18.9 C
Prizren
E enjte, 26 Qershor, 2025
Home Blog Page 8246

Komuna e Prizrenit mbështet Task Forcën për Qendrën Historike

0

Prizreni5-24Qyteti i bukur i Prizrenit mund të humbasë këtë epitet nëse nuk ndalohen ndërtimet jashtë kritereve, në zonën e saj historike.

Duke parë gjendjen e Qendrës Historike të këtij qyteti, Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi, ka krijuar një Task Forcë, përmes së cilës do të inspektohen të gjitha ndërtimet në këtë lokacion.

Të gatshëm për të ndihmuar nismën qeveritare shprehen edhe autoritetet komunale.

Zëdhënësi i Komunës së Prizrenit, Ymer Berisha, ka thënë për Klan Kosova se Komuna është e gatshme të ndihmojë edhe në rrënim, nëse Task Forca vlerëson se ky veprim është i nevojshëm.

“Pas analizës së Task Forcës, jemi të gatshëm si Komunë të hyjmë edhe në politikat e rrënimit, kudo që ka tejkalim të lejeve të ndërtimit”, ka thënë Berisha.

Edhe një ndihmë për Task Forcën vlerësohen të jenë dëshmitë e grumbulluara nga Organizata Joqeveritare “Ec më Ndryshe”.

Përfaqësuesi i kësaj organizate, Hajrullah Çeku, pohon se në Qendrën Historike të Prizrenit është një listë e gjatë e ndërtimeve që kanë kaluar kriteret e parapara.

“Po, ka shumë raste të ndërtimeve që janë bërë në Qendrën Historike të Prizrenit. Janë raste të ndërtimit të hoteleve, janë raste të tejkalimeve të ndërtimeve të larta. Është një listë e gjatë e ndërtimeve, që shkon deri tek uzurpimi i hapësirave publike”.

Vendimi për themelimin e kësaj Task Force duket se ka gjetur edhe përkrahjen dhe pëlqimin nga vetë prizrenasit.

Një qytetar i Prizrenit ka thënë për Klan Kosova se këto ndërtime pa kritere duhet të rrënohen për të mirën e qytetit.

“Kanë bërë njerëzit ndërtime pa kritere, dhe besoj që Komisioni dhe Task Forca që po krijohet do të dijë t’i vlerësojë në mënyrën e duhur. Ato që duhet të rrënohen, duhet të rrënohen, sepse janë për të mirën e qytetit”.

“Jo prej kulmit por prej themelit, le t’i shkatërrojnë të gjitha, prej A deri në ZH”, ka thënë një tjetër qytetar i Prizrenit, për Klan Kosova.

Led Zeppelin lanson këngët e kompozuara para 30 vjetësh

0

Led ZeppelinGrupi legjendar “Led Zeppelin” pritet të publikojnë disa incizime të padëgjuara më parë, si ajo “La La” që ishte realizuar në vitin 1969. Kënga, së bashku me disa incizime në studio dhe live të padëgjuara më parë, do të jenë pjesë e ribotimit të edicionit të albumeve “Led Zeppelin”, “Led Zeppelin II” dhe “Led Zeppelin III”.

Albumet janë ripërpunuar nga kitaristi dhe producenti Jimmy Page. Albumet do të publikohen më 2 qershor në një CD, në pllaka dhe në internet, por grupi nuk ka njoftuar për çmimin e tyre. Pllaka do të jetë e paketuar ashtu siç ishte publikuar për herë të parë LP-ja e grupit.

Kënga “La La” ishte incizuar për “Led Zeppelin II” por nuk ishte përfshirë në këtë album. Kjo do të jetë kënga më “e re” e grupit që prej publikimit të “Coda” në vitin 1982.

Ripërpunimi i albumit “Led Zeppelin” do të përfshijë nëntë këngë, të padëgjuara më parë e që ishin incizuar gjatë performancës së tyre në Olympia Theatre më 10 tetor të vitit 1969.

Përveç këtyre këngëve, do të jetë i përfshirë edhe një version 15 minuta i “Dazed and Confused”. Edhe albumi “Led Zeppelin III” përfshinë kompozime të padëgjuara më parë, të cilat kanë qenë paraardhëse të këngëve që u publikuan më parë si: “Jennings Farm Blues”, “Bathroom Sound”, “Keys To The Highway” dhe “Trouble In Mind”.

Më herët ishte thënë se “Led Zeppelin” mund të bashkohet së shpejti, me Robert Plantin që kishte thënë se ai po priste Pagen dhe John Paul Jones.

“Jam i lirë gjatë vitit 2014”, kishte thënë ai.

