi i dhjetorit, kur edhe vijnë mërgimtarët për festat e fundvitit.

Kështu tha drejtori i administratës z.Ekrem Kastrati, në mbledhjen e rregullt të Këshillit të Drejtorëve, mbledhje të cilën e udhëhoqi i pari i Malishevës, z.Ragip Begaj. Sipas drejtorit Kastrati, janë të furnizuar mirë për formular dhe material tjetër përcjellës, në mënyrë që shërbimet ndaj qytetarëve, edhe kur ka fluks të tyre, të jenë të shpejta dhe efikase.

“Ndryshimet klimatike, kanë rritur numrin e pacientëve edhe në qendrat mjekësore të Malishevës, ndërsa numri pritet të rritet edhe më shumë gjatë këtij muaji, që është normale në këtë periudhë të vitit”, tha drejtori i shëndetësisë, Hajdin Berisha.

Edhe drejtorët tjerë raportuan për punën e tyre, dhe përfundimin e projekteve, pasi jemi në prag të përfundimit të vitit kalendarik, si dhe raportuan për përgatitjet që janë duke i bërë për vitin e ardhshëm.

Në fillim të mbledhjes së sotme, kryetari Begaj, ka kërkuar nga drejtorët të bëjnë përmbledhjen e punëve gjatë këtij viti, përderisa tha se “Jemi munduar ti rrumbullakojmë të gjitha projektet, e të cilat nuk janë pak, por kjo nuk do të thotë që ne të jemi të kënaqur me punën e bërë, por duhet edhe me shumë të angazhohemi”.

Hodaj: Shpenzimet e mëdha për dreka zyrtare nuk janë normale

0

Haziz HodajKëshilltari i LDK-së në Asamblenë Komunale në Prizren, Haziz Hodaj ka kërkuar nga Qeveria ‘Muja’, që të reflektoj në uljen e shpenzimeve për dreka e darka.

“Çdo tremujor po debatohet për rritjen enorme të shpenzimeve ë luksit, ndërkohë që qeveria lokale nuk po reflekton dhe vazhdon me avazin e vjetër”, ka thënë Hodaj për Koha Ditore.

“Shpenzimi i 80 mijë euro për dreka zyrtare për nëntë muaj vërtet nuk është normale”, ka thënë Hodaj. /PrizrenPress.com/

Mediat serbe: Mandati i tretë qeverisës, i mundshëm për Hashim Thaçin

0

Hashim thaci 4Programi dhe ndarja e portofoleve në qeverinë e re të Kosovës do të mund të shpallet pas takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së më 4 dhjetor, në të cilin debat për Kosovën pritet që të marrin pjesë kryeministri në largim Hashim Thaçi dhe homologu serb tij Aleksandër Vuçiq shkruan sot e përditshmja serbe Danas.

Për të vlerësuar situatën e sotme në Kosovë për këtë të përditshme kanë folur Ministri për Komunitete dhe Kthim në qeverinë e Kosovës, Dalibor Jevtiq dhe Presidentja e Lëvizjes Evropiane të serbëve nga Kosova dhe Metohija, Rada Trajkoviq, transmeton Gazeta Blic.

Edhe pse mediat e Prishtinës fundjavën e kaluar njoftuan që bisedimet janë para fundit dhe se Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës janë para nënshkrimit të marrëveshjes së koalicionit deri në fillim të kësaj jave, në kohën e përfundimit të këtij edicioni të gazetës Danas as PDK e Hashim Thaçi e as LDK e Isa Mustafa nuk kanë njoftuar zyrtarisht për partinë që do ta ketë kryeministrin në Qeverinë e ardhshme.

“Nuk pritet që koalicioni PDK-LDK të dalë me një marrëveshje përfundimtare para mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të OKB-së në 4 dhjetor. Në ndërkohë, do të përcaktohet programi i qeverisë së re. Është rënë dakord për 90 për qind të gjërave, kurse ajo që mbetet e diskutueshme është se cila parti do të marrë Ministrinë e Arsimit. Fakti që askush nuk e ka pranuar zyrtarisht se kush do ketë kryeministrin, nuk e përjashton mundësinë që Mustafa të bëhet kryetar i Kuvendit, dhe Thaçi të mbetet në krye të qeverisë “, thotë Dalibor Jevtiq.

