2.8 C
Prizren
E shtunë, 20 Prill, 2024

I burgosuri politik i Arzana Krajës

20140704092537923646Amselfeld është fjalë e përbërë. Amsel nënkupton mullenjën, ndërsa Feld është fusha. Gjermanët Kosovën shpesh e quajnë po kështu.

Fusha e Mullenjave. Paragjykimi lidhet me Fushën e Kosovës (Kosovo Polje), në fillim përdorur nga qarqet ushtarake austro-hungareze e më vonë është futur edhe në literaturën civile.
Sikundër supozohet ndryshe, ai veten nuk e gjen në Gjermani. Ai është një nga ata që kthehet në fuqi punëtore, në duar të rrekura për fabrikat gjermane. Pas burgut, Gjermania nuk është streha ideale e tij. Ai nuk e gjen veten as në Gjermani, e as në Kosovë. Nuk ka familje, nuk ka as motiv. Një ish i burgosur politik nga shteti që kurrë nuk i dha asgjë, me tentim adaptimi në shtetin që i dha punë krahu dhe duar të sakatuara.

Një histori plot emocion, një rrëfim karakteri, një film që në asnjë skenë të vetme nuk mbetet pa vetëm një fytyrë. Një fytyrë të vobektë, të harxhuar në burg, të mbetur pa përjetim. Një fytyrë e vdekur por që provon të ecë. Ky është i burgosuri që merr udhë në Gjermani, kthehet në Kosovë, kthehet në fëmijërinë e tij. Në film të kthyer mbrapshtë, ky është i burgosuri i Arzana Krajës.

“Është një rrëfim personal dhe asnjë skenë e filmit nuk do të jetë pa atë personazh. Janë problemet e një të burgosuri politik, kur ai ik në Gjermani po nuk e gjen veten. Pas torturave dhe pas shuplakës që ai merr në Gjermani, kthehet në Kosovë. Ai e ka vështirë të jetojë me të kaluarën, dhe kthehet në vendlindje për tu përballur me ata që e tradhtuan” tregon Arzana Kraja për KultPlus.
Kraja së fundmi ka fituar mbështetjen e Qendrës Kinematografike të Kosovës për projektin “Fusha e Mullenjave”. Ajo do të realizojë filmin e metrazhit të gjatë, që sipas saj është tentimi i saj më serioz kinematografik. Ajo thotë se këtë pasaportë për të depërtuar do ta shfrytëzojë në mënyrën më të mirë. Historia, lufta, situata, gjithçka është periferike. Në qendër të mullenjave të Krajës është një personazh, që nuk gjen prehje në asnjë vend.

“Tregimi shkon përtej të tashmes, nis në Gjermani dhe kthehet në fëmijërinë e këtij të burgosuri politik. Nuk kam dashur të paraqes një film me retrospektivë, por një emocion në trupin e këtij personazhi. Përmes tij do të kthehemi në kohën kur ishte student, gjithçka që ndodhi asokohe, edhe për një Prishtinë të panjohur” tregon Kraja.
“Nuk do ta fsheh aktorin, nuk do ta vendos kamerën prapa krahëve të tij ose ta xhiroj në total. Dua të jetoj me personazhin dhe me kamerën afër fytyrës.

Kjo është edhe tendenca ime, që të kem besueshmëri të karakterit” tregon regjisorja Arzana Kraja. Shkumbin Istrefi është aktori që tanimë ka marrë rolin kryesor në “Fushën e Mullenjave”, filmin që morri pikët maksimale në vlerësimin e jurisë së sivjetme për mbështetje filmike nga Qendra Kinematografike e Kosovës. Melihate Qena e Luan Jaha do të jenë të tjerët që do të përballen me Istrefin, në dialogjet e forta e plot tension mes të tradhtuarit e atyre që tradhtuan.

“Ish të burgosurit politikë janë shtresë që kurrë nuk morën asgjë prej shtetit, ndoshta më të neglizhuarit. Pritjet e tyre për këtë shtet duhet të kenë qenë të mëdha, por askush nuk është marrë me ta. Ata kanë familje, jetojnë vështirë dhe janë ndoshta nga ata që bënë të krijohej edhe shteti. Tranzicioni ynë ndoshta është i ngadalshëm. Për ta, është si mos me pasë shpi” vazhdon Kraja.
Kraja ndihet e lumtur që morri vlerësimin maksimal nga QKK. Filmi i saj pritet të nisë me procedurat e zhvillimit të skenarit dhe logjistikës që pretendon të krijojë një film të metrazhit të gjatë, të munguar prej kohësh në skenën filmike kosovare.

“Filmi nuk është politik, as një deklaratë politike. Ka edhe luftë dhe pasoja lufte, por është film personal dhe me emocion. Kur e kam paraqitur para jurisë ka qenë një test fenomenal për mua sepse kështu kam dashur të shoh nëse të huajt e kuptojnë idenë e filmit, skenarin e tij. Ky është projekti më serioz për mua” shton Kraja.
“Është sikur të marrësh një njeri nga rruga dhe t`ia dëgjosh rrëfimin. Nuk ka lojë sipërfaqësore por shumë potencë, shumë kërkim për përgjigje” tregon Kraja. “Fusha e Mullenjave” ka marrë vlerësimin unanim për tu përkrahur nga QKK me arsyetimin e “trajtimit origjinal të problemeve të shoqërisë kosovare në tranzicion, dhe të diasporës Kosovare në Gjermani.

Më Shumë

Policia shqipton mbi një mijë e 500 gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 1501 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Sot varroset aktorja Shirine Morina

Sot në orën 16:00 do të bëhet varrimi i aktores së njohur, Shirine Morina. Teatri Kombëtar i Kosovës ka njoftuar se sot do të organizojë...

Lajmet e Fundit