Arrestohet mjeku për vdekje të dyshimtë

0

arrestimi 2Policia e Kosovës e arrestoi një mjek nën dyshimin e bazuar për trajtim të papërgjegjshëm mjekësor. Rasti ka të bëjë me një vdekje të dyshimtë në një nga spitalet private që ushtron veprimtarinë e ndërhyrjeve në zemër, ku kishte vdekur një paciente nga Peja në korrik të vitit 2011.

Mjeku me inicialet SH.E është arrestuar nga policia lidhur me një vdekje të dyshimitë që kishte ndodhur në korrik të vitit 2011 në një klinikë private që ushtron veprimtarinë e nderhyrjeve në zemër, ku pas një intrevenimi diagnostik ka vdekur pacientja me inicialet Sh.H 56 vjeç, nga Peja. Arrestimi erdhi pas hetimeve të gjata të ndërmara me urdhër të Prokurorit dhe Drejtorisë për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit në Policinë e Kosovës.

Mjeku SH.E I cili kishte bërë ekzamnimin, dyshohet se nuk ka ofruar shërbim të duhur mjekësor, ku më pas janë shkaktuar edhe probleme të tjera që mund të kenë quar pacienten deri tek përkëqësimi i gjendjes dhe vdekja e saj. Familjarët ishin të parët që kishin vënë dyshimet për këtë gjë, dhe me ngulm kanë kërkuar që familjares së tyre t’i bëhet autopsia.

“ Unë dyshoj që grun ma kan vra, ka vrasje me armë të nxehtë të ftohtë, por ka edhe mbytje, mua ma kanë mbytë gruan. Mjeku më ka kërcënu dy herë dukë më thënë se çka po lyp ma këtu, në mjekësi mund të ndodhë gjithcka, nuk është faji jonë, pse me ju ba autopsia, etj…”, tha Adem Hysenaj, bashkëshorti i të ndjerës Sh. H.

Ademi thotë se kishte njoftuar policinë, dhe pas kërkesës së tij është bërë autopsia. Në raportin e mjekësisë ligjore të cilin e ka siguruar RTK, sqarohet se pacientja SH.H, ka vdekur si pasojë e depërtimit të yndyrës në qarkullimin venoz, apo siç njihet në mjekësi si Emboli Yndyrore në mushkëri .

Lajmin për arrestimin e mjekut SH.E e kanë konfirmuar Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prishtinë.

“ Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsion, sot në mëngjes, ka arrestuar një person të dyshuar, nën dyshimin e bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale ‘trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor’. Personi i arrestuar është: Sh.E, m/sh/k (1965). Bazuar në hetimet policore personi i dyshuar tashme i arrestuar nga policia derisa ka qenë duke e ushtruar profesionin e mjekut në një spital në Prishtinë, e ka trajtuar viktimën në mënyrë të pandërgjegjshme, duke mos kushtuar kujdesin e duhur, ku si pasojë ka gjetur vdekjen viktima. Me vendim të prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve”, tha Brahim Sadriu­ Zëdhënës në Policinë e Kosovës.

Ndërsa kyreprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë Imer Beka ka thënë nëpërmjet telefonit se ekziston dyshim i bazuar që i arrestuari të dërgohet në paraburgim.

RTK ka provuar gjatë gjithë ditës që të kontaktoj me zyrtarë të spitalit , por një punëtore që është përgjigjur në telefon ka thënë se drejtorët janë shumë të zënë. Kurse zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë Faik Hoti ka bërë të ditur se spitali në fjalë ka liçencë të ushtrimit të kësaj veprimtarie që nga fillimi i punës së tij në vitin 2010, po ashtu edhe i gjithë eikipi i tij mjekësor.

Vulin: FAK-u i panevojnshëm, Serbia nuk sulmon territorin vet!

0

Aleksandar VulinMinistri për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Aleksandar Vulin, ka deklaruar se Forcat e Armatosura të Kosovës për Serbinë janë krejtësisht të papranueshme. Ai ka thënë se Serbia nuk e ka ndërmend që në kuadër të dialogut, ose në ndonjë mënyrë tjetër, të bisedojë për këtë çështje.

“Janë të gabueshme interpretimet se ne po kërkojmë ndonjë aneks. Ne nuk kërkojmë asnjë aneks (të Marrëveshjes së Brukselit). Ne nuk kërkojmë kurrfarë aneksi ose negociata për Armatën e Kosovës, s‘ ka Armatë Kosove”, ka thënë Vulin për Tanjug, transmeton Koha.

Ai ka sqaruar se Serbia nuk ka hequr dorë nga kërkesa për thirrjen e mbledhjes së Këshillit të Sigurimit të KB-së për këtë çështje dhe ka shtuar se nuk varet nga Serbia se kur do të mbahet ajo.

