18.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Botohet për herë të parë në gjuhën shqipe poeti i njohur në botë Adonis

Adonis-kopertinaBotohet për herë të parë në vendin tonë poeti i njohur me famë botërore Adonis, i shqipëruar nga poeti Visar Zhiti.

Libri i tij me poezi, “Iluzioni i hapave të mi”, i jepet lexuesit nga shtëpia botuese “UEGEN” në dy gjuhë, në shqip, të përkthyera nga italishtja me dëshirë të autorit, por dhe në origjinalin e tyre arabisht, që për herë të parë shoqëron botimin e një libri me poezi.

Adonis jeton në Francë, qysh prej 30 vjetësh, por vendlindja e tij është Siria. Është botuar në shumë gjuhë të botës dhe ka marrë shumë çmime, jo vetëm në Europë dhe në botën arabe, por dhe në Amerikë e Kinë dhe është një nga kandidaturat më serioze për çmimin “Nobel”.

Botimi në shqip hapet me një hyrje të poetit të njohur Sabastiano Grasso, president i Pen Clubit Italian dhe me një pasthënie të gjerë nga shkrimtari Visar Zhiti, ku krahas vlerave dhe rëndësisë së poetit, ka një nënkapitull për diasporën shqiptare në Siri, e dalluar në fushën kulturore, veçanërisht në letërsinë e vendit.

Me botimin e Adonisit, plotësohet një kërshëri për poezinë e tij moderne dhe i shtohet lexuesit shqiptar një emër i ri, ndër më të njohurit e shekullit.

KANË THËNË PËR ADINISIN:

Për Adonisin poezia është një lloj udhëtimi… i përhershëm i një nje-riu, të cilit zotat i kanë dhënë dhu¬ratën e të shikuarit të gjithçkaje, të të bërit pyetje dhe të kërkuarit ndaj vetes me mrekullinë e një fëmije…
Pastaj, i përfshirë nga pasioni dhe nga një dehje e pafund, bie në ekstazë: dora dorës tek shkruan, gërmat bëhen gra që pëshpërijnë. Por një goditje ere e hedh tej dhe poeti zgjohet.
Sebastiano Grasso

Adonis është poeti më i madh i botës arabe sot, ndër më të njohu¬rit në të gjithë botën, i cili që prej më shumë se tre dekadash jeton në Francë, në Paris – kryeqytet dhe i artit, në një farë mënyre Meka e artistëve.
Poet i paradokseve dhe eks¬tremeve, i tensioneve mistike dhe i kërkimit të vazhdueshëm mbi mis¬teret më të mëdha të jetës. Visar Zhiti

ËNDËRR E NJË POETI

Nga Sebastiano Grasso

Si Guillaume Apollinaire, Rafael Alberti, Eugene Mon¬tale, Salvatore Quasimodo, Henry Miller, Günter Grass, Alberto Savino – kaq sa për të përmendur disa emra – poeti sirian Adonis (Ali Ahmad Esber) bën pjesë në këtë aradhë letrarësh që udhëtojnë në binarin e dyfishtë të poezisë dhe artit. Madje do të thosha se në këtë operacion Adonis ka më përparësi se të tjerët, nga që tashmë e shkruara në gjuhën e tij paraqitet pikërisht si një arabeskë e vërtetë.
Adonis i do collages. Mbi fletë të mëdha ndërton, për¬reth dhe sipër vargjeve, një lloj mozaiku me copa papirusi, fille, copa pëlhure, sfonde të copëzuara ngjyrash, objekte të vogla, shenja të tjera grafike të pikturuara ose të ngji¬tura. Përfundimet? Një mélange (përzierje) e poezisë dhe e pikturës midis dadaizmit dhe Surealizmit, me efekte befa¬suese.
Dhe kolazhe të vërteta janë poezitë e Nuk ka moshë sekreti që na tregon ne, marrë nga njëmbëdhjetë përm¬bledhjet e botuara në Beirut: Poezi të para (1957), Gje¬the në ere (1961 ), Metamorfozat e së dashurës (1962), Yshtje për qytetet e al-Ghazali-t (1967), Teatri dhe pasqyrat (1968), Mesha pa përfundim, rrëmujë e mundësive (1978), Rezonancë dhe origjinë (1979), Ja emri im (1980), Libri i rrethimit (1985), Në nder të së qartës dhe të errtës (1988) dhe Fillimi i trupit, fundi i detit (2003).
Për Adonisin poezia është një lloj udhëtimi i një “fëmije që vrapon në kujtesë» – sipas titullit të një kompozimi të tij, – udhëtimi i përhershëm i një njeriu, të cilit zotat i kanë dhënë dhuratën e të shikuarit të gjithçkaje, të të bërit pyetje dhe të kërkuarit ndaj vetes me mrekullinë e një fëmije (“Kujtesa ime ka zbritur nga maja e palmave”; “Gjaku im është i biri i pyetjeve” ).
Udhëtime drejt Orientin, udhëtime në një pasqyrë, udhëtime mbi det, udhëtime me erën, (“Unë vij nga larg,/ nga një vend me rrënjë shterpe, [ … ]/ nën veshjet e një krimineli/ dhe kam sjellë erërat e çmendurisë” ), udhëti¬me me babanë (“Kur babai im iku/ një fushë u bë e thatë/ dhe një dallëndysheje i plasi zemra, vdiq”), udhëti-me në dashuri ( «Të dashuruarit hedhin emrat e tyre/ në kallamarët ku boja njeh vetëm vdekjet e tyre”; “E di./ Në dy vetëtima sysh mblidhet universi”).
Fjalët marrin trup dhe kanë ngjyrën e ujit; një uji që “përndizet dhe bëhet rrufé,/ tharm dhe zjarr.”
Udhëtimi vazhdon. Magjepsja lind çdo çast, heshtet në shkëlqim. Në fund një dyshim sulmon poetin: “Shkruaj – Jam i tmerruar/ e çmendem e më trëmben/ edhe boja dhe fletët/ dhe pyes veten: po shkruaj vërtet apo po digjem?». Pastaj, i përfshirë nga pasioni dhe nga një dehje e pafund, bie në ekstazë: dora dorës tek shkruan, gërmat bëhen gra që pëshpërijnë.
Por një goditje ere e hedh tej dhe poeti zgjohet.

Përkthue Visar Zhiti

Më Shumë

Zyrtare: Valon Bunjaku rikthehet te Bashkimi

KB Bashkimi ka njoftuar zyrtarisht rikthimin e lojtarit Valon Bunjaku në ekip, raporton PrizrenPress. Me një deklaratë të përzemërt, klubi ka shprehur entuziazmin për kthimin...

FOTO+VIDEO/ Si përpara 11 vitesh, Reali publikon fanellat e transfertave

Reali i Madridit publikoi këtë të hënë fanellat e dyta për sezonin 2024/2025, që do të përdoren nga skuadra e Carlo Ancelottit në takimet...

Lajmet e Fundit