14.8 C
Prizren
E shtunë, 27 Korrik, 2024

Ish-rektori Gashi heq nga CV-ja punimet e dyshimta

avancimi_543278Përveç ish-rektorit Ibrahim Gashi, edhe dy profesorë tjerë-Isa Elezaj e Skënder Ahmeti nuk kanë shënuar në CV-të e tyre edhe publikimet që i kanë bërë në revista me bazë në Indi. Ndërkohë, Bujar Dugolli nuk e ka shënuar në CV një publikim në revistën “Fokus” të Rasim Selmanajt. CV-të e të gjithë profesorëve të Universitetit të Prishtinës janë publikuar me kërkesë të u.d të rektorit Anton Berishaj.

Ish-rektori Ibrahim Gashi nuk i ka përfshirë në CV-në e tij të publikuar online në faqen zyrtare të Fakultetit Filozofik edhe punimet që dyshohet se i janë botuar në revista false indiane.

Publikimi i CV-së është bërë me kërkesën e ushtruesit të detyrës së rektorit Anton Berishajt që obligoi të gjithë njësitë akademike të bëjnë publike biografitë e profesorëve universitarë.

Berishaj pati premtuar publikisht në emisionin Jeta në Kosovë më 16 prill të këtij viti se do të obligojë njësitë akademike që të bëjnë publike CV-të e profesorëve. Ai pati dhënë edhe një premtim tjetër-publikimin e emrave të profesorëve që nuk sjellin për publikim kopjet e doktoratave dhe magjistraturave. Premtimi ende nuk është realizuar.

Ndërkaq Gashi i ka thënë gazetës se qëllimisht nuk i kishte përshkruar këto punime në CV-në e publikuar nga fakulteti, përkundër që ato i ndihmuan për t’u avancuar në gradën profesor i rregullt.

“Nuk bëhet fjalë për fshehje. Tashmë ato ekzistojnë si publikime, por në CV kam përfshirë vetëm shkrimet ku jam autor i parë”, ka thënë Gashi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Pikërisht avancimi i tij në profesor të rregullt nëpërmjet këtyre punimeve kishte çuar deri aty sa Gashi të jepte dorëheqje më 8 shkurt të këtij viti .

Ishte gjendur nën presion të protestave të studentëve e shoqërisë civile, të cilat i kishte quajtur të politizuara.

Ndërkohë të tri punimet e tij nuk kishin të bënin me historinë, lëminë të cilën ish-rektori Gashi e kishte studiuar.

Njëra trajtonte mineralet dhe menaxhimin e tyre, një tjetër privatizimin dhe sfidat e ardhshme në ekonominë e tregut të lirë dhe punimi i tretë trajtonte sfidat e menaxhimit të integrimit të Kosovës në Bashkimin Evropian.

Të gjitha ishin publikuar në revistën “International Journal of Enginering and Management Sciences”, me seli në Indi.

Për thirrjen akademike të profesorit të rregullt, të cilën e mban Gashi, Statuti i UP-së kërkon që ai të ketë së paku pesë punime, në revista me recension ndërkombëtar.

Në seksionin e CV-së ku kërkohet të vendosen punimet shkencore, Gashi ka renditur shtatë punime shkencore.

Por vetëm një prej tyre është e publikuar jashtë Kosovës, ndërsa gjashtë të tjerat në Buletinin e Fakultetit Filozofik dhe në dy revista të kolegjeve private “Iliria” dhe “Dardani”.

Rektorati i Universitetit të Prishtinës do të bëjë shqyrtimin e CV-ve të publikuara të profesorëve.

Në një përgjigje të shkruar, Zyra për Informim e këtij institucioni konfirmoi se është krijuar një ekip –i cili do të zgjerohet edhe me profesorë e ekspertë jashtë Kosovës-të cilët do të ekzaminojnë CV-të dhe do të japin rekomandime për rektoratin.

“Do të shqyrtohen me kujdes të gjitha gjetjet dhe rekomandimet dhe mbi këto baza do të parashihen veprimet dhe vendimet e organeve kompetente të Universitetit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës për Informim të Rektoratit.

Në të njëjtën revistë-“International Journal of Enginering and Management Sciences”, në bashkautorësi me ish-rektorin, ka publikuar edhe dekani i Ekonomikut, Skënder Ahmeti.