Qeveria e Serbisë, ka thënë Vulin, nuk e ka ndryshuar qëndrimin se formimi i Forcave tëe Armatosura të Kosovës është absolutisht e papranueshme sepse Beogradi bazohet fuqimisht në Rezolutën 1244 dhe sipas kësaj rezolute nuk është e mundur që forcat e sigurisë të shndërrohen në forca te armatosura.

“Rreth e përqark Kosovës është situatë krejtësisht e qetë. Serbia nuk do ta sulmojë territorin e vet. Shqipëria dhe Maqedonia me siguri nuk do ta sulmojnë Kosovën. Nga kush kanë për t’u mbrojturat ata? Ai territor është nën garancitë më të mëdha të bashkësisë ndërkombëtare dhe formimi i çfarëdo ushtrie të Kosovës do të paralajmëronte mundësinë e konflikteve ndëretnike”, ka thënë Vulin, duke shtuar se formimi i FAK do të krijonte armiqësi të hapët me serbët në Kosovës e që do të do të kishte pasoja të paparashikueshme.

Vulin në këtë adresim i ka porositur politikanët serbë të Kosovës që të kundërshtojnë formimin e FAK-ut.

Analistët: Ramadan Muja duhet të japë dorëheqje

0

ramadan muja 333Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Hashim Thaçi, nuk duhet të pret që kryetari i dënuar i Prizrenit, Ramadan Muja, të jap dorëheqje, por këtë gjë duhet t’ia rekomandojë atij menjëherë.

Kështu vlerësojnë analistët politik dhe shoqëria civile, të cilët, konsiderojnë se kryeministri Thaçi nuk duhet të rrijë duarkryq ndaj bllokadës që mund t’i bëhet Komunës së Prizrenit nëse Muja do të vazhdojë të ankohet për vendimin që ka marrë, nga një nivel gjyqësori në nivelin tjetër.

Analisti politik, Avni Zogiani thotë se do të ishte mirë që kryeministri i Kosovës të ndjek rrugën e presidentit amerikan, Barack Obama, i cili pak kohë pasi patë shpërthyer afera e bashkëpartiakut të tij, Rod Blagojevich, i patë kërkuar Blagojevichit që të tërhiqet.

“Ne të gjithë po e dimë se çfarë ka ndodhur, është konfirmuar prej një niveli të gjykatës çfarë ka ndodhur. Tani, krejt barrën edhe të gjitha shigjetat duhet të drejtohen tek kryetari i PDK-së Hashim Thaçi, sikurse në rastin e Blagojevichit që u drejtuan Obamës në Çikago nën dyshimin se ai ka shitur vendet e senatorëve. Në momentin që ka dalë skandali i tij, askush se ka pyetur askënd tjetër, përveç se Obamën, edhe natyrisht që Obama patë thënë se duhet të tërhiqet menjëherë”, thotë ai,shkruan Gazeta Blic.

Edhe Driton Selmanaj nga Instituti Demokratik i Kosovës, thotë se nuk duhet të pritet që gjykatat tjera të merren me rastin e Mujës, por është Muja ai që duhet të reflektojë. Për këtë çështje duhet të deklarohet edhe Partia Demokratike e Kosovës.

“Me qëllim që të bartet mesazhi tek qytetarët për rëndësinë e respektimit të legjislacionit vendor, dorëheqja e menjëhershme e Ramadan Mujes do të ishte një veprim shumë i rëndësishëm politik dhe qytetar. Vlerësoj se ka ardhur koha kur njerëzit që mbajnë poste publike të largohen nga pozitat udhëheqëse derisa ti pastrojnë duart me ligjin”, thotë ai.

Selmanaj thekson se Muja ka të drejtë ligjore të rri si kryetar komune derisa një gjykatë tjetër, ku do të ankohet Muja, mos ta nxjerrë një vendim tjetër, por, sipas tij, është e pamoralshme që kryetari i Prizrenit të mbajë postin publik edhe pasi është dënuar nga një gjykatë.

“Parimisht sipas legjislacionit në fuqi, z. Muja nuk i ndalohet vazhdimi i mbajtjes së postit, por moralisht ai nuk ka të drejtë që tash tutje të jetë në krye të komunës së Prizrenit”, thotë ai.

Ramadan Muja, është dënuar dje (e enjte) për keqpërdorim të detyrës zyrtare, ngase, kishte shpërdoruar prona, përkatësisht, kishte ndërruar pronarin e një prone publike, e cila ishte nën administrimin e Agjencisë Kosovare të Privatizimit, të njëjtën e kishte bartur në pronësi të Komunës dhe më pas ia kishte dhuruar një kompanie për prodhimin e çokollatave.

