18.3 C
Prizren
E martë, 5 Gusht, 2025
Home Blog Page 7431

KS, të enjten pasdite diskuton për Kosovën

0

KS-OKBKosovën në këtë takim pritet ta përfaqësojë kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ndërkaq edhe Serbia do të përfaqësohet nga kryeministri Aleksandër Vuçiq.

Mbledhja e radhës e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbahet kësaj të enjte pasdite në New York, ku do të shqyrtohet raporti i rregullt i Sekretarit të Përgjithshëm Ban ki Moon mbi zhvillimet tremujore në Kosovë. Kosovën në këtë takim pritet ta përfaqësojë kryeministri në detyrë, Hashim Thaçi, ndërkaq edhe Serbia do të përfaqësohet nga kryeministri Aleksandër Vuçiq, që do të jetë pjesëmarrja e tij e parë në këtë cilësi në takimet e Këshillit.

Në raportin më të ri Sekretari i Përgjithshëm shpreh shqetësimin përsiç thotë, ‘moskonstituimin pas zgjedhjeve të organeve udhëheqëse të Kosovës’ dhe u bënë thirrje ‘të gjitha subjekteve politike në radhë të parë liderëve të tyre që të rrisin përpjekjet në mënyrë që zgjedhjet e 8 qershorit të jenë të suksesshme.’ Raporti ishte publikuar para arritjes së marrëveshjes për koalicon qeverisës midis Partisë Demokratike dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe përfshin periudhën raportuese nga 16 korriku deri më 15 tetor.

Në raport Sekretari i Përgjithshëm poashtu thekson se brezi i tashëm i udhëheqësve politikë duhet të vazhdojë me procesin siç e quan, ‘historik të normalizimit të marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit dhe të shfrytëzojnë mundësitë që ofron Marrëveshja për Stabilizim dhe Asocim me BE-në.’

Sekretari i Përgjithshëm në këtë raport ka falenderuar angazhimin e udhëheqësve të Kosovës për qasjen dhe zgjidhjen e çështjes së pjesëmarrjes së shtetasve kosovarë në konfliktet e huaja dhe në këtë kuadër ka përshëndetur edhe liderët e bashkësisë islame dhe të përkatësive të tjera fetare në Kosovë për distancimin nga ekstremizmi./rtk/

Vdiq saksofonisti i grupit “Rolling Stones”

0

Bobby KeysBobby Keys, i cili ka luajtur në saksofon me grupin legjendar “Rolling Stones”, ka vdekur të martën në moshën 70-vjeçare.

Muzikanti ka qenë i pranishëm në skenën e rock’n’rollit që nga mosha 15-vjeçare, duke luajtur përkrah legjendave si Buddy Holly, John Lennon e Eric Clapton.

Kulmi i karrierës së tij ishte arritur me grupin “Rolling Stones” dhe njihet për performimin në këngën klasike “Brown Sugar” së bashku me albumin e njohur të grupit “Exile On Main Street”, transmeton koha.net.

Keys për herë të fundit me grupin luajti në Festivalin e Glastonburyt në vitin 2013. Në tetor të atij viti ai ishte detyruar të braktisë grupin për koncertet në Zelandë të Re dhe Australi shkaku i shëndetit të dobët.

Shkaktari i vdekjes së tij ende nuk dihet.

Tronditëse: Gruaja e axhës e dhunon seksualisht 14 vjeçarin

0

Femiu i abuzuarGruaja e axhës e kishte kërcënuar dhe e kishte detyruar një djalë të mitur të pa nënë që të kryente marrëdhënie seksuale me të. Për RTK ai ka treguar se në moshën 14 vjeçare nisi të kërkonte nënën e tij e cila e kishte braktisur.

Dëgjojeni rrëfimin e tij për emisionin “Tema” në RTK.

“Kur i kom bo 14 vjet unë e kam kërku nanen tem masi na ka lanë nana. Arsyeja që e kam kërku është se unë jam shkelë prej një personi të familjes domethanë që ka lyp marrëdhënie seksuale prej meje edhe më ka detyru me bo marrëdhënie seksuale me bo me to”, tha ai.

