11.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

103 vjet nga vdekja e Ismail Qemalit

Sot bëhen 103 vjet nga vdekja e atit të Pavarësisë së Shqipërisë, shqiptarit të madh Ismail Qemali.

U lind në Vlorë, në vitin 1844, biri i Mahmut Nedim beut. Shkollën fillore e kreu në qytetin e lindjes. Më mbas vazhdoi në shkollën e mesme Zosime në Janinë, ku mësoi greqishten e vjetër, latinisht dhe frëngjisht. Në vitin 1860, në moshë shumë të re, vetëm kur ishte 16 vjeç, për shkak të gjuhëve që zotëronte, filloi të punonte në Zyrën e Përkthimeve të Portës së Lartë, në Stamboll.

Deri në vitin 1900 Ismail Qemali punoi në detyra të ndryshme në administratën osmane, në Vilajetin e Janinës (1862), në Vilajetin e Danubit (1866-1876), në Filibe (1876), në Mardin 1883), në Bollu (1884-1889), në Bejrut (1889).

Në vitin 1900, kur ishte me detyrën e kajmakamit në Kesrije, për shkak të përndjekjes nga bashkëpunimi me xhonturqit dhe ideve për të arritur një organizim të shqiptarëve, la detyrën, u arratis për në Greqi dhe nga aty kaloi në Evropë. Në gjyqin që u bë në mungesë u dënua me vdekje.

Në vitin 1902 Ismail Qemali mori pjesë në kongresin e xhonturqve që u organizua nën drejtimin e Princit Sabahedin dhe Lutfullahut, në Paris. Vetëm mbas rishpalljes së Kushtetutës (1908) Ismail Qemali u kthye nga Evropa. Në zgjedhjet që u bënë mbas rishpalljes së Kushtetutës, Ismail Qemali u zgjodh deputet i Beratit dhe u bë pjesë e partisë opozitare “Osmanl? Ahrar F?rkas?”.

Gjatë periudhës së kryengritjeve të shqiptarëve kundër dhunës së ushtruar nga administrata e xhonturqve që ishin në qeveri, Ismail Qemali u mundua të siguronte mbështetje nga shtetet Evropiane për të krijuar një administratë autonome brenda Perandorisë Osmane.

Në kryengritjen e Malësisë së Madhe (1911) shkoi në Çetinje të Malit të Zi, ku me iniciativën e tij u firmos edhe memorandumi me 12 pika i Kuvendit të Greçës. Me kryengritjen e vitit 1912 u arrit një autonomi e shqiptarëve brenda Perandorisë Osmane, por fillimi i Luftës Ballkanike jo vetëm që e ndërpreu formimin e një strukture të tillë, por solli edhe pushtimin dhe copëtimin e trevave shqiptare. Ismail Qemali udhëhoqi lëvizjen dhe mbledhjen që u mbajt në sarajet e familjes Vlora, ku më 28 nëntor 1912 u shpall Pavarësia e Shqipërisë dhe u zgjodh kryetar i Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Në muajin mars 1913, nëpërmjet Dukës de Monpensier kaloi në Brindizi dhe më pas vizitoi kryeqytet e shteteve Evropiane për të siguruar mbështetje për çështjen e Shqipërisë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër. Më 22 janar 1914, Ismail Qemali dha dorëheqjen nga Qeveria e Përkohshme e Vlorës, ia dorëzoi pushtetin Komisionit Ndërkombëtar dhe u nis bashkë me familjen për në Francë.

Ndërroi jetë më 24 janar 1919, në Peruxhia dhe më 12 shkurt u varros në oborrin e Teqesë në Kaninë, mbi Vlorë./kp/

Më Shumë

Arrestohen dy femra, sulmuan një të mitur dhe dy zyrtarë policorë në Prizren

Dy femra janë arrestuar të martën në Prizren, pasi që kishin sulmuar fizikisht një të mitur dhe më pas kishin penguar dhe sulmuar fizikisht...

Përurohen kabinetet e shkencave të gjimnazit “Gjon Buzuku” dhe shkollës fillore “Motrat Qiriazi” në Prizren

Sot, u përuruan kabinetet e shkencave (Fizikë, Kimi, Biologji dhe Gjeografi) në SHFMU “Motrat Qiriazi” dhe gjimnazin “Gjon Buzuku” në Prizren, një bashkëfinancim mes...

Lajmet e Fundit