9.8 C
Prizren
E premte, 24 Janar, 2025

Leskoveci ka mbetur shkret

Fshati Leskovec i komunës së Prizrenit tashmë ka marrë një emër të ri dhe ai quhet Arbri. Ilam Berisha nga ky fshat pohon se fshati shtrihet në pjesën jugore të Prizrenit, në një largësi rrugore prej 6 kilometrash. Maja më e lartë është mali “Cylen”, me një lartësi mbidetare 1300 m, ndërsa vetë katundi Arbëri diku lartësinë mbidetare duhet ta ketë përafërsisht 1000 metra. Besohet se katundi Arbëri të ketë gjurmë mjaft të lashta. Këtë e tregojnë edhe varrezat shumë të vjetra me gurë në formë të zgjatur, të mëdhenj e pa simbole. Lidhur me Leskovecin si vendbanim janë gjetur dokumente që dëshmojnë lashtësinë e këtij fshati. Në dokumentet e shkruara përmendet në kartën e shenjtorëve të manastirit Mihail e Gabriel, afër Prizrenit, të mbretit Dushan të vitit 1348, mandej në librin e kujtimeve të manastirit të Shën Trinës të Mushtishtit që ka filluar të mbahet prej vitit 1369. Si vendbanim është i regjistruar në Muhasebi Vilayet Rumeli defteri, Sanxhaku i Prizrenit i vitit 1530, me emrin Leskofça, shkruan gazeta Kosova Sot.

Presionet serbe detyruan banorët të shpërngulen

Një pjesë e banorëve të katundit Leskovec, nga disa pohime, thuhet se kanë ardhur nga vendi i quajtur “Ara e Gjeqit”. Sipas disa pohimeve, arbneshët paskan qenë lagje periferike e Prizrenit dhe janë shpërngulur në vendin që do ta quajnë Arbnesh. Ka mendime se disa banorë të hershëm të Leskovecit janë shpërngulur nga një vendbanim i vjetër, nga një kodrinë e Hasit (në afërsi të Zymit), përballë lindjes së diellit që kishte relativisht në afërsi të një burimi të ujit që quhej dhe quhet edhe sot Laskavec. Sipas Nikollë Kërhanajt, disa banorë të katundit Arbëri origjinën e kanë nga ish-qyteti shqiptar Leskovci (tash qytet në Serbi), konkretisht nga qyteza Lebanja. Banorë të këtij katundi janë shpërngulur edhe jashtë Kosovës, si në Turqi, Junon (Greqi). “Mund të përmendim familjen e Yzyr Berishës, i cili nga presionet serbe është detyruar ta lëshojë Kosovën dhe është shpërngulur në Turqi, përkatësisht në qytetin Izmir. Kjo familje përbën një lagje të tërë shqiptarësh, të gjithë nga Leskoveci, përkatësisht Arbëria e sotshme. Shumë të rinj nga Leskoveci kanë qenë jeniçerë (ushtarë të Turqisë), si Salla Krasniqi, Hamëz Berisha, ndërsa disa edhe komandantë shumë të suksesshëm të ushtrisë turke, si Etem (Shala) Çaushi, Liman (Xhemaj) Çaushi, Rrahman (Krasniqi) Çaushi. Pas përfundimit të luftërave ruso-turke, këta komandantë turq, me origjinë shqiptarë nga Leskoveci, kthehen në vendlindje, tashmë me meritën e luftës si komandantë, dhe me gradat ushtarake të fituara në Turqi”, tregon Berisha.

Shumë familje kanë marrë vendim që të rikthehen në fshat

Dikur fshati Leskovec, tani Arbëri, sipas Naser Berishës, ishte fshati më i zhvilluar në këtë pjesë të Vërrinit. Zhvillimi i këtij fshati, sipas tij, ishte i përqendruar në zhvillimin e blegtorisë. Tufat e deleve, pastaj dhive të këtij fshati, thuhet se ishin të njohura në gjithë komunën e Prizrenit e më gjerë. Por, ajo që banorët e këtushëm i dallonte ishte kultivimi i dredhëzave dhe qershive me të cilat Berisha shpjegon se njiheshin këta banorë edhe përtej Kosovës. Shumë banorë të këtij fshati kishin marrë herët edhe rrugën e kurbetit. Pas viteve 1960 nga Leskoveci banorët filluan ta lëshojnë fshatin, duke tentuar të zbresin ose në Prizren, ose të shkojnë edhe më tej. Berisha thotë se kur kishte filluar regjimi serb të rriste presionin ndaj popullatës shqiptare, Xhemshit Krasniqi, Naser Berisha, Mujë Berisha, Ilam Berisha, Elbasan Shoshaj, e shumë të tjerë, u bënë prijës të luftës së UÇK-së. Gjatë luftës atje fshati u dëmtua tej mase, sepse Serbia gjatë kohës së luftës mësoi rëndësinë e këtij fshati dhe pothuajse 90 për qind të shtëpive të këtij fshati i dogji. Në këtë fshat tashmë kanë mbetur vetëm 15 familje. Përgjegjësi i këtij fshati, Hajredin Berisha, shpjegon se deri para dy vitesh këtu ishte lemeri, por falë investimeve nga komuna e Prizrenit arritën të rikthejnë shpresën se edhe këtu do të rikthehet jeta. Kurse Shkodran Berisha,veprimtar i këtij fshati, flet me admirim për guximin e luftëtarëve të lirisë së fshatit. Ai thotë se gëzon fakti se janë 50 familje që kanë marrë vendim të rikthehen atje në Leskovec, ku presin të merren me blegtori e 12 familje kanë vendosur të kthehen në fshat nga vendet perëndimore.

(Kosova Sot)

Më Shumë

Lajmet e Fundit