22 C
Prizren
E premte, 25 Korrik, 2025

Adem Demaçi, pasuri e jona kombëtare

(Selatin Novosella, “Adem Demaçi në gjykimin e parë” (1958), botoi Shoqata e të Burgosurve Politikë të Kosovës, Prishtinë, 2016)
Fazli Hajrizi

Sivjet, në 80-vjetorin e lindjes së veprimtarit e atdhetarit të shquar, shkrimtarit të spikatur e simbolit të rezistencës sonë kombëtare, Bacë Adem Demaçit, pa shpirtin idealist të të cilit sot nuk do të kishim as Kosovën e as popullin e saj kështu siç është sot, autori Selatin Novosella, gjithashtu një veprimtar i palodhshëm i çështjes kombëtare, ka botuar tre libra kushtuar jetës dhe veprimtarisë për të: “Adem Demaçi në Gjykimin e parë” (1958), “Adem Demaçi në gjykimin e dytë” (1964) dhe “Adem Demaçi në gjykimin e tretë” (1975).

Deri më sot për Adem Demaçin kanë shkruar disa autorë. Disa kanë shkruar për veprimtarinë e tij patriotike, disa për krijimtarinë letrare e disa të tjerë janë marrë me pikëpamjet e tij filozofike etj. Deri në fillim të viteve ’90, ka pasur kryesisht shkrime anatemuese e denigruese, më vonë, me ndryshimin e rrethanave, anatemat janë kthyer kryesisht në lavde. Të mos keqkuptohemi, ai ishte i anatemuar nga pushteti, por gjithmonë ka qenë shumë i dashur dhe i çmuar nga populli i tij. Këtë nderim e vlerësim të lartë nuk e kanë bërë për shkak të një e dy veprave të tij. Ai është, padyshim, njëra ndër figurat më të shquara të kohës sonë, simbol i shqiptarësisë dhe kulturës sonë kombëtare, simbol i rezistencës, njëri ndër lëruesit e prozës sonë moderne në Kosovë, e cila është komplekse e me disa shtresa: historike, filozofike, sociale, estetike, etnografike etj. Është pra një intelektual i kompletuar me një botë të madhe shpirtërore e kombëtare, njeri i pathyeshëm, mishërim i aftësisë dhe ndershmërisë njerëzore. Forca shpirtërore dhe papërkulshmëria e tij dëshmohet në burgjet jugosllave. Kështu, fjalët e Shekspirit në veprën “Jul Qesari” i përgjigjen karakterit të fortë, krenarisë, qëndrimit dinjitoz të Adem Demaçit:
“As kullë e gurtë, as muret prej bakri,
As burgu i errët, as vargojtë prej hekuri
Nuk e përmbajnë dot fuqinë e shpirtit!”

Adem Demaçi që nga vitet ’50 të shekullit të kaluar e deri më sot, ka mbetur njëri ndër zërat më të artikuluar të aspiratave të popullatës shqiptare në Kosovë dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, figura më e njohur, më e spikatur e më e respektuar. Duke qenë thellësisht shqiptar, ai është po aq universal. Tre librat e Selatin Novosellës shpërfaqin vizionet e Bacë Adem Demaçit për liri, pavarësi, çlirim dhe bashkim kombëtar, janë një thirrje që e vërteta të mos harrohet. Këta tre libra janë një kontribut shumë i çmueshëm sepse ndriçojnë veprimtarinë patriotike të A. Demaçit dhe të bashkëveprimtarëve të tij për çlirimin e Kosovës dhe të popullit të saj nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, dhe bashkimin e saj me Shqipërinë e ndarë padrejtësisht në konferenca e kohë të ndryshme. Para së gjithash, kjo trilogji është një pëshpëritje e një akti të madh moral. Intelektuali amerikan Southëorth, mëtimin për ndërtimin e një demokracie të mbështetur mbi harresën e quan një “vizion të gjymtuar të virtyteve të demokracisë”. Nga kjo del se ata që predikojnë harresën, nuk janë demokratë të vërtetë a të mirëfilltë. Prandaj ne shqiptarët kemi nevojë për libra si këta të Selatin Novosellës. Kemi nevojë ne që kemi jetuar e përjetuar atë kohë, kanë nevojë sidomos ata që nuk e kanë jetuar. Për libra të tillë ka nevojë ndërgjegjja jonë. Kjo trilogji veprash mbi tri proceset gjyqësore të Adem Demaçit, janë dëshmi për të kaluarin që kanë përjetuar shqiptarët gjatë një gjysmë shekulli të regjimit titist në Jugosllavi.

