1.5 C
Prizren
E premte, 7 Shkurt, 2025

Femrat e jetës sime

Një film i Hitchcock, sjellë në Shqipëri për herë të parë, në skenën e teatrit. Rikard Han është personazhi kryesor , rreth të cilit zhvillohet ngjarja dramaturgjike. E realizuar nga aktori Neritan Liçaj, drama flet për një njeri të demoralizuar nga jeta që tërhiqet në një rrjetë spiunazhi. E vënë në skenë nga regjisori Qëndrim Rihani, drama ka pasur premierën e saj në teatrin “Metropol”. Përfituam nga rasti për ta shkëputur aktorin kryesor, Neritanin, dhe për të zhvilluar një bisedë me të për rolin e ri, por dhe për jetën e tij profesionale me 60 role, planet për të ardhmen, marrëdhënien me Elvira Dones dhe pasionin për Holtën, gruan e tij.

Neritan sa ka ndryshuar gjendja emocionale nga fillimet e tua? Si ndjeheshe atëherë dhe si ndjehesh tani në një premierë?

-Besoj se tani hyn përvoja. Në fillim nuk ke përvojë dhe emocionet janë më të forta.

Si e përshkruan veten tënde në fillim dhe tani?

-Kam qenë çamarrok, impulsiv. Nganjëherë dhe kalë i hazdisur, në kuptimin figurativ. Tani pjekuria dhe përvoja janë elemente që e ndihmojnë dhe e rrisin një  artist në karrierën e vet. Tani jam më i matur, më i pjekur. Jam solid në atë që them, dhe kur e them.

Çfarë moshe e ke filluar karrierën tënde?

– Unë pata fatin e madh që sapo dola nga shkolla të më jepeshin mundësitë. Më kërkuan regjisorë. M’u dha mundësia në teatro dhe trupa të ndryshme. Kur e fillon karrierën që i ri është një domethënie e madhe, sepse trajnohesh më mirë, krijon eksperienca, bën praktikën tënde.

Në karrierën tënde cilat kanë qenë rolet më të spikatura?

– Besoj se ka qenë Bartolo te “Berberi i Seviljes” dhe Kllouni tek monodrama “Klloun”.

Shfaqja jote e fundit u prit me shumë duatrokitje nga publiku. Me sa di unë, një eksperimentim nga një film i Hitckokut?

-Luaj rolin e Rikard Hanit në dramën “39 hapat”. Është personazhi kryesor mbi të cilin zhvillohet ngjarja dramaturgjike. Është një histori e thjeshtë spiunazhi. Flitet për një njeri të demoralizuar nga jeta, të cilit, një ngjarje spiunazhi i ringjall dëshirën dhe dashurinë për jetën. Rigjen veten. Vënia që ka vënë regjisori Qëndrim Rihani me të vërtet ishte një përshtatje gjeniale.

A ishte e vështirë të përshtatej Hitchkok në dramaturgji?

-Për t’u përshtatur në skenë ishte e vështirë, ndaj e vlerësoj shumë punën e regjisorit. Se është shumë e vështirë të kthesh filmin në teatër. Ai gjeti një gjuhë shumë domethënëse.

Personazhi është i zhgënjyer nga jeta…

-Po. Siç ndodh shpesh në jetën e njeriut. I ndodh diçka pa dashur, dhe rrëmbehet në një histori të çuditshme nga ku del i ridimensionuar.

E ke gjetur veten në këtë personazh?

-Them se po. Roli më përshtatet.

Njerëzit e zhgënjyer i përshtaten gjithmonë figurës tënde…

-Po më vishen mirë. Është një personazh shumë elegant, dhe unë fizikisht jam elegant. Kolegët më kanë komplimentuar, duke më konfiduar se roli më është qepur pas lëkurës. Shpresoj që ta pëlqejë dhe publiku.

Mendoni se jeni një brez që po lini gjurmë në artin shqiptar?

-Jemi një brez i fortë. Po lëmë gjurmën tonë modeste në teatrin shqiptar.

Në kohën e diktaturës në teatër lindën figura të papërsëritshme. A është një pengesë kjo për ju më të rinjtë? A mendoni se ka cilësi në teatrin shqiptar?

– Edhe bota nuk i ka të gjitha shfaqjet të mrekullueshme. Ka shfaqje të mira, mesatare ka dhe shumë të mirë. Rëndësi ka që punohet.

Mendoni se ka figura?

-Sigurisht. Me gjithë respektin për ikonat e teatrit të dikurshëm që janë vlera të padiskutueshme, figura të dashura, profesionale, aktorë të mëdhenj dhe tani ka. Secili ka rrugëtimin e vet dhe lë gjurmën e tij. Ndaj mendoj se dhe ne, brezi ynë, kemi hyrë në një hulli rrugëtimi ku po lëmë gjurmën tonë me dinjitet. Sigurisht  nuk mund të bësh krahasime mes Helidon Finos dhe Kadri Roshit. Secili ka shkëlqimin e vet. Ne jemi brez produktiv. Dhe ne do lëmë gjurmë të rëndësishme si paraardhësit tanë.

