11.8 C
Prizren
E premte, 3 Maj, 2024

Mbi interpretimet paushall dhe debatet e kota

Shkruan: Albatros Rexhaj

Një interpretim i çuditshëm i historisë, nga një predikues fetar, nxiti një debat të stuhishëm. Nuk konsideroj se duhet përsëritur tezat që kanë qarkulluar këto ditë, prandaj do të shkruaj vetëm për zhgënjimin që ndiej përballë përpjekjes që identiteti kombëtar të shpjegohet nëpërmjet filtrave fetar.

Do t’ia nis troç dhe pa ekuivokë:

Disa, qëpajtohen me mendësinë e predikuesit që nxiti këtë debat, mendojnë se shqiptarëtë vërtetëjanë vetëm ata që i takojnë besimit islam, prandaj edhe ia japin vetes lirinë që të bëjnëinterpretim paushall të historisë. Nuk duhet shumë mend për të kuptuar se kjo logjikëështë trashëgimi e mendësisë mesjetare, ku popullata regjistrohej si turq (myslimanët), latinë (katolikët), grekë apo serbë (ortodoksët), pavarësisht se të gjithë flisnin shqip.

Disa të tjerë, që pozicionohen në taborin e kundërt, mendojnë se shqiptarët e vërtetë janë vetëm ata që i takojnë besimit të krishterë. Si argument të vetin përdorin praninë dymijë vjeçare të krishterimit ndër shqiptarë dhe krishterimin e propagandojnë si fe tëtë parëve.

Të dy palët në këtë debat kanë një emërues të përbashkët: agresivitetin dhe një arsenal masiv të fyerjeve.

Fatkeqësisht, në këtë debat, nuk ekziston një palë e tretë: ajo civile dhe e lirë nga dogmat dhe teoritë fetare të interpretimit të identitetit bashkëkohor të kombeve. Siç ndodh edhe në shumë raste të tjera, intelektualët (hiç ndonjë individ aty këtu), gjithnjë duke kalkuluar në interesa të tjera, edhe këtë debat e kalojnë në heshtje dhe lejojnë që fanatikët dhe dogmatikët (jo vetëm) fetar të udhëheqin diskursin publik.

Ajo që muamë shqetëson është përpjekja për të rishkruar parimet themeltare mbi të cilat është krijuar identiteti bashkëkohor i kombit shqiptar. Është për keqardhje të shohësh se si në kohët tona (shekulli 21) tregohet verbëri dhe injorancë shumë më e thellë se në kohën e Rilindjes Kombëtare (shekulli 19). Nuk dua të bëj leksion historie, por ndiej se duhet rikujtuar disa gjëra.

Në kohën kur u krijuan kombet bashkëkohore (shekulli 18 dhe 19), fqinjët tanë u përcaktuan për njësimin e identitetit kombëtar me atë fetar: nuk mund të ishe serb apo grek nëse nuk ishe edhe ortodoks, ndërsa nuk mund të ishe turk nëse nuk ishe mysliman. Si rrjedhojë e kësaj, grekët u lëshuan në fushatë agresive që shqiptarët ortodoksë të deklaroheshin si grekë. Të njëjtën kanë bërë edhe serbët, me ata pak shqiptarë ortodoksë që kanë jetuar në trojet veriore, si dhe kanë tentuar një fushatë të egër të presionit mbi shqiptarët katolikë që të konvertoheshin në ortodoksë të ritit kishtar serb. Në anën tjetër, në përpjekjen e tyre për të krijuar kombin bashkëkohor turk, turqit shpallin gjuhën turke dhe besimin islam si emëruesin e përbashkët, duke synuar shlyerjen e origjinave të ndryshme etnike të atyre që bëhen pjesë e kombit të ri turk. Në një kontekst kaq të egër rajonal, intelektualët e Rilindjes Kombëtare (myslimanë, ortodoksë dhe katolikë) krijojnë një model krejtësisht ndryshe nga të gjithë kombet e rajonit dhe unik në të gjithë Evropën: modelin multifetar të kombit.

Rilindja kombëtare e përkufizon kombin shqiptar si një komb me emërues të përbashkët gjuhën dhe origjinën, ndërkaq besimin fetar e përcakton si diçka personale dhe që duhet respektuar nga të gjithë (jo shlyer, siç bëri më vonë dogma komuniste). Intelektualët e Rilindjes Kombëtare ishin shumë të vetëdijshëm se vetëm krijimi i një modeli të tillë (bashkimi përreth gjuhës dhe gjenezës së përbashkët) mund ta shpëtonte popullin shqiptar nga shthurja dhe asimilimi në turq, serbë apo grekë. Si rrjedhojë e kësaj gjetjeje gjeniale, gjatë Rilindjes Kombëtare, p.sh. shqiptarët myslimanë e përqafojnë Gjergj Kastriotin si hero të tyre kombëtar, ndërsa shqiptarët e krishterë e pranojnë Ismail Qemajlin si baba të shtetit bashkëkohor shqiptar, duke krijuar kështu një model qytetarie të cilin edhe kombet më të avancuara kanë dështuar ta bëjnë – shih të gjitha ndarjet dhe luftërat civile që janë bërë dhe vazhdojnë të bëhen për çështje sektare.

