31.2 C
Prizren
E martë, 24 Qershor, 2025
Home Blog Page 7396

Prizren/Malishevë: Dy vetura godasin dy këmbësor

0

Aksident shiritatDy këmbësor kanë pësuar nga dy aksidente të veturave në trafik. Aksidenti i parë ka ndodhur në lagjen e “Ulqinit” në Prizren, ndërsa aksidenti i dytë në fshatin Llashkadrenoc të Malishevës.

“Në rrugën e ‘Ulqinit’ ka ndodhur një aksident trafiku në të cilin ishte i involvuar automjetit ‘Golf’ që drejtohej nga i dyshuari si dhe viktima,përkatësisht këmbësori i nacionalitetit rom”, njofton Policia e Kosovës.

“Deri të aksidenti ka ardh nga ngasja e pakujdesshme dhe mospërshtatja e shpejtësisë se lëvizjes me kushtet e rrugës nga ana e te dyshuarit me rast i njëjti me veturë ka goditur këmbësorin”

“Viktima ka pësuar lëndime te rënda dhe i njëjti është dërguar për tretman mjekësor ne Spitalin Rajonal te Prizrenit”.

Ndërkaq, aksidenti i dytë ka ndodhur në fshatin Llashkadrenoc të Malishevës.

“Në këtë fshat ka ndodhur një aksident trafiku në mes të një veture “Pasat” me ngasës dhe një këmbësori”

“Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar viktima i cili dërgohet për tretman mjekësor ne QKUK-Prishtinë.”./PrizrenPress.com/

PDK bën hajgare me LDK-në

0

Hashim thaci e Kadri veseliAdem Grabovci nga PDK thotë se në kohën kur u nënshkrua marrëveshja nuk është diskutuar për ndarjen e posteve.

Sipas tij, këtë e ka konfirmuar edhe Presidentja Atifete Jahjaga.

“Është ende herët të flitet për atë punë. Nga ana tjetër, e keni parë marrëveshjen me shkrim aty shihet se nuk është negociuar për asnjë përgjegjësi”.

“Janë grupet punuese të ngarkuara nga të dy partitë dhe ata do t’i deshifrojnë ato”.

“Për më tepër nuk është diskutuar për asnjë send. Këtë e ka konfirmuar edhe presidentja edhe marrëveshja e shkruar”, ka thënë Grabovci për Politiko.net.

Lidhjen e koalicionit me LDK’në, Grabovci e ka quajtur sukses për të gjithë qytetarët.

“Koalicionin me LDK’në e vlerësoj si një sukses për të gjithë qytetarët e vendit. Urime edhe juve”, ka thënë dukshëm i disponuar Adem Grabovci. Politiko.net/

Pakënaqësi dhe dyshime në LDK: A do ta pranojë PDK-ja Isën kryeministër?

0

HashimThaci-IsaMustafaLideri i LDK-së, Isa Mustafa ende nuk e ka të sigurt se do ta marrë postin e shefit të Qeverisë. Megjithëse katër ditë më parë është arritur marrëveshja për bashkëqeverisje mes PDK-së e LDK-së, askush nuk i jep garanci se do të bëhet kryeministër.

Bindjen se Mustafa do ta marrë këtë pozitë e shprehin vetëm disa anëtar të LDK-së.

Grupet punuese të PDK-së dhe LDK-së janë takuar të premten në Kuvendin e Kosovës për të diskutuar rreth ndarjes së posteve.

Takimi ka zgjatur dy orë, ka përfunduar pa zbardhur detaje të bisedave që janë zhvilluar mesë palëve. Së bashku LDK dhe PDK kanë 67 deputetë dhe mund të llogarisin edhe në përfshirjen e pakicave, të cilat kanë të rezervuara 20 ulëse në Kuvend shkruan Gazeta Tribuna në numrin e saj të sotëm.

Edhe dje Gazeta Blic ka raportuar se Partia Demokratike e Kosovës nuk do të heq lehtë dorë nga posti i kryeministrit. Një zyrtar i lartë në PDK kushte anonimiteti i ka thënë Gazetës Blic se PDK është partia fituese e zgjedhjeve dhe nuk do të heq dorë lehtë nga posti i kryeministrit.

“PDK nuk do t’ia lëshoj Isa Mustafës postin e kryeministrit. Nuk jemi marrë vesh për postin e kryeministrit. Jemi marrë vesh për bashkëqeverisje dhe kaq. Ne jemi partia fituese e zgjedhjeve dhe neve na takon posti i kryeministrit”, ka thënë ky burim.

Ndërkohë, edhe gjatë ditës së sotme ambasadorja amerikane në Kosovë, Tracy Ann Jackobson ka qartësuar se ajo nuk garanton kurrfarë marrëveshje.

As në Lidhjen Demokatike të Kosovës askush deri më tani nuk ka deklaruar publikisht se do të jetë kryeministër por vetëm është thënë se Kandidati do të jetë Isa Mustafa. Krejt çka ka thënë nga LDK është një kumtesë disa rreshtash, që u lëshua të mërkurën menjëherë pas marrëveshjes, e ku u tha se LDK do ta ketë postin e kryeministrit.
Përjashtim këtu bën Dega e LDK-së në Gjilan, të cilët dje kanë festuar për Lutfi Hazirin kryeministër i ri i Kosovës.
Në anën tjetër, nga PDK askush nuk ka folur ende për postin e kryeministrit zyrtarisht. As kryetari i PDK-së, Hashim Thaçi nuk ka folur për këtë post. Në paraqitjen e vetme publike që e ka pasur pas arritjes së marrëveshjes, ditën e enjte pas përfundimit të mbledhjes së Kryesisë së partisë, ai nuk ka dashur të flas se kujt i takon kryeministri.