“Ka qenë gruaja e axhes. Domethanë më ka hi brenda në dhomë edhe më ka thënë që duhet me bo. Edhe unë jam detyru me bo qat sen”, tregoi ai.

Asambleja e Suharekës shpërndanë dhurata, iPad/tablet për secilin asambleist

0

Asambleja e SuharekestDje kishte pasur zhurmë në korridoret e Komunës së Suharekës nga Asambleistët, se kush të arrinte më parë të marrë shpërblimin e tij.

9920 euro është shuma totale e shpenzuar nga Buxheti i Asamblesë Komunale të Suharekës, e cila ka shpërndarë IPAD/tablet në vlerë prej 310 euro (vlera e një tableti) për secilin asambleistë në Komunë.

31 asambleistë janë gjithsejtë, megjithëse në Kontratë janë të cekur 32.

I 32 -ti është Avni Bytyqi, përfaqësuesi ligjor i Komunës. Këtë e vërteton edhe Refki Gega Kryesuesi i Kuvendit Komunal i cili ndër të tjera shprehet se  “31 janë shpërndarë për asambleistët dhe një për Avni Bytyqin. Për këtë janë pajtuar të gjithë shefat e grupeve parlamentare”. /TherandaPost.com/

I mohon shpenzimet e drekave e darkave

0

Ymer-Berisha zedhenes i KKse ne prizren2Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha ka mohuar se janë shpenzuar 80 mijë euro për dreka e darka zyrtare. Sipas tij, opozita po e lexon keq raportin.

“Opozita po e lexon keq raportin. Reagimet e opozitës janë krejtësisht politike dhe se po bëhen qëllimshëm në fund të vitit”, ka thënë Berisha për KTV.

Drekat dhe darkat duket të jenë aktivitetet me të preferuara të zyrtarëve komunalë të Prizrenit, rreth 80 mijë euro vetëm për një periudhë nëntëmujore figurojnë të jenë shpenzuar këtë vit.

Të paktën kështu thotë buxheti komunal për periudhën janar-shtator të vitit 2014. Këto shpenzime janë të specifikuara në këtë raport buxhetor.

Luks të tepruar dhe keqpërdorim të parasë publike, e cilëson LDK-ja këtë veprim.

Haziz Hoda nga LDK-ja ngre dyshime se komuna ka paguar edhe borxhe të viteve të kaluara, duke përfshirë edhe borxhet e fushatës zgjedhore.

80 mijë euro për dreka dhe darka janë shpenzime enorme për Vetëvendosjen. Artan Abrashi nga LVV-ja thotë se raporti i komunës lë hapësirë për dyshime se buxheti është keqpërdorur.

MKRS shpall konkursin për projektet kulturore-artistike

0

MKRS-objektiMinistria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ka shpallur konkursin për mbështetjen e projekteve kulturore-artistike të vitit 2015, në kuadrin individual dhe ato grupore, ku bëjnë pjesë festivalet, bienalet, panairet, ekspozitat dhe manifestimet tjera me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar nga të gjitha fushat e artit.

Përmes këtij konkursi, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit synon të mbështesë projekt-idetë me karakter:

– profesional, të cilat me kualitetin e tyre formal dhe përmbajtjesor, i respektojnë standardet krijuese evropiane e botërore;
– promovues, të cilat kanë për qëllim paraqitjen dhe integrimin e artistëve vendorë në skenën artistike ndërkombëtare;
– stimulues, të cilat kanë për qëllim evidentimin e talenteve të reja me ide të veçanta kreative;
– tradicional, përmes të cilave do të promovoheshin vlerat e trashëgimisë sonë kulturore;
– inovativ, të cilat, me formën, përmbajtjen, frymën dhe mënyrën e realizimit të tyre, paraqesin risi për ambientin tonë krijues;
– kritik, të cilat me formën dhe përmbajtjen e tyre nxisin debat dhe diversitet artistik;
– praktik, përmes të cilave do të evidentoheshin dhe formësoheshin kapacitetet krijuese profesionale.