Jam i vetëdijshëm se tifozeria në temën e identitetit është një sport shumë eksitus, por të gjithë ata që bëhen pjesë e kësaj tifozerie duhet të jenë të vetëdijshëm se po bëhen pjesë e një përpjekjeje që ta kthejnë diskursin e të menduarit në gjendjen e para Rilindjes Kombëtare. Dhe për mua kjo është fatkeqësia më e madhe që mund t’i ndodhë popullit tonë.

Të gjithë ata që, në arrogancën apo marrëzinë e tyre, vendosin besimin fetar si emërues të identitetit kombëtar; ata që mendojnë se vetëm myslimanët janë shqiptarë të vërtetë (duke u thirrur në supremacinë numerike) apo se vetëm të krishterët janë shqiptarë të vërtetë (duke u thirrur në religjionin e të parëve), duhet të jenë të vetëdijshëm se janë duke jetuar në shekullin e gabuar dhe se janë vonuar për 200 vjet. Ndërkaq, nëse qëllimi i tyre është që të rishkruajnë parimet themeltare të krijimit të identitetit bashkëkohor shqiptar, duhet ta deklarojnë një gjë të tillë dhe atëherë duhet të marrin një përgjigje të merituar dhe të fuqishme nga të gjithë ne.

Dyqindtë vjet më parë, rilindësit tanë (nuk duhet të harrojmë se në mesin e tyre ka pasur shumë klerikë nga të gjitha besimet) e kanë zhvilluar debatin nëse feja është para kombit apo kombi para fesë dhe e kanë kuptuar se në thelb ky është një debat i kotë. Besimtarët e devotshëm besojnë në atë se ndarja në popuj dhe gjuhë të ndryshme është vullnet i vetë Zotit dhe rrjedhimisht nuk ndihen të obliguar të përfshihen në këtë debat (pasi që e shohin njëjtë si debatin nëse veza e ka bërë pulën apo pula vezën), ndërsa ateistët shohin vetëm gjysmën e kësaj dileme, pasi që nuk e arsyetojnë ekzistencën e religjioneve. Është për t’u habitur si ne (pas dy shekujsh) tregojmë shkurtpamësi dhe regres duke lejuar që të rikthehet ky debat.

Në mendimin tim, parimet themeltare që i kanë vendosur rilindësit tanë, paraqesin shtyllat e asaj që mund të cilësohet qytetërim i vërtetë evropian – të bashkohemi në vlera të përbashkëta dhe të lëmë anash ato që na ndajnë.Rrjedhimisht kombi shqiptar, edhe pse i varfër dhe i shtypur, është ndër të paktit në Evropë që ka ndërtuar identitet vërtet evropian. Dhe, për mua, kjo është një vlerë e madhe që duhet mbrojtur dhe për të cilin të gjithë duhet të ndihemi krenar.

Në fund, pasi që e di se njerëzit më shumë merren me autorin dhe jo me idetë e tij, mendoj se duhet t’i them dy fjalë për mënyrën si unë e ndiej veten: jam shqiptar, si në gjuhë ashtu edhe në gjenezë; i takoj besimit islam dhe, në të njëjtën kohë, ndihem krenar për të parët e mi të krishterë si dhe ata të tjerët që ishin para tyre. Por, dhe kjo është më e bukura, mjafton të them se ndihem shqiptar, ndërsa besimi është çështje e imja personale dhe nuk duhet t’i hyjë askujt në punë./Gazeta Express/

Më Shumë

Me lot në sy, Kiara publikon foton e Luiz Ejllit duke mbajtur vajzën në krahë

Luiz Ejlli dhe Kiara Tito dje janë bërë prindër për herë të parë. Kiara ka ndarë me ndjekësit një foto të papublikuar më parë, direkt...

Ylli për finale, Peja për barazim të rezultatit – nesër zhvillohet gjysmëfinalja e katërt

Beteja mes Golden Eagle Yllit dhe Pejës do të vazhdojë të mërkurën mbrëma për kualifikim në finale të “Play-off”-it në Prince Caffe Superligë. Therandasit po...

Lajmet e Fundit