21.7 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 7395

Kurti e quan Thaçin sadist e Isën mazohist

0

AlbinKurti1205Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, gjatë një tubimi me qytetarë në Viti, ka nxjerrë detaje nga takimet me liderët e LAN-it. Ai ka thënë se, gjatë takimeve të krerëve të LAN-it, Fatmir Limajn u pati treguar se Thaçi është njeri sadist, “pra ai kënaqet duke i parë të tjerët teksa vuajnë”. Por sipas Kurtit, “përderisa Thaçi qenka sadist, i bie që Isa Mustafa me gatishmërinë për nënshtrim është mazohist”.

Kurti, deri dje partner me Isa Mustafën, e akuzon këtë të fundit për tradhëti ndaj Bllokut, për çështje postesh dhe për t’u mbrojtur nga dosjet, të cilat ja ka dërguar në prokurori Komuna e Prishtinës, e drejtuar nga Vetëvendosje.

Në një tubim me qytetarë në Viti, Kurti ka thënë se, koalicioni LAN është prishur për çështje postesh, ndërsa ujdia e Mustafës me Thaçin është ndrequr për çështje dosjesh.

“Për pesë muaj rresht asnjërin prej 63 deputetëve që kishin formuar shumicën parlamentare as nuk i frikësoi e as nuk i bleu dot PDK-ja, por kreu i LDK-së Isa Mustafa u shit te Hashim Thaçi. Të shënojë autogol nga penaltia mund të bëjë vetëm një njeri i talentuar për dobësi si Isa Mustafa”, ka thënë Kurti, transmeton lajmi.net.

Kurti tha që Mustafa bëri ujdi e jo marrëveshje sepse ai nuk bëri negociata para marrëveshjes, por qeveria u nda përgjysmë si plaçkë pas nënshtrimit ndaj Thaçit.

“Kjo shpejtësi e ujdisë vjen nga ato 70 lëndë në prokurori të krimit ekonomik e urbanistik të komunës së Prishtinës kur atje ishte kryetar Isa Mustafa e të cilat ambasadorja amerikane Jacobson ia futi në frigorifer për ngrirje të cekët. Dy ditë pasi që Ambasadorja amerikane iu tha krerëve të LAN-it që edhe ju jeni të korruptuar andaj s’keni pse të distancoheni nga Thaçi, ajo shkoi te u.d. i kryeprokurorit të Kosovës, Sylë Hoxha, i cili është po ashtu i kapur: në njërën anë e mbajnë peng në pozitën e ushtruesit të detyrës e, në anën tjetër, vëllau i tij, Elez Hoxha, është në burg për korrupsion i dënuar me katër vjet pasi që si gjykatës ka marrë ryshfet”, ka thënë lideri i Vetëvendosjes.

Kurti tha se tani Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e dëmtojnë Kosovën.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës na kanë ndihmuar shumë në kohë lufte për çlirim por tash Ambasada Amerikane nuk po e ndihmon Kosovën në kohë paqe për zhvillim dhe demokratizim. Përkundrazi”.

Sipas Kurtit, PDK e ka poshtëruar Haradinajn dhe AAK-në.

“PDK-ja nuk e pranoi ofrimin e Ramush Haradinajt dhe të AAK-së në fillim të kësaj jave dhe kësisoj e refuzoi për së dyti atë duke e pasur për qëllim jo vetëm përdorimin e Haradinajt për shkatërrimin e LAN-it por edhe poshtërimin e Haradinajt e të AAK-së”.

Letërsia, ku Zija Çela sublimohet

0

MehmetKrajaPesë romanet e fundit të Zija Çelës janë saga alegorike më e madhe e letërsisë shqipe. “Arkipelagu Spiritus” sapo ka dalë në qarkullim.