Në kuadër të këtij konkursi, me projekt-idetë e tyre kreative, mund të konkurrojnë institucionet kulturore publike, institucionet kulturore private, OJQ-të me karakter kulturor, individët dhe grupet e ndryshme të artistëve.

Nga ky konkurs përjashtohen projektet filmike, të cilat mund të gjejnë shprehje në kuadër të konkursit të Qendrës Kinematografike të Kosovës, si dhe botimet, të cilat mund ta shfrytëzojnë hapësirën në kuadër të konkursit të Këshillit te librit për botimin e librave.

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, para së gjithash, do të mbështesë projektet kulturore-artistike me karakter profesional, të cilat janë në përputhje me politikat e saj kulturore.

Projektet konkurruese duhet të shoqërohen nga të dhëna konkrete, të tilla si: emri i projektit, bartësi i projektit, partnerët e projektit, karakteri i projektit, përshkrimi i hollësishëm i projektit, qëllimet e projektit, vendi dhe koha e realizimit të projektit, si dhe plani i detajuar financiar.

Projektet konkurruese duhet të realizohen brenda vitit 2015, ndërsa afati i fundit më dorëzim është data 31 dhjetor e këtij viti.

Ah Rugova

0

Edison YpiEdison Ypi
Shenjtorët, Profetët, Gjenialët, kanë qenë janë e do të jenë njerëz mes njerëzve si gjith’ njerëzit. Ah Rugova është dëshmia.
Me vetëm fjalë nuk mund të thuhen veçse fare pak prej atyre që mendja lodhet, gjoksi zjen, zemra rreh. Ah Rugova është prova.
Dhemshuria, Mëshira, Dashuria, nuk janë fjalë si gjith’ fjalët që i merr era, por janë vet’ era. Kush tjetër mundet me qen era veçse

Ah Rugova.
Njeriu mund të nderohet, krenohet, lartësohet, ndritet pa fund, jo vetëm për çfarë bën, por edhe për çfarë nuk bën, siç janë shpifjet që nuk shqipton, klithmat që nuk lëshon, sharjet që idhnojnë, dhe plot të tjera të zeza të tilla. Nuk ka idiot të mos e dijë se i tillë ishte Ah Rugova.

Shqiptaria sherret i ka sheshit, tmerret i ha me bukë, zgjyrën nuk e fsheh, turpin ja di gjith’ bota, ndërsa vlerat i ka të fshehura, të ndryra tek vetëm disa individë fort’ të rrallë të cilët çfaqen aty-këtu në historinë e saj si kometa në fluturim ndriçues duke u vetdjegur. I tillë ishte Ah Rugova.
Vetëm në një fshat të Kosovës, ka aq urtësi, kanun, respekt, rregull, qetësi, paqe, harmoni, dëshirë për punë, patriotizëm, se sa në krejt Shqipërinë. Më mirë se të gjithë këtë e ka dit’ Ah Rugova.
Në televizionet kosovare nuk çfaqen kurrë hajna. Hajni kosovar preferon t’ja sharrojnë fytin para se t’ja marrin erëzin.

Në Kosovë Femra nderohet aq shumë sa po të jesh i shoqëruar me një Femër nuk mund të ndodhi kurrë të afrohet dikush të të shqetësojë. E nëse kjo gjithsesi ndodh, këtë atje gjaku e ndan.
Shtëpitë e fshatrve në Kosovë janë pothuaj të gjitha tepër të mëdhaja kështjella me mure të trasha të larta.

Në Shqipëri mund të gjesh me mijëra, por në Kosovë nuk mund të gjesh dot asnjë bujk që të ankohet “jam me zemër”. Bujku kosovar punon, s’ka kohë me u sëmur.