Me t’u marrë vendimi për dënimin e tij, Lëvizja Vetëvendosje në Prizren dhe Bashkimi Demokratik kanë kërkuar nga Muja që të jap dorëheqje.

Fishta pasionant, Noli i rreptë

0

Gjergj Fishta“Si mund të ketë lëvizje letrare në Shqipëri?” Jasques Bourcart, akademik francez, e nis me këtë pyetje studimin e tij “Lëvizja letrare në Shqipëri” botuar më 1921 në Paris. Duke folur mbi mendimin e nxituar të linguistit gjerman Gustav Majer dhe propagandës së vendeve fqinje me Shqipërinë, të cilët gjithnjë kishin synuar ta ndanin këtë vend të vogël, përmes një raporti të studiuar me kujdes, Bourcart kërkon t’i tregojë lexuesit francez të kundërtën. “Letërsia shqiptare ekziston”, shkruan ai. Pas misionit ushtarak në Marok, gjatë kohës së luftës së madhe, dhe pas takimit me gjeologun e madh francez Lui Zhentilin, Jasques Bourcart do të gjendet në regjimentin francez, në të cilin ishin rreshtuar edhe spahinjtë marokenë në Shqipërinë mesdhetare në Korçë dhe Pogradec. Gjatë qëndrimit në Shqipëri, edhe pse në mision ushtarak, Bourcart shkeli çdo pëllëmbë të vendit, i mbrojtur ashtu siç shkruan edhe vetë nga “besa shqiptare”. Ishte vetëm 25 vjeç kur u end qyteteve të Shqipërisë për të kuptuar më shumë vendin, ku natyra ishte kaq e ngjashme me njerëzit. Pas kthimit në Francë, ai do vazhdonte karrierën akademike si anëtar i Akademisë Franceze dhe shef i Katedrës së Gjeologjisë në Sorbonë. Për të mbërritur te lëvizjet e para letrare në vend, Bourcart bën një vështrim historik të së shkuarës për t’u ndalur më pas te gjuha.

“Gustav Majeri, një ndër gjuhëtarët e parë që është marrë me gjuhën shqipe, ka ngulmuar te pesha që kanë huazimet e fjalëve nga gjuhë të tjera dhe ‘bastardimet’ e formave autoktone të saj. Ky opinion u përhap me shpejtësi dhe përsëritej deri edhe në mbledhjet e komitetit të studimeve të Traktatit të Versajës. Megjithatë statistikat e Majerit kanë pak vlerë bindëse, sepse numri i fjalëve të gjuhës shqipe që mblodhi ai është shumë i vogël.

Për më tepër përfundimet e tij mbështeten në mënyrë të thatë vetëm në shifra. Unë vetë, bie fjala, kam qenë dëshmitar i zhdukjes dhe zëvendësimit të natyrshëm të shumë fjalëve turqisht, që ky dijetar i kishte vënë re në gjuhën shqipe”, shkruan Bourcart.

Por gjuhëtari danez, Holger Pedersen, është i një mendimi tjetër. Sipas tij, gjykimi i Majerit është shumë sipërfaqësor. Pederseni mendon se për të provuar diçka duhet që më parë të kesh mbledhur të gjithë fjalorin e gjuhës shqipe dhe se as kjo nuk do të mjaftonte. “Asnjë prej atyre që janë familjarizuar me gjuhën e gjallë shqipe dhe që zotërojnë njohuri shkencore për strukturën e saj, nuk mendon se ajo është gjuhë e përzier. Ashtu si të gjitha gjuhët e botës edhe ajo ka thithur një sasi fjalësh të huaja. Por gjuha shqipe ka pësuar një zhvillim të vetin, të mirëfilltë, që e ka bërë atë të jetë sot një gjuhë e bukur, plot mundësi dhe që duhet të bëjë krenari për ata që e flasin, duke qenë se instrumenti i shenjtë i kulturës së kombit shqiptar”, shkruan Jasques Bourcart. Rrëfimi i tij për letërsinë shqipe nis nga libri i parë i shkruar në gjuhën shqipe ai i Buzukut më 1555-n. Më pas, Fjalori latino-epirot i murgut Frang Bardhi.

