15.8 C
Prizren
E mërkurë, 29 Maj, 2024

Komuna e Prizrenit vazhdon ta injorojë Bekim Fehmiun

Shkruan: Fahri Musliu

Po vërtetohet për të satën herë, që nga shuarja (15.06.2010), se pushtetarët e Komunës së Prizrenit (ish PDK dhe tash LVV) po vazhdojnë, me konsekuencë, ta injorojnë figurën dhe veprën e aktorit më të madh shqiptarë të filmit në shekullin e kaluar, me famë botërore, Bekim Fehmiut, të cilin ai nuk e ka merituar me asgjë e me këtë edhe dëshmohet se pushtetet në Prizren nuk çajnë kokën për personat me vlera kulturore të përmasave botërore

Kulmi i këtij injorimi u dëshmua këtë vit kur Qeveria komunale refuzojë kërkesën, (e bërë para dy vitesh) për ndarjen e një hapësire (lokal) adekuate, në qendër të qytetit, për ekspozitë të përhershme të pankartave (posterëve) e fotografive nga filmat e Bekimit, të pikturave kushtuar atij, të librave të tij dhe për te, të filmave në DWD format, të gjësendeve tjera personale të aktorit. Në atë lokal, që do të ishte një Art galeri, (në ish Mega sportin, afër Lidhjes së Prizrenit), dhe e hapur çdo ditë për vizitorë nga vendi e bota, do të organizoheshin edhe takime e biseda mbi jetën dhe veprën e aktorit, ku vizitorët do të njiheshin për së afërmi dhe në hollësi me jetën e tij, por edhe për çështje të ndryshme kulturore të cilat mungojnë në Prizren dhe i mundojnë qytetarët, dhe artdashësit në veçanti.

Kjo hapësirë, për çudi u shndërrua në një qendër të “aftësimeve profesionale për zanate të ndryshme”, edhe pse për këtë ka lokale tjera në qytet e që janë të boshe.
Vendimi më drastik i qeveritarëve të Prizrenit, në këtë rast i kryetarit Haskuka, nëpërmjet vartësve të vet në Drejtorinë për Kulturë…ishte refuzimi i subvencionimit të filmit dokumentar të metrazhit të gjatë “Bekim Fehmiu” kushtuar jetës dhe veprës së tij, xhirimi i të cilit ka nisur në fund të janarit të këtij viti por për shkak të pandemisë, xhirimet u ndërprenë dhe projekti nuk u realizua sipas parashikimeve që filmi të shfaqet premierë më 15 qershor, në dhjetë vjetorin e shuarjes së aktorit. Për këtë vendim morëm një sqarim të çuditshëm nga zyrtari i kësaj drejtorie, Sazan Cukaj, se gjoja nuk ka qenë aplikacioni i kompletuar dhe se paskemi konkurruar jo për ofertën e parashikuar për subvencionime për shumën e kërkuar. Aplikacionin e kanë vlerësuar, në qershor të këtij viti, gjashtë anëtar të këtij komisioni: Sazan Cukaj (koordinator në Drejtorinë e Kulturës…), Ali Likaj, Fatlum Berisha, Figen Daka, Ljuljeta Braha, Igballe Rama.

Këta persona nuk janë fare nga fusha e kulturës, që do të thotë se nuk janë as kompetent, e madje për emrat e tyre as që kanë dëgjuar qytetarët e Prizrenit, e as këta për atë se kush është Bekim Fehmiu. Marr vesh se anëtarët kanë vendosur unanimisht, pa diskutim, për listën që u është ofruar nga kabineti i kryetarit të komunës

Kjo ndodhi edhe përkundër premtimeve të kryetarit prof dr. Mytaher Haskuka dhe drejtorit të deritashëm, Ehat Oreshka, se filmi do të mbështetet me shumën më të madhe të mundshme. Habia është edhe më e madhe kur, pikërisht në bisedë me kryetarin Haskuka, në fillim të shkurtit të këtij viti, jemi dakorduar për disa aktivitete për shënimin e 10 vjetorit të shuarjes së aktorit, por ai dakordim paska qenë joserioz, sepse të gjitha propozimet e mia e që, në parim, i miratoi kryetari, kanë rënë në ujë.