Sipas tij, ka dy variante – që LDK të merr postin e Kryetarit të Parlamentit, dhe pastaj dy vjet më pas të ketë edhe kandidatin presidencial, dhe se dikush nga PDK tani të zgjidhet në krye të qeverisë ose anasjelltas. Jevtiq njofton se PDK dhe LDK, vetëm kur komunikohet marrëveshja përfundimtare do të ofrojnë portofolet për komunitetet pakicë. Ai pret që Kosova, siç njoftoi, më 8 dhjetor të zgjedhë kryesinë e Kuvendit dhe Qeverinë e re.

“Nga negociatat mund të shihet se Thaçi, duke vonuar marrëveshjen e koalicionit, arriti që fusë konflikte jo vetëm tek partitë e koalicionit paszgjedhor por edhe të shkaktojë luftën brenda tyre, duke përfshirë edhe LDK-në e cila deri kohët e fundit ishte kundër qeverisë, “Thaçi 3?. Pyetja nëse Bashkësia ndërkombëtare mbështet Thaçin në vitin 2016 si kandidat për President të Kosovës është e hapur. Për të kjo është një pozicion shumë i pasigurt sepse siç po tregohet Atifete Jahjaga është “lojtare” e rëndësishme – një fytyrë të këndshme e cila mbulon të gjitha negativitet e në skenën politike të Kosovës, duke përfshirë krimin e organizuar, trafikimit e organeve njerëzore. Prandaj unë nuk jam i sigurt se Thaçi është i gatshëm të mbetet jashtë pozitës shtetërore deri më 2016, veçanërisht kur pritet edhe themelimi i Gjykatës Speciale për aktakuzat për krime të luftës dhe UÇK-së, dhe kur dihet se ai ishte në krye të piramidës së përgjegjësisë “, ka thënë Rada Trajkoviq.

Ajo beson se insistimi i Thaçit që të përfaqëson Prishtinën në sesionin e ardhshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së për Kosovën është shenjë se ai dëshiron të vazhdojë bisedimet me kryeministrin serb Aleksandar Vuçiç në Bruksel.

As Rada Trajkoviq nuk e përjashton mundësinë që Isa Mustafa të pranojë postin e kryetarit të Kuvendit, veçanërisht pas asaj që “Ambasadorja amerikane në Prishtinë e pat informuar publikun se kundër tij ka 70 kallëzime penale sa ishte i pari i Prishtinës apo edhe nga koha kur udhëhoqi qeverinë e Kosovës në ekzil bashkë me Bujar Bukoshin “. /Gazeta Blic/

Nis Konferenca për mësimin gjatë gjithë jetës

0

MASHT-KosoveNë Prishtinë i filloi punimet Konferenca “Arsimi i të rriturve dhe mësimi gjatë tërë jetës”, organizuar nga Ministria e Arsimit, Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale dhe Ministria e Kulturës.

Në këtë konferencë katër ditore po trajtohen tema si: Aftësimi profesional dhe punësimi në Kosovë”, “Reformat në arsim dhe mësimi gjatë gjithë jetës”, e të tjera.

Në kuadër të aktiviteteve, “Java e të mësuarit gjatë gjithë jetës”, i filloi punimet konferenca “Arsimi i të rriturve dhe mësimi gjatë tërë jetës”. Agim Berisha, këshilltar i Ministrit në detyrë të Arsimit, Ramë Buja, tha se një ndër fushat më të rëndësishme për të përballuar zhvillimet dinamike, është edukimi i brezave të ri. Ai tha se vizioni i Ministrisë së Arsimit është që të krijohet një sistem gjithëpërfshirës arsimor.

“Qeveria e Kosovës është e ndërgjegjshme për nevojën për të zhvilluar e integruar arsimin profesional dhe atë për të rritur dhe t’u mundësojë të gjithë qytetarëve të përmirësojnë statusin dhe nivelin e shkollimit në shoqërinë kosovare. Për këtë qëllim duhet të identifikohen dhe vlerësohen nevojat arsimore të individëve të organizatave të tregut të punës e të shoqërisë së gjerë në Kosovë”, tha ministri Buja, transmeton RTK.