Mehmet KrajaShkathtësia, me të cilën është ndërtuar realiteti i figurshëm imagjinar tek “Arkipelagu Spiritus”, është e pashembullt në letërsinë tonë, mund të krahasohet me Huxley-n dhe Orwell-in. Roman polivalent, me një shtresim të përgjithshëm alegorik dhe shumë shtresime të tjera, që shkojnë deri te mikrostrukturat. Sa i përket shkrimit, më vjen ndër mend një shprehje e njohur: fjalitë ngjajnë me gjethet e një pylli, mund të gjenden dy të ngjashme, por kurrë të njëjta. Dhe kjo është arritje e madhe në letërsi. Përgjatë leximit, krahas shijimit të vlerave estetike, ruhet e ndezur kureshtja edhe për lexuesin e zakonshëm.

Në aventurën e leximit të një vepre letrare nuk prirem nga analizat dhe sqarimet e nocioneve, sepse konsideroj se dija e nocioneve është mundësi e barabartë për të gjithë, njëkohësisht edhe parakusht për depërtim njohës në secilën fushë. Megjithatë, një sqarim paraqitet i nevojshëm në leximin e “Arkipelagut Spiritus” të Zija Çelës, sepse sikundër kam thënë edhe më parë, si shkrimtar duket se Zija Çela ka arritur në atë pikë, kur shkrimi nuk është më kërkim, nuk është zbulim, por është sublimim, madje matje me mundësitë ose pamundësitë e gjuhës. Pra “mundësitë ose pamundësitë e gjuhës” janë çelësi i parë për një analizë substanciale të kësaj vepre.

Dhe tani do të përmend dy koncepte të zakonshme për fushën e letërsisë, metaforën dhe alegorinë, meqë syni im është të jem i qartë në këtë pikë. Romani “Arkipelagu Spiritus” i Zija Çelës është alegori, jo metaforë. Nëse te metafora na bie në sy fakti se kuptimi i bartur lidhet me një figurë, alegoria është një metaforë e zgjatur dhe shtrihet në tërë kuptimin e tekstit, ndonjëherë të rrëfimit, dhe në rastin e Zija Çelës të krejt veprës letrare. Thënë ndryshe, nëse metafora “bën sikur”, apo është një lloj shpërndërrimi i kuptimeve, alegoria në këtë rast ndërton një realitet artistik të tërësishëm, ekuivalencën e të cilit mund ta gjejmë vetëm nëse e perceptojmë krejt rrëfimin e romanit si lojë të figurshme të të shprehurit përmes një kuptimi të bartur që shtrihet në krejt subjektin, në gjetjet dhe personazhet e romanit.

Unë ia kam bërë vetes këtë pyetje, pse Zija Çela ka nevojë të flasë në mënyrë kaq alegorike në pesë romanet e tij të fundit që, po u morën së bashku, përbëjnë sagën alegorike më të madhe të letërsisë shqipe? Pra, përse shkrimtarit i duhet të ndërtojë një realitet alegorik dhe të na japë kuptime të bartura për një sërë ndodhish e fenomenesh jetësore, që na rrethojnë dhe i kemi pranë? E bën këtë vetëm për efekte letrare? A thua nuk i mjaftuaka “literaliteti” i vetvetishëm i këtij realiteti, por u dashka ta përfshijë në një projeksion tjetër, tërësisht të bartur e tërësisht të “sendërgjuar”, thënë kuptimisht? Mos ky realiteti ynë qenka tepër prozaik, i papërdorshëm, refuzues, i tillë që kur përfshihet në letërsi nuk na thotë gjë, ose së paku nuk na i shpërfaq esencat jetësore e artistike? Pse i duhet shkrimtarit të ndërtojë një realitet tjetër, aq i ngjashëm me këtë që jetojmë, por i zhvendosur në nivele të tjera të një bote të përpunuar dhe transformuar përmes imagjinatës krijuese? Pse pra Zija Çelës nuk i mjafton imagjinata e zakonshme, por i duhet një imagjinatë më shpërthyese, e cila e transformon realitetin në alegori?