Katundet e Shqipërisë kanë nga disa kafene. Në Kosovë nuk ka katund me kafene.
Kosova është përgjithësisht më pak “e kënduar” se Shqipëria. Por në Prishtinë ka ishuj qytetarie, adhurues diturie, me sjelljeje aristokratike të cilët snobit llomotitës të Tiranës as qurret nuk ja hedhin.
Fush’ Kosova, Sharri, Drenica, Istogu, Prizreni, Rugova, Ah Rugova, janë të gjitha vende ëndërra tru-dhe-trup-shplodhëse më të bukur se në përralla ku mornica t’kalojn’ nëpër kocka.
Në katundet e Kosovës mund të takosh eruditë të veçuar, latinistë, kritikë Arti, që ta thonë përmendësh Platonin, Virgjilin, Danten, Lasgushin, Fishtën, Kadarenë.
Kurrkush në botë nuk i ka ditë këto më mirë se Ah Rugova
Ah Rugova, nuk shqiptoi kurrë një fjalë të keqe për kërrkënd në botë.
Ah Rugova kurrë nuk mori pjesë në ndonjë miting.
Ah Rugova i fitoi dy herë zgjedhjet pa bërë asnjë premtim elektoral.
Askush në Historinë e Shqipërisë nuk ka ditur ta shndrrojë forcën e ndjeshmërisë njerëzore në forcë politike si Ah Rugova.
Për Ah Rogovën, më njerëzorin, më fisnikun, më aristokratin, më madhështorin, që i kryu të gjitha punët duke pi raki me tonelata dhe duke tymos cigare me kilometra, më ikin lot.

VV në Therandë: Mbledhja e Kuvendit Komunal, pa shumicën e drejtorëve

0

Suhareke-kuvendiNë mbledhjen e dhjetë të rregullt të Kuvendit Komunal në Therandë, të mbajtur të hënën (dje),  kanë munguar shumica e drejtorëve të drejtorive komunale.

Asambleistët e Lëvizjes Vetëvendosje!, Leonard Shala dhe Zanë Basha, të cilët ishin të pranishëm në këtë mbledhje diskutuan rreth pikave të rendit të ditës. Në fillim të mbledhjes, me kërkesë të kryesuesit u hoq nga rend i ditës pika “Shqyrtimi i projekt vendimit për miratimin e taksave administrative për lëshimin e lejes së ndërtimit”, me arsyetimin se Drejtoria për Urbanizëm, Planifikim dhe Mjedis ka nevojë të bisedojë ende për këtë çështje para se kjo të votohet në asamble.

Për pikën tjetër të rendit të ditës “Shqyrtimi i projekt vendimit për formimin e komisionit komunal të aksionarëve”, përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje! kanë ngritur shqetësimin se Lëvizja vazhdimisht po përjashtohet që të merr pjesë në komisione të tilla kaq të rëndësishme, me ç’rast edhe nuk u njoftua për së afërmi me problemet e ndërmarrjes “Ekoregjioni”. Përfaqësuesit e Lëvizjes votuan kundër në këtë pikë.

Pikë tjetër e rëndësishme ishte edhe “Infomatë për administrimin financiar të buxhetit të Komunës së Therandës për periudhën Janar-Shtator 2014”. Te kjo pikë përfaqësuesit e Vetëvendosje!-s dhanë vërejtje të shumta sidomos në kategoritë “Investime kapitale” dhe “Mallra dhe shërbime”. Në raportin e administrimit të buxhetit të Komunës së Therandës, për periudhën janar- shtator 2014, çuditërisht mungonin shumë projekte të kryera me procedurën e kuotimit. Nga gjithsej 126 kontrata të nënshkruara për periudhën janar- nëntor 2014, 70 prej tyre ishin me procedurë të kuotimit, që i bie të jenë keq menaxhim i parasë publike, por ekziston dyshimi që mund të jenë shpërblim i kompanive të afërta me partinë në pushtet. Këto kontrata u bënë publike nga asambleisti i Vetëvendosje!-s, Leonard Shala.