Drejtori i Departamentit të Rinisë në Ministrinë e Kulturës, Xhevat Bajrami, tha se qëllimi i Ministrisë është që përmes projekteve të përbashkëta në edukimin joformal të krijohen mundësi dhe kushte për zhvillimin e sektorit të rinisë në Kosovë.

“Duke marrë parasysh se rinia e Kosovës përbën pjesën elite të shoqërisë sonë, në numrin e përgjithshëm të popullsisë, si dhe në aspektin e potencialit të saj strategjik për zhvillimin e gjithëmbarshëm të vendit, është nevojë e menjëhershme që këtij potenciali t’i ofrojmë kushte dhe mundësi për të qenë pjesë aktive dhe kontribut dhënëse në të gjitha fushat e zhvillimit të vendit”, tha Bajrami.

Behxhet Gaxhiqi, këshilltar në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tha se vizioni i kësaj Ministrie është që të sigurojë krijimin e mundësive për punësim. Ai tha se janë ngritur kapacitetet e qendrave për aftësim profesional, të cilat ofrojnë mbështetje dhe trajnime cilësore. Konferenca do të vazhdojë punimet deri më 4 dhjetor.

Vetëvendosje mbështet Shyhrete Berishën

0

Shyhrete Berishës, suharekVetëvendosje thekson se “kemi përcjellë me vëmendje raportimet rreth problemeve me trashëgimin e pronës të të mbijetuarës të luftës së fundit në Kosovë Shyhrete Berisha”.

Shembulli i Shyhrete Berisha, përballja e saj me të drejtën për pronën nxjerrë në dritë pasojat dhe përmasat e mëdha të pabarazisë gjinore e ekonomike. Gruaja, së cilës i janë vrarë të katër fëmijët dhe burri gjatë luftës, ndërkaq vetë qe plagosur duhej të gëzonte mbështetje të plotë nga institucionet dhe shoqëria. Në fakt, ajo po përballet me probleme ekzistenciale mes tyre dhe pamundësimi i të drejtës së pronës, duke qenë se është grua.

“Koordinata me të cilën matet shoqëria jonë duhet ta themi që është ajo e patriarkalizmit, dukuri që gjen vend përmes dështimit të shtetit të Kosovës, si kah dhe si funksion. Ligjërisht, gruaja ka të drejtë për pronë edhe tek ‘gjinia’ edhe tek bashkëshorti. De facto ndodhë që mbetet pa asnjërën e pa asgjë”.

“Nga ky kompozicion shoqëror, gruaja është e detyruar që për të qenë e pranueshme, si tek familja e babait ashtu tek dhe familja e bashkëshortit, të heqë dorë haptazi nga trashëgimia. Por në sistemin në të cilin jetojmë t’ia mohosh dikujt pronën, do të thotë t’ia mohosh mirëqenien. Ndarja e pabarabartë e të mirave materiale, në shumicën e rasteve atyre ekzistenciale siç është strehimi, është në fakt privim nga vetë jeta”.

“Shyhrete Berisha është shembulli më i rëndë që tregon se sot derisa shoqëria po zhytet në varfëri, gratë po e vuajnë dyfish këtë gjendje. Trashëgimia familjare në Kosovë është e rregulluar me Ligjin për Familje ku e drejta e trashëgimisë u jepet të gjithë anëtarëve të familjes, pa dallime gjinore. Këtu ligështia institucionale kombinuar me zbatimin e zakonit na ka sjellë në rezultatin e përjashtimit të gruas nga kjo e drejtë e të tjera të ngjashme ekonomike”, thuhet në kumtesën e VV-së.

Lëvizja Vetëvendosje! synon barazinë dhe angazhohemi në krijimin e kushteve të barabarta që të arrihet barazi në rezultate.

“Barazia gjinore nuk do të jetë e mundshme pa barazi ekonomike e sociale. Ligjet të cilat flasin për barazi nuk e kanë përmirësuar jetën e gruas në Kosovë. Gruaja sot mban peshën e dyfishtë të kujdesit ndaj punëve të shtëpisë dhe të punës me pagesë. Ndërkaq, në rastet edhe më të shpeshta përballet me papunësi”.

