18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

36 shkronjat e alfabetit, orientim properëndimor i kombit shqiptar

36 shkronjat e alfabetit të shqipes, tashmë i mbushën 114 vjet.

Mëdyshjet se me cilat germa të shkruhej shqipja, mblodhën intelektualë nga e gjithë Shqipëria e diaspora për një alfabet të përbashkët për të gjithë shqiptarët, më 14 nëntor të vitit 1908 në Manastir.

Punimet e Kongresit të Manastirit zgjatën tetë ditë, deri më 22 nëntor.

Në Kongresin e Manastirit u mblodhën atdhetarët më të mëdhenj shqiptarë të asaj kohe dhe përfaqësuesit më të shquar të lëvizjes nacionalçlirimtare shqiptare. Kryetar i kongresit u zgjodh atdhetari Mit’hat Frashëri e nënkryetarë Luigj Gurakuqi e Gjergj Qiriazi.

Se pse alfabeti latin triumfoi ndaj të tjerëve gjuhëtarja e shquar Prof.dr. Sala Ahmetaj, në një intervistë për Klankosova.tv, ka thënë se ka të bëjë edhe me orientimin properëndimor të kombit shqiptar.

“Përcaktuese për vendimet e Kongresit të Alfabetit ka qenë komponentja kombëtare. Alfabeti latin ishte zgjidhja që e përfaqësonte një vetëdije politike dhe kombëtare sepse bëhej me qëllim që identiteti kulturor i shqiptarëve, të shprehej edhe me alfabet që do të ishte ndryshe nga alfabeti sllav, grek, turk. Pra, vendimet për alfabetin latin kanë pasur të bëjnë edhe me orientimin properëndimor të kombit shqiptar”, ka thënë Ahmetaj për Klankosova.tv

Sipas saj, unifikimi i alfabetit ishte parakushti për krijimin e shqipes standarde, duke shtuar se pas 114 vjetësh, gjuha shqipe po zhvillohet e përsoset gjithnjë e më shumë me forma e përmbajtje të reja.

“Rëndësia e Kongresit të Alfabetit është e madhe sepse alfabeti ishte parakushti për krijimin e shqipes standarde. Sot pas kaq shumë vitesh, gjuha standarde shqipe po zhvillohet dhe po përsoset ajo gjithnjë po pasurohet me forma e përmbajtje të reja. Gjithashtu, është bërë edhe gjuhë kulture, që ndërton mënyra të të shprehurit me nunacime të holla stilistike e komunikative. Ajo vazhdon të përsoset e normohet edhe në përdorimet më të veçanta, për shembull në stilet të ndryshme të të shkruarit, në publicistikë, në letërsi, në stilin shkencor, administrativ dhe atë bisedor”, ka thënë gjuhëtarja.

Ahmetaj, që njëherësh është një ndër profesoreshat e para në Universitetin e Prishtinës, ka thënë se gjuha shqipe ka pësuar ndryshime (të cilat ajo pëlqen t’i quajë zhvillime), duke shtuar se gjuha ka nevojë të ripërtërihet me përmbajtje të reja semantike e strukturore.

“Përgjatë këtyre viteve gjuha shqipe ka pësuar edhe ndryshime, të cilat ne më shumë do të parapëlqenim t’i quanim zhvillime, ato janë edhe ndryshime, edhe zhvillime njëkohësisht sepse gjuha si fenomen shoqëror ndryshon dhe zhvillohet vazhdimisht, përkundër normës, e cila synon ta mbajë në gjendje të njëjtë, ta ngurtësojë, mirëpo gjuha ka nevojë të përtërihet me përmbajtje të reja semantike, strukturore dhe kështu ajo për shembull duke u zhvilluar ka nevojë për fjalë të reja, për shprehje të reja, për ndërtime të reja, në këtë mënyrë ajo shumë fjalë i risemantizon. Ose në rrafshin strukturor, ka pasur zhvillime të rëndësishme si përdorimi i fjalive emërore, ose përdorimi i shpeshtë i formave pësore. Këto dëshmojnë edhe një shkallë të civilizimit të një gjuhe. Si ndërtime të veçanta përdoren në stile të veçanta, sidomos në stilin publicistik ose shkencor”, ka shtuar ajo.

Intelektualja Ahmetaj është shprehur se përpjekjet e intelektualëve, gjuhëtarëve e patriotëve, që kërkojnë një gjuhë të përbashkët, kanë qenë të vazhdueshme, duke vënë theksin sidomos te Komisia Letrare e Shkodrës, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës e Kongresi i Drejtshkrimit.

“Përpjekjet e intelektualëve, gjuhëtarëve, patriotëve që të krijojnë një gjuhë të përbashkët letrare, sot standarde, kanë qenë të vazhdueshme, por janë disa momente që kanë shënuar zhvillime të rëndësishme, si për shembull: Komisia Letrare e Shkodrës, ose Konsulta Gjuhësore e Prishtinës, që është mbajtur në vitin 1968, pastaj përpjekjet e disa intelektualëve, si Konstantin Kristoforidhi, i cili është përpjekur t’i përdorë paralelisht në të njëjtin shkrim edhe elementet gege, edhe ato toske, kanë qenë përpjekje që kanë kulmuar me Kongresin e Drejtshkrimit, që është mbajtur në vitin 1972, ku kanë qenë të pranishëm përfaqësues nga të gjitha trevat shqiptare dhe kjo sot konsiderohet si e arritura më e madhe sepse një komb mund të quhet i qytetëruar në qoftë se arrin të ketë një gjuhë të përbashkët standarde në nivel kombëtar”, ka vazhduar profesoresha.

Pra, siç thotë edhe gjuhëtarja e shquar, unifikimi i alfabetit ishte parakushti për krijimin e standardit më 1972. Edhe pse duket periudhë e gjatë, ato 60 vjet ishin shumë të rëndësishme, pasi gjatë asaj periudhe shqipja lulëzoi me vepra e studime të ndryshme./Klankosova.tv

 

Më Shumë

Sindikata publikon fotografitë dhe emrat e policëve të rënë në krye të detyrës

Sindikata e Policisë së Kosovës në Ditën Memoriale të Heronjve të Policisë së Kosovës ka kujtuar të gjithë ata që kanë sakrifikuar jetët e...

Aksident mes motoçikletës dhe automjetit në Prizren, lëndohet rëndë një person

Një aksident mes një automjeti dhe motoçiklete në rrugën “Tahir Sinani” në Prizren, ka lënë rëndë të lënduar një person. I lënduari është dërguar në...

Lajmet e Fundit