Lëvizja Vetëvendosje! ka bërë kërkesë në Drejtorinë e Shërbimeve Publike që të pajiset me informacione të kryerjes së këtyre projekteve si: Paramasat e projekteve; Raportin përfundimtar të punimeve; dhe Raportin për pranimin teknik të punimeve. Pasi t’i kenë edhe këto materiale, aktivistët e Lëvizjes do t’i analizojnë ato, sepse në shikim të parë vërehen shumë mjete të shpenzuara e pak punë të kryera.

Lidhur me kategorinë mallra dhe shërbime, asambleistja Zanë Basha ka kërkuar një raport se për çka janë shpenzuar këto mjete, sepse në materialin e asamblesë është cekur se sa para kanë shpenzuar drejtoritë komunale, mirëpo nuk është cekur se për çfarë produkte i kanë shpenzuar. /PrizrenPress.com/

SHBA blen arkivën e Markezit

0

Gabriel Garsia MarkezArkiva e shkrimtarit të mirënjohur Gabriel Garcia Markez është blerë nga Universiteti i Teksasit. Dokumentet e kolumbianit, fituesi i çmimit Nobel, mbërritën në Shtetet e Bashkuara, një vend ku politika e jashtme e Kolumbisë nuk është shumë e preferuar.

Qendra “Harry Ransom”, e vendosura në Universitetin në Austin, deklaroi këtë javë se: Koleksioni përfshin dokumente nga më shumë se 50 vite të veprimtarisë së Markesit dhe se ajo përmban dorëshkrime origjinale të 10 librave, ndër të cilat edhe dorëshkrimi i “Njëqind vjet vetmi” . Ndër dokumentet e vlefshme janë dhe fjalimi i Markesit kur mori çmimin Nobel për letërsinë në 1982 dhe gati 2000 letra, të tilla si ato që ka shkëmbyer me Carlos Fuentes dhe Graham Greene. Koleksioni gjithashtu përmban dhe makina shkrimi dhe kompjutera, përdorura nga Markez. Pjesa më e madhe e dokumenteve është në spanjisht dhe Qendra “Harry Ransom” planifikon t’i dixhitalizojë në të ardhmen.

“Universiteti i Teksasit në Austin, me ekspertizë të njohur dhe për Amerikën Latine dhe në ruajtjen dhe studimin e procesit të shkrimit, do jetë shtëpi e natyrshme e këtij koleksion shumë të rëndësishëm,” u tha në një deklaratë të lëshuar nga presidenti i Universitetit të Teksasit.

Ndërkohë, Universiteti përveç se pohoi se kishte blerë një koleksion të familjes Marquez, nuk tha se sa kushton. Marquez, një mik i ngushtë i udhëheqësit të Revolucionit Kuban, Fidel Castro, ishte kritik i zëshëm i politikës amerikane në Amerikën Latine. Ai vdiq në moshën 87-vjeçare në Ciudad të Meksikës, ku ai kaloi shumicën e jetës së tij.

Shkrimtari meksikan Omero Aridhis pohoi se është “Ironi ideologjike që dokumentet e Marquez kanë gjetur strehë në tokën amerikane.” “Kjo është një kontradiktë, sepse paçka një dore pragmatike, nga ana tjetër, ajo kundërshton bazën e karrierës së Garcia Marquez”, shtoi Aridhis.

“Ransom Center” tashmë ka në arkivat e veta dorëshkrimet e shumta të Jorge Luis Borges, William Faulkner, James Joyce, Samuel Beckett, TS Eliot, Ernest Hemingway dhe John Steinbeck.

Gjykata Speciale, detyra e parë për institucionet e reja

0

Gjykata-peshorjaThemelimi i Gjykatës Speciale pritet të jetë një nga detyrat dhe obligimet ndërkombëtare që ka marrë Kosova përsipër menjëherë pas formimit të institucioneve të reja.

