Qendra Rajonale për Trashëgimi Kulturore në Prizren pas një angazhimi disa mujor ka botuar “Katalogun me eksponate arkeologjike dhe etnologjike nga rajoni i Prizrenit”.
Iniciativa e Qendrës Rajonale për Trashimi Kulturore në Prizren për botimin e këtij katalogu është vetëm njëra nga objektivat e punës së qendrës, që do të jetë gjithsesi nxitëse edhe për angazhime tjera dhe prezantime tjera të vyera të trashëgimisë kulturore materiale dhe shpirtërore të regjionit tonë. Eksponatet në pjesët e katalogut janë një përmbledhje e rezultateve të më hershme të institucioneve kompetente si dhe e rezultateve të viteve të fundit të veprimtarisë shkencore të institucioneve të Trashëgimisë Kulturore të Republikës së Kosovës.
Katalogu me eksponate arkeologjike dhe etnologjike ndahet në tre pjesë: Në pjesën e parë janë të prezantuara gjetjet arkeologjike në Regjionin e Prizrenit, që janë të ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Kosovës, që kryesisht janë eksponate të gjetura në qendrat arkeologjike të Vlashnjës, Reshtanit, Hisarit Korishës, Romajës Vërmicës, Prizrenit, Shirokës, Rahovecit, Malishevës…
Në pjesën e dytë të këtij katalogu janë përfshirë eksponatet e ekspozuara në Muzeun Arkeologjik të Regjionit të Prizrenit, ku janë të prezantuara kryesisht gjetjet në varrezat e luftëtarëve në qendrën e arkeologjike në Romajë, në Vermicë, në Vlashnje dhe disa gjetje rasti në Prizren e rrethinë. Një pjesë e këtyre eksponateve janë të shekullit VII – IV p.e.s, përkatësisht të kohës së hekurit.
Në pjesën e tretë të katalogut janë prezantuar eksponatet etnografike të Muzeut Etnografik të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Këto veshje janë të njësive të ndryshme krahinore si nga Prizreni, Rugova, Lunxhëria, Plava e Gucia dhe nga vise tjera shqiptare. Në këtë pjesë janë prezantuar edhe vegla pune të kohës së Lidhjes së Prizrenit dhe orendi të ambienteve familjare.
Gjetjet arkeologjike në Regjionin e Prizrenit janë dëshmitë më të çmuara, që flasin për autoktoninë e popullsisë së kësaj ane dhe trashëgiminë kulturore të saj. Gjetjet arkeologjike janë gjuha e lashtësisë, që flasin për të kaluarën, për mënyrën e jetesës dhe te varrimit të popullsisë autoktone e deri me ardhjen e sunduesve, të cilët varësisht prej kohës së sundimit nisën t’i lënë edhe gjurmët e tyre materiale. Por, gjithsesi qytetërimi iliro-dardan, mbizotëron në të gjitha gjetjet arkeologjike, që nga monedhat, armët, enët, stolitë etj. Pasuria arkeologjike e Regjionit të Prizrenit është një thesar, për të cilin ashtu siç diti e mundi ta ruaj toka me shekuj, duhet dhe mbetet obligim i yni që ta nxjerrim në dritë dhe t’i japim shkëlqim, për të rrezatuar e reflektuar ndër breza, sepse e kaluara, apo historia e lavdishme mundëson një të ardhme të ndritshme.
Ky katalog është një arsye më shumë për vizitorë të shumtë, që zgjedhin Prizrenin për ta vizituar, sepse është i pasur dhe i rrethuar me trashëgimi kulturore që nga shekujt e largët deri në ditët tona./