Titujt e secilit libër janë mjaft kuptimplotë. Në librin e parë “Adem Demaçi në gjykimin e parë (1958)” autori Selatin Novosella hedh dritë në shumë probleme të historisë së popullit tonë, duke filluar nga viti 1912 e këndej, në jetën e veprimtarinë e Adem Demaçit, sidomos nga fillimi i viteve ’50 e këndej, kur edhe dënohet për herë të parë me pesë vjet burg. Në Jugosllavinë e asaj kohe ligjshmëria ishte veshur me një formë të tillë sa ajo për shqiptarët ishte shumë më e keqe sesa paligjshmëria. Aktakuza, zhvillimi e drejtimi i gjyqit bëheshin direkt nga lart (UDB-a) Pra kemi të bëjmë me tjetërsimin e organeve të drejtësisë si dhe një dhunim i ligjeve të kohës, të cilat shkeleshin e tejkaloheshin skajshmërisht. Potenciali politik dhe ushtarak i diktaturës titiste ishte vënë në goditje të pamëshirshme në shuarjen e çdo shkëndije të lirisë e humanizmit, të liberalizimit të jetës, ishte drejtuar në ndjekje kundër intelektualëve e krijuesve me mendësi të reja. Pikëpamjet e reja konsideroheshin herezi e krim, prandaj bartësit e tyre ndëshkoheshin. Regjimi komunist jugosllav kishte një optikë tjetër për intelektualët, sidomos për ata shqiptarë. Botëkuptimet i këtyre intelektualëve, sipas udhëheqësve, duhej të ishin në harmoni me ato të shtetit, duhej të ishin zëdhënës mjeranë të ideologjisë. Adem Demaçi mendonte ndryshe dhe ky është tipar thelbësor i intelektualit të mirëfilltë.

Libri është i ndarë në tri pjesë. Pas përmbajtjes, librit i paraprin një vështrim mjaft i thukët i historianit tonë të nderuar Prof. Dr. Hakif Bajrami (fq. 13-20). Pas tij vjen hyrja (fq. 21-28), ku autori tregon arsyet pse është marrë me kaq seriozitet dhe përkushtim me figurën e Adem Demaçit, të cilin, me të drejtë, e quan “personalitet i rrallë, i veçantë, emblematik”. Ai, në vija të trasha, e njofton lexuesin për jetën dhe veprimtarinë e Adem Demaçit, sidomos nga dalja e tij në skenën tonë kombëtare, për ripushtimin e Kosovës, për veprimet e OZN-ës e UDB-së kundër popullsisë shqiptare në Kosovë, për hapjen e shkollave turke, për aksionin famëkeq të mbledhjes së armëve, për shpërnguljen me dhunë të shqiptarëve nga trojet e tyre stërgjyshore, për shfaqjen e figurës së Adem Demaçit në letrat shqipe; për punën e tij në gazetën “Rilindja”, demaskimin që i bën regjimit gjakatar jugosllav; për burgosjen e tij më 19 nëntor 1958, për qëndrimin konsekuent të tij për pesë vjet në kazamatet jugosllave etj.

Në fund të hyrjes autori flet për një dialog midis Bacë Ademit me një gazetar (verë 2015). Në pyetjen e gazetarit se si e zbërthen sintagmën “burgu nuk shpjegohet, por vetëm komentohet” dhe se a ka provuar apo i ka shkuar mendja ndonjëherë të ikën nga burgu, A. Demaçi përgjigjet në mënyrë proverbiale: “Unë isha në punë, prandaj ku ke parë ose dëgjuar që njeriu ikë nga vendi i tij i punës?!” Kjo përgjigje e tij më kujton thënien e të mençurit Fontenal, i cili, midis tjerash, thekson: “Njeriu më i lirë është ai që di të qëndrojë i lirë edhe në skllavëri (robëri)!”

Në kapitullin e parë të librit (fq. 29-56) me titull “Fati i Kosovës prej vitit 1912 deri në vitin 1956” autori bën një vështrim të përgjithshëm e gjithëpërfshirës mbi gjendjen e popullatës shqiptare që nga Shpërthimi i Luftërave Ballkanike, gjymtimi i organizmit tonë kombëtar, pushtimi i Kosovës, Kosovës Lindore, Maqedonisë Perëndimore e pjesëve të ndryshme të Malit të Zi; për Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 28 Nëntor 1912; për rezistencën e vazhdueshme të popullatës shqiptare që kishte si qëllim të parë dhe të fundit lirinë e bashkimin me Shqipërinë; për gjendjen e shqiptarëve gjatë Luftës së Parë Botërore, sidomos pas ripushtimit të saj në vitin 1918 e deri në Luftën e Dytë Botërore nën Mbretërinë SKS, përkatësisht Jugosllave; për themelimin e Komitetit “Mbrojtja Kombëtare e Kosovës” (1918) e angazhimin e këtij Komiteti për të sensibilizuar situatën në Kosovë; për Konferencën e Paqes në Paris; për Lëvizjen Nacionalçlirimtare Kaçake, për rolin e disa personaliteteve shqiptare (Hasan Prishtinës, Bajram Currit, Hoxhë Kadri Prishtinës etj), sidomos të të personaliteteve huaja (Edit Durham, Vilsonit etj. ); për situatën gjatë Luftës së Dytë Botërore, për ripushtimin e Kosovës në fund të vitit 1944 e rezistencën kundër instalimit të regjimit komunist; për Lëvizjen ilegale të Organizatës Nacional Demokratike Shqiptare (NDSH); për Kongresin e Lipovicës, për themelimin e organizatës “Bashkimi i Kombit”, për formimin e një sërë grupeve të tjera politike që kishin për qëllim mbrojtjen dhe afirmimin e të drejtave të popullit shqiptar në Kosovë.