Përpos premtimit se komuna do ta përkrah realizimin e filmit (por duhet të konkurrojë në thirrjen për subvencione që do ta shpallë DKRS, që e bëra më 4.03.2020), kryetari Haskuka premtoi edhe mbështetjen e manifestimit treditësh në Prizren, me karakter ndërkombëtarë, me moton “Bekimi është gjallë”; shpalljen e Bekimit “Nderi i qytetit”; emërtimin e një rruge me emrin e tij (që ka ndodhur para tre muajve dhe atë në një rrugë prej 50 metrash gjatësie edhe pse propozova që rruga përgjatë Lumbardhit, prej Urës së Arastës deri në Marash, të quhet “Shëtitorja Bekim Fehmiut”, meqë ai si i ri ka kaluar shumë nëpër atë rrugë dhe këtë e përshkruan në hollësi në librin e tij autobiografik; vendosjen e një pllake në murin e shtëpisë ku ka banuar familja e Bekimit (1941-50); mundësinë e shndërrimit në muze të Bekimit, të po kësaj shtëpie; përkthimin në anglisht dhe turqisht të vëllimit të parë të librit autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme”, që është odë për Prizrenin dhe do të shërbente edhe si ciceron për turistët e huaj; riparimin e automakinës së Bekimit nga vitit 1968, për ekspozim diku në qendër të qytetit.

Bekimi është thesar i artë i Kosovës, e veçmas i Prizrenit, ku e ka kaluar rininë, i ka filluar hapat e parë të aktrimit, e ka dashur tej mase Prizrenin, për të cilin ka shkruar librin si askush deri më tash, dhe me hirin e trupit të tij i është kthyer ujit, tokës e qiellit të qytetit. Prandaj, institucionet e Prizrenit dhe qytetarët e tij ia kanë borxh Bekimit ta nderojnë, respektojnë, kultivojnë e afirmojnë figurën dhe veprën e tij, si shqiptar nga Prizreni e Kosova, i cili emrin e shqiptarit e të Kosovës e ka shkruar me shkronja të arta në majat e kinematografisë botërore, që deri sot nuk i ka arritur askush. E me këtë e afirmojnë edhe kulturën dhe qytetarinë e Prizrenit, dhe e zhvillojnë turizmin kulturor.

Prandaj, shtrohet pyetja se ata që kanë vendosur për refuzimin e filmit kushtuar Bekimit dhe anëtarët e Komisionit, duhet ti japin sqarim opinionit se në bazë të cilave kritere e kanë marrë një vendim të tillë skandaloz? Dhe është për keqardhje se pushteti i drejtuar nga “Vetëvendosja”, thuaja se po sillet njëjtë si ish pushteti i PDK.

Është e habitshme se si punonjësit, aktivistët dhe dashamirët e kulturës në Prizren, me pak përjashtime, përfshirë qytetarët e profesioneve të ndryshme – nuk reaguan fare ndaj vendimit të Qeverisë lokale për ta refuzuar subvencionimin e filmit dokumentar kushtuar figurës dhe veprimtarisë kolosi të artit të shtatë, Bekim Fehmiut. A mundën qytetarët e Prizrenit të pajtohen dhe të përkrahin vendime të tilla të institucioneve lokale me të cilat injorohet një figurë e kalibrit botëror, çfarë ka qenë Bekimi. A po rrëshqet kultura e Prizrenit në dekadencë totale, kur për atë vendosin njerëz jo kompetent të cilët pak kush ose askush nuk i njeh në qytet? A duhet të pajtohen me këtë vendim organizatat që merren me kulturë, në veçanti Teatri Profesional i Prizrenit që e mbanë emrin e Bekim të madh?

Nuk di si mund të quhet kjo heshtje e njerëzve të kulturës, veçmas e aktorëve e artistëve: si pajtim me vendimin apo si oportunizëm e indiferencë dhe shpërfillje e degradim të kulturës së Prizrenit edhe ashtu të rrënuar?