Përgjigjja aproksimative është: Që nga “Las Varrezas” (2005 ) e deri te “Arkipelagu Spiritus” (2014 ), përmes “SOS, një buzëqeshje” (2009 ), “Goja e botës” (2010 ) dhe “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” (2011 ), rrëfimi i Zija Çelës anon nga rrëfimi heterodiegjetik, sipas Zhenetit, duke mos përjashtuar ndonjëherë edhe mundësinë e identifikimit të narratorit me autorin. Me një fjalë, nuk kemi të bëjmë me nja narrator statik, që kundron e gjykon, por që futet në brendinë e rrëfimit dhe zbërthen polivalencën kuptimore të shtresimeve tekstore. E megjithatë, herë i identifikuar e herë i paidentifikuar, autori i kalon me lehtësi zhvendosjet nga realiteti fiktiv, që është karakteristikë e secilës prozë artistike, në realitetin alegorik, çfarë kemi në këto romane të Zija Çelës. E kështu esenca e përgjigjes në aspektin brendatekstor qëndron te vetë autori, ndërsa në aspektin e leximit, respektivisht të komunikimit, realiteti alegorik do të perceptohet si një interpretim ironik, ndonjëherë edhe dëshpërimisht cinik i realitetit ekzistues. Zija Çela pikërisht këtë e dëshiron, dëshiron të tallet në mënyrë perfekte me realitetin e shëmtuar, por këtë tallje nuk e shpërfaq i veshur me rroba cirku, por me një kostum elegant krejtësisht artistik. Pothuajse në secilin nga këto pesë romane autori bën shkapërcim narrativ: nga narratori heterodiegjetik, në fund të rrëfimit i kthehet narratorit homodiegjetik. E kjo ndodh sepse pothuaj në secilin roman Zija Çela si autor na del lehtësisht i identifikueshëm, tani jo “i fshehur”, jo “duke bërë sikur”, jo i veshur me alegori, por krejtësisht real, i tillë siç është, pa u kamufluar, pa u sendërgjuar as para lexuesit e as para Zotit. Më anë tjetër, me këtë shndërrim të narratorit “të jashtëm” në një narrator sui generis, Zija Çela sikur na kërcënon jo pa shpotitje: Ruhuni, sepse ju që po lexoni këto libra, mund të përfundoni fare lehtë si personazhe alegorike të një fiksioni të ri të kësaj sage!

Nëse në “Las Varrezas”, romani i parë i ciklit, temë bosht është sakrifica njerëzore, në të dytin “SOS, një buzëqeshje” është mëshira; në të tretin “Goja e botës” është flijimi; në të katërtin “Apokalipsi sipas Shën Tiranës” është rrëfimi i shpirtit njerëzor; në të pestin “Arkipelagu Spiritus”është ironia e hollë deri në përbuzje e vanitetit.

E këto tema janë sa shqiptare, po aq universale./mehmet kraja/

Tare rrëmon në fotot e harruara: Ushtari italian qethet në front

0

98506Një nga fotot e mrekullueshme të frontit në Luftën e Parë Botërore në Shqipëri. Ushtar italian duke u qethur.”

Me këtë diçiturë ka postuar një fotografi në internet, Auron Tare, kreu i Agjensisë Kombëtare të Bregdetit, i cili gjithnjë rrëmon në histori dhe nxjerr në pah, pasuri të fshehta të vendit dhe pjesë të kulturës dhe historisë së tij.

Kadri Veseli e Hajredin Kuçi në garë për kryetar Kuvendi

0

kadri veseli hajredin kuciNdonëse posti kryesor politik në vend, ai i Kryeministrit vazhdon të jetë i diskutueshëm se kujt do t’i takoj PDK-së apo LDK-së, në ndërkohë ka filluara gara në PDK se kush do ta marrë postin e kryetarit të Kuvendit.

Gazeta Blic nga burime të saja ka marrë vesh se më nuk do të jetë në garë për kryetar të Kuvendit asnjëri nga dy kandidatët që PDK i kishte kandiduar më herët. Pra, as Agim Aliu e as Arsim Bajrami më nuk do të jenë në garë për pozitën e kryekuvendarit.

“Momentalisht si emra më të mundshëm po përmenden emri i nënkryetarit Hajredin Kuçi dhe i zëvendëskryetarit, Kadri Veseli. Mirëpo, asgjë nuk është definitive, sepse mund të ndodhë që të jetë edhe ndonjë kandidat i tretë dhe Veseli e Kuçi të jenë pjesë e ekzekutivit”, ka thënë ky burim i Gazetës Blic brenda PDK-së.

Në opinion po qarkullojnë informata se Kadri Veseli mund të jetë edhe zëvendëskryeministri i parë dhe ministër i ndonjë dikasteri të rëndësishëm, nëse këtë post do ta merrë LDK-ja.
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi i ka thënë Gazetës Blic, se ende nuk janë duke diskutuar për poste.

Ndërkohë, deputetja më e vjetër e Kuvendit të Kosovës, Flora Brovina ka paralajmëruar se shumë shpejt do ta thërras seancën konstituive, porsa koalicioni LDK- PDK ta ketë emrin e kryetarit të Kuvendit.

Gazeta Blic para disa ditësh raportoi se me gjasë të mërkurën mund të thirret seanca konstituive e Kuvendit.

Vendi pas më shumë se pesë muajsh bllokadë, ku askush nga partitë parlamentare nuk pranonte të hynte në koalicion me PDK-në, ka arritur që të ketë një koalicion. Është partia e Isa Mustafës, LDK ajo e cila u largua nga Blloku dhe iu bashkua PDK-së.

NISMA heq çdo dilemë: Mbesim në opozitë

0

Nisma-Limaj3Partia e Fatmir Limajt ka njoftuar se mbesin përfundimisht në opozitë dhe nuk i bashkohen Qeverisë PDK-LDK.

“NISMA për Kosovën duke qenë e bindur në nevojën për ndryshim nëjetën politike të Kosovës i siguron anëtarët, simpatizantët, votuesit e saj, si dhe gjithë qytetarët e Kosovës se do të jetë zë i fuqishëm opozitar deri në arritjen e ndryshimit që i duhet vendit”, thuhet në njoftimin e Partisë së Limajt.Sidoqoftë, kjo parti e ka përmendur edhe një herë se në të mirë të Kosovë do të ishte ndryshimi i qeverisjes.

“NISMA për Kosovën gjatë jetës së saj politike me forcë e ka proklamuar nevojën për një qeverisje të mirë në Republikën e Kosovës. Duke u nisur nga nevoja për rrotacion dhe për qeverisje ndryshe, ne dhe aleatet ndërtuam koalicionin për ndryshim.

Nevoja për ndryshimin e qeverisjes në vend ishte synimi dhe motivi i bashkimit tonë për interesin e qytetarëve të Kosovës. Kësaj politike i kemi qëndruar besnik, mbi bazën e një parimësie konsistente. NISMËS i vije keq që me gjithë përpjekjen e saj humbëm shansin e ndryshimit të shumëpritur nga qytetarët.”

Haradinaj akuzon Isa Mustafën se deshi ta dërgonte te Thaçi

0

Ramush Haradinaj14-14Lideri i AAK-së Ramush Haradinaj vazhdon ta kritikojë Isa Mustafën për lidhjen e koalicionit me PDK-në dhe prishjen e bllokut.

Gjatë një takim me struktura dhe qytetarë në Pejë, në lidhje me zhvillimet në vend Haradinaj tha se Mustafa i kërkoj atij që të lëshojë rrugë, në mënyrë që ta dërgonte tek PDK-ja dhe Hashim Thaçi.

Haradinaj e ka quajtur rrezik të madh nëse do ta merrnin ndonjë veprim të tillë, sepse do t’i linin rrugës sepse dy partitë kanë numra të mjaftueshëm për çfarëdo që ju nevojitet.

Me tutje kreu i AAK-së, përcjell kp shtoi se edhe vet njerëzit e dy partive janë të shqetësuar se nuk do të ketë ulje të korrupsionit, krimit, e që sipas tij, populli nuk do ta duroj këtë.

Kryetari i AAK-së në Pejë, Ali Berisha tha se zhvillimet e fundit politike në Kosovë, ia kanë zbehur perspektiven e Kosovës.

Isa Mustafa, sërish kandidon për Kryetar të LDK’së

0

Isa mustafaaaIsa Mustafa, e ka në plan sërish të jetë kandidat për Kryetar të LDK’së, në zgjedhjet që pritet të nisin muajin ardhshëm.

Burime të Express kanë thënë se Mustafa fillimisht po synon ta marrë pozitën e Kryeministrit e pastaj t’i shpallë zgjedhjet e brendshme dhe të udhëheq LDK’në edhe për një mandat.

Zyrtarë të LDK’së i kanë thënë Gazetës Express se Mustafa nuk e ka përkrahjen e një pjesë të madhe të udhëheqjes së LDK’së, por tash pas koalicionit me PDK’në gjërat kanë ndryshuar.

“Në Kryesi është hapur tema e kandidatin për Kryetar. I është kërkuar të deklarohet nëse kandidon në mënyrë që mos të ketë kandidat të tjerë. z. Mustafa s’ka dashur të flas për këtë temë”, ka thënë njëri prej zyrtarëve të Kryesisë së LDK’së.

Mirëpo, në garë për kreun e LDK’së, pritet të jetë edhe Vjosa Osmani. Ajo tashmë ka nisur fushatën për të marrë udhëheqjen e partisë së themeluar nga Ibrahim Rugova.

“Fjalim i Vjosa Osmanit në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së është platforma e saj për të ardhur në krye të LDK’së”, ka shtuar ai.

Isa Mustafa, prapa vetës ka tri humbje, dy palë zgjedhje nacionale dhe në zgjedhjet lokale humbi edhe Prishtinën.

Deri më tash, për Kryetar të LDK’së janë përmendur edhe Lutfi Haziri, Fatmir Sejdiu, Arben Gashi e Vjosa Osmani.

Prizren/Malishevë: Dy vetura godasin dy këmbësor

0

Aksident shiritatDy këmbësor kanë pësuar nga dy aksidente të veturave në trafik. Aksidenti i parë ka ndodhur në lagjen e “Ulqinit” në Prizren, ndërsa aksidenti i dytë në fshatin Llashkadrenoc të Malishevës.

“Në rrugën e ‘Ulqinit’ ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin ishte i involvuar automjetit ‘Golf’ që drejtohej nga i dyshuari si dhe viktima,përkatësisht këmbësori i nacionalitetit rom”, njofton Policia e Kosovës.

“Deri të aksidenti ka ardh nga ngasja e pakujdesshme dhe mospërshtatja e shpejtësisë se lëvizjes me kushtet e rrugës nga ana e te dyshuarit me rast i njëjti me veturë ka goditur këmbësorin”

“Viktima ka pësuar lëndime te rënda dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor ne Spitalin Rajonal te Prizrenit”.

Ndërkaq, aksidenti i dytë ka ndodhur në fshatin Llashkadrenoc të Malishevës.

“Në këtë fshat ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një veture “Pasat” me ngasës dhe një këmbësori”

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar viktima i cili dërgohet për tretman mjekësor ne QKUK-Prishtinë.”./PrizrenPress.com/

PDK bën hajgare me LDK-në

0

Hashim thaci e Kadri veseliAdem Grabovci nga PDK thotë se në kohën kur u nënshkrua marrëveshja nuk është diskutuar për ndarjen e posteve.

Sipas tij, këtë e ka konfirmuar edhe Presidentja Atifete Jahjaga.

“Është ende herët të flitet për atë punë. Nga ana tjetër, e keni parë marrëveshjen me shkrim aty shihet se nuk është negociuar për asnjë përgjegjësi”.

“Janë grupet punuese të ngarkuara nga të dy partitë dhe ata do t’i deshifrojnë ato”.

“Për më tepër nuk është diskutuar për asnjë send. Këtë e ka konfirmuar edhe presidentja edhe marrëveshja e shkruar”, ka thënë Grabovci për Politiko.net.

Lidhjen e koalicionit me LDK’në, Grabovci e ka quajtur sukses për të gjithë qytetarët.

“Koalicionin me LDK’në e vlerësoj si një sukses për të gjithë qytetarët e vendit. Urime edhe juve”, ka thënë dukshëm i disponuar Adem Grabovci. Politiko.net/

Pakënaqësi dhe dyshime në LDK: A do ta pranojë PDK-ja Isën kryeministër?

0

HashimThaci-IsaMustafaLideri i LDK-së, Isa Mustafa ende nuk e ka të sigurt se do ta marrë postin e shefit të Qeverisë. Megjithëse katër ditë më parë është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes PDK-së e LDK-së, askush nuk i jep garanci se do të bëhet kryeministër.

Bindjen se Mustafa do ta marrë këtë pozitë e shprehin vetëm disa anëtar të LDK-së.

Grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së janë takuar të premten në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar rreth ndarjes së posteve.

Takimi ka zgjatur dy orë, ka përfunduar pa zbardhur detaje të bisedave që janë zhvilluar mesë palëve. Së bashku LDK dhe PDK kanë 67 deputetë dhe mund të llogarisin edhe në përfshirjen e pakicave, të cilat kanë të rezervuara 20 ulëse në Kuvend shkruan Gazeta Tribuna në numrin e saj të sotëm.

Edhe dje Gazeta Blic ka raportuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të heq lehtë dorë nga posti i kryeministrit. Një zyrtar i lartë në PDK kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se PDK është partia fituese e zgjedhjeve dhe nuk do të heq dorë lehtë nga posti i kryeministrit.

“PDK nuk do t’ia lëshoj Isa Mustafës postin e kryeministrit. Nuk jemi marrë vesh për postin e kryeministrit. Jemi marrë vesh për bashkëqeverisje dhe kaq. Ne jemi partia fituese e zgjedhjeve dhe neve na takon posti i kryeministrit”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jackobson ka qartësuar se ajo nuk garanton kurrfarë marrëveshje.

As në Lidhjen Demokatike të Kosovës askush deri më tani nuk ka deklaruar publikisht se do të jetë kryeministër por vetëm është thënë se Kandidati do të jetë Isa Mustafa. Krejt çka ka thënë nga LDK është një kumtesë disa rreshtash, që u lëshua të mërkurën menjëherë pas marrëveshjes, e ku u tha se LDK do ta ketë postin e kryeministrit.
Përjashtim këtu bën Dega e LDK-së në Gjilan, të cilët dje kanë festuar për Lutfi Hazirin kryeministër i ri i Kosovës.
Në anën tjetër, nga PDK askush nuk ka folur ende për postin e kryeministrit zyrtarisht. As kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk ka folur për këtë post. Në paraqitjen e vetme publike që e ka pasur pas arritjes së marrëveshjes, ditën e enjte pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, ai nuk ka dashur të flas se kujt i takon kryeministri.

Në opinion, ndërkaq, po qarkullojnë ide se Hashim Thaçi të jetë kryeministër për një periudhë gati dy vjeçare, që pastaj të kaloj në postin e presidentit, në mënyrë që pastaj Isa Mustafa të vij në krye të ekzekutivit.

Kjo marrëveshje duket se i ka kushtuar shumë LDK-së. Pos që anëtarë të thjeshtë të kësaj partie po protestojnë në rrjete sociale në Kryesi të partisë ka ndodhur përçarje.

Të paktën 5 deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar votë kundër qeverisë PDK- LDK. Vjosa Osmani, Alma Lama, Doruntinë Maloku, Adem Salihaj tashmë kanë paralajmëruar votë kundër këtij koalicioni. Ndërkaq, deputeti tjetër Kujtim Shala pos në këshillin e Përgjithshëm edhe në Kryesi ka paralajmëruar se është kundër këtij koalicioni./ Gazeta Blic/