Ideja për themelimin e një Tribunali Ndërkombëtar për Kosovën që më vonë u quajt Gjykata e veçantë apo speciale, fillimisht ishte prezantuar se ka rrjedhë në bazë të hetimeve të iniciuara nga Këshilli i Evropës që si bazë kishin dyshimet e supozuara të zviceranit Dick Marti, mbi trafikimin e organeve të serbëve nga pjesëtarët e ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Pas miratimit politik nga autoritetet e Prishtinës, tani proceduralisht mbetet që institucionet e reja të krijojnë bazën ligjore për themelimin e kësaj Gjykate.

Profesori i çështjeve kushtetuese – juridike, Riza Smaka thotë se për themelimin e saj, Kosova do të ketë nevojë të miratojë bazën ligjore, pasi që një Gjykatë e tillë nuk parashihet me ligjet aktuale.

“Do të duhet të bëhet ndryshimi dhe modifikimi i Ligjit për Gjykatat dhe aty të përcaktohet ndër tjera edhe kjo Gjykatë. Më pastaj, besoj se do të duhet të bëhet një akt ligjor special që i parasheh këto dispozita tjera sa i përket juridiksionit të kësaj Gjykate dhe të miratohej në procedurë, në mënyrë që të fillojë së zbatuari Ligji për Gjykatën Speciale”, ka thënë Smaka, për Radion Evropa e Lirë.

Selia e Gjykatës Speciale është thënë se do të jetë jashtë Kosovës.

Një veprim i tillë, ishte arsyetuar edhe me punën më efikase të saj dhe shmangien nga presionet eventuale politike.

Si vend potencial për selinë e kësaj gjykate është përmendur Holanda. Ambasadori holandez në Prishtinë, Robert Bosch ka deklaruar gjatë një debati të organizuar nga Lëvizja Fol se ende nuk ka një vendim të prerë dhe se kjo çështje është në diskutim e sipër.

“Nuk është vendosur ende asgjë. Nuk na takon ne, por Bashkimit Evropian që të vendos, pasi që kemi të bëjmë me një projekt të BE-së, përkatësisht EULEX-it. Ata bisedojnë me ne e ne me ta, por asgjë nuk është vendosur ende”, ka thënë ambasadori Bosch.

Sipas tij, gjithçka në këtë proces është vonuar për shkak të mungesës së qeverisë dhe institucioneve të reja të Kosovës, të cilat pasi të formohen do ta diskutojnë këtë çështje me autoritetet e Bashkimit Evropian.

Themelimi i Gjykatës Speciale nga profesori Riza Smaka shihet si tregues i dështimit të organeve të ndjekjes penale, si atyre të dikurshme të UNMIK-ut, EULEX-it apo organeve vendore.

Profesori Smaka thotë se Gjykata Speciale, tani vjen si obligim ndërkombëtar që ka marrë sipër Kosova. Por, në fakt, sipas tij, themelimi i saj paraqet dhe imazh të keq për shtetin e ri evropian.

“Kjo Gjykatë nuk do të vinte në shprehje as si ide për diskutim, por ajo është pikërisht rezultat i dështimit të gjyqësorit. Ta zëmë se sa vrasjet kanë ndodhur në mënyrë enigmatike, shumë provokuese e irrituese dhe nuk është zbuluar po thuajse asnjë rast, pastaj nuk procedohen çështjet, nuk gjykohen, nuk ekzekutohen aktgjykimet, parashkruhen e ka raste kur zhduken lëndët dhe këto janë paradokse”, ka deklaruar Riza Smaka.

Gjykata e veçantë apo speciale, pritet të trajtojë raste të dyshuara të krimeve të luftës si dhe ato të fazës së parë të pasluftës.

Themelimi i kësaj Gjykate nga ekspertët e çështjeve penale – juridike ishte konsideruar si dështim jo vetëm i organeve vendore, por edhe autoriteteve ndërkombëtare që për këto 14 vjetët e fundit kishin punuar në fushën e drejtësisë dhe gjyqësorit në Kosovë.