Pa qëndruar më shumë se gjashtë muaj brenda një viti në Kosovë, qytetarët të cilët janë larguar dhunshëm nga puna në vitet e 90-ta, nuk do të mund të përfitojnë pensionin kontribut-pagues. Por, ata që do të preken nga përfitimi i pensionit janë bashkatdhetarët që me vite janë larg Kosovës.

Rezident, nënkupton praninë fizike në Republikën e Kosovës mbi 183 ditë në çdo periudhë kohore 12 mujore.

Sipas ligjit, pagesa e pensioneve ndërpritet nëse pensionisti nuk është rezident në Kosovë.

Ndërkaq, për zbatimin e kësaj dispozite, thuhet se ministria përgjegjëse mund të nxjerrë akt nënligjor.

Sipas njohësve të Kushtetutës, ligji është diskriminues për disa kategori të pensionistëve.

Kjo pasi sipas tyre, ligjet e shteteve të tjera nuk lejojnë që bashkatdhetarët të qëndrojnë jashtë shtetit më shumë se gjashtë muaj.

RTK ka kërkuar informacione nga Ministria e Financave në lidhje me atë se sa kosovarë që jetojnë jashtë Kosovës do të përfitojnë nga ky ligj, e po ashtu edhe në lidhje me atë nëse ekziston ndonjë mundësi që nga ligji të përfitojnë edhe ata qytetarë që nuk qëndrojnë në Kosovë mbi 6 muaj brenda një viti, megjithatë nga e njëjta nuk u janë përgjigjur pyetjeve të televizionit.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, pati thënë se nga ligji për skemat pensionale do të përfitojnë rreth 70 mijë qytetarë.