Ngjashëm si profesori Gashi, edhe dekani Ahmeti nuk e ka përfshirë këtë punim në CV.

Ahmeti i ka thënë gazetës se nuk e ka listuar punimin e tij në CV për shkak të “zhurmës mediale” që është bërë.

“Nuk e kam vendosë se sa zhurma u bë në media për punimet dhe revistën edhe nuk e vendosa”, ka thënë shkurt Ahmeti.

Bujar Dugolli fsheh punimin në revistën Fokusi

Nuk është i vetmi ish-rektori ai që ka fshehur për publikun punimet kontestuese.

Bujar Dugolli, dekan në Fakultetin Filozofik, ka lënë anash në CV-në e tij një punim të cilin e kishte përdorur për t’u avancuar në gradën e profesorit të asociuar.

Në muajin shkurt Gazeta Jeta në Kosovë kishte raportuar se si një punim i tij i publikuar në vitin 2005 në revistën javore informative “Fokusi” , i ishte llogaritur si publikim me impakt faktor, nga ana e komisionit recensues. Por kjo revistë nuk është pjesë e listës së revistave me impact factor (IF) të publikuara në faqen zyrtare të Thomson Reuters Journal Citation.

Bëhej fjalë për një fejton, të botuar në këtë revistë javore e cila drejtohej nga Rasim Selmanaj i AAK-së. Atëkohë edhe Dugolli ishte personalitet me pozitë në këtë parti. I ishte besuar drejtimi i Ministrisë së Tregtisë e Industrisë në qeverisjen e përbashkët LDK-AAK.

Dekani i Filozofikut ka dhënë dy arsye se pse nuk e ka vendosur këtë punim në CV-në e publikuar se fundmi. Arsyen e parë e ka lidhur me mediat, ndërsa të dytën me qejfet e tij.

“E para, nuk e kam vendosur pasi kam dashur të shikoj a po e kontrolloni ju. Ndërsa arsyeja e dytë është se CV-në time e shkruaj ashtu si dua unë. Vetë vendosi çka të përfshij aty, e çka jo”, i ka thënë gazetës Dugolli.

Zhushi: “Nuk kam dashtë të fshihem nga askush”

Ka edhe të tillë që nuk i kanë fshehur punimet e publikuara në revista që dyshohen të jenë false.

Ferdie Zhushi është profesoreshë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe ajo e ka shënuar në CV-në e saj edhe punimin “Testimi i indeksit Efi tek lumenjtë e vegjël malorë në vlerësimin e cilësisë në Kosovë”, ku është bashkautore.

Punimi qe publikuar në revistën “International Journal of Scientific and Research Publications” të Indisë”.

“Çfarëdoqoftë revista, unë nuk kam dashtë të fshihem nga askush, sepse rezultatet e publikuara janë origjinale dhe kjo është e rëndësishme për mua”, ka deklaruar Zhushi për Gazetën Jeta në Kosovë .

Ajo njëherit është edhe kryetare e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Ky organ ka statusin e trupit drejtues të Agjencisë së Akreditimit që është përgjegjëse për të kontrolluar cilësinë në universitete e kolegje.

Por nuk ka vepruar ngjashëm edhe profesori tjetër i shkencave matematiko-natyre Isa Elezaj, që është prorektor në Universitetin e Gjakovës dhe ish-dekan i FSHMN-së.

Ai nuk ka prezantuar në CV-në e tij punimin e publikuar në këtë revistë indiane.

Ai është bashkautor në një punim dyfaqësh që ka bërë pikë studimi efektin vitro të plumbit dhe temperaturës në gjakun e zogut të pulës.

Elezaj ende nuk ka dhënë përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë lidhur me këtë.

Më Shumë

Seanca e Kuvendit të Prizrenit dështon për shkak të mungesës së kourumit, pikat shtyhen për shtator

Seanca e Kuvendit të Prizrenit ka dështuar për shkak të mungesës së kourumit. Kryesuesja e Kuvendit, Antigona Bytyqi, konstatoi se vetëm 12 kuvendarë iu përgjigjën...

Nis restaurimi i ‘Kazermës së vjetër’ në Prizren

Ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se përmes një investimi në vlerë 500 mijë euro ka filluar restaurimi i ndërtesës “Kazerma...

Lajmet e Fundit