“Puna dhe të ardhurat materiale ia përcaktojnë asaj vetëdijen dhe përvojat jetësore. Shtypja e përditshme e grave duhet luftuar çdo ditë. Çështjet madhore si kjo nuk fitohen pa luftuar, ndaj shoqëria duhet të reagojë kolektivisht. Burra dhe gratë së bashku duhet bërë bashkë për kontroll e ndarje më të barabartë të pasurisë”.

Sipas VV-së, rasti i Shyhrete Berishës duhet të jetë fija e cila, përmes trysnisë qytetare, duhet ta marrë pronën që i takon, dhe ta zgjidhë lëmshin e madh që e ka krijuar sistemi politik-ekonomik.

Mirëpo, kjo nuk ndodhë pa shkundje shoqërore prej sistemeve të vjetra, e kjo bëhet nëpërmjet një shteti të së drejtës që ka për synim barazinë shoqërore e ekonomike. /PrizrenPress.com/

Suharekë/Rahovec: Tetë të lënduar në tri aksidente trafiku

0

aksident ne autostradTetë persona janë lënduar në tri aksidente trafiku që kanë ndodhur në Suharekë dhe Rahovec. Aksidentet kanë ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës.

“Në fshati Carralevës të Suharekës, raportohet për një aksident trafiku në mes të tri veturave, njëra VW pasat që drejtohej nga i dyshuari mashkull K-Shqiptar, veturës Opel Korsa dhe kamionit me rimorkio Man që drejtoheshin nga viktimat meshkuj K-Shqiptarë. Deri tek aksidenti ka ardhur për shkak të mospërshtatjes së shpejtësisë së lëvizjes me kushtet e rrugës nga i dyshuari i cili e godet nga prapa veturën që drejtohej nga viktima e më pastaj e godet në pjesën e pasme kamionin me rimorkio.

Si pasojë e aksidentit lëndime trupore marrin të dy drejtuesit e të dy veturave si dhe katër pasagjerë, tre meshkuj dhe një femër K-Shqiptare. Të lënduarit kanë pranuar tretman mjekësor në spitalin rajonal e më pas janë liruar. Nuk raportohet për të arrestuar”, thuhet në raportin e Policisë.

Ndërkaq, dy akisdentet tjerë kanë ndodhur në Rahovec, përkatësisht njëri në fshatin Drenoc. Si pasojë ngasësit kanë pësuar lëndime trupore dhe të njëjtit ka pranuar tretman mjekësornë emergjencën e Rahovecit. /PrizrenPress.com/

Dy vjedhje të rëndë në Malishevë

0

Vjedhje me maskeNë Malishevë kanë ndodhur dy vjedhje të rënda. Njëra në një shtëpi private në fshatin Banjë dhe tjetra në një fermë në rrugën “Gjergj Kastrioti” në Malishevë. Vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 6600 euro.

Sipas informatave që ia ka dhënë policisë pronarja e shtëpisë thuhet se persona të panjohur me forcë kanë hyrë në shtëpi dhe nga aty ka vjedhur stoli ari dhe një televizor me vlerë rreth 3600 euro.

“Ankuesja femër K-Shqiptare ka raportuar se të dyshuar të panjohur me forcë kanë depërtuar në shtëpinë e saj me ç’rast i janë vjedhur stoli ari dhe një televizor. Vlera e dëmit të shkaktuar është rreth 3600 euro. Njësiti përkatës policor po merret me hetimin e rastit”, thuhet në raportin e PK-së.

Ndërsa, në rastin e dytë pronari i fermës ka raportuar se persona të panjour kanë hyrë me forcë në fermën e tij dhe nga aty kanë vjedhur makinën e sistemit të qumeshtit.

“Ankuesi mashkull K-Shqiptar ka raportuar se të dyshuar të panjohur me forcë kanë depërtuar në fermën e tij me ç’rast i është vjedhur makina e sistemit të qumështit në vlerë prej rreth 3000 euro. Njësiti përkatës policor po merret me hetimin e rastit”. /PrizrenPress.com/