5.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Apeli e kthen në rigjykim rastin e ish-rektorit të Universitetit të Prizrenit, Ramë Vataj

Gjykata e Apelit e ka anuluar vendimin e Gjykatës Themelore në Prizren, duke e kthyer në rigjykim rastin ndaj ish-rektorit të Universiteti të Prizrenit “Ukshin Hoti”, Ramë Vataj, i cili akuzohet se ia ka mohuar se cenuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs, të dëmtuarit Vehbi Miftari.

Këtë vendim, Apeli e mori me arsyetimin se shkalla e parë nuk e kishte vlerësuar mirë të drejtën materiale, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Me aktgjykimin e shpallur më 10 dhjetor 2021, Gjykata Themelore në Prizren e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Vataj, duke e dënuar me 1 mijë e 500 euro gjobë.

Në vendimin e Apelit, thuhet se shkeljet në radhë të parë kanë të bëjnë me përshkrimin e dispozitivit të aktgjykimit, përshkrimi është tejet i paqartë dhe kundërthënës në brendinë e tij, lidhur me përshkrimin e veprimeve inkriminuese të të akuzuarit dhe me arsyetimin e aktgjykimit të ankimuar, për faktin se kjo vepër penale hyn në grupin e veprave penale me dispozita blankete, dhe kjo normë udhëzon gjithnjë në një dispozitë të një ligji të caktuar që dyshohet se është shkelur apo cenuar, e me të cilin janë rregulluar të drejtat dhe detyrimet e caktuara.

Tutje, në vendimin e Apelit thuhet se përderisa nga një dispozitiv i tillë i aktgjykimit nuk mund të kuptohet se cilën dispozitë blankete e ka shkelur i akuzuari, përkatësisht mungon ky përshkrim i veprimeve inkriminuese të të akuzuarit, e i përligjur me normën blankete, për të cilin pretendohet se është shkelur, përshkrimi i dispozitivit duhet të plotësohet me dispozitë të veçantë materialo-juridike, për të cilën pretendohet se është shkelur a cenuar.

“Kur kemi të bëjmë me vepra penale me dispozitiv blanket, në dispozitiv të aktgjykimit duhet shënuar përmbajtja e normës blankete konkrete të cenuar, përkatësisht duhet që në përshkrimin faktik të veprimeve inkriminuese të të akuzuarit të qartësohet dhe precizohet se i akuzuari dyshohet se ka vepruar, në rastin konkret, në kundërshtim me Ligjin 2004/37 për Inspeksionin e Arsimit në Kosovë, i cili ka qenë në fuqi në atë kohë, apo në kundërshtim me Ligjin 05/L-031 për Procedurën e Përgjithshme Administrative apo ligj tjetër, që ka të bëjë me të drejtat dhe detyrimet e personave të autorizuar për ekzekutimin e vendimeve të Inspeksionit të Arsimit në Kosovë.” thuhet në vendim.

Gjykata e Apelit ka gjetur se aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave të procedurës penale, nga neni 384, par.1, pika 12 e lidhur me nenin 370, par. 3,6 dhe 7 dhe nenin 384, par.2, pika 2.1 të KPPRK-së.

Po ashtu, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe bindëse me rastin e marrjes së vendimit.

“Shkeljet tjera kanë të bëjnë me faktin se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete lidhur me faktet vendimtare me rastin e vendosjes në këtë çështje penale, shkelje këto që kanë të bëjnë me nenin 370, par. 6 të KPPRK-së, ngase gjykata e shkallës së parë vetëm ka bërë përshkrimin e provave personale dhe materiale, duke mos dhënë arsye të qarta dhe bindëse për besueshmërinë a bindshmërinë e gjykatës nga këto prova, me rastin e vendosjes lidhur me këtë çështje penale”, thuhet tutje në vendim.

Gjithashtu, në vendim thuhet se gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe konkrete lidhur me saktësinë e provave, nuk ka paraqitur qartë se cilat fakte dhe për çfarë arsye ka konsideruar të vërtetuara apo jo të vërtetuara, si dhe arsyet në të cilat është bazuar me rastin e vendosjes së çështjes penale, veçanërisht me rastin e vërtetimit të ekzistimit të veprës penale dhe përgjegjësisë penale të të akuzuarit, si dhe me rastin e zbatimit të dispozitave të caktuara të ligjit penal.