Në vitin 1525, Bogdani, kryepeshkop i Shkupit, boton “Çeta e profetëve”, që u botua në Venedik me germa latine e shenja diakritike… Poema “Lahuta e Malcisë” quhet një ngjarje për jetën letrare të kohës sipas Bourcart. “Më 1899-n, atë Fishta boton fillimin e poemës së parë me frymëzim realisht kombëtar. Poetët toskë që i kishin paraprirë atij, për shembull Naim Frashëri, kanë huazuar veçanërisht nga lirikat perëndimore, ose kanë bërë përshkrime të stërzgjatura historike me frymë romantike. Poema e Fishtës, ‘Lahuta e Malcisë’, është e frymëzuar drejtpërsëdrejti nga rapsoditë e vjetra popullore të gegëve.

Nëse te kjo poemë ashtu si në të gjithë veprën e këtij shkrimtari, mund të haset ndikimi i poetëve italianë të rilindjes, veçanërisht Manxonit, ky ndikim është krejtësisht i pavullnetshëm, mes gjendjes morale të Shqipërisë së atyre viteve dhe asaj të Italisë të fillimit të shekullit XIX, ka një ngjashmëri vërtet të madhe! Për më tepër mund të thuhet se disa strofa të Fishtës janë bërë aq popullore, sa ata që i këndojnë nuk i dinë fare origjinën e tyre. Po atë vit, Fishta dhe monsinjor Primo Doçi, peshkop i mirditorëve, themelojnë shoqërinë “Bashkimi të arsimit kombëtar”. Ky grupim, që ndërkohë ka edhe një gazetë, luan rol të madh në rizgjimin kulturor të Veriut të Shqipërisë”. Një moment tjetër i rëndësishëm në lëvizjet letrare shqiptare pas 1900-s, sipas Jasques Bourcart, është dhe themelimi i revistës “Hylli i Dritës” më 1914-n nga françeskanët. Ai e quan këtë revistë një botim të dorës së parë.

“Ajo është e denjë për nivelin e revistave të Europës Perëndimore dhe luajti një rol të madh si nëpërmjet botimit të analizave kritike mbi gjithçka të shkruar jashtë mbi Shqipërinë, ashtu edhe nëpërmjet studimeve filozofike letrare, si dhe botimit të veprave me përmbajtje të lartë letrare apo pjesëve të zgjedhura nga poema epike popullore…”, shkruan ai.

Teksa bën një përshkrim të situatës në të cilën ndodhet vendi, ai thotë se që kur vendi ka qeverisjen e vet, evolucioni intelektual ka qenë disi i vonuar në Veri, shkaktuar prej pasigurisë që kanë krijuar disa incidente kufitare, ashtu edhe prej luftërave të brendshme politike. Në qeverinë “popullore” të Ahmet Bej Zogut, në Shkodër u hap një gjimnaz laik, gjë që në ambientet fetare bëri të shpërthejnë polemika të ashpra. Çështja klerike doli edhe në Shqipëri. Gjithashtu në Veri, ku shtëpitë janë jashtëzakonisht të shpërndara dhe ku nuk ka fshatra të vërtetë, është më e vështirë që arsimi popullor të marrë atë zhvillim që ka pasur në zonat toske. Teksa flet për kohën kur Noli ishte Kryeministër, Jasques Bourcart e quan atë një amator me ironi të hidhur në letërsi. “Ai është gjithashtu një historian i vërtetë, që ka shkruar veprën e parë sipas një metode me të vërtetë shkencore ‘Historia e Skënderbeut’.

Kjo vepër shquhet për energjinë e stilit fjalëpak dhe për sa mund të gjykoj unë, gjuha e përdorur është shumë herë mjaft personale. Në tërësi, libri të jep përshtypjen se është shkruar me stil të rreptë, por shumë të thjeshtë dhe të zhveshur, me dashje nga çdo lloj retorike. Ai sigurisht që nuk e shteron dot atë temë që do të kërkojë kërkime të tjera, por vepra është e denjë për shqiptarin e madh, historinë e të cilit përshkruan”, shkruan Jasques Bourcart. Luigj Gurakuqi është për të poet, prozator, gazetar dhe përkthyes me formim kryesisht italian. “Ai aktualisht është ministër i Financave. Vepra e tij është mjaft e shpërndarë dhe e vështirë për t’u rrokur. Ai është, siç mendoj unë, nga më të mirët, e ndoshta më i miri prozator shqiptar, të paktën i dialektit gegë, një ndër ata që e zotëron gjuhën mjaft mirë e që më vonë do të bëjë emër”, shkruan ai. Të fundmit shkrimtar që përmend në studim është ai që, sipas tij, është në krye të të gjithë letërsisë shqipe, poeti Gjergj Fishta. “Poeti Gjergj Fishta, françeskan me origjinë nga një familje fshatare e Zadrimës, paraqet edhe prototipin e racës së vet, i fortë, i qeshur, i rrëmbyer me një ironi njëkohësisht të hidhur e tejet të hollë dhe në tërësi jashtëzakonisht pasionant.