Cilat janë problemet që ka teatri shqiptar sot?

-Ne kemi goxha probleme. Kemi probleme ligjore, probleme ambientesh, probleme financimi. Ka një sërë problemesh që po kërkohen të gjehen rrugëzgjidhje. Mendoj se komuniteti i artistëve duhet të jetë më këmbëngulës. Ne artistët kemi qenë të mefshtë. Se kemi pritur ta bëjë politika. Duhet të jemi dhe ne.

Ke një shembull që kërkon ta imitosh?

-Jo. Ka shumë aktorë që i pëlqej, por jo ti imitoj.

Cilat janë projektet e tua të ardhshme?

-Kam në plan për të ardhmen realizimin e një filmi me metrazh të gjatë, një skenar shumë i mirë, me regjisor Besnik Bishën dhe në rolet kryesore do jem unë dhe Anila Bisha. Filmi flet për një histori dashurie. Kaq mund të them. Jemi në fazën përgatitore. Kam dhe projekte të tjera. Për fat të mirë kam pasur, dhe kam oferta.

Si është Neritani në jetën e përditshme?

-Një njeri i qetë, i qeshur. Me një familje të mrekullueshme dhe miq të paparë. Jam djalë me fat. Kam një punë që e dua, një familje që e dashuroj dhe një motër që e adhuroj.

Motra jote është një prej shkrimtareve më të famshme shqiptare…

-Elvira më do pafund. “Do vras veten që nuk jam në premierën tënde”, më tha me shaka. Ajo po nxjerr një roman në italisht dhe është në kohën e promovimit të librit dhe nuk mund të lëvizë. Është hera e are që ajo shkruan në italisht dhe është në atë suazë.

Familje Vipash ju…

-Jemi njerëz që merremi me art, dhe na pëlqen të dyve kjo gjë.

Nga dolët ju të dy?

-E diskutojmë shpesh këtë gjë. Babain ne e kemi pasur ushtarak, i lexuar shumë, por strikt. Mamaja ekonomiste. Gjithë jetën është marrë me numra. Ne dolëm me kahje ndryshe.

Çfarë raporti ke pasur me Elvirën?

-Gjithnjë shumë të mirë. Unë jetën e kam prej saj. Prindërit e mi, të zënë me karrierën e tyre donin ta mbyllnin jetën me një vajzë. Ishte këmbëngulja e saj, që të kishte dikë me të cilën të kalonte jetën. Dhe prindërit nuk ia prishën.

Ka kaluar ca momente të vështira Elvira në jetën e saj. Si i ke përjetuar ti?

-Vëllai jep jetën për motrën. Por Elvira është femër e fortë. Është një femër kurajoze. Ajo nuk ndalet asnjëherë, kërkon të eksplorojë, kërkon gjitmonë të bëjë gjëra. Është një njeri me energji të jashtëzakonshme, dashuri pa fund. Është në paqe me veten dhe me botën.

Çfarë do dalloje nga krijimtaria e saj?

-Unë e adhuroj. E pëlqej jashtëzakonisht shumë. Unë mendoj që ajo është një nga shkrimtaret shqiptare dhe evropiane që dallon. Mund ta ekzagjeroj, po unë e shoh kështu. Elvira ka pushtuar tregjet europiane dhe botërore. Bota e ka cilësuar si Kadareja femër e Shqipërisë. Jo se është motra ime, por është talent.

Libri i saj që të pëlqen më shumë?

-E kam të vështirë. “Dashuri e huaj” është kryevepër. Është shumë njerëzor dhe shumë i brishtë si Elvira. “Yjet nuk zhvishen kështu” është shumë i rëndë, por një mrekulli.

Neritan si ka qenë historia jote e dashurisë?

-Njohja me Holtën ka qenë tipike colpo di fulmine. Unë atëherë isha asistent pedagog i të ndjerit Agim Qirjaqi. Kur isha me studentët, aty vjen për herë të parë Holta. Më goditi menjëherë energjia dhe pozitiviteti i saj. Të injekton poezi qenia e saj. Më pas u sajua një takim për të pirë kafe. Dhe triumfoi dashuria.  Në maj bëjmë 20 vjet që jemi njohur.

Lumturia është rritur… apo…

Është ridimensionuar, sepse kanë ardhur në jetë dhe fëmijët. Jeta  ka  probleme dhe halle që të bashkojnë. Nuk do doja një jetë më të mirë se kaq. Do ishte mirë që pjesa e financave të përmirësohej, por jemi rehat. Jemi shkëlqyer në mikrobotën tonë. /Konica.al

Më Shumë

Xheneta thyen heshtjen: Gjesti s’mund të ketë më kontakt me mua!

Ish finalistja e edicionit të tretë të BBVK, Xheneta Fetahu ka thyer heshtjen. Në një intervistë me gazetarët Jehona Bajrami dhe Kron Sadiku, Xheneta ka...

Vihet gurthemeli i Shtëpisë së Kulturës në Mamushë

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit të Kosovës dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal të Kosovës, sot në Mamushë u vu gurthemeli...

Lajmet e Fundit