Dy kapitujt në vazhdim, i dyti dhe i treti, përbëjnë temën bosht të librit sepse hedhin dritë kryesisht në jetën dhe veprimtarinë e Bacë Adem Demaçit. Në kapitullin e dytë (fq. 57-144) autori flet për fëmijërinë dhe rininë e Adem Demaçit, për datëlindjen dhe vendlindjen (26 shkurt 1936, Prishtinë), për prindërit (nënë Nazifen e babë Zeqirin), për shkollimin fillor dhe të mesëm, për mësuesit që kanë ndikuar në formimin e tij; për studimet në Degën e Albanologjisë në Universitetin e Beogradit; studimet që u bën autorëve shqiptarë e botërorë, të sistemeve filozofike e ideologjike të kohës së vjetër e të re; për veprimtarinë e OZN-ës e presionet mbi shqiptarët, për hapjen e shkollave turke, për nënshkrimin e Traktatit të ri me Turqinë për shpërnguljen e shqiptarëve; për aksionin e UDB-së për mbledhjen e armëve; për kundërshtimin dhe demaskimin që i bën politikës diskriminuese shtetërore jugosllave; për qëndrimin e Adem Demaçit kundër shpërnguljes e torturave që u bëheshin bashkëkombësve të tij; për ballafaqimin e parë me policinë në konviktin e studentëve e në zyrat informative në lagjen “Kurora e gjelbër” (dimër 1955-56); për angazhimin e tij në gazetën e përditshme “Rilindja” në Prishtinë; për botimin e shkrimeve të tij, sidomos të prozës së gjatë“Gjarpijtë e gjakut” (roman, mars –prill 1957); për kundërvënien ndaj Dobrica Qosiqit e shkrimtarëve serbë që kërkonin që në Kosovë të kultivohet një letërsi në frymën e socializmit jugosllav; për refuzimin e tij që të anëtarësohet në LKJ, për arrestimin më 19 nëntor 1958 dhe hetimet që vazhduan për tetë muaj rresht; për ngritjen e aktakuzës nr. 836/19, 19. 11. 1958 nga Prokuroria e Qarkut të Prishtinës në bazë të deklarimeve të dëshmitarëve për propagandë armiqësore kundër popullit e shtetit të Jugosllavisë se ai ka folur me studentë, punëtorë lidhur me pozitën e vështirë të shqiptarëve, se Kosova i takon Shqipërisë, prandaj edhe bashkimi i shqiptarëve me nënën e tyre është e ligjshme; për domosdoshmërinë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë; për nevojën e formimit të një organizate dhe grupeve të ndryshme në Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Shkup, Lipjan, Mitrovicë, Pejë etj. ; për dënimin pesëvjeçar në emër të popullit sepse i ka shpallur luftë sistemit komunist jugosllav; për transferimin e tij në Burgun Qendror etj.