Edhe ideja për ta riparuar dhe ekspozuar makinën “Pezho 404”, nga viti 1968, që Bekimi ia kishte blerë nënës së vet Dijes, në qendër të Prizrenit, (afër shtëpisë ku ka jetuar Bekimi, tek Ura e kaltër) që e kam iniciuar para gati pesë vitesh, nuk po realizohet. Makinën në fjalë kohë të gjatë e ka përdorur Burim Myftiu të cilën ia kanë dhënë vëllezërit e Bekimit dhe ai më ka njoftuar para pesë vitesh se makina është në gjendje të mjerë në një oborr të një firme, dhe kërkon një riparim të thellë për tu ekspozuar. Ish Drejtori i Kulturës në Prizren, Ehat Oreshka i cili edhe është drejtues Oltimer klubit (dashamir i makinave të vjetra) para një viti më njoftoj se makina gjendet tek ai dhe më premtoj se e kanë vlerësuar sa kushton riparimi për çka paratë do ti sigurojë komuna. Mirëpo, edhe ky premtim nuk u realizua kurse zoti Oreshka është shkarkuar nga detyra.

Drejtoresha e re e Drejtorisë së “Kulturës…”, Emilija Rexhepi ka treguar gatishmëri për realizimin e të gjitha këtyre propozimeve dhe projekteve që kanë të bëjnë me figurën dhe jetën e Bekim Fehmiut, të cilit Prizreni ia ka borxh. Sepse Bekimi aktrimin e nisi në këtë qytet, ishte shqiptari i parë me akademi për teatër dhe film, aktori i parë nga bota komuniste i cili e theu perden e hekurt të komunizmit për të depërtuar në perëndim ku, si aktor i parë shqiptarë, i arrita majat e kinematografisë botërore, në Holivud. Bekimi e ka dashur Prizrenin më shumë se çdo qytet në botë, për çka edhe në vëllimin e parë të librit autobiografik “E shkëlqyeshme dhe e tmerrshme” i shkruan odë qytetit, si askush deri më sot, për çka edhe vendosi që, me hirin e trupit të tij të hedhur në Lumbardh, t’i kthehet tokës, qiellit dhe ujit të Prizrenit, të cilin aq shumë e dashti.

Duhet cekur se vitin a kaluar projektin në fjalë e refuzoi edhe Komisioni i Qendrës Kinematografike të Kosovës (QKK) duke subvencionuar katër filma të huaj, (projektin deri më tash e kanë mbështet apo kanë premtuar Qendra e Kinematografisë Kombëtare në Tiranë, Komuna e Prishtinës, Fondacioni për Shoqëri të Hapur). Shtrohet pyetja: si mund të kërkohet ndihmë nga institucione tjera jashtë Kosovës, kur ato vendore sillet në këtë mënyrë injoruese?

Të shpresojmë se këtë vit, Qendra Kinematografike e Kosovës, do të ketë më shumë vesh e mirëkuptim dhe do ta miratojë e subvencionojë filmin dokumentar “Bekim Fehmiu”, xhirimin e të cilit do ta vazhdojmë sapo të lejohen udhëtimet në botën e jashtme, meqë kanë mbetur të realizohen xhirimet në Itali, Francë, SHBA.

Më Shumë

Fillon edicioni i 21-të i manifestimit “Java e Remzi Ademajt – Shtigjeve të Lirisë” në Prizren

Manifestimi tradicional "Java e Remzi Ademajt - Shtigjeve të lirisë" ka nisur në Prizren me hapjen e edicionit të 21-të. Organizuar nga drejtoria e Arsimit,...

‘Ma ndjeu zemra’ – serbi ia vrau dy djemtë binjakë, përlotet lokja nga Prizreni

Nëna Mihrije Daçaj, djemtë binjakë të së cilës u vranë në Prizren gjatë luftës, tregoi në emisionin Kosova Today në Klan Kosova se zemra e saj...

Lajmet e Fundit