Ligji i ri për Policinë e Shtetit parashikon që në fund të vitit, 10 240 efektivë policie të marrin shpërblim. Në nenin 63 të këtij ligji përcaktohet se këta efektivë policie do të marrin shpërblim në fund të vitit në masën e një page mujore. Ndërsa, vetëm 5 për qind e efektivëve do të mund të përfitojnë një shpërblim për punë të mirë, prej 6 pagash nga kreu i Policisë së Shtetit. Punonjësi i policisë, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihet edhe shpërblimi nga drejtori i Policisë së Shtetit deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Kriteret e përfitimit të shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave”, citohet në nenin 63 të Ligjit të ri të Policisë.
Byroja e Hetimit
Për herë të parë në ligjin e uniformave blu është parashikuar që të ketë një Byro Hetimi. Në ligjin e ri përcaktohet se 50 punonjësit e kësaj strukture do të trajtohen me 100 për qind shtesë page. “Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet me urdhër të ministrit”, citohet në nenin 26 të ligjit të ri. Ndërsa në nenin 33 citohet se paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Sigurimi i jetës
Po për herë të parë në ligjin e ri të policisë është parashikuar edhe sigurimi i jetës për efektivët. Në ligjin e ri qartësohet se nga sigurimi i jetës do të mund të përfitojnë 10240 punonjës policie. Ky sigurim do të kushtojë jo pak, por plot 70 milionë lekë të reja. Në nenin 67 të këtij ligji thuhet se “punonjësi i policisë përfiton sigurim jete sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave”. Në ligj përcaktohet edhe transferimi i 1283 punonjësve të Gardës, që do të ketë efekt financiar prej rreth 340 milionë lekësh.
PJESE NGA LIGJI I POLICISE
Neni 63
Trajtimi financiar gjatë qëndrimit në punë
1. Punonjësi i policisë, për shkak të përgjegjësisë dhe të rrezikshmërisë së lartë në detyrë në raport me strukturat e tjera të administratës shtetërore, ka përparësi në trajtimin financiar, ku përfshihet: shpërblimi në fund të vitit në masën e një page mujore, shpërblimi nga drejtori i Policisë së Shtetit deri në masën e 6 (gjashtë) pagave mujore, për rezultate të larta në kryerjen e detyrës. Kriteret e përfitimit të shpërblimit përcaktohen me udhëzim të ministrit. Shpërblimi përballohet nga fondi i pagave.
Neni 26
Byroja e Hetimit
Byroja Kombëtare e Hetimit është strukturë e veçantë e Policisë së Shtetit.
2. Kjo strukturë kryen veprimtari gjurmuese dhe hetimore, në përputhje me legjislacionin penal dhe procedural penal, për veprat penale në fushën e korrupsionit dhe veprimtarinë kriminale të lidhur me të.
3. Kjo strukturë ushtron kompetencat në të gjithë territorin e vendit dhe për veprimtarinë gjurmuese përgjigjet para drejtorit të Policisë së Shtetit, ndërsa për veprimtarinë hetimore procedurale përgjigjet edhe para prokurorit.
4. Organizimi dhe funksionimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohet me urdhër të ministrit.
Neni 33
Paga e punonjësit të byrosë
Paga dhe shtesa mbi pagë për punonjësin e Byrosë Kombëtare të Hetimit përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 67
Sigurimi i jetës
Punonjësi i policisë përfiton sigurim jete sipas rregullave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.
Neni 71
Pensioni i parakohshëm suplementar
1. Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës, përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
2. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë, të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 (pesëmbëdhjetë) vite për meshkujt dhe 12 (dymbëdhjetë) vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat.
3. Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës referuese të muajit të fundit. Për çdo periudhë shërbimi 10-15 vjet për punonjësit e policisë meshkuj dhe 7-12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi i policisë përfiton pension të parakohshëm në masën 3% më pak se 50% të pagës referuese për çdo vit.
Neni 71
Pensioni i parakohshëm suplementar
1. Punonjësi i policisë, që ndërpret marrëdhëniet e punës, përfiton pension të parakohshëm suplementar në masën 50% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim.
2. Këtë pension e përfitojnë të plotë punonjësit e policisë të cilët kanë vjetërsi shërbimi 15 (pesëmbëdhjetë) vite për meshkujt dhe 12 (dymbëdhjetë) vite për femrat, si dhe kanë mbushur moshën 47 vjeç për meshkujt dhe 42 vjeç për femrat.
3. Për çdo vit shërbimi mbi 15 vite për punonjësit e policisë meshkuj dhe 12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi përfiton shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit të fundit. Shuma e përfitimit nuk duhet të jetë më shumë se 65% e pagës referuese të muajit të fundit. Për çdo periudhë shërbimi 10-15 vjet për punonjësit e policisë meshkuj dhe 7-12 vite për punonjësit e policisë femra, punonjësi i policisë përfiton pension të parakohshëm në masën 3% më pak se 50% të pagës referuese për çdo vit.
Neni 73
Pensioni suplementar
1. Punonjësi i policisë që mbush moshën përfiton pension pleqërie.
2. Në masën e pensionit përfshihen pensioni i përllogaritur sipas ligjit për sigurimet shoqërore dhe një shtesë në masën 2% të pagës referuese të muajit në çastin e lindjes të së drejtës për përfitim, për çdo vit shërbimi. Shtesa nuk duhet të jetë më e lartë se pensioni i pleqërisë i përfituar sipas ligjit për sigurimet shoqërore.
3. Në momentin e daljes në pension pleqërie, punonjësi i policisë përfiton shpërblim në masën e 3 (tre) pagave mujore referuese të muajit të fundit.
Neni 101
Masat për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike
1. Kur sjellja e personit cenon rendin dhe sigurinë publike, punonjësi i policisë, në zbatim të përgjegjësive të tij,:
a) merr masa për shmangien e rrezikut për shtetasin dhe veten;
b) vlerëson nëse është e nevojshme marrja e masave shtesë ose dhënia e ndihmës dhe njofton menjëherë autoritetet përgjegjëse administrative.
2. Nëse cenimi i rendit dhe sigurisë publike ka ardhur si pasojë e veprimeve të një personi të mitur nën 14 vjeç, punonjësi i policisë merr masa për të ndërprerë veprimet e paligjshme dhe njofton prindin ose kujdestarin e të miturit.
Neni 102
Proporcionaliteti dhe ndërprerja e masave
1. Masa për të shmangur rrezikun duhet të jetë në proporcion me shkallën e rrezikshmërisë dhe nuk duhet të përbëjë kapërcim të kufijve të nevojës për situatën e paraqitur.
2. Masa mbetet e përshtatshme edhe nëse e ul rrezikun ose e pakëson atë përkohësisht. Nëse masa është e paefektshme, atëherë mund të zgjidhet një masë tjetër me ndikim më të madh.
3. Zbatimi i mëtejshëm i çdo mase të ndërmarrë ndërpritet menjëherë kur shkaku i saj nuk ekziston më.
Neni 103
Zbatimi masës së menjëhershme
1. Zbatimi i masës së menjëhershme merret vetëm nëse duhet mënjanuar një rrezik real dhe i çastit për rendin dhe sigurinë publike, i cili nuk mund të shmanget me anë të mjeteve të tjera.
2. Personi ndaj të cilit ndërmerret masa njoftohet menjëherë.
Neni 104
Përgjegjësia për gjendjen e objekteve
Kur rendi dhe siguria publike rrezikohen ose cenohen nga gjendja e një objekti, punonjësi i policisë merr masa ndaj pronarit të objektit ose, në rast pamundësie, njofton organin kompetent. Masa mund të jepet edhe ndaj personit që sillet si pronar i objektit.
Neni 105
Masat ndaj palëve të treta dhe e drejta e kompensimit
1. Masat mund të merren edhe ndaj personave që nuk përfshihen në nenet 102 dhe 105, të këtij ligji, në qoftë se rreziku real dhe i çastit për rendin dhe sigurinë publike ose cenimi i tyre nuk mund të shmangen ndryshe dhe për sa kohë që punonjësi përkatës i policisë nuk ka personelin dhe mjetet e duhura.
2. Sipas rrethanave të përcaktuara në pikën 1, të këtij neni, punonjësi i policisë mund të kërkojë ndihmë. Ai gjithashtu mund të marrë përkohësisht në posedim objekte të tilla, si mjedise akomodimi, medikamente dhe ushqim, mjete pune, materiale ndërtimi dhe mjete transporti.
3. Në çdo rast të bashkëpunimit vullnetar apo të përdorimit me forcë të pronës së palëve të treta, lëshohet procesverbali përkatës.
4. Në çdo rast të thirrjes ose bashkëpunimit vullnetar të një personi apo pale të tretë për ndihmë për përdorim të mjediseve, mjeteve, objekteve, sendeve apo konsumit të mallrave dhe materialeve të tyre bëhet kompensimi fizik ose monetar.
5. Lloji dhe masa e kompensimit përcaktohen duke mbajtur parasysh përgjegjësinë e palëve dhe përfitimin nga shërbimi i ofruar, në përputhje me legjislacionin për përgjegjësinë jashtëkontraktore të organeve të administratës shtetërore.
6. Kur subjekti i cenuar nuk bie dakord me llojin dhe masën e kompensimit ka të drejtën e ankimit në gjykatë.
Neni 106
Shpërblimi i personit për ndihmën e dhënë
1. Çdo person mund të ndihmojë Policinë për kryerjen e detyrave të përcaktuara në ligj.
2. Nëse gjatë ndihmës që i jep Policisë, personi plagoset, sëmuret apo humbet aftësitë e tij për punë, ai ka të drejtë të përfitojë çdo ndihmë mjekësore, pension, pagesë për aftësi në punë dhe pagesë në rast vdekjeje, përfitime të cilat i takojnë një punonjësi policie në rast aksidenti në punë. Paga, mbi të cilën llogariten përfitimet e mësipërme, është ajo që përfitonte personi në vendin e tij të punës ose paga për të cilën është siguruar në mënyrë vullnetare apo si privat, deri në 30 (tridhjetë) ditë para ndodhjes së ngjarjes. Ajo nuk mund të jetë më e vogël se paga bazë për gradën “Nënkomisar”. Për rastet kur personi nuk është në marrëdhënie pune ose i siguruar, paga mbi të cilën llogariten këto përfitime është paga bazë për gradën “Inspektor”.
Neni 107
Masa administrative
Kur punonjësi i policisë konstaton shkelje administrative, për të cilat ligji ngarkon me detyra Policinë, merr masa administrative sipas legjislacionit për kundërvajtjet administrative.
Neni 108
Njoftimi për paraqitje në Polici
1. Punonjësi i policisë njofton personin për t’u paraqitur në ambientet e policisë në këto raste:
a) Për të marrë informacion për parandalimin e veprimit ose mosveprimit të kundërligjshëm;
b) Për të identifikuar personin që mund të ketë dijeni për rrezikun apo incidentin;
c) Për të identifikuar shkelësin e mundshëm të ligjit.
2. Njoftimi për paraqitje bëhet me anë të fletënjoftimit ose edhe verbalisht, kur personi është i pranishëm, duke përcaktuar arsyen e paraqitjes, të dhëna për punonjësin e policisë, kohën, vendin dhe informacion për ta kontaktuar punonjësin e policisë në rast pamundësie për t’u paraqitur.
3. Kur për shkak të kushteve personale dhe familjare, personi që njoftohet nuk mund të paraqitet në mjediset e Policisë, punonjësi i policisë mund ta marrë këtë informaion në vendndodhjen e personit të njoftuar.
4. Në rastet kur personi i njoftuar nuk paraqitet në ambientet e Policisë pa shkaqe dhe arsye të përligjura, Policia kryen shoqërimin kundër vullnetit të tij.