Gjatë procesit gjyqësor në Gjyqin e Qarkut në Prishtinë Adem Demaçi nuk e mohon atë çfarë mendon. Temperamenti i tij prej idealisti ka refuzuar të bëjë kompromise. Përgjigjet e tij para gjyqit tregojnë pozicionin, qartësinë, pjekurinë dhe ekzigjencën e tij si politikan i rrezikshëm ndaj Jugosllavisë socialiste. Prandaj është shprehur në mënyrë shumë të qartë se popullsia shqiptare në Kosovë e në trojet e veta në Jugosllavi është e diskriminuar. Ai shprehet hapur se qysh nga viti 1878, madje edhe më herët, Serbia ka bërë plane të ndryshme, duke ndjekur një politikë antishqiptare, sidomos që nga viti 1912, që ka kulmuar në periudhën midis dy luftërave botërore dhe ka vazhduar edhe pas ripushtimit të Kosovës (1944) me instalimin e sistemit komunist jugosllav. Shihet qartë se përmes gjykimit dhe dënimit të Adem Demaçit pushteti jugosllav është përpjekur që të arrijë disa qëllime politike. Në fund të kapitullit të dytë autori Sabri Novosella rithekson se gjykimi i atdhetarit Adem Demaçi ka qenë kryekëput politik, se deklaratat e pesëmbëdhjetë dëshmitarëve janë dhënë nën presion, meqë asnjëri nuk solidarizohet me të, se deri në vitin 1959 Adem Demaçi nuk kishte arritur të përpilonte një Program a Statut në formë të shkruar. Ai i njofton lexuesit se, pas burgosjes së Adem Demaçit janë formuar organizata të ndryshme ilegale, si: “Bashkimi i Trojeve Shqiptare, “Lëvizja Nacional Demokratike Shqiptare”, “Komiteti Revolucionar për Bashkimin e Trojeve Shqiptare në Jugosllavi me Shqipërinë” (1960) etj. Tashmë në horizont dalin figura veprimtarësh të tjerë, ku vend qendror zë Metush Krasniqi.

Kapitullin e tretë (145-296) e përbëjnë njëzet e shtatë dokumente (procesverbale, aktvendime, aktgjykime, ankesa të avokatit të Adem Demaçit e prokurorit publik, referati i kryetarit të Gjyqit të Qarkut të Prishtinës etj. ). Për të ilustruar dhe dëshmuar mënyrën e akuzimit dhe dënimit të Adem Demaçit, autori na ofron 27 dokumente të skanuara. Librin e pasurojnë edhe tetëmbëdhjetë fotografi të veprimtarëve të shquar si dhe ato që paraqesin pamje të burgjeve jugosllave. Në çdo rrethanë, si gjatë veprimtarisë patriotike, si para hetuesve, prokurorëve e gjykatësve, si brenda nëntë rrathëve të ferrit dantesk, A. Demaçi ka ruajtur ekuilibrin shpirtëror e mendor, pra arsyen e shëndoshë e parimet e tij. Ai me kohë kishte vendosur në mënyrë shumë të vetëdijshme që të sakrifikojë veten e familjen e tij sepse, për të, ideali kombëtar për çlirim ishte më sublim. Ai, madje, nëpërmjet gjyqit u jep leksione demokracie dhunuesve të lirisë dhe demokracisë. Asnjëherë nuk iu dridh qerpiku as para dënuesve inkuizitorë, as para vuajtjes, as para vdekjes. Qëndrimi i tij dinjitoz në gjyqe dhe burgje ka inspiruar shumë të rinj të tjerë që të përfshihen në lëvizjen për liri dhe bashkim.

Libri në fund ka një rezyme prej gjashtë faqesh në gjuhën angleze dhe literaturën. Në fund dëshiroj të shtoj edhe nja dy-tri gjëra. Brezi im është rritur me veprat e Adem Demaçit. Na ka frymëzuar më shumë romani “Gjarpijt e gjakut”, të cilin e kemi lexuar dhe komentuar fshehurazi. Që nga vitet ’90 është shkruar mjaft për Adem Demaçin. Na ka rënë të lexojmë edhe shkrime disonante, sidomos pas përfundimit të luftës në Kosovë (1999). Sërish m’u kujtua porosia e një njeriu të mençur, i cili, midis tjerash, thotë: “Mos i poshtëroni e gjykoni njerëzit e mëdhenj për një e dy faje të tyre sepse diamanti sado i prerë shtrembër të jetë, është shumë më i vlefshëm se një gur i zakonshëm i prerë në formën më të përsosur”! Kësaj po ia shtojmë një mendim të A. Linkolnit, president i SHBA-së (1861-1865): “Përvoja ime jetësore më ka bindur se njerëzit, të cilët nuk kanë të meta, kanë shumë pak vlera”!
Autori Selatin Novosella ka plotësuar një amanet të bashkëvuajtësve të tij, duke kryer kështu një mision të madh para historisë dhe ndërgjegjes shqiptare. E përgëzojmë për këtë punë të madhe të tij, duke i uruar shëndet e suksese të reja!

Më Shumë

Sot i jepet lamtumira e fundit 24-vjeçarit që u aksidentua në vijat e bardha në Malishevë

Sot, i jepet lamtumira e fundit Shkodran Morinës, 24 vjeçarit që humbi jetën në një aksident të rëndë më 15 korrik 2025, në rrugën...

Visar Ejupi rikthehet në shtëpi – i bashkohet Grapelandit

Grapelandi ka zyrtarizuar rikthimin e sulmuesit Visar Ejupi në skuadër për sezonin e ri, raporton PrizrenPress. "Me kënaqësi ju njoftojmë se kemi arritur marrëveshje me...

Lajmet e Fundit