Unë vetëm kam mundur të ndërgjegjësohem mbi mjeshtërinë e jashtëzakonshme me të cilën ai përdor shqipen, që nëpërmjet të qenët lakonike e saktësisë së shprehjeve të veta, nuk mund të krahasohet veçse me gjuhët antike. Harmonia e vargjeve aq tingëllues, fuqia e lirizmit të brendshëm, një prirje natyrale drejt dialogut teatral, ja çfarë e karakterizon Fishtën. Libri i tij “Gomari i Babatasit”, u ble i gjithi për dy ditë. Ai është me një fjalë shqiptari i mirëfilltë, fisnik i zjarrtë, por i rrezikshëm. Frymëzimi i tij është vetëm heroik dhe në ngjashmëri të plotë me atë të rapsodive popullore, patriotik dhe fetar…”

UPZ zgjedhë dekanët e Fakultetit Ekonomik, Edukimit dhe të Shkencave Kompjuterike

0

UPZ 45Senati i Universitetit të Prizrenit “Ukshin Hoti” ka zgjedhur dekanët e tre fakulteteve, atë të Ekonomikut, Edukimit dhe të Shkencave Kompjuterike.

Dekan i Fakultetit të Shkencave Kompjuterike u zgjodh Prof. dr. Artan Dermaku, Fakultetit Ekonomik , Prof. dr. Bekim Berisha, ndërsa i Fakultetit të Edukimit, Prof. dr. Ismet Temaj.

Ndërsa edhe pas dy raundesh votimi, nuk arriti të zgjidhet dekani i Fakultetit Juridik, ngase rezultati ishte baras.

Funksionin e dekanit në Fakultetin Juridik do të vazhdoj ta ushtroj kryesuesi i Këshillit të Fakultetit, Prof. dr. Enver Buqaj, derisa të gjedhet dekani i këtij fakulteti.

Votimi ka qenë i fshehtë dhe procesi është zhvilluar normalisht.Rreth zgjedhjeve në Fakultetin Juridik do të vendos KQZ-ja e UPZ-së.

 

Fotot e Marubëve frymëzojnë fotografët e Kosovës

0

1646Fotografitë e fototekës “Marubi”, nga Shkodra që janë të vendosura afro një muaj në muret e dy kateve të Galerisë Kombëtare të Kosovës në kuadër të ekspozitës “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, ka mrekulluar edhe disa nga fotografë e njohur të Kosovës.
Ata e kanë cilësuar atë si thesar që nuk mund të shpaguhet me asgjë në botë. Madje këta fotografë në veçanti kanë thënë për Kel Marubin se ai do të jetë për një kohë të gjatë gjeniu i pazëvendësueshëm i fotografisë jo vetëm në trojet shqipfolëse, por edhe më gjerë.