Në opinion, ndërkaq, po qarkullojnë ide se Hashim Thaçi të jetë kryeministër për një periudhë gati dy vjeçare, që pastaj të kaloj në postin e presidentit, në mënyrë që pastaj Isa Mustafa të vij në krye të ekzekutivit.

Kjo marrëveshje duket se i ka kushtuar shumë LDK-së. Pos që anëtarë të thjeshtë të kësaj partie po protestojnë në rrjete sociale në Kryesi të partisë ka ndodhur përçarje.

Të paktën 5 deputetë të LDK-së kanë paralajmëruar votë kundër qeverisë PDK- LDK. Vjosa Osmani, Alma Lama, Doruntinë Maloku, Adem Salihaj tashmë kanë paralajmëruar votë kundër këtij koalicioni. Ndërkaq, deputeti tjetër Kujtim Shala pos në këshillin e Përgjithshëm edhe në Kryesi ka paralajmëruar se është kundër këtij koalicioni./ Gazeta Blic/

Vataj priti djalin e Ukshin Hotit, Andinin

0

vataj andini1Rektor i Universitetit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj,ka pritur në një vizitë, Andin Hotin, djalin e intelektualit dhe atdhetarit Ukshin Hoti, emrin e të cilit e mbanë ky universitet.

Andin Hoti e uroi Rektorin Vataj për pozitën duke i dëshiruar suksese në punë. Me këtë rast ai theksoi se Universiteti që mbanë emrin e babait të tij tashmë ka marrë një rektor i cili përpos vlerave akademike e intelektuale i ka edhe vlerat atdhetare, duke marr parasysh që vjen nga një familje që ka dhënë shumë për këtë vend.

Ndërkaq, Andini i dhuroi rektorit Vataj fotografinë e babait të tij, Ukshin Hoti.
Rektori Vataj e falënderoi Andin për vizitën dhe urimet.

Ai theksoi se është motiv për punën e tij si rektor emri që e mban ky Universitet dhe se do të punoj që ky Universitet të nderoj emrin e intelektualit dhe atdhetarit Ukshin Hoti, i cili pos që ka qenë një atdhetar i dëshmuar me sakrificën e tij që ka bërë për vendin, është një intelektual dhe akademik nga universitetet më prestigjioze botërore.

Mall për familjen dhe miqtë

0

Atifete Jahjaga 2Presidentja Jahjaga, në intervistën ekskluzive dhe krejt ndryshe nga herat tjera për Indeksonline, e kujton me mall kur e ka përgatitur një darkë të shijshme për vetën dhe zotëriun e parë të Kosovës, , Astritin…dhe për shumçka tjetër. Kjo intervistë është realizuar ekskluzivisht për revistën javore “Indeks Paper”, produkt i Indeksonline, dhe që jepet falas në Aeroportin e Prishtinës.
-Një specialitet të përgatitur vet, mesiguri nga kuzhina aziatike, krahas muzikës dhe zërit të mrekullueshëm të Andrea Bocellit përbënë darkën e preferuar për Presidenten e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe bashkëshortin e saj, Astritin.

Muzika klasike mund të zëvendësohej ndonjëherë edhe me këngë qytetare shqiptare, por temat e preferuara të kësaj darke të pëlqyer nuk është lehtë t’i zgjedhësh.
Ata mund të flasin për cështjet gjinore që vazhdojnë të mbesin sfidë e Kosovës, për takimet e shumta me burrështetas dhe udhëheqëse të rëndësishme botërore, apo ndoshta edhe thjeshtëstinë dhe njërzillëkun e aktorëve më të rëndësishëm të kinematografisë botërore, Brad Pitt, Angelina Jolie apo

Leonardo Di Caprio kur Zonja Jahjaga i ka takuar.
E gjitha kjo do të ishte gati perfekte sikur këtë darkë, çifti i parë i Kosovës të ketë vërtetë mundësi ta realizojë.

Sikur të jesh president i një shteti nuk është angazhim i mjaftueshëm, muajt e fundit për të parën e shtetit të Kosovës kanë qenë një sfidë e cila ka bërë që Zonja Atifete Jahjaga të harroj kur ka kaluar kohë të lirë me familjen apo miqtë e saj.

Indeksonile: Zonja Presidente, ju lutem na përshkruani ditën tuaj, nga mëngjesi deri në mbrëmje?

Jahjaga: Çdo ditë ka specifikat e saj dhe natyrisht dinamikën e punës. E zakonshmja e secilës ditë është agjenda e ngjeshur edhe e takimeve me delegacione të ndryshme, qoftë nga vendi qoftë edhe nga jashtë vendit, por edhe e konsultave në kabinet për çështjet jo vetëm ditore. Mbi të gjitha përfaqësimi I Kosovës në botë kërkon angazhime të mëdha dhe përgatitje sepse vendi ka nevojë për konsolidimin e tij ndërkombëtar. Në rrethanat në të cilat ndodhet Kosova sot është e natyrshme që dita të jetë e ngarkuar, qoftë duke analizuar gjithë gjendjen edhe të sigurisë edhe politike, qoftë duke u përgatitur për takime me politikanët e Kosovës dhe gjithashtu edhe duke zhvilluar takime me ta. Më e rëndësishmja për institucionin është bashkërendimi dhe bashkëveprimi institucional sepse kjo mundëson veprimin e shtetit dhe gjithsesi funksionimin demokratik të institucioneve. Dua të them se pushimet gjatë ditës janë të shkurtra, shumë shpesh edhe dreka me kabinetin tim shndërrohet në drekë pune kur duhet të analizohen veprime dhe kur duhet të merren edhe vendime. Gjithashtu orari I punës është I papërcaktuar. Ardhja herët në zyre dhe dalja shumë vonë nga zyra, sepse dinamika e punës është e madhe dhe obligimet janë gjithashtu të mëdha.

Indeksonline: A ka kohë Presidentja të merret me çështje familjare, biseda me shoqëri-a është Presidentja në gjendje të pranoj thirrje prej ndonjë shoqeje që ka dëshirë të bëj bisedë private me ju?

Jahjaga: Realisht kam harruar kur kam pasur kohë për familjen time dhe mos të përmend miqtë e mi. Unë kam kohë për familjen vetëm në përfundim të ditës së punës e që zakonisht është shumë vonë. Kafet e mia me miqtë ose me familjen janë rralluar së tepërmi, dhe bisedat e mia tani janë shndërruar në biseda pune. Por megjithatë çdo moment mundohem ta shfrytëzoj që të jem pranë familjes sime.

Indeksonline: Nëse keni dy apo tri orë të lira gjatë ditës, si preferoni t’i kaloni ato?

Jahjaga: E nisët mirë pyetjen me fjalën “nëse”. Dy ose tri orë të lira gjatë ditës mund t’ju them se janë të rralla. Ju thash se dinamika e punës është e madhe dhe unë shfrytëzoj çdo moment për përgatitje. Diskutimet në kabinet për çështje të ndryshme, përveç agjendës së ngjeshur, të takimeve të shpeshta, udhëtimeve jashtë vendit, që janë udhëtime pune, janë të domosdoshme për të analizuar veprime dhe për të marrë edhe vendime më pastaj. Në çdo periudhë të lirë të kohës, sado e shkurtër të jetë, shfrytëzoj rastin të lexoj. Kohët e fundit, zhvillimet politike me marrin kohë më tepër dhe gjithashtu edhe analizat politike dhe ligjore.

Indeksonline: A keni ndonjë ushqim të preferuar? Nëse po, cili është dhe a keni dëshirë më shumë që ta përgatisni vet apo t’ua bëj gati dikush tjetër?

Jahjaga: E preferoj më shumë përgatitjen në shtëpi se sa ushqimet jashtë. Dikur kam pasur më shumë kohë dhe jam marrë më shumë me kuzhinën, kurse sot koha më mungon. Më pëlqen kur bëj një darkë të mirë dhe kur së bashku më bashkëshortin tim, Astritin, e shijojmë atë. Them sërish se kam pak, shumë pak kohë, për shkak të angazhimeve të ditës, por megjithatë çdo minutë kur më jepet mundësia kam dëshirë të përgatis ushqime qoftë tradicionale ose të provoj diçka të re. Kuzhina aziatike më pëlqen shumë.

Indeksonline: Cilat janë vendet më të preferuara për t’i vizituar nëper Kosovë dhe cili vend që tashmë e keni vizituar iu ka lënë përshtypje më shumë, dhe pse?

Jahjaga: Ju e dini se unë jam me prejardhje nga Gjakova, por realisht kam kaluar më shumë kohë në Prishtinë. E dua çdo pjesë të Kosovës, dhe kam shëtitur pothuaj çdo pjesë të saj. Më pëlqen shumë posaçërisht pjesa malore e saj, sepse shpërfaq gjithë bukurinë e shtetit. Kosova është vendi me bukuri të rrallë natyrore dhe unë e pëlqej shumë ecjen në natyrë.

Indeksonline: Keni pasur jo pak takime jo vetëm me udhëheqës shtetesh, por edhe persona të njohur nga industri të ndryshme, përfshi edhe ata të filmit. A mund të ndani me ne ndonjë moment interesant nga këto takime?

Jahjaga: Po kam takuar burrështetas të shumtë, në takime qoftë bilaterale qoftë multilaterale. Kam pasur takime të veçanta me Presidentin Obama, dhe nuk e harroj takimin e parë në Varshavë të Polonisë, pak muaj pasi u zgjodha Presidente. Gjithashtu nuk e harroj asnjë minutë të takimeve të mia me sekretaren Hillary Clinton. Çdo takim me të ka një të veçante të veten dhe unë dua ta kujtoj vizitën e saj në Kosovë, dhe mbështetjen për popullin e Kosovës e kurajon për mua dhe punën time. Gjithashtu dua të kujtoj edhe takimin me kancelaren Merkel në Dubrovnik e presidentin francez, Hollande në Lubjanë. Natyrisht nëpër gjithë këtë periudhë kohore kam takuar edhe figura të tjera të larta të politikës, Joe Biden, që më ka dhënë mbështetjen e madhe. Po e vërtetë që kam takuar edhe Angelina Jolie, Brad Pitt, Meryl Streep, Leonardo di Caprio, emra të njohur të kinematografisë botërore. Ajo që më le përshtypje është thjeshtësia e tyre, respekti dhe njerzillëku.

Indeksonline: Cilin zhanër të muzikës e preferoni më shumë?

Jahjaga: Muzika qytetare shqiptare. Por dëgjoj edhe zhanre të tjera, muzikën popullore shqiptare atë që do ta quaja burimore. Dhe nga muzika e huaj më shumë atë klasike.

Indeksonline: A keni ndonjë këngëtar të preferuar?

Jahjaga: Ka shumë që pëlqej, të gjithë artistët e mirëfilltë shqiptarë. Por këngëtari që më pëlqen më shumë, nga muzika klasike, është Andrea Bocelli.

Indeksonline: Marrë parasysh se jeni Presidentja e parë femër në Kosovë dhe në përgjithësi në Ballkanin Perëndimor, a keni një mesazh të veçant për femrat?

Jahjaga: Do të ritheksoj thënien e mikeshës sime dhe të popullit të Kosovës, sekretares Clinton: “Të drejtat e gruas janë të drejtat e njeriut”. Dhe ne duhet të luftojmë që t’i shfrytëzojmë ato. Unë nuk dua ta ndajë shoqërinë në burra e gra, sepse shoqëria përbëhet nga gratë e burrat. Në mënyrë të barabartë. Megjithëkëtë jo çdo shoqëri e ka tejkaluar çështjen e barazisë gjinore dhe as shoqëria jonë nuk I ka dhënë fund kësaj ndarjeje. Prandaj sa më shpejtë të tejkalojmë barrierat gjinore do ta kuptojmë se shoqëria e shëndoshë udhëhiqet barabarësisht nga të dyja gjinitë. E thonë se jemi gjinia më e dobët. Mund të jetë për nga fiziku, por ne – femrat – kemi dëshmuar se jemi të afta të udhëheqim me shtetin, sepse e dëshmojmë çdo ditë se udhëheqim me familjen. Ne jemi shtyllë e palëkundur e familjes, e shoqërisë dhe e shtetit.

Ferati: Isa Mustafa është kryeministër

0

Sadri-FeratiDeputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Sadri Ferati, beson se koalicioni PDK – LDK mund të sjellë ndryshime në interes të shtetit dhe të qytetarëve të Kosovës.

Në një intervistë për “Epokën e re”, ai ka deklaruar se ky koalicion do të jetë më funksional se ai i kaluari dhe, sipas tij, nuk ka arsye mos ta ketë mandatin e plotë.

“Mendoj se njerëzit pas një përvoje bëhen pak më të mençur. Ky koalicion duhet të jetë më funksional, sepse njerëzit nuk shkojnë duke e humbur dijen, por duke e fituar. Kështu që, edhe ajo përvojë mendoj se do t’i mësojë aktorët kryesorë. Tani e kanë mundësinë të bashkëpunojnë më mirë”, ka thënë Ferati, i cili ka qenë ministër i Pushtetit Lokal në koalicionin e parë të këtyre dy partive politike.

Ferati ka deklaruar se ka gjëra që duhet të merren edhe nga koalicioni i kaluar PDK – LDK, duke shtuar se askush nuk duhet të fshihet pas subjektit politik.

“Asgjë nuk përsëritet në formën e vet. Prandaj, ka gjëra se mund të përdoren nga koalicioni i kaluar, por ka gjëra që duhet të ndryshohen shumë. Mendoj se ato ndryshime duhet të bazohen edhe në një qasje pak më ndryshe se si si ka qenë në të kaluarën. Në rend të parë, mendoj se ministrat e ardhshëm apo kryeministri i ardhshëm nuk duhet të fshihen prapa partive dhe fuqisë politike, por secili duhet ta dëshmojë veten brenda ministrisë dhe institucioneve ku e ushtron përgjegjësinë”, është shprehur ai.

Sa i përket postit të kryeministrit, Ferati ka thënë se favorit për këtë post është lideri i kësaj partie, Isa Mustafa. “Deri më tani LDK-ja të nominuar për kryeministër ka liderin e saj, Isa Mustafën. Ndryshe asnjëherë nuk është diskutuar në forumet e LDK-së. Edhe herën e fundit nuk është diskutuar fare për emra, por është marrë vetëm vendimi që LDK-ja ta mbrojë qëndrimin që kryeministri t’i takojë LDK-së”, ka thënë Ferati.

Ai ka bërë me dije se marrëveshja me PDK-në është e realizueshme vetëm nëse LDK-së i jepet posti i kryeministrit. “Tash po flas personalisht, jo në emër të partisë dhe nuk frikësohem se kjo do të ndodhë, sepse mosdhënia e kryeministrit LDK-së nënkupton prishjen e këtij koalicioni dhe LDK-ja shkon në opozitë”, ka deklaruar Ferati. Ai e ka pranuar se me këtë koalicion e kanë befasuar elektoratin e tyre, i cili edhe mund t’i ndëshkojë.

Motiv në plazh

0

Hajdar MallakuShkruan: Hajdar Mallaku

Askush nuk mund t’i qëndronte diellit përvëlues të atij muaji të djegagurit. Të gjithë ishin strukur në hijen e çadrave që, po t’i shikoje nga lart, nga kreshta e thepisur e Shëngjinit, i ngjanin një grumbulli kërpurdhash mbirë pas një shiu të ngjeshur. Në det vetëm pushues të rrallë që fshiheshin pas valëve që vinin drejt bregut dhe shpërndaheshin. Diku më larg një barkë motorike e tërhiqte zvarrë një sportist me xhet-ski që herëpashere e humbte drejtpeshimin dhe binte. Në starje endeshin vetëm shitësit ambulantë që ofronin pije freskuese, fruta, suvenire apo gjësende të tjera. Këta nuk do t’ia dinin për vapën, i kish pjekur dielli i jugut dhe vetëm me një kapelë në kokë, shorce dhe bluzë e një palë sandale rëre, ecnin pa pushim dhe s’lodheshin, mu si mizat e dheut. Mbase dhe lodheshin, por jeta u grahte si me kamxhik. Shkonin çadër më çadër me një refren të njejtë fjalësh, ndonjëri prej tyre me ndonjë batutë domethënëse e ndonjëherë edhe banale. Vinin pak më rrallë dhe jevga që kërkonin të qitnin fall. Njëra syresh u zu me dy të rinj që ia prenë shkurt:

– Ne me shkollim universitar nuk na ka lezet të qesim fall te një fallxheshë, moj maxhupe.

– Ma qafsh leshin, gaxho! – tha jevga dhe u largua e mllefosur pse ia çvlerësuan profesionin.

Ne na plasi një të qeshur sa s’mund të përmbaheshim.

Në këtë kohë pushuesit hanin atë ushqim që e kishin marrë me vete, pinin lëngje, hanin fruta dhe nuk largoheshin nga plazhi për ta shfrytëzuar sa më në mënyrë racionale detin dhe ditën. Kishte të tillë që bënin një sy gjumë, që lexonin diçka nga gazetat e ditës apo dhe ndonjë vepër letrare. Dikush edhe këtu i rrahte problemet familjare. Zakonisht këtë e bënin çiftet në moshë, si ishim ne.

Në anën e majtë tonën pushonte që prej ditësh një grua me moshë mesatare, me një djalë dhe një vajzë të vogël. Nga biseda e tyre kuptova që ishin nga Kosova dhe se ajo ishte grua e ve. Burri i ishte vrarë në luftë dhe ende nuk i dihej varri. Në anën tjetër, në të djathten tonë, pushonte një çift i posamartur, por që kishin sjellje mjaft korrekte. Çiftet e posamartuara zakonisht ishim më eksplozivë, por këta ishin mjaft të vetëpërmbajtur. Në mes tyre qëndronim ne, më të moshuarit, unë dhe ime shoqe. Nuk e kishim ndërruar vendin tash e katër ditë edhepse nuk e kishim ndërruar asnjë fjalë njëri me tjetrin. Si duket kjo ndryshueshmëri moshash edhe na largonte, por në esencë edhe na bashkonte. Kishim pëlqyer shumçka te njëri tjetri dhe nuk e flisnim dot.

Pranë nesh, më në fund, u duk dhe një shitës librash. Ky qe i veshur më seriozisht. Në krah mbante një trastë librash, ndërsa në duar tre-katër tituj me emra më provokues të shkrimtarëve vendës dhe botërorë të ekspozuar në anën e majtë të krahërorit. Fjalët e tij qenë të matura dhe me nivel. Kur u afrua afër nesh, i përsëriti thirrjet:

-Urdhëroni libra!

Zëri i tij doli si i ngjirur, thuase kishte turp nga ajo punë që e bënte, apo s’donte t’ua prishte rehatinë në atë kohë vape.

-Zotëri, të lutem zotëri, qëndro për një moment! – tha zonja në krah të majtë.

Ajo nxori nga portofoli njëqind lekë, u mbështoll me një peshqir të madh banjoje dhe eci drejt tij.

-Të lutem, zotëri, mund të të mos kujtohem, por vitin e kaluar unë bleva nga ju dy libra dhe ju mbeta borxh njëqind lekë. Fjalët i kishim që unë t’ua sillja të nesërmën, por ju nuk u dukët as të nesërmën as të pasnesërmën. Unë u brengosa se mund t’u kishte ndodhur diçka dhe ditën vijuese ne udhëtuam për në Kosovë. Merrëni, ju lutem dhe më falni për të gjtha.

-Jo, zonjë, mbajini. Kjo është një cikrrimë. Është diçka e shkuar që s’është bërë me fajin tuaj. Mua vjet në këtë kohë më vdiq mamaja. Shkova nga plazhi në spital dhe pas tri ditësh ajo më la.

-Merrni, ju lutem zotëri. Këto janë tuajat. Janë djersa juaj. Unë prej vitit të kaluar e kam mbajtur të koduar këtë, si vath në vesh, e bindur se do t’ ju takoj dhe ju takova. Vetëm tash unë jam e qetë dhe e shkarkuar. Ndërsa për mamanë, ju shpreh ngushëllime! Merrini, ju lutem!

Librashitësi i futi paratë në xhep dhe u nis në ecejaket e tij zhagitëse duke nxjerrë nga fundi i tabaneve prapa cifla rëre dhe pluhur. Ne të gjithë sa ishim prezentë e kishim përcjellë me kureshtje këtë bisedë që na la pa frymë, jo për vlerën e atyre parave sa për gjestin domethënës dhe skofijar të zonjës.

Ditën tjetër vijuese libërshitësi prapë kish ardhur në plazh. Ishte prapë mesditë dhe unë po lexoja në gazetë disa reportazhe për viset më ekzotike të Veriut: për Grykën e Valbonës, për Currajt, për Thethin, për Vermoshin e vise tjera, vende ku ende s’kishte arritur modernja, vende mjerisht të zbrazura nga popullata, vende ku dikur kish lindur epika jonë e lavdishme e këngëve të kreshnikëve që edhe sot e kësaj dite kultivohen nga rapsodë dhe përcillen me lahutë. Më bënin përshtypje emërvendet ku kishin defiluar heronjtë legjendarë, Muji dhe Halili dhe heroinat si Tanusha, që ia merrte pahin edhe Helenës së Trojës, edhe Laurës së Petrarkës.

-Profesor! – dëgjova një zë.

E ngrita kokën pa e hequr shikimin nga reportazha dhe prapë vazhdova .

– Profesor! – dhe prapë e njëjta gjë. Nuk u përqëndrova pasi s’më kish veçuar me emër. Dhe prapë për të tretën herë.

– Profesor ! Profesor, me ju e kam, – dhe e drejtoi gishtin nga unë.

– Urdhëroni, ju lutem!- i thashë.

– Doni ta bleni ndonjë libër ? Mbase vitin e kaluar keni blerë nga unë. Tash po e rikthej ngadalë shiritin e kujtimeve.

I shikova titujt radhazi. Një prej tyre e veçova për ta marrë. Kur ma ofroi dhe një titull që ai e mbante si më të veçantë.

-Është ky një titull ku unë jam vetë autor,- më tha.

E mora dhe e shfletova nga kureshtja. I lexova disa radhë aty-këtu dhe i thashë se po e merrja. E mora më tepër për t’i dhënë kurajo këtij njeriu të mirë se sa për vlerën e tyre. Ishin poezi mesatare të një krijuesi të vogël. Derisa po e bënte pagesën, e pyeta se nga i kish marrë këto frymëzime. M’u përgjegj se kishte punuar plot tridhjetë e një vjet si lokomotivist, në sistemin komunist, dhe i kishte rënë ta shihte botën. Unë e dija se ai e kish parë vetëm Shqipërinë e izoluar dhe asgjë më tepër, por ia pohova me kokë.

– Doni t’ua sjellim një motiv nga Kosova?

– Motivet nuk sillen, nuk dirigjohen, por ato lindin, profesor.

– Ashtu është, zotëri, por motivet ngjan të sygjerohen nga dikush dhe shërbejnë si tharm për ta gatuar një vepër të madhe. Kujtoji “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit, apo “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Motivet ua kishin sygjeruar të tjerët.

– Po cili na qenka ai motiv sipas jush, ma thuaj.

– A nuk t’u duk gjesti i zonjës së nderuar një motiv për të qenë? Jo për vlerën e parave që ua kishte borxh sa për besën e dhënë dhe të mbajtur, si në baladat e stërgjyshërve tanë, për kujdesin ndaj detyrimeve, për vlerën edukative para fëmijëve të saj dhe para nesh, për respektimin e djersës së huaj, për misionin shpërndarës të librit që e bëni ju krahas një fitimi tejet të vockël ?

– Keni të drejtë , ju lutem.

Kur po largohej duke na thënë “Natën e mirë! “, s’m’u durua pa e pyetur:

-Zotëri, më fal po më thuaj, të lutem, nga e dije se unë jam profesor?

-Unë do të përgjigjem, tha zonja përbri nesh e pastaj le të përgjigjet edhe ai. Po sigurisht nga sjelljet korrekte në plazh, si ndaj së shoqes, si ndaj nesh, si për leximin e vazhdueshëm që e bën, si për pastërtinë që e mban në vendin ku pushon. Në plazh vlerat dalin tejet lakuriq dhe tregojnë më së miri për jetën që e bëjnë njerëzit në famile dhe në punën shoqërore.

-Ishte shembull edhe për ne, -tha djaloshi nga ana tjetër. Ne jemi çift i posamartuar, por respekti si për prindërit tanë na shtyri që të jemi tejet të përmbajtur.

Ishte hera e parë që po komunikonim me fqinjët.

-Edhe unë s’kam çka të shtoj,- tha libërshitësi. Edhe po të mos ishe profesor, ne të marrim për të tillë dhe është titull për respekt.

-Vërtet, të nderuar, unë kam punur si profesor plot dyzet e tre vjet dhe jam pensionuar në gjimnazin “Gjon Buzuku në Prizren. Ju falenderoj për këto fjalë miradije.

Romani “1984” më në fund përshtatet në film

0

Big Brother is Watching YouNjëri ndër romanet më të njohur modern, “1984” nga George Orwell, do të ekranizohet nën regjinë e britanikut Paul Greengrass, i njohur për serinë aksion të filmave “Bourne”.

Romani distopik nga i cili buron koncepti Big Brother, një reality show i njohur në mbarë botën, së fundmi është votuar si njëri ndër romanet më me ndikim në ditët e sotme. Hollywood Reporter njofton se kasta e aktorëve ende nuk është përzgjedhur, kurse producent i filmit do të jetë Scott Rudin, i njohur për “The Social Network” dhe “Captain Phillips”.

Hera e fundit që “1984” u shndërrua në film ishte në regjinë e Michael Radford, kurse kjo dyshe e regjisorit Greengrass me Rudin gjithashtu ka planifikuar të realizojë një film për Martin Luther King, me titull “Memphis”.

Po i shesin pronat për emigrim

0

Emigrant kosovarKosovarët janë shndërruar në emigrantë të përhershëm pas luftës. Varfëria dhe mosperspektiva në Kosovë ka rritur në përmasa shqetësuese numrin e kosovarëve që po ikin jashtë shtetit.

Përveç lotarive të shteteve të ndryshme që ofrohen për pranim të banorëve jashtë vendit të tyre, sikurse është ajo më e kërkuara “Green Card USA”, rrugët ilegale janë ato që kosovarët po i shfrytëzojnë çdo ditë e më shumë për të dalë në një nga vendet perëndimore.

Franca, SHBA-ja, Kanadaja, janë tri nga shtetet që kosovarët preferojnë të emigrojnë. Gjatë gjashtëmujorit të parë 2014 kemi 14 raste të kontrabandimit me emigrantë../zeri/

“PDK-LDK, si Barcelona të bashkohet me Realin”

0

Petrit SelimiPetrit Selimi konsideron se koalicioni PDK-LDK është në të mirë të Kosovës dhe garës ndërkombëtare për zhvillim, njohje, integrime në BE dhe në NATO, pavarësisht se dikujt mund t’i duket se liga kosovare e politikës është bërë e mërzitshme me mungesë të opozitës. Nëse shihen resurset njerëzore të dy partive, sipas tij, del se bashkimi PDK-LDK është i ngjashëm sikur Barcelona të bashkohej me Realin.

Zv/ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, njëherësh njëri nga anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës, Petrit Selimi, e sheh me interes për vendin bashkimin e PDK-së dhe LDK-së në një koalicion të ri qeverisës. Në një intervistë për Tribunën, ai shpreh bindjen se një koalicion që ka rreth 90 vota në Kuvend, do të jetë në gjendje t’i çojë përpara proceset integruese si dhe të krijojë mundësi të reja për zhvillim të vendit. Selimi e pranon se asnjëra palë s’e ka pasur të lehtë ta bëjë këtë koalicion, sikundër që asnjëra palë, sipas tij, nuk ka fituar maksimumin e kërkesave. Ai ka thënë se tri pozitat kryesore në resorët e shtetit do të qartësohen ditëve në vijim se nga kush do të barten. Selimi mendon se koalicioni PDK-LDK është shumë më i moralshëm se mishmashi i marrëveshjes VLAN. Fundja, sipas tij, politikanët nuk janë as imamë e as priftërinj.

Tribuna: U nënshkrua Marrëveshja për koalicion midis PDK-së dhe LDK-së duke tejkaluar kështu ngërçin politik. Menjëherë pas nënshkrimit, pati debate se a është Isa Mustafa mandatar i qeverisë së re? Cili është në fakt formati i marrëveshjes së re?

Selimi: Me rëndësi është se u arrit një marrëveshje, kushtimisht e quajtur, e një pajtimi të madh politik midis dy boshteve kryesore të politikës kosovare. Nuk ka qenë lehtë për asnjë palë dhe asnjëra palë nuk ka fituar maksimumin e kërkesave por në anën tjetër ky koalicion nuk është kundër dikujt por pro-zhvillimit ekonomik, pro-integrimeve evropiane dhe pro-qeverisjes së mirë. Arkitektura e saktë e pozitave të larta dhe ato ministrore do të përcaktohen nga grupet punuese në ditët në vijim por është e qartë që janë tri pozita të lira, ajo e kryekuvendarit, kryeministrit dhe presidentit pas mandatit të presidentes Jahjaga. Ky trekëndësh do t’i definojë edhe rolet e liderëve të dy partive. Më rëndësi është se së bashku me minoritetet, kjo Qeveri do të ketë një shumicë e qëndrueshme që i afrohet 90 deputetëve dhe si e tillë paraqet një potencial enorm për përfundimin e shumë prioriteteve ekonomike dhe politike.

Tribuna: Ende po vërehet një dozë mosbesimi në partitë respektive kundër kësaj marrëveshjeje. Analistët e quajnë të pamoralshme nga aspekti i politikës, ndërsa në LDK ka zëra që nuk përkrahin këtë koalicion?

Selimi: Analistët e mirëfilltë të Kosovës numërohen në gishta dhe ky cikël zgjedhor dhe ngërçi kanë dëshmuar se shumë të ashtuquajtur analistë janë vetëm partizanë që ndryshojnë kapelat por që kanë agjenda subjektive. Ndërsa është e natyrshme që në PDK apo LDK të ketë njerëz që shfaqin kritika pasi që të dy partitë janë masive dhe kanë shumëllojshmëri zërash. Me rëndësi është se shumica absolute e Këshillit të Përgjithshëm të PDK por edhe të LDK kanë mbështetur këtë koalicion dhe parimet që do ta dërgojnë vendin para. Ky koalicion dhe kjo qeveri kanë mbështetje të gjerë popullore, mbështetje të fuqishme ndërkombëtare dhe mandat demokratik për reformat e vështira që presin këtë shoqëri. Sa i përket moralit dhe politikës, mendoj se ky koalicion dhe kjo marrëveshje janë shumë më të moralshme dhe shumë më lehtë e kuptueshme se mishmashi i marrëveshjes së dështuar VLAN ku ka pasur inat, sulme personale por asnjë fije morali. Tek e fundit, nuk jemi as imamë e as priftërinj por politikanë që duhet punuar për të realizuar objektivat tona programatike.

Tribuna: Megjithatë, besoj se pajtoheni se PDK duhet falënderuar shumë LDK-në për zgjatje të jetës politike dhe një mandat të ri të fituar?

Selimi: Të dy partitë duhet falënderuar njëra-tjetrën për vizion dhe guxim. Nuk ka qenë lehtë të zgjatësh dorën njëri-tjetrit për të mirën e vendit por nëse Kosova mund të bisedon me Serbinë, është e qartë që bisedat midis partive shqiptare duhen të jenë fundamentalisht më të lehta dhe më pragmatike. Nëse shohim resurset njerëzore të dy partive, del si Barcelona të bashkohet me Realin dhe ndoshta dikujt i duket se liga kosovare e politikës bëhet e mërzitshme me mungesë të opozitës por mendoj se për të mirën e Kosovës dhe garës ndërkombëtare për zhvillim, njohje, integrime në BE dhe NATO, është shumë mesazh i fuqishëm i Kosovës që ka një super-ekip të tillë.

Tribuna: Tani keni edhe Listën Serbe e cila kontrollohet nga Vuçiqi. Vetëvendosja ju ka akuzuar se do të jeni vartës të kësaj liste dhe kërkesave autonomiste?

Selimi: E kundërta është e vërtetë, që vetëm koalicioni PDK-LDK ka garantuar që Qeveria mos të jetë peng as e partive minoritare por as e nacionalistëve shqiptarë që refuzojnë dialogun dhe rrjedhimisht rrugën evropiane. Por unë nuk pajtohem që politikën ta shikojmë si proces të pengmarrjes. Duhet të jemi të gëzuar që Lista Serbe merr pjesë në institucione, që respekton Kushtetutën dhe që ka tejkaluar bllokadën mentale që kanë pasur 15 vite me rend për t’u integruar në shoqërinë tonë. Absolutisht mendoj se PDK dhe LDK mund dhe do ta gjen gjuhën e përbashkët me Listën Serbe për përfitim të të gjithë qytetarëve në Kosovë. Me vite të tëra kemi kërkuar integrimin e veriut në institucione të Kosovës dhe kjo po arrihet.

Tribuna: Cilat janë prioritetet e para të qeverisë?

Selimi: Ato janë të qarta, aprovimi një pakete ligjesh që ndoshta do të kërkojnë edhe ndryshime kushtetuese si Gjykata Speciale e Kosovës për krimet e luftës, pastaj Ligji për luftëtarët jashtë vendit, vendimet përfundimtare në udhërrëfyesin e liberalizimit të vizave, buxhetin natyrisht por edhe disa ligje tjera si Forcat e Armatosura të Kosovës. Me këtë shumicë parlamentare mund të punohet edhe në reformat zgjedhore dhe adresimin e disa mungesave të Kushtetutës që janë evidentuar në muajt e fundit. Por besoj se qytetarët e Kosovës e kanë një prioritet mbi të gjitha prioritetet ekonominë dhe krijimin e vendeve të reja të punës dhe ky do të duhej të ishte objektivi kryesor. Finishi i privatizimit të Brezovicës, TC Kosova e Re dhe disa projekte të tjera do të mund të ishin disa hapa imediatë për të sjellë konfidencë në ekonominë kosovare. Ky koalicion ofron optimizëm dhe ofron garanci që proceset e ekonomisë të tregut do të kenë shumicë e qëndrueshme në parlament që mos të na ndodhin fiaskot si dështim i privatizimit të PTK-së vitin e kaluar.

Tribuna: A keni njohuri se si u bind LDK ta bëjë një kthesë aq dramatike? A ishte vendimtar roli i Ambasadës Amerikane?

Selimi: Nuk mendoj se LDK ka bërë një kthesë dramatike, por nuk jam zëdhënës i kësaj partie. Ata gjithmonë kanë pohuar se janë institucionalistë dhe kjo marrëveshje është e tillë – që ofron garanca për institucione të qëndrueshme. As Ambasada Amerikane nuk ka pasur rol direkt, por është e qartë që ata që ja duan të mirën Kosovës si në Uashington ashtu edhe në Londër apo Berlin apo Paris, kanë përkrahur një marrëveshje që prodhon qeverisje progresive e jo që bëhet proceseve euro-integruese. Mendoj se Qeveritë perëndimore do ta përshëndesin ngrohtësisht qeverinë e re kur të votohen në Kuvend.

Tribuna: E kur do të votohet? Pse nuk thirret seanca?

Selimi: Seanca thirret për pak ditë, kur grupet punuese t’i definojnë prioritetet programatike dhe ndarjen e posteve. Kemi pritur gati gjashtë muaj, me rëndësi është tani mos të bëjmë gabime në hapa nga ngutia. Kosova do të ketë Qeveri funksionale, buxhet të aprovuar dhe program qeverisës gjatë vitit 2014 ashtu që vitin e ardhshëm të hyjmë me një cak të qartë. Dy-tre ditë plus a minus nuk janë thelbësore tani pasi që u arrit marrëveshja bashkë-qeverisëse.

Tribuna: Ju personalisht jeni përfolur si një nga personat që keni udhëhequr fushatën elektorale Misioni i Ri. A do të mbesin premtimet e 200,000 vendeve të punës vetëm boshe apo ka diçka nga programi që mund të realizohet?

Selimi: Asnjë premtim elektoral nuk është bosh por i bazuar në numra dhe të dhëna empirike. Politika është arti i të së mundshmes – një klishe ndoshta por megjithatë që flet se ne duhet të synojmë optimumin e realizimit. As presidenti Hollande, as kancelarja Merkel as kryeministri Cameron nuk realizojnë as afër 100% të premtimeve elektorale por votuesit e dinë sa i afrohesh dhe se a ka justifikim për dështime eventuale. Neve populli na dha votën sepse na shikoi fushatën si një gotë gjysmë të mbushur – me mangësi dhe dështime por edhe suksese shumë të mira që kanë prekur jetët e qindra-mijëra qytetarëve. Prandaj edhe morëm votëbesimin dhe tani këtë kapital elektoral e bashkë-investojmë me LDK në realizim të optimumit të premtimeve.