11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Gorani: Aderimet e shndërruan skenën politike në cirk kolektiv

Dukagjin_Gorani1Sociologu Dukagjin Gorani në një intervistë për Gazetën Express ka analizuar veprimet e partive politike në prag të fushatës zgjedhore.

Ai konsideron se partitë e kanë tepruar me ‘prurje” duke e shndërruar skenën politike në një cirkus politik.

“Shumica e liderëve partiakë nuk vuan nga mungesa e këshillave apo e përvojës; ata nuk angazhohen në zhvillim të vendit jo pse nuk dijnë – por pse nuk është në interes të tyre. Andaj, nëse ‘prurjet’ mendojnë se kontributi i tyre do të jetë në edukimin dhe avancimin e kapaciteteve politike të liderëve dhe udhëheqjeve partiake – do të gabojnë rëndë” thotë Gorani.

Express: Ka një garë ndërmjet partive politike se cila prej tyre po sjell më shumë “prurje” në prag të zgjedhjeve. Si i vlerësoni këto veprime?

D.Gorani: ‘Prurjet’ janë shndërruar në valutë, një simbol të prestigjit publik të një partie politike. Ato parti që tërheqin më shumë prurje mendojnë se fitojnë popullaritet më të madh. Mirëpo, sikurse edhe më çdo trend tjetër në Kosovë, edhe me këtë dukuri të ‘prurjeve’ u teprua tejmase. Aderimet ‘cilësore’ tashmë e shndërruan skenën politike në një cirkus kolektiv – e kjo më së shumti do t’i dëmtojë pikërisht ‘prurjet’ meqë ata njerëz duhet të ballafaqohen me akuza dhe tallje publike që tashmë kanë filluar. Mbetet ta shohim nëse këta njerëz me të cilët po reklamohen partitë do të gjejnë vend nëpër lista të deputetëve – dhe sa lart do të rreshtohen aty.

Express: Në Partinë Demokratike të Kosovës por edhe në parti tjera po aderojnë njerëz që dikur ishin kritikues të ashpër të tyre. Pse tash PDK, edhe pse gjithë kësaj kohe në pushtet dhe me barrën e keqqeverisjes mbi supe, u bë atraktive për këta njerëz?

D. Gorani: Besoj se tash të gjithë jeni dëshmitarë të asaj që e kisha parë shumë më herët, derisa isha i angazhuar si këshilltar në qeveri: bashkëpunimin e ngushtë të shoqërisë civile me partitë politike,i cili është zhvilluar rregullisht dhe larg syve të publikut. Me vite të tëra, akterë të shumtë e të spikatur nga ‘shoqëria civile’ nuk lëshonin rast pa e ofenduar rëndë dhe publikisht skenën partiake e qeveritare në vend; mirëpo, në anën tjetër, po thuaj fshehtazi, i shihja tek prisnin rregullisht korridoreve qeveritare në kërkesë të bashkëpunimit dhe të favoreve institucionale. Kjo ka ndodhur gjithnjë dhe besoj se do të ndodhë tutje.Mendoj se kjo është një dyfytyrësi publike dhe është krejtësisht e panevojshme, meqë nuk keni nevojë ta gënjeni opinionin publik për qëllimet tuaja të vërteta. Nuk është mëkat nëse dëshironi të jeni pjesë e pushtetit politik dhe e privilegjeve partiake. Mëkat është nëse e fshehni këtë dëshirë duke i akuzuar e ofenduar ata të cilëve u keni lakmi. Sot po shihet që kjo dyfytyrësi ishte edhe jetëshkurtër meqë tash të gjithë e kuptuanse jetën tonë politike, qeveritare e joqeveritare nuk e qeverisin parimet, por vetëm intereset. Nuk bëhet fjalë për misione morale por vetëm për taktizime kadrovike dhe ngarendje pas posteve.

Express: A është e turpshme që për një kohë të gjatë nën petkun e shoqërisë civile të sillesh si kritik i një pushteti apo partie e pastaj qysh në ofertën e parë të bëhesh pjesë e tyre?

D.Gorani: Me përfundimin e luftës skena publike në Kosovë u ndërtua përmes improvizimeve dhe joprofesionalitetit. Kjo vlen si për partitë, ashtu edhe për OJQ-të, mediat, arsimin dhe tutje kuvendin, qeverinë, agjencitë e panumërta. E gjithë kjo skenë – në dukje të parë e shumëllojshme, kritike e demokratike – në fakt përbëhet nga një lloj i njëjtë njerëzish. Madje, shumë prej tyre janë edhe familjarë mes vete. Që të gjithë janë pjesë e një mendësie politike që udhëheqet nga intereset personale. Kjo s’është vetëvetiu gjë e keqe meqë shoqëritë e reja si kjo e jona kalojnë nëpër këto faza. Mirëpo, është e pamoralshme që kjo të fshehet dhe të pretendohet kinse në Kosovë skena publike është e ndarë sipas parimeve ideologjike dhe etikës profesionale. Kjo ishte një gënjeshtër e panevojshme dhe e neveritshme meqë ‘aderimet’ e sotme po i shpërfaqin synimet e vërteta të kësaj mendësie: dëshirën për pushtet dhe privilegje publike.