Shala: Studioja e Marubëve ndër më eminentet në Evropë
Njëri ndër fotografët e njohur në vend, Naim Shala, ka deklaruar për “KultPlus” se paraqitja në këtë ekspozitë e gjithë këtyre portreteve dhe peizazheve në këtë mënyrë të fotografuar, tregon se studioja e Marubëve ka qenë ndër më eminentet në Evropë, ku në të janë pozuar shumë diplomatë ndërkombëtar dhe personalitete të rëndësishme politike të asaj periudhe.
“Fati ynë kombëtar është se të gjithë ‘negativët’ e fototekës “Marubi” nga Shkodra janë ruajtur dhe neve na është krijuar një mundësi shumë e mirë që t’i shohim një pjesë të këtij thesari që përmban vlera të padiskutueshme. Marubët nuk janë të shquar vetëm me fotografi portrete, por ata me thjeshtësinë e tyre aq mrekullisht kanë ditur t’i nxjerrin këndet e peizazheve dhe prapavijat e personazheve të cilët janë të shfaqur në këto fotografi sa që me punën e tyre lënë të habitur shumë fotografë me përvojë”, ka theksuar Shala, duke shtuar më tutje se njëra ndër fotografitë të cilët i ka lënë më së shumti përshtypje ka qenë fotoja e titulluar “Simon (nga Guri i Zi)” e shkrepur në vitin 1925 nga dora e “artë” e Kel Marubit.
“Marubët, nuk kanë fotografuar vetëm figura eminente të asaj kohe apo familjet aristokrate, po kanë bërë një përjashtim të jashtëzakonshëm e që është një vlerë tejet e madhe kombëtare, ku në studio kanë futur për t’i pozuar edhe fshatarët në mënyrë që të dal sa më interesant një fotografi e tyre. Mua më ka lënë shumë përshtypje kjo fotografi e realizuar nga Kel Marubi, ku me të mund të konkurrohet edhe në këtë kohë, në ndonjë konkurs për portretin më të mirë në botë. Krejt këtë fotografi çka e bënë të jetë e zakonshme është shikimi i këtij plaku dhe qëndrimi i tij dinjitoz që ndihet tejet krenar në varfërinë e vet”, ka thënë fotografi Shala, i cili ka treguar më pas edhe disa detaje për aparatet e Marubëve që kanë lënë gjurmë në historinë shqiptare ku nëpërmjet objektivit të tyre janë fotografuar për të qenë të “përjetshëm” heronjtë si: Azem e Shotë Galica, Isa Boletini, Bajram Curri, pastaj :shkrimtarët At Gjergj Fishta, Ndre Mjeda, Luigj Gurakuqi e disa të tjerë.
“Atëbotë, aparati nuk ka qenë i përmasave të vogla për të pasur mundësi si sot ta fusësh në xhep, mirëpo një aparat fotografik i Marubëve ka peshuar 60 kg që së bashku me të e ka bartur ku ka shkuar për të fotografuar edhe karrocën e cila ka qenë e modifikuar në laborator. Negativët e atij aparati janë punuar aty për aty duke u zhvilluar në terren”, ka thënë ai duke shtuar se kjo ekspozitë për fotografët aktual vendor si dhe gjeneratat e ardhshme të cilët mendojnë të jetojnë nga ky profesion, duhet të jenë pikë frymëzimi se si realizohet një fotografi që mahnitë çdo kënd ashtu siç kanë vepruar të gjithë ata fotograf të fototekës “Marubi”.
Nëpërmjet fotografive të shfaqura në ekspozitën “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi” mijëra vizitorë kanë pasur mundësi të shohin se si janë dukur qindra vjet më parë: tregu, kalaja, bujtinat dhe qendra e qytetit të Shkodrës dhe në përgjithësi si është zhvilluar jeta e qytetarëve të rrethinës së këtij qytetit i cili është i cilësuar si “djepi i qytetarisë shqiptare”.
Slivova: Marubët, diplomatë të artit shqiptarë
Fotografi, Ridvan Slivova, ka theksuar se kompozicioni i fotografive të familjes Marubi është tejet përshtypjelënëse, për arsye se në të ka hyrje-dalje që iu jep mundësi vizitorëve ta lexojnë dhe përjetojnë mendimin e fotografëve të kësaj fototekë të çmuar historike.
“Te Marubët dhe fotografët tjerë të fototekës së studios së tyre, dominon ndriçimi natyral dhe rregullimi i skenës ku janë të vendosur ata të cilët janë të fotografuar.
Marubët për mua janë diplomatët e artit shqiptar, për arsye se gjithë ata diplomatë të vendeve të ndryshme të botës, kur kanë vizituar qytetet e Shqipërisë, nuk e kanë lënë pa e shfrytëzuar rastin për të marrë rrugë edhe për në Shkodër me qëllim që të fotografohen në studion e tyre.
Ata përmes realizimit të fotove nga Keli dhe Gega, kanë dërguar mesazh te qytetarët e vende të tyre”, ka thënë Slivova që ka treguar se fotoja “Burrë e grua nga Italia”, e realizuar në vitin 1920 nga Kel Marubi, i ka pëlqyer më së shumti në këtë ekspozitë që ka mbledhur mijëra vizitorë.
“Në këtë fotografi ka shumë shprehje figurative. Keli Marubi, studion e vet në disa raste e ka shndërruar në një skenë teatrore si në rastin e çiftit italian, ku vërehet burri me një pushkë të gjatë që simbolizon mbrojtjen e atdheut dhe pragun e shtëpisë dhe nga ana tjetër shihet përkrahë tij edhe gruaja e vet e pozicionuar në këmbë që e ka të vendosur dorën në bel ku tregon krenarinë e femrës shqiptare”, ka pohuar Slivova.
Prenaj: Fotot e Marubëve përcjellin civilizim si në ditët e sotme
Petrit Prenaj, fotograf në të përditshmen “Tribuna” ka thënë se për të është e përkryer ekspozita me fotografitë e Marubëve, pasi që nëpërmjet fotove ata kanë arritur të bëjnë dokumentimin real të gjendjes të asaj periudhe në Shqipëri duke i prekur të gjithë kategoritë e njerëzve.
“Në këto foto shihen veshjet, fshatarët, doktori, fabrikat, ceremonitë fetare, mënyrat e jetesës e shumë të tjera. Meritat për këtë ekspozitë ku dominon portreti më shumë, shkojnë edhe për kuratorët e saj të cilët nuk e kanë pasur të lehtë përzgjedhjen e ekspozimit të fotografive nga një fototekë tejet e pasur siç është ajo e familjes Marubi”, ka thënë Prenaj, ku ka shpjeguar më pas se përse i ka pëlqyer më së shumti fotografia e realizuar nga Gegë Marubi në vitin 1933 e titulluar “Grueja e Ismet Totos”.
Kjo fotografi më ka lënë përshtypje për një arsye, sepse, është e realizuar në pozicionin portret sikurse të ishte në kohët e sotshme. Këtu në këtë foto e shkrepur në vitin 1933, është një femër e cila pasqyron civilizimin dhe modernitetin e popullit tonë. Në çdo kohë, si në antikë, mesjetë e gjer më sot në këtë periudhë kohore, femra gjithnjë ka qenë e respektuar në traditat e kombit tonë shqiptar”, deklaroi Prenaj.
Qytetarët e Kosovës kanë pasur mundësinë t’i shikojnë për herë të parë për një muaj rresht më shumë se 250 fotografi nga thesari i arkivit të fototekës “Marubi”. Me hapjen e ekspozitës “Marubi: Objektivi i lëvizshëm i një arkivi”, ka filluar edhe implementimi i kalendarit të përbashkët kulturor mbarëkombëtar Kosovë-Shqipëri, një akt ky i rëndësishëm që është nënshkruar muajin e kaluar nga dy ministritë e Kulturës, të Kosovës dhe asaj të Shqipërisë.

