14.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Kurti në takim me ambasadorët e QUINT-it: Kemi qenë konstruktiv me propozime, por Serbia i refuzoi sërish

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi në takim me ambasadorët e QUINT-it kanë diskutuar lidhur me ecurinë e bisedimeve të shtunën në Ohër dhe për rezultatin e arritur aty me rastin e dakordimit publik për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë.

Përmes një komunikate për media nga Zyra e Kryeministrit është thënë se palët janë angazhuar plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e marrëveshjes.

“Në tekst të Aneksit të dakorduar në Ohër thuhet që Kosova dhe Serbia angazhohen plotësisht për t’i respektuar të gjitha nenet e Marrëveshjes dhe Aneksit, dhe për t’i zbatuar të gjitha detyrimet e tyre përkatëse – që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi – në mënyrë të përshtatshme dhe në mirëbesim”.

“Aty po ashtu thuhet se Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet të zbatohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri sërish ka theksuar se marrëveshje nuk u nënshkrua nga pala serbe sepse nga ana e Kosovës është treguar gatishmëri.

“Kryeministri Kurti theksoi se delegacioni i Republikës së Kosovës kanë qenë maksimalisht të përkushtuar dhe konstruktiv, por edhe kreativ me oferta e propozime që u refuzuan nga pala tjetër, e cila, sikurse në Bruksel me 27 shkurt, përsëri refuzon të nënshkruajë”.

Sipas tij, rruga për procedimin e aplikimit të Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe në Bashkimin Evropian është e hapur.

“Sa i përket anëtarësimit në Këshillin e Evropës, Kosova tashmë ka numrin e nevojshëm të votave të shteteve anëtare, ndërkohë që departamenti ligjor i Këshillit ka konfirmuar se nuk ka asnjë pengesë juridike për anëtarësimin e plotë të Republikës së Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme”.

Ky takim vjen pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç u pajtuan paraprakisht më 27 shkurt me planin 11-pikësh të Bashkimit Evropian për normalizimin e marrëdhënieve që për diplomacinë perëndimore vlerësohet shumë e rëndësishme dhe një sukses pas agresionit rus në Ukrainë.

Tani Bashkimi Evropian duhet të gjejë rrugë për t’i bindur palët që ta kuptojnë Marrëveshjen si obligim, dhe t’i implementojnë të gjitha pikat.

Në rastin e Serbisë, mendohet të bëhet përmes përfshirjes së Marrëveshjes në kornizën e negociatave të anëtarësimit në BE, ndërsa për Kosovën në Komisionin për Normalizim.

Kjo Marrëveshje nuk e përfshinë njohjen reciproke mes të dy vendeve, por kërkon nga të dyja që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat e veturave.

Po ashtu, nga palët kërkohet që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë.

Me  6 mars edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani kishte pritur në takim ambasadorët e vendeve të Quint-it dhe Shefin e Zyrës së BE-së, me të cilët kishte biseduar për dialogun me Serbinë dhe për aneksin e zbatimit të marrëveshjes bazë të 27 shkurtit e cila ka për qëllim normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

Presidentja kishte theksuar se Kosova vazhdon të mbetet palë konstruktive karshi dialogut me Serbinë, dhe vazhdon të jetë e përkushtuar për një proces i cili kontribuon në paqe, siguri dhe prosperitet të qëndrueshëm në vend e rajon.Albanian Post 

Më Shumë

Lajmet e Fundit