Po ashtu, në arsyetimin e vendimit të Apelit thuhet se aktgjykimi i shkallës së parë përmban dëshmi kundërthënëse të dëshmitarëve, e që gjykata e shkallës së parë nuk ka arsye në të cilat ka mbështetur pretendimin se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën akuzohet.

“Këto shkelje manifestohen në ekzistimin e dëshmive kundërthënëse dhe kontradiktore lidhur me këtë çështje penale, kjo për faktin se e kemi një version tjetër të përshkruar në arsyetimin e aktgjykimit, të të dëmtuarit dhe dëshmitarëve Rexhep Jakupi, Burim Berisha, Defrim Gashi, Adem Sallauka, me dëshmitë e dëshmitarëve Enver Mehmeti, Malush Mjaku, lidhur me rregullsinë përkatësisht parregullsinë e këtij procesi, e që ka të bëjë me vërtetimin e ekzistimit të rrethanave dhe fakteve që e provojnë dhe dëshmojnë kryerjen e kësaj vepre penale, dhe ekzistimin e përgjegjësisë penale të të akuzuarit, duke mos dhënë arsye të qarta për faktet vendimtare në bazë të cilave ka ardhë në përfundim se i akuzuari e ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar, por vetëm duke u vetmjaftuar me konstatimin e faktit se nga provat e administruara është vërtetuar se i akuzuari ka kryer veprën penale për të cilën është akuzuar”, thuhet në vendim.

Kundër aktgjykimit të shkallës së parë, kishte parashtruar ankesë mbrojtësi i të akuzuarit Vata, avokati Labinot Vata për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale, vërtetimit të gabuar dhe jo të plotë të gjendjen faktike, shkelje të ligjit penal dhe vendimin mbi sanksionin penal.

Aktakuza e Prokurorisë Themelore në Prizren, e ngritur më 10 maj 2020, e ngarkon Ramë Vatajn se nga 30 shtatori 2017, e deri në tetor të vitit 2018, në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, duke vepruar në cilësi të rektorit të universitetit, ia mohon apo kufizon personave tjerë të drejtën në punësim në kushte të njëjta.

Tutje në aktakuzë thuhej se i akuzuari nuk e zbatonte vendimin e Sektorit të Inspeksionit të Arsimit në Prizren të datës 14 shtator 2017, përmes të cilit urdhërohej Universiteti që të rishqyrtojë konkursin e datës 1 gusht 2016, me nr. të protokollit 01-236, të themelojë komision recensues me kompetencë profesionale dhe kredibile në fushat specifike të publikuara në konkurs, të garantojë respektimin e akteve ligjore dhe nënligjore në fuqi, të trajtojë barabartë të gjithë pjesëmarrësit në konkurs si dhe Universiteti të përzgjedhë komision recensues të veçantë për çdo fushë, vendim i cili në mënyrë të plotë nuk është zbatuar nga i pandehuri.

Me këtë rast, thuhet se të dëmtuarit Vehbi Miftari ia ka mohuar apo kufizuar të drejtën në punësim në kushte të njëjta me personat tjerë pjesëmarrës në konkurs.

Andaj, me këtë i akuzuari ngarkohet se ka kryer veprën penale “Cenim i të drejtave të punësimit dhe papunësisë”, nga neni 219, par1 dhe 2 të Kodit Penal, për të cilën është paraparë dënimi me gjobë ose me burgim deri në dy vjet.

Përmes një bisede telefonike të dhënë për “Betimi për Drejtësi”, Vataj kishte deklaruar që kjo aktakuzë ishte ngritur për qëllime politike.

Tutje ai kishte deklaruar se gjatë kohës sa ishte rektor, ka marrë letra kërcënuese dhe është tentuar t’i bëhet shantazh nga Vehbi Miftari, mirëpo që këto letra do t’i bëjë publike.

Po ashtu, Vataj kishte deklaruar se nuk ka qenë përgjegjës për punësimet të cilat janë kryer në Universitet, sepse procedura ka kaluar në organe të tjera të Universitetit duke përfshirë Senatin e Universitetit, Komisionin recensues dhe në instanca të tjera të Universitetit.

Ramë Vataj ishte rektor në Universitetin “Ukshin Hoti” në Prizren, nga viti 2014, deri në vitin 2018. /BetimipërDrejtësi 

She?nim: Personat e pe?rmendur ne? ke?te? artikull konsiderohen te? pafajshe?m, pe?rvec? ne?se nga gjykata ve?rtetohet se jane? fajtore? me vendim te? forme?s se? prere?.

Më Shumë

Lajmet e Fundit