Përpunimi i lëkurës për shekuj të tërë ishte njëra ndër zejet shumë të rëndësishme për të mbijetuar vetë shoqëria, kurse Prizreni ishte një qendër shumë e rëndësishme për shkak të zhvillimeve historike. Vendosja e sundimit osman u bë pas luftërave pushtuese, që kishin sjellë pakësimin e numrit të qyteteve. Me të vendosur sundimin e tyre, osmanët e ndryshuan fizionominë e organizimit të jetës qytetare.
Qytetet kryesore shqiptare ata i bënë qendra të ushtrisë e të administratës dhe i shndërruan në vatra të përhapjes së fesë dhe të kulturës islamike. Vlora, Elbasani, Shkodra, Prizreni, Vushtrria, Peja, Shkupi, Manastiri, Ohri, Janina e Delvina, pavarësisht nga madhësia që kishin, u caktuan si qendra sanxhakësh.
Rritja e numrit të banorëve
Pushimi i veprimeve luftarake, krijimi i qendrave ushtarake e administrative, që u shoqëruan me rritjen e kërkesës për mallra dhe me nevojën e shtimit të prodhimit, bëri të mundshme që nëpër qytete të tërhiqej një numër më i madh krahësh pune nga radhët e fshatarë- sisë, veçanërisht prej atyre që iknin nga timaret për t’i shpëtuar gjendjes së rëndë nën spahinjtë. Në fund të shek. XVI numri i banorëve të qyteteve ishte rritur. Kështu, Prizreni arriti në 557 shtëpi, Prishtina 506 shtëpi.
“Zejtaritë që morën hov të shpejtë ishin ato që lidheshin më tepër me përpunimin e produkteve bujqësore-blegtorale, siç ishin regjja e lëkurave dhe përpunimi i leshit. Derisa në shek. XVII kishte 55 lloje zejesh, në shek. XVIII këto arritën ne 80. Disa prej tyre ishin fespunues, lëkurëregjës, punues papuçesh, mëndafshpunues, përpunues lëkurësh”, thotë për “Kosova Sot”, Dr. Mejdi Elezi, duke shtuar se më të zhvilluara ishin degët e përpunimit të lëkurës, kjo zeje zinte vendin e parë. Dega e zejeve të përpunimit të lëkurës, sidomos të regjjes dhe të ngjyrosjes, përveç kërkesave të shumta të tregut të brendshëm dhe të ushtrisë, plotësonte edhe kërkesat e tregut të jashtëm.
Tabakët e Prizrenit dalloheshin për mjeshtërinë e regjjes, të përpunimit dhe sidomos të ngjyrosjes së lëkurës. Zejtarët shqiptarë punonin lëkurë të çdo lloji, me ngjyra të kuqe, të verdha, punonin meshinin e hollë të bardhë, saftjanin e butë, kajserin. Prodhimi i lëkurëve “kordovane” tërhiqte një numër tregtarësh të huaj. Lëkurëpunuesit punonin artikuj të ndryshëm, si shala, rripa, pajisje të ndryshme për popullsinë dhe ushtrinë. “Gëzoftarët punonin qyrke të bukura me lëkurë kafshësh të buta e të egra. Kështu Prizreni tanimë kishte ngritur lagjen e “Tabakhanës”, lagje e cila për shkaqe të zhvillimeve të ndryshme në vitin 2014 as që ekziston më si lagje. Tanimë në Prizren ka mbetur vetëm emri i kësaj lagje”, thotë mr. Samir Hoxha.
Epoka e lavdisë
“Përpunimi i lëkurës si për veshje dhe mbathje ishte trashëgimi e pasur e Prizrenit”, shton Hoxha dhe thotë se përpunimin e lëkurës e bënin edhe këpucëtarët e vjetër që për nevoja të dikurshme prodhonin opinga, qystele,këpucë për fëmijë dhe mbathje të kohës. Këpucëtarët e mëvonshëm vinin kryesisht nga familjet që dikur ishin familje saraçësh. I pari i saraçëve në Prizren thuhet se ka ardhur nga Budapesti, ku ai ishte një usta që në mbretërinë e hershme kishte mësuar të bëjë regjjen e lëkurës më pastaj ta transferojë atë në punim çizmesh ushtarake. Derisa ishte ndalur në Prizren, ngase regjjen e lëkurës e bënin që në kohët e lashta.
Për këtë fakt, edhe sot e kësaj dite lagjja ku ata punonin quhej “Tabakhane”. Nga mesi i shekullit XVIII, krijuesi më i njohur i Prizrenit ka qenë usta Riza Begu,deri në vitin 1818 thuhet se familja Bojniku këtë zeje e ka ushtruar në Bojnik të Leskovcit, pastaj e trashëguan bijtë Zejnullahu e Emërllahu, kurse po atë vit ka ardhur familja Hashimi nga Lebani i Leskovcit për ta përcjellë këtë traditë të usta Riza Begut. Zejen thuhet se e kanë mësuar shumë ustallarë të tjerë, siç ishin Abdulla Osmani,Qamil Shaqiri,Hamdi Bytyqi, pastaj vijnë djemtë e Muhamedit,Selim Dorambari,Isa Ahmeti,Zeqo Baruti,Raif Ajgeri,Ali Gashi,deri tek familja e Halit Spahiut,Ismajl Qemjalit, Rifat Memishit, duke ardhur tek familja e Ajrullah Tabakut,Hazër Alltiparmakut,Sefedin Laçit pastaj Ramiz Potori e kështu me radhë.
“Tani, në Prizren pothuajse nuk ka më lëkurëpunues, sepse tashmë kanë mbetur vetëm edhe dy- tre familjarë që në shtëpi e përpunojnë lëkurën në mënyrë klasike për tupanë e lodra, por ata tashmë nuk janë të shumtë”, thotë Arsim Berisha, historian, duke shtuar se lëkurëpunuesit e Prizrenit tanimë kanë shënuar pjesën e lavdishme të epokës së tyre dhe në arkiva të Dubrovnikut, Vjenës, Stambollit, gjenden emra të familjeve të Prizrenit që ishin të njohura në kohën e tyre.
(Kosova Sot)