Këtë e kisha vërejtur qysh më 2007 kur mendova se angazhimi im më aktiv në skenën politike do të mund të ishte punë më e ndërgjegjshme publike, sidomos në prag të shpalljes së pavarësisë. Ne emër të kësaj ndihme iu bashkova ekipit të Hashim Thaçit i cili asokohe ishte në opozitë dhe nuk dihej nëse do t’i fitonte zgjedhjet. Tashmë e kisha të qartë se skena jonë publike përbëhej nga një grumbull i njëjtë njerëzish, të ndarë artificialisht nëpër ‘profesione’, ‘misione’ e ‘parime’. Për këtë edhe isha i bindur se kalimi im dhe i disa kolegëve të tjerë nga ‘shoqëria civile’ në skenë politike ishte veprim normal – dhe u befasova keq kur filluan ofendimete rënda dhe nëpërkëmbjet publike nga po këta që sot po aderojnë me vrap nëpërpartitë deridje të akuzuara e të ofenduara.

Me vite të tëra m’u desht ta barti damkën e një ‘tradhëtie’ që ia kisha bërë ‘parimeve’ të shoqërisë civile; damkën e një oportunisti publik, shërbëtori qeveritar, etj., etj. Sikurse sot, ashtu edhe atëherë e dija se këto ofendime s’ishin tjetër veçse një performans hipokrit nga njerëz që nuk kishin as parime e as mend.

Sot, i shoh shumë prej tyre duke e bërë të njëjtën gjë – madje në mënyra shumëfish më oportuniste se ne dikur. Sot, aderimet e ‘liderëve’ të shoqërisë civile po negociohen paraprakisht me rroga, poste qeveritare e partiake, radhitje në lista për deputetë… Mbase nuk e besoni, por atëbotë kur ne kaluam në ‘politikë’ ishte e turpshme të përmenden këto gjëra. U ftuam të angazhohemi si këshilltarë dhe këtë e pranuam. Pa diskutim për poste dhe pa negociatapër privilegje.

Natyrisht, kjo që e shoh sot tek ‘prurjet e reja’ është neveritëse për mua meqë doemos më kujtohen ofendimet dhe akuzat publike që na bëheshin.

Express: Madje disa nga këto figura pas aderimit edhe kërkojnë poste të larta. Çka do të thotë kjo ?

D.Gorani: Kjo do të thotë se cirkusit të quajtur skena publike demokratike i erdhi fundi i merituar. Tash po e shihni se brenda kësaj skene shoqërore gjithnjë ka ekzistuar vetëm një parim: ngarendja pas pushtetit. Madje, trendi i sotëm ka shkuar shumë larg në zhveshjen etike: kërkimi i posteve të larta dhe i privilegjeve po pranohet dhe po dëftohet publikisht. Ata që na ofendonin më herët sot bëjnë ‘selfie’ me kundërshtarët dhe armiqtë e deridjeshëm ‘parimorë’ e ‘ideologjikë’. Nesër, edhe këta do të ofendohen dhe do të pasohen me të tjerë – të cilët mbase qysh tash presin në rend për zgjedhjet e ardhshme. Kështu ka funksionuar kjo skena jonë publike prejse është themeluar pas luftës – si përzierje e aktivistëve lokalë, e grupacioneve kriminale dhe e donacioneve ndërkombëtare.

Express: A mendoni se aderimet që i kemi parë ditëve të fundit janë vetëm një interes i momentit i partive apo do të sjellin ndonjë kualitet?

D. Gorani: Këtë do ta tregojnë listat e deputetëve dhe radhitja e prurjeve brenda tyre. Kjo do ta dëshmojë shkallën e nevojës së partive për ta prezantuar veten si ‘progresive’ e ‘reformiste’. Mirëpo, mbi të gjitha, ky cirkus me prurje e aderime flet për një situatë të pandershme që po e prodhojnë liderët partiakë. Me këto, ata po përpiqen të distancohen nga kolegët e tyre partiakë, duke pranuar publikisht se më shumë i çmojnë ata që deridje i fyenin – se sa ata me të cilët bashkëpunuan me vite të tëra. Kjo është vërtet situatë e pahijshme dhe besoj se do të shkaktojë hidhërim të madh nëpër kryesitë e partive politike. E po ashtu është edhe navitet i paparë i liderëve partiakë të cilët nuk po e vërejnë se si përmes lajkave publike ndaj aderuesve po i shpërfaqin komplekset e veta klasore e kulturore.

Krejt në fund, përvoja ime modeste në politikë më dëfton se shumica e këtyre prurjeve është menduar të shërbejë vetëm si vegël marketingu – sa për ta rritur pak numrin e votave në ditën e zgjedhjeve. Madje, për aq sa e njoh udhëheqjen aktuale partiake në vend, as postet e tyre të ardhshme politike nuk do të kenë ndonjë ndikim reformist apo zhvillimor. Mos harroni se shumica e liderëve partiakë nuk vuan nga mungesa e këshillave apo e përvojës; ata nuk angazhohen në zhvillim të vendit jo pse nuk dijnë – por pse nuk është në interes të tyre. Andaj, nëse ‘prurjet’ mendojnë se kontributi i tyre do të jetë në edukimin dhe avancimin e kapaciteteve politike të liderëve dhe udhëheqjeve partiake – do të gabojnë rëndë. Partitë kanë nevojë për ta jo për ta ndryshuar skenën politike – por pikërisht për ta mirëmbajtur kështu siç është, të pandryshuar.

Më Shumë

S’është në Evropë, por në Kosovë – fshati Bellanicë shembull për të tjerët

Nuk është në Evropë por në Kosovë. Bëhet fjalë për fshatin Bellanicë në Malishevë. Bukuria, pastërtia e pamja mahnitëse janë disa nga karekteristikat e këtij...

Policia jep detaje për aksidentin me dy të vdekur në Suharekë

Një aksident mes një motoçiklete dhe një veture ka ndodhur në Shirokë të Suharekës. Këtë për Klankosova.tv e ka konfirmuar Drejtori i Policisë në Prizren,...

Lajmet e Fundit