Ekspozita retrospektive e Simon Shirokës sivjet prezantohet në Tiranë

0

6646Drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve në Shqipëri Artan Shabani vizitoi Galerinë Kombëtare të Kosovës dhe Galerinë Simon Shiroka.

Gjatë kësaj vizite u bisedua rreth bashkëpunimit në fushën e artit pamor mes Galerisë Kombëtare të Kosovës dhe Shqipërisë, njofton GKK.

Këtë vit në Shqipëri do të prezantohet një ekspozitë retrospektive e artistit kosovar Simon Shiroka.

Ndërsa në Kosovë në vitin 2015 do të organizohet një ekspozitë e cila për herë të parë do të prezantojë një atmosferë të plotë e artit të realizmit socialist shqiptar nga fondi i Galerisë Kombëtare të Arteve, Shqipëri, thuhet në njoftimin e Galerisë Kombëtare të Kosovës.

VV kërkon dorëheqjen e Ramadan Mujës

0

Arber Rexhaj 23Duke pas parasysh vendimin e djeshëm gjyqësor, shpalljen fajtor të kryetarit të Prizrenit Ramadan Muja për keqpërdorim të pronës publike, qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren kërkon dorëheqjen e menjëhershme të tij dhe ekipit qeverisës një pjese e së cilës poashtu janë dënuar për bashkëpjesëmarrje në këtë veprim. Ky Vendimi gjyqësor e bën të pavlefshëm fitoren e tij në zgjedhje dhe poashtu e delegjitimon pushtetin e tij.

“Pas këtij vendimi prof. Ramadan Muja dhe ekipi i tij më nuk kanë autoritet moral dhe legal për udhëheqjen e komunës tonë. Ai prej sot nuk është kryetar i qytetit dhe nuk ka të drejtë për ushtrimin e detyrave dhe kompetencave si kryetar i qytetit. Prandaj kërkojmë dorëheqjen e menjëhershme, kurse nga presidentja e Republikës së Kosovës kërkojmë shpalljen e zgjedhjeve të menjëhershme për kryetar te Prizrenit.
Kohë për të humbur më nuk kemi, nëse profesori dhe ekipi i tij i akuzuar është i interesuar të ankohet ne vendimin e gjyqit le ta bëjë, është e drejtë e tij, por kësaj here mos të thirret në emër të qytetarëve. Ne si qytet nuk duam të bëhemi peng i problemeve të tij me ligjin. Ditët në vijim janë fund i një qeverisjeje te papërgjegjshme, të cilën ne vazhdimisht e kemi kundërshtuar. Për këtë dje edhe drejtësia e dha fjalën e vet”, ka thënë Arbër Rexhaj.

“Dëshirojmë te njoftojmë bashkëqytetarët tanë se nëse prof. Ramadan Muja nuk e jep dorëheqjen e menjëhershme Qendra e Vetëvendosje në Prizren së bashku me qytetarët e Prizrenit dhe partitë tjera te interesuara do te përdorë te gjitha kapacitetet e saj institucionale dhe publike qe Prizreni më në fund të lirohet nga ky pushteti i cili na mori pronat, dinjitetin dhe fytyrën e qytetit tonë”, përfundon ai.