16.8 C
Prizren
E shtunë, 4 Maj, 2024

Gjykata e Prizrenit diskuton për aprovimin e kërkesave pasuroro-juridike në çështjet penale

Më 10 dhjetor 2015, në ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, Gjykata Themelore e Prizrenit e mbështetur nga Misioni i OSBE-së në Kosovë mbajti një tryezë të rrumbullakët me gjyqtarë të lëmisë penale dhe civile, prokurorë, avokatë, mbrojtës të viktimave dhe bashkëpunëtorë profesionalë në temën e aprovimit të kërkesave pasurore juridike në kuadër të procedurës penale.

“Qëllimi i punëtorisë ishte që të ndikohet në përmirësimin e efikasitetit të Gjykatës Themelore të Prizrenit përmes reduktimit të një numri të konsiderueshëm të kërkesave pasuroro juridike që mund të gjykohen në kuadër të procedurës penale”, thuhet në komunikatën e gjukatës.

Në këtë tryezë morën pjesë rreth tridhjetë (30) pjesëmarrës. Fjalime hyrëse bënë gjyqtarja Teuta Krusha, në emër të Gjykatës Themelore të Prizrenit dhe zyrtari i lartë ligjor Meriton Pajaziti, nga Misionit i OSBE-së në Kosovë, të cilët edhe e moderuan takimin. Më pas u vazhdua me një diskutim përmbajtësor në lidhje me temën, nga të gjithë të pranishmit.

Në komunikatë thuhet se, u diskutuan aspekte të ndryshme në lidhje me temën, me çka u nxorrën disa përfundime dhe rekomandime konkrete, të përmbledhura si në vijim:

• Prokuroria edhe gjykata duhet të sigurohen që pala e dëmtuar të jetë e informuar siç duhet në lidhje me të drejtat e saj në procedurën penale (Kodi i Procedurës Penale, nenet 62 dhe 322), sidomos për të drejtën e palës së dëmtuar të paraqesë deklaratë mbi dëmin. Pala e dëmtuar rrezikon të humbë statusin e palës në procedurë penale nëse nuk arrin të paraqesë një deklaratë mbi dëmin brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e ngritjes së aktakuzës (Neni 218 i KPP-së);

• Gjyqtarët duhet të informojnë mirë të akuzuarit gjatë pranimit të fajsisë se pranimi i fajit bëhet vetëm për veprimin kundërligjor të përshkruar në aktakuzë dhe se pala e dëmtuar – në ato raste kur nuk është e mundur të vendoset në procedurë penale – do të bëjë kërkesë pasuroro juridike për kompensim të dëmit, kthimin e sendit ose anulimin e ndonjë veprimi të caktuar juridik;

• Pala e dëmtuar shpesh nuk është e informuar për procedurën penale kur aktakuza është ngritur drejpërdrejt, pa kryer më parë një hetim paraprak mbi rastin. Në këto raste, pala e dëmtuar pothuajse kurrë nuk konsultohet dhe nuk informohet për procedurën penale që është në vijim e sipër, si pasojë në aktakuzë mungojnë të dhëna të sakta lidhur me dëmin. Në mungesë të këtyre të dhënave, bëhet shumë më e vështirë për gjykatën të vendosë për kërkesën për kompensim. Përgatitja e mirë e rastit nga prokurori para ngritjes së aktakuzës, përfshirë këtu edhe ekspertizën në lidhje me lartësinë e dëmit do të kontribuonte dukshëm në parandalimin e shtyrjeve të mëvonshme të gjykimit dhe zgjidhje të kërkesës pasuroro juridike në suaza të lëndës penale;

• Në aktakuzë nuk mjafton vetëm të shënohet lartësia e dëmit, por duhet që kjo shumë të mbështetet në dëshmi konkrete, – si ekspertizë, faturat ose dëshmi të tjera të cilat do ta bindin gjykatën se kompensimi i kërkuar është real. Kjo shpesh ndodh në rastet në të cilat KEDS-i (KEK-u) është palë e dëmtuar. Vlera e dëmit nuk duhet të mbështetet vetëm në një deklaratë të dhënë nga pala e dëmtuar;

• I dëmtuari duhet të jetë gjithmonë i njoftuar kur negociohet marrëveshja mbi pranimin e fajësisë. Këtu nevojitet një rol aktiv i prokurorit, ashtu që prokurori ta ketë parasysh pozitën procedurale të të dëmtuarit. Edhe në qoftë se i dëmtuari nuk është i interesuar apo i pranishëm, prokurori duhet të sigurojë që i dëmtuari të jetë objekt i negociatave dhë marrëveshjes, në mënyrë që marrëveshja për pranim të fajësisë, dhe në fund aktgjykimi dënues në bazë të kësaj marrëveshjeje tu shërbejë jo vetëm qëllimeve për ndëshkim të kryesit, por edhe për dëmshpërblimin e të dëmtuarit, e që është edhe njëri prej qëllimeve të dënimit të parapara më Kodin Penal (neni 41).

• Kur vlera e dëmit paraqet element konstituiv të veprës penale(kapitulli 27 i Kodit Penal për veprat penale kundër pasurisë, e të tjera) dhe kur të jenë plotësuar kushtet (kërkesa pasurore juridike të jetë e drejtuar ndaj të pandehurit; lënda e kërkesës pasurore juridike të jetë kompensim i dëmit, kthimi i sendit ose anulimi i ndonjë veprimi të caktuar juridik; dhe se kërkesa pasurore juridike nuk do ta prolongonte dukshëm procedurën penale) gjykata, kur merr aktgjykim me të cilin e shpall fajtor të pandehurin ndërsa të dhënat në procedurë penale ofrojnë bazë të sigurt për gjykim të kërkesës pasurore-juridike, ka për detyrë të marrë vendim për këtë kërkesë dhe në rastin e tillë i dëmtuari nuk mund të udhëzohet që këtë kërkesë ta realizojë në kontest civil.

“Gjatë diskutimit u theksua se zgjidhja e kërkesave civile për kompensim përmes procedurave penale ka përparësi të shumta: përmirëson efikasitetin e sistemit të drejtësisë duke shmangur dyfishimin e procedurave; rrit përgjegjësinë individuale të kryesit për lëndimet që ia ka shkaktuar viktimës, dhe si rezultat, parandalon ri-viktimizimin, i cili ndodh shpesh kur i dëmtuari duhet të inicojë procedurë të re kontestimore”, thuhet me tej në komunikatë.

Punëtoria u përmbyll me një përfundim të përbashkët që të gjithë duhet të bëjnë përpjekje shtesë në mënyrë që të tregojnë konsideratën e duhur për nevojat e të dëmtuarve dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë drejt një drejtësie që do të kënaqte edhe interesat dhe nevojën për kompenzimin e viktimave. /PrizrenPress.com

Më Shumë

Vdes tragjikisht në vendin e punës mërgimtari 30-vjeçar nga Malisheva

Ka humbur jetën tragjikisht në vendin e punës në Belgjikë, 30-vjeçari, Arian Gashi. I ndjeri ishte nga qyteti i Malishevës. 30-vjeçari humbi jetën mëngjesin e sotëm...

MKRS në ditën përmbyllëse të festivalit “Hasi Jehon”: Vendtakim kulturor që sjell trashëgiminë e pasur folklorike

Më 2-4 maj është zhvilluar edicioni i 35-të i Festivalit folklorik “Hasi Jehon 2024”. Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit përmes një komunikate ka deklaruar...

Lajmet e Fundit