Gjatë vitit 2013 Kuvendi i Kosovës ka mbajtur gjithsej 54 seanca, prej të cilave 41 ishin seanca të punës, ndërsa ka miratuar 61 ligje. Kishte vetëm 3 interpelanca dhe 18 debate parlamentare. Sidoqoftë, kjo punë, nuk është e mjaftueshme për institucionin më të lartë të vendit. Vetë ligjvënësit thonë se përveç në nxjerrjen e ligjeve, Kuvendi në funksionet tjera, siç është kontrolli parlamentar i Qeverisë dhe mbikëqyrja e zbatimit të ligjeve, nuk ka qenë në nivelin e duhur gjatë vitit 2013.
Një vit jo shumë për t’u lëvduar ishte viti 2013 për Kuvendin e Republikës së Kosovës. Këtë e thonë edhe vetë përfaqësuesit e institucionit më të lartë në vend, të cilët madje këtë legjislaturë e vlerësojnë si më të dobëtën në historinë e Kuvendit të Kosovës që nga paslufta. Deputeti i PDK-së Arsim Bajrami pret që pas reformës zgjedhore të ketë një legjislaturë më të mirë.
“Mendoj se kjo legjislaturë ka vazhduar të jetë një prej legjislaturave me performancë apo me imazh më të dobët nga periudha e pasluftës. dhe unë pres që viti i ardhshëm të përmbyll pak a shumë këtë legjislaturë dhe pres që të bëhet reforma zgjedhore e cila do të ndikojë shumë në ngritjen e performancës së Kuvendit dhe ngritjen e besimit tek qytetarët për punën e Kuvendit”, tha Bajrami, transmeton RTK.
Ndaj shumicës parlamentare kritika ka deputeti opozitar nga Lëvizja Vetëvendosje, Rexhep Selimi, duke thënë se nuk e ka përfaqësuar vullnetin e qytetarëve.
“Mazhoranca nuk e ka përfaqësuar këtë vullnet, përkundrazi ka shkuar në kundërvajtje të këtij vullneti sidomos në çështjet më të ndejshme dhe më jetike për qytetarët e Kosovës, pra saktësisht kur bëhet fjalë për bisedimet me Serbinë.
Ndërsa deputeti i LDK-së, Sadri Ferati dëshiron më shumë pavarësi të deputetëve nga ndikimi i grupit parlamentar.
“Unë mendoj se ka pasur përkushtim dhe ka pasur momente të mira në Kuvend, por ajo çka do ta kisha dëshiruar që gjatë debateve për pika përmbajtësore mundësisht do të dëshiroja që deputetët të jenë më të lirë nga ndikimet e grupeve parlamentare për të reflektuar edhe mendimet për çështje të caktuara, sidomos nëpër komisione.
Sidoqoftë, duke pasur parasysh faktin se 2013-a ishte vit zgjedhor, Kuvendi i Kosovës, nga deputetët vlerësohet se ka arritur t’i nxjerrë një sërë ligjesh të nevojshme, mes të cilëve vlerësohet kompletimi i pakos kundër korrupsionit dhe strategjisë kundër korrupsionit dhe kompletimi i legjislacionit që ka të bëjë me reformën e sistemit gjyqësor.