5.8 C
Prizren
E shtunë, 3 Dhjetor, 2022

Arrihet marrëveshje gjyqësore mes dy mësimdhënësve dhe Drejtorisë së Arsimit në Rahovec

Paditësit Hajrie Kelmendi dhe Ismail Berisha dhe e paditura Drejtoria e Arsimit në Rahovec (DKA), kanë arritur marrëveshje gjyqësore për kompensimin shujtave për ushqim në shumën prej 444 euro.

Një marrëveshje e tillë gjyqësore, është arritur në seancën e së martës në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në këtë seancë, pas një konsulte në mes të përfaqësuesit të paditësve, avokatit Dardan Morina dhe përfaqësuesit të së paditurës, avokatit Bilbil Oruqi, me qëllim që të mos krijojnë shpenzime të tjera dhe meqenëse siç u tha, baza juridike nuk është kontestuese, palët ndërgjyqëse vendosën që të arrijnë marrëveshje gjyqësore.

Paraprakisht, avokati Morina, ka hequr dorë nga kërkesëpadia për vitin 2021, duke mbetur vetëm pranë kërkesëpadisë për vitin 2020, po ashtu i njëjti ka hequr dorë edhe nga kamata në emër të shumës së kërkuar.

Ndërsa, përfaqësuesi i të paditurës, avokati Oruqi, tha se më 25 shkurt 2022, kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, ka lëshuar një vendim, me të cilin ekzistojnë kushtet për lidhjen e marrëveshjeve gjyqësore lidhur me këtë çështje me kushtet e caktuara.

Sipas avokatit Oruqi, kërkesat duhet të jenë në përputhje me Ligjin e Punës dhe dispozitat e Kontratës Kolektive, provat materiale duhet të jenë të pakontestueshme dhe të lëshuara nga DKA, afati për pagesë të jetë 9 muaj, të paguhen vetëm shpenzimet e domosdoshme, marrëveshja të ketë klauzolën e rezervimit të së drejtës për paraqitjen e padisë për regres si dhe paditësi të heq dorë nga llogaritja e kamatës.

Pas deklarimeve të palëve, gjykatësi Betim Behluli tha se me këtë marrëveshje gjyqësore obligohet Komuna e Rahovecit- Drejtoria e Arsimit që në afat prej 9 muajve, paditësve Kelmendi dhe Berisha, në emër të kompensimit të shujtave për ushqim t’ua paguajë shumën prej 444 euro, si dhe shpenzimet procedurale në shumën prej 290 euro, në total shumën prej 734 euro.

Lidhur me përmbajtjen e marrëveshjes së arritur, dy përfaqësuesit deklaruan se nuk kanë vërejtje.

Pas kësaj, gjykatësi Behluli, njoftoi palët se kjo marrëveshje gjyqësore tashmë ka marrë formën e prerë të aktgjykimit.

Ndryshe, me padinë e parashtruar më 20 maj 2021, paditësit Hajrije Kelmendi dhe Ismail Berisha kishin kërkuar nga e paditura, Drejtoria e Arsimit në Rahovec, kompensimin e shujtave për ushqim në shumën prej 1 mijë euro.

Në padi thuhet se Hajrije Kelmendi dhe Ismail Berisha, janë në marrëdhënie pune si mësimdhënës në SHFMU “Mustaf Ibishi” në Kramovik dhe vazhdojnë të punojnë në këtë institucion.

Tutje në padi thuhet se pos të drejtave të tjera të parapara me dispozitat e Ligjit të Punës, nr.03/L-2012, paditësve si punëtorë arsimorë me Kontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar të 18 prillit 2017 është rregulluar se: “Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës për ditët e pranisë në punë, vlera e kompensimit të shpenzimeve të ushqimit në punë për ditë pune është 2 (dy) euro, për të punësuarit që kanë marrëdhënien e punës primare në institucionet arsimore”.

Andaj në bazë të kësaj, paditësit kishin kërkuar që secilit veç e veç në emër të kompensimit të shujtave për ushqim t’iu paguhet shuma prej 342 euro si dhe shpenzimet procedurale. /BetimipërDrejtësi

Më Shumë

Zelensky: Rusët po planifikojnë diçka në jug

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, njoftoi mbrëmë në kanalin e tij Telegram, se forcat ruse “megjithë humbjet jashtëzakonisht të larta, ende po përpiqen të avancojnë...

Sot shqyrtohen Projektligjet për zyrtarët dhe pagat në sektorin publik

Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal sot do të mbajë mbledhje. Në këtë mbledhje do të bëhet shqyrtimi në parim...

Flamuri dhe qeni

Lajmet e Fundit