Manovrimin e radhës që po e bëjnë partnerët e koalicionit qeverisës, duke e diskutuar propozimin e fundit të LDK-së për demarkacionin, analistët politikë po e shohin si një përpjekje të kotë dhe tendencë të re të Qeverisë për të blerë kohë nga pamundësia e deritanishme e sigurimit të votave të mjaftueshme për ratifikim e marrëveshjes. Ata konsiderojnë se nuk është aspak zgjidhje reale dhe kompromis i mundshëm për zhbllokim të situatës drafti propozuar për ratifikim, i cili do të përmbajë edhe një pikë të nenit me të cilin obligohet Qeveria e Kosovës, që pas dy viteve ta rishqyrtojë një pjesë të vijës kufitare kontestuese me Malin e Zi.
Është një konstatim pothuajse krejtësisht unik i ekspertëve të legjislacionit dhe analistëve politik, sipas të cilit, marrëveshjet e karakterit ndërkombëtar ratifikohen me ligjet përkatëse, të cilat i përshtat Qeveria e një vendi, por nuk është aspak e pranueshme në praktikat e marrëdhënieve ndërkombëtare, që një marrëveshje të nënshkruar mes dy shteteve të ndryshohet njëanshme dhe të ratifikohet në Parlament, me ndryshime plotësuese nga dokumenti bazik origjinal i firmosur mes palëve. Profesori Riza Smaka konsideron se ky propozim i çuditshëm, i cili del nga vetë subjekti politik prej të cilit vjen edhe kreu i ekzekutivit, nuk ka asnjë bazë ligjore të mundshme të miratimit si të tillë në Kuvend, por vetëm do të mund të përdoret për blerje kohe për presion kundërkushtetues ndaj deputetëve të LDK-së, të cilët deri më tani kanë qenë të pozicionuar drejt në kundërshtimin e marrëveshjes. “Nisma e një grupi të deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës për ratifikimin e Marrëveshjes për Demarkacionin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi (Marrëveshja për Demarkacionin) me kusht për t’u rishikuar pas një periudhe kohore, është e paprecedencë në praktikat e marrëveshjeve ndërkombëtare, përkatësisht ndërshtetërore, në përgjithësi e veçanërisht në çështjet e delimitacioneve dhe demarkacioneve kufitare, në kundërshtim me parimet themelore të marrëveshjeve ndërkombëtare, përkatësisht të marrëveshjeve ndërshtetërore”, theksoi Smaka.
Qëllime të rrezikshme
Po këtë mendim e ndan edhe analisti Jeton Kelmendi, i cili vlerëson se prapa këtij propozimi ka qëllime shumë të rrezikshme që nuk do të duhej lejuar të realizohen.”Kjo ide nuk është aspak realiste, sepse nuk ka marrëveshje ndërkombëtare me anekse shtesë, por kjo është iniciativë e kamufluar e vetë Qeverisë, që vjen pas presioneve ndërkombëtare pikërisht ndaj këtyre deputetëve, ku edhe do të mund të kalojë ratifikimi edhe ky grup deputetëve do të ruajë fytyrën për ndryshim qëndrimi, duke thënë se gjoja ata ishin që kanë bërë diçka. Thjesht kjo është për apetitet e Isa Mustafës për të mbetur edhe ndonjë ditë në karrigen e shefit të Qeverisë, sepse aleati Kadri Veseli po e shantazhon me ratifikimin e Demarkacionit, si pretekst për të shkuar në zgjedhje”, u shpreh ai. “Nuk duhet pritur më kjo punë, por duhet të rrëzohet kjo marrëveshje dhe të shikohet për ide tjera se si të behet me këtë çështje. Sido që të jetë, kjo pritje nuk i duhet Kosovës, sepse po e bllokon në procesin e integrimeve, mirëpo duhet kujdes që deputetët të mos bien pre e mashtrimeve të Mustafës, por ta rrëzojnë këtë pazar të bërë nga Hashim Thaçi para dy e më shumë vitesh. Fundja edhe mund të mos shikohet në zgjedhje, ose edhe të shikohet nuk rrotullohet bota, por jo të humbet ai territor, sepse kjo është përgjegjësi historike e deputetëve të Republikës”, theksoi më tej ai. “Rrëzimi i kësaj marrëveshje pa dyshim se do t’i shtensionojë raportet politike dhe vetëm të mira do t’i sjellë Kosovës, sepse tanimë janë të ditura të gjitha specifikat e këtij demarkimi dhe për një periudhë prej 6 muajsh mund të arrihet te një marrëveshje e re ose të shkohet në arbitrazh dhe çështja të zgjidhet”, tha Jeton Kelmendi.
Qeveria u tregua neglizhuese
Politologu Arsim Haziri thotë se çështja e demarkimit iu ka kushtuar mjaft si institucioneve ashtu edhe shoqërisë sonë, pasi po bëhen dy vite kur edhe kishte filluar ky proces, prandaj nuk beson që edhe ky manovrim i fundit do ta japë zgjidhjen që do të ishte në interes të vendit.”Përgjatë kësaj kohe institucionet tona kanë dëshmuar se nuk janë të afta as nuk kanë gatishmëri që të përmbyllin procese, të cilat janë të karakterit nacional. Mirëpo, siç duket mbështetur edhe sipas gjendjes reale, versioni i komisionit qeveritarë në relacion me matjen e territori ia ka huqur duke mos treguar profesionalizëm dhe vullnet praktik. Qeveria aktuale përmes neglizhencës të këtij procesi është duke treguar qartazi se vlerësimi ì komisionit të përcaktuar për atë çështje, përpos që s’ka qenë profesional, ai ia ka huqur në përcaktimin e sakte të vijës kufitare, çka njëherësh ka ngjallur pakënaqësi si brenda gjithë subjekteve politike ashtu edhe brenda asaj zone që preket nga demarkacioni”, theksoi Haziri. Analisti politik Faton Mehmeti mendon se me këtë veprim LDK-ja ka filluar të ndiejë peshën e dështimit të pritshëm të saj, që do të konfirmohet në zgjedhjet e ardhme, prandaj po përdor manovra të ndryshme për t”i shtyrë sa më shumë zgjedhjet, në mënyrë që të themelohet së pari Gjykata Speciale, si shpresë se mund t”i arrestojë rivalët e saj politikë dhe kështu në fatkeqësinë e tyre LDK-ja t’i fitojë eventualisht zgjedhje e radhës. “LDK-ja gjendet në krizën më të madhe të saj që nga themelimi, krizë besimi që vështirë të riparohet për një kohë të gjatë. Isa është njeriu që çdoherë i ka thyer premtimet e tij, e njëra ndër to ishte se demarkacioni do të vonohet ashtu siç është, edhe me arrogancën e tij të zakonshme tha se kjo është punë e kryer, e tani që iu ka zënë bishti me derë po kërkon alibi që t”i bindur deputetët e partisë së tij që ta votojnë për ta shpëtuar veten”, ka potencuar Mehmeti/kosova sot/