Ka përfunduar rigjykimi ndaj ish- drejtorit Komunal të Arsimit në Prizren, Nexhat Çoçaj dhe drejtorit të gjimnazit “Gjon Buzuku”, Shaip Buduri, të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare.
Nexhat Çoçaj, në mbrojtjen e tij, tha se kontratën e punës për Besnik Krasniqin, e kishte nënshkruar duke u bazuar në rekomandimin e Ministrisë së Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). Sipas tij, më 2 shkurt 2013, kishte pranuar një rekomandim nga MASHT, me të cilin i është kërkuar që të sistemojë profesorin Besnik Krasniqi, në sistemin arsimor. Tutje, Çoçaj shtoi se kur e kishte lexuar rekomandimin, nuk e kishte ditur se Udhëzimi Administrativ(UA) 8/14, në të cilin është mbështetur rekomandimi, ende nuk kishte hyrë në fuqi.
Prokurori Mehdi Sefa, në fjalën përfundimtare tha se, mbetet pranë fjalës së dhënë në gjykimin e parë dhe se kërkon që të akuzuarit të shpallen fajtorë, dhe të dënohen sipas ligjit.
Mbrojtësi i Budurit, avokati Esat Gutaj, tha se i mbrojturi i tij nuk kishte pasur kompetencë që të punësojë profesorin Besnik Krasniqi, dhe se e kishte njoftuar Drejtorinë e Arsimit që i njëjti po punonte në shkollë pa kontratë pune. Gutaj shtoi se, në këtë rast nuk ka të dëmtuar, pasi që profesori Krasniqi, nuk kishte marrë pagë për punën e kryer në shkollë.
I akuzuari Shaip Buduri, tha se ligji i punës e njeh një person si të punësuar vetëm nëse paguhet për punën që kryen, dhe se lidhja e marrëdhënies së punës bëhet me kontratë. Andaj sipas tij, profesori Krasniqi nuk është paguar për punën e bërë në shkollë, dhe nuk mund të thuhet se ka qenë i punësuar.
Në anën tjetër, mbrojtësi i Çoçajt, avokati Rexhep Hasani, deklaroi se i mbrojturi i tij, kur e kishte nënshkruar kontratën, kishte besuar se rekomandimi i MASHT-it, është në harmoni me normat në fuqi, andaj edhe nuk e kishte ditur se UA 8/14, nuk kishte hyrë në fuqi ende. Hasani tutje shtoi se në rigjykim, sekretari i përhershëm i MASHT-it, Alush Istogu kishte thënë se, drejtorët e institucioneve arsimore, punësohen pa konkurs.
I akuzuari Nexhat Çoçaj, tha se në bazë të ligjit për arsimin parauniversitar të vitit 2011, gjithmonë janë sistemuar drejtorët e shkollave në pozitat ku kanë qenë të sistemuar para se të bëhen drejtorë.
Shpallja e aktgjykimit do të bëhet më 27 shkurt, në ora 09:00.
Shaip Buduri dhe Nexhat Çoçaj akuzoheshin, se kanë punësuar profesorin Besnik Krasniqi, në gjimnazin “Gjon Buzuku”, pa konkurs publik. Sipas aktakuzës, Buduri duke qenë drejtor i shkollës “Gjon Buzuku”, kishte lejuar profesorin Krasniqi, të japë mësim për pesë muaj, pa kontratë të punës. Ndërsa Çoçaj akuzohej se ia kishte lidhur kontratën e punës profesorit Besnik Krasniqi, në mënyrë të kundërligjshme, pasi që nuk kishin shpallur konkurs publik për atë vend të punës.
Shaip Buduri, në maj të vitit 2016, ishte dënuar nga kjo gjykatë me një vit burgim efektiv, ndërsa i akuzuari tjetër Nexhat Çoçaj ishte liruar nga akuza.
Por, Gjykata e Apelit, kishte prishur aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se nuk është vërtetuar në tërësi gjendja faktike. Sipas Gjykatës së Apelit, nuk ishte vërtetuar përgjegjësia e drejtorit të shkollës Buduri, për punësimin e profesorit Krasniqi në shkollën “Gjon Buzuku”, pasi që punësimin e bënë Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).
Gjykata e Apelit, poashtu kishte gjetur se, nuk qëndron arsyetimi se drejtori i DKA-së Çoçaj, kishte lidhur kontratën në bazë të Udhëzimi Administrativ 08/14, pasi që lidhja e kontratës ishte bërë me 2 shkurt 2014, ndërsa Udhëzimi Administrativ, kishte hyrë në fuqi më 25 shkurt 2014./betimiperdrejtesi/