8.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Prill, 2024

Calmy Rey në librin e saj rrëfehet për misionin e saj kosovar

Calmy ReyMe pjesëmarrjen në meshën shqiptare në Wil, më 17 shkurt 2008, Calmy Rey u bë pjesë aktive e historisë së Kosovës. Si e përshkruan ajo këtë akt në librin e saj më të ri

Të gjithë thoshin se ardhja e saj në mesin e shqiptarëve pikërisht më 17 shkurt “nuk ishte rastësi. Ajo e ka ditur dhe prandaj e ka planifikuar ardhjen pikërisht për këtë ditë”, thuhej.

“Ajo” është ministrja e atëhershme zvicerane e punëve të jashtme, Micheline Calmy Rey. Njeriu që e kishte ftuar ministren të vinte në meshën e shqiptarëve, udhëheqësi i Misionit Katolik Shqiptar të Zvicrës lindore, Don Marjani thoshte se ardhja e saj më 17 shkurt ishte rastësi. Ai e kishte bërë ftesën disa muaj më parë, pastaj ardhja ishte shtyrë për shkaqe të ndryshme, dhe në fund kishte ndodhur koincidenca që kishte ndodhur: Micheline Calmy Rey, ishte bërë pjesë e një akti që u shndërrua në histori të shqiptarëve dhe të Kosovës.

Emocionet që ajo ka marrë më 17 shkurt 2008 në mesin e besimtarëve shqiptarë katolikë dhe të tjerëve në kishën e Wil-it, i ka përjetësuar edhe në një kapitull të librit të posabotuar “Die Schweiz die ich uns wünsche” (Zvicra, të cilën e dëshiroj për ne).
Calmy Rey: Prifti shqiptar thotë se ardhja ime në këtë ditë është “shenjë nga qielli”

“Më 17 shkurt 2008 e marr trenin për në Wil, një qytet i vogël në Zvicrën Lindore. Misioni Katolik Shqiptar më ka ftuar të marr pjesë në një meshë. Termini është caktuar prej disa javësh. Dhe është kjo po ashtu dita që Kosova ka zgjedhur për të bërë shpalljen e pavarësisë së saj. Në një mbledhje të jashtëzakonshme të Parlamentit në Prishtinë, kryeministri Hashim Thaçi paraqet një rezolutë me të cilën e shpall pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. Ajo miratohet me duartrokitje”, e fillon Calmy Rey rrëfimin për shpalljen e pavarësisë së Kosovës “së saj”.

”Kur unë zbres nga treni, më pret prifti i përlotur. Ai, këtë koincidencë të shpalljes së pavarësisë me praninë time aty, e sheh si një lloj shenje nga qielli. `Këtu ka ndodhur një mrekulli, zonjë, një mrekulli`.
Kolegët e mi nga qeveria, në të kundërt, assesi nuk mund t`i bindja se “regjinë” e gjithë kësaj e ka bërë rastësia dhe se nuk bëhej fjalë për një gjest të menduar propagandistik! Mundohesha t`ua fusja atyre në kokë këtë punë: unë mbase edhe e kam njëfarë ndikimi të caktuar por jo aq të madh sa ta diktoj terminin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës”, shkruan Calmy Rey në librin e saj.

“Kisha është e stërmbushur dhe nuk mund t`i zë ata qindra shqiptarë katolikë që ia kanë mësyrë për të festuar.

Lufta në Kosovë kishte prekur edhe Zvicrën

Atmosfera është festive, e gëzuar. Po, lufta, te ata, te familjet e tyre dhe te fëmijët, ka lënë vrragë. Ata kanë përjetuar varfërinë, plagët, humbjen e pasurisë, dëbimin dhe ndonjëherë edhe vdekjen. Konfliktet që kishin lënduar vendin e tyre, përmes afërsisë gjeografike dhe njerëzore kishin prekur edhe Zvicrën.

Në kishë, pavarësia e Kosovës po festohej si një lloj njohjeje e ekzistencës së tyre dhe e dinjitetit të tyre. Vajzat e vogla kanë veshur kostumet e tyre festive dhe njerëzit puthen në mes vete. As mua nuk më la kjo ditë pa më prekur dhe unë e përjetova atë në njëfarë mënyre si një lloj akti kurorëzimi”, përfundon ish ministra e jashtme e Zvicrës pjesën e përshkuar nga eoionet të cilave nuk ka mundur t`u ikë as ajo si diplomate e rryer.

Në vazhdim ajo shkruan për sfondin historik, e realpolitik që kishte kushtëzuar qëndrimin e Zvicrës aq pranë Kosovës gjatë gjithë këtyre viteve.

Si vendosi Zvicra të mbështeste kërkesën për pavarësi të Kosovës

“Në vitin 2004 në Kosovë shpërthejnë konflikte të ashpra në mes të kosovarëve dhe pakicës serbe. Statusi i Kosovës preokupon bashkësinë ndërkombëtare dhe diferencat në mes të Serbisë dhe Kosovës kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit. Zvicra e sheh veten të përballur me probleme të natyrës praktike, sidomos në sektorin e dhënies së vizave. Në Zvicër jetojnë afërsisht 200 mijë kosovarë që do të thotë 10 për qind e popullatës së Kosovës. Është fjala për njërin ndër komunitetet më të mëdha të huaja në Zvicër, disa madje flasin edhe për Kosovën si “kantoni i 27-të i Zvicrës”.

E ballafaquar me problemet e migracionit dhe duke pasur qasje të vazhdueshme me këtë regjion, Berna zyrtare organizon për çdo vit në Lucern takime me përfaqësuesit më të rëndësishëm (të regjionit) për të qetësuar situatën”, shkruan zonja që i dha profilin e saj të fortë diplomacisë së Zvicrës.

“Në maj të vitit 2005 Zvicra vendos të bëjë një hap të rëndësishëm: ajo shprehet para Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një zgjidhje të shpejtë të statusit të Kosovës. Zvicra me këtë rast është udhëhequr nga shqetësimet humanitare dhe politike. Mbretëronte mendimi se një shtet i pavarur është më mirë në gjendje të sigurojë mbrojtjen e standardeve ndërkombëtare të të drejtave të njeriut dhe ato të shtetit të së drejtës, se sa një zonë e përhitur, banorët e të cilës nuk ndjehen përgjegjës për asgjë”, arsyeton ajo.

“Angazhimi në Kosovë është prej kohësh një shtyllë me rëndësi në politikën e jashtme të Zvicrës. Zvicra jo vetëm që strehon një komunitet të madh kosovar por ajo ka lidhur tashmë kontakte nga më të ndryshmet me Kosovën.

Zvicra u ka mbetur besnike parimeve të politikës neutrale

Në vitin 2008 Zvicra numërohet si njëri ndër shtetet më të rëndësishme donatore për Kosovën. DEZA dhe SECO angazhohen për ringritjen e një ekonomie të rrënuar dhe për mbështetjen e popullatës së vuajtur dhe në nevojë…”, thuhet në vazhdim të kapitullit që bën fjalë për Kosovën.

Në këtë libër, zonja e cila në krye te diplomacisë zvicerane qëndroi plot 9 vite, shkruan edhe për vizitat e saj në Kosovë. Një herë në të gjallë të presidentit të atëhershëm Rugova, me ç`rast ai e pret në zyrën e tij duke i dhuruar gurët e çmuar pastaj në varrimin e tij, pak muaj më vonë. Dhe sigurisht, në vitin 2008, për të bërë hapjen e Ambasadës së Zvicrës në Prishtinë.

Por, ajo po ashtu në këtë kapitull përfshin edhe vendimin që Zvicra të udhëheqë OSBE-në së bashku me Serbinë, për ndeshtrashat që ajo ka kaluar me akuzat se “po luan lojën e SHBA-së” në Ballkan etj. Me këtë episod ajo thotë se i ka dhënë vulën politikës së suksesshme të jashtme të Zvicrës duke arritur të ruajë parimin e neutralitetit duke evituar kështu kritikat për “mbajtje ane” që asaj i vinin më parë nga qarqe të ndryshme.(albinfo.ch)

Më Shumë

Policia shqipton mbi 2 mijë gjoba në trafik brenda 24 orëve

Policia e Kosovës ka bërë me dije se gjatë 24 orëve të fundit ka shqiptuar 2038 gjoba në trafik. Sipas policisë, gjatë kësaj periudhe kohore...

Alarmojnë shkencëtarët: Moti në Evropë më i paqëndrueshmi, pritet krizë klimatike

Shkencëtarët për ndryshime klimatike kanë paralajmëruar se një krizë klimatike pritet të përfshijë Evropën në vazhdim. Ata thonë se temperaturat po rriten në mënyrë drastike,...

Lajmet e Fundit