1.8 C
Prizren
E hënë, 4 Mars, 2024

Mbi një mijë raste të parave të falsifikuara për 11 muaj/ Mehmeti: Të shmanget pagesa me para kesh

Numri i rasteve të raportuara për para false në Kosovë dita-ditës po rritet.

Madje, qytetarët dhe bizneset kohëve të fundit po përballen me probleme të mëdha sa i përket monedhës 2 euroshe false e cila ka marrë përmasa të mëdha, shkruan Front Online.

Raste të shumta të raportuara në polici për para false

Në raportin 24 orësh të Policisë, pothuajse çdo ditë raportohet për raste të falsifikimit të parasë.

E, vetëm për 11 muaj kjo shifër ka kaluar në mbi një mijë raste.

“Policia nga 1 janari e deri më 30 nëntor të këtij viti ka iniciuar 1084 raste ‘falsifikim i parasë’, thuhet në përgjigjen e Policisë për Front Online.

Në Policinë e Kosovë nuk kanë treguar se në cilat rajone po ka raste më të shpeshta të raportimit të parave false.

 

Ish-guvernatori Mehmeti: Numri i parave të falsifikuara në rritje

Që numri i raste të parave të falsifikuara është në rritje e thotë edhe ish-guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti.

Por, deklaron se nuk ka të dhëna të sakta se sa është numri i parave të falsifikuara në vend që janë në qarkullim.

“Të dhënat e fundit tregojnë se ka vazhduar rritja e kartëmