17.8 C
Prizren
E martë, 14 Maj, 2024

Motiv në plazh

Hajdar MallakuShkruan: Hajdar Mallaku

Askush nuk mund t’i qëndronte diellit përvëlues të atij muaji të djegagurit. Të gjithë ishin strukur në hijen e çadrave që, po t’i shikoje nga lart, nga kreshta e thepisur e Shëngjinit, i ngjanin një grumbulli kërpurdhash mbirë pas një shiu të ngjeshur. Në det vetëm pushues të rrallë që fshiheshin pas valëve që vinin drejt bregut dhe shpërndaheshin. Diku më larg një barkë motorike e tërhiqte zvarrë një sportist me xhet-ski që herëpashere e humbte drejtpeshimin dhe binte. Në starje endeshin vetëm shitësit ambulantë që ofronin pije freskuese, fruta, suvenire apo gjësende të tjera. Këta nuk do t’ia dinin për vapën, i kish pjekur dielli i jugut dhe vetëm me një kapelë në kokë, shorce dhe bluzë e një palë sandale rëre, ecnin pa pushim dhe s’lodheshin, mu si mizat e dheut. Mbase dhe lodheshin, por jeta u grahte si me kamxhik. Shkonin çadër më çadër me një refren të njejtë fjalësh, ndonjëri prej tyre me ndonjë batutë domethënëse e ndonjëherë edhe banale. Vinin pak më rrallë dhe jevga që kërkonin të qitnin fall. Njëra syresh u zu me dy të rinj që ia prenë shkurt:

– Ne me shkollim universitar nuk na ka lezet të qesim fall te një fallxheshë, moj maxhupe.

– Ma qafsh leshin, gaxho! – tha jevga dhe u largua e mllefosur pse ia çvlerësuan profesionin.

Ne na plasi një të qeshur sa s’mund të përmbaheshim.

Në këtë kohë pushuesit hanin atë ushqim që e kishin marrë me vete, pinin lëngje, hanin fruta dhe nuk largoheshin nga plazhi për ta shfrytëzuar sa më në mënyrë racionale detin dhe ditën. Kishte të tillë që bënin një sy gjumë, që lexonin diçka nga gazetat e ditës apo dhe ndonjë vepër letrare. Dikush edhe këtu i rrahte problemet familjare. Zakonisht këtë e bënin çiftet në moshë, si ishim ne.

Në anën e majtë tonën pushonte që prej ditësh një grua me moshë mesatare, me një djalë dhe një vajzë të vogël. Nga biseda e tyre kuptova që ishin nga Kosova dhe se ajo ishte grua e ve. Burri i ishte vrarë në luftë dhe ende nuk i dihej varri. Në anën tjetër, në të djathten tonë, pushonte një çift i posamartur, por që kishin sjellje mjaft korrekte. Çiftet e posamartuara zakonisht ishim më eksplozivë, por këta ishin mjaft të vetëpërmbajtur. Në mes tyre qëndronim ne, më të moshuarit, unë dhe ime shoqe. Nuk e kishim ndërruar vendin tash e katër ditë edhepse nuk e kishim ndërruar asnjë fjalë njëri me tjetrin. Si duket kjo ndryshueshmëri moshash edhe na largonte, por në esencë edhe na bashkonte. Kishim pëlqyer shumçka te njëri tjetri dhe nuk e flisnim dot.

Pranë nesh, më në fund, u duk dhe një shitës librash. Ky qe i veshur më seriozisht. Në krah mbante një trastë librash, ndërsa në duar tre-katër tituj me emra më provokues të shkrimtarëve vendës dhe botërorë të ekspozuar në anën e majtë të krahërorit. Fjalët e tij qenë të matura dhe me nivel. Kur u afrua afër nesh, i përsëriti thirrjet:

-Urdhëroni libra!

Zëri i tij doli si i ngjirur, thuase kishte turp nga ajo punë që e bënte, apo s’donte t’ua prishte rehatinë në atë kohë vape.

-Zotëri, të lutem zotëri, qëndro për një moment! – tha zonja në krah të majtë.

Ajo nxori nga portofoli njëqind lekë, u mbështoll me një peshqir të madh banjoje dhe eci drejt tij.

-Të lutem, zotëri, mund të të mos kujtohem, por vitin e kaluar unë bleva nga ju dy libra dhe ju mbeta borxh njëqind lekë. Fjalët i kishim që unë t’ua sillja të nesërmën, por ju nuk u dukët as të nesërmën as të pasnesërmën. Unë u brengosa se mund t’u kishte ndodhur diçka dhe ditën vijuese ne udhëtuam për në Kosovë. Merrëni, ju lutem dhe më falni për të gjtha.

-Jo, zonjë, mbajini. Kjo është një cikrrimë. Është diçka e shkuar që s’është bërë me fajin tuaj. Mua vjet në këtë kohë më vdiq mamaja. Shkova nga plazhi në spital dhe pas tri ditësh ajo më la.

-Merrni, ju lutem zotëri. Këto janë tuajat. Janë djersa juaj. Unë prej vitit të kaluar e kam mbajtur të koduar këtë, si vath në vesh, e bindur se do t’ ju takoj dhe ju takova. Vetëm tash unë jam e qetë dhe e shkarkuar. Ndërsa për mamanë, ju shpreh ngushëllime! Merrini, ju lutem!

Librashitësi i futi paratë në xhep dhe u nis në ecejaket e tij zhagitëse duke nxjerrë nga fundi i tabaneve prapa cifla rëre dhe pluhur. Ne të gjithë sa ishim prezentë e kishim përcjellë me kureshtje këtë bisedë që na la pa frymë, jo për vlerën e atyre parave sa për gjestin domethënës dhe skofijar të zonjës.

Ditën tjetër vijuese libërshitësi prapë kish ardhur në plazh. Ishte prapë mesditë dhe unë po lexoja në gazetë disa reportazhe për viset më ekzotike të Veriut: për Grykën e Valbonës, për Currajt, për Thethin, për Vermoshin e vise tjera, vende ku ende s’kishte arritur modernja, vende mjerisht të zbrazura nga popullata, vende ku dikur kish lindur epika jonë e lavdishme e këngëve të kreshnikëve që edhe sot e kësaj dite kultivohen nga rapsodë dhe përcillen me lahutë. Më bënin përshtypje emërvendet ku kishin defiluar heronjtë legjendarë, Muji dhe Halili dhe heroinat si Tanusha, që ia merrte pahin edhe Helenës së Trojës, edhe Laurës së Petrarkës.

-Profesor! – dëgjova një zë.

E ngrita kokën pa e hequr shikimin nga reportazha dhe prapë vazhdova .

– Profesor! – dhe prapë e njëjta gjë. Nuk u përqëndrova pasi s’më kish veçuar me emër. Dhe prapë për të tretën herë.

– Profesor ! Profesor, me ju e kam, – dhe e drejtoi gishtin nga unë.

– Urdhëroni, ju lutem!- i thashë.

– Doni ta bleni ndonjë libër ? Mbase vitin e kaluar keni blerë nga unë. Tash po e rikthej ngadalë shiritin e kujtimeve.

I shikova titujt radhazi. Një prej tyre e veçova për ta marrë. Kur ma ofroi dhe një titull që ai e mbante si më të veçantë.

-Është ky një titull ku unë jam vetë autor,- më tha.

E mora dhe e shfletova nga kureshtja. I lexova disa radhë aty-këtu dhe i thashë se po e merrja. E mora më tepër për t’i dhënë kurajo këtij njeriu të mirë se sa për vlerën e tyre. Ishin poezi mesatare të një krijuesi të vogël. Derisa po e bënte pagesën, e pyeta se nga i kish marrë këto frymëzime. M’u përgjegj se kishte punuar plot tridhjetë e një vjet si lokomotivist, në sistemin komunist, dhe i kishte rënë ta shihte botën. Unë e dija se ai e kish parë vetëm Shqipërinë e izoluar dhe asgjë më tepër, por ia pohova me kokë.

– Doni t’ua sjellim një motiv nga Kosova?

– Motivet nuk sillen, nuk dirigjohen, por ato lindin, profesor.

– Ashtu është, zotëri, por motivet ngjan të sygjerohen nga dikush dhe shërbejnë si tharm për ta gatuar një vepër të madhe. Kujtoji “Shpirtërat e vdekur” të Gogolit, apo “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” të Kadaresë. Motivet ua kishin sygjeruar të tjerët.

– Po cili na qenka ai motiv sipas jush, ma thuaj.

– A nuk t’u duk gjesti i zonjës së nderuar një motiv për të qenë? Jo për vlerën e parave që ua kishte borxh sa për besën e dhënë dhe të mbajtur, si në baladat e stërgjyshërve tanë, për kujdesin ndaj detyrimeve, për vlerën edukative para fëmijëve të saj dhe para nesh, për respektimin e djersës së huaj, për misionin shpërndarës të librit që e bëni ju krahas një fitimi tejet të vockël ?

– Keni të drejtë , ju lutem.

Kur po largohej duke na thënë “Natën e mirë! “, s’m’u durua pa e pyetur:

-Zotëri, më fal po më thuaj, të lutem, nga e dije se unë jam profesor?

-Unë do të përgjigjem, tha zonja përbri nesh e pastaj le të përgjigjet edhe ai. Po sigurisht nga sjelljet korrekte në plazh, si ndaj së shoqes, si ndaj nesh, si për leximin e vazhdueshëm që e bën, si për pastërtinë që e mban në vendin ku pushon. Në plazh vlerat dalin tejet lakuriq dhe tregojnë më së miri për jetën që e bëjnë njerëzit në famile dhe në punën shoqërore.

-Ishte shembull edhe për ne, -tha djaloshi nga ana tjetër. Ne jemi çift i posamartuar, por respekti si për prindërit tanë na shtyri që të jemi tejet të përmbajtur.

Ishte hera e parë që po komunikonim me fqinjët.

-Edhe unë s’kam çka të shtoj,- tha libërshitësi. Edhe po të mos ishe profesor, ne të marrim për të tillë dhe është titull për respekt.

-Vërtet, të nderuar, unë kam punur si profesor plot dyzet e tre vjet dhe jam pensionuar në gjimnazin “Gjon Buzuku në Prizren. Ju falenderoj për këto fjalë miradije.

Më Shumë

Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre

Haradinaj kujton të rënët në Korishë të Prizrenit: 25 vjet pas, Serbia ende nuk ka pranuar asnjë përgjegjësi për krimet makabre Kryetari i Aleancës për...

Arrestohet një person në Rahovec, ushtroi dhunë në familje nën ndikimin e alkoolit

Një person në Rahovec është arrestuar, pasi i njëjti nën ndikimin e alkoolit ka ushtruar dhunë në familje. Sipas raportit 24 orësh të Policisë së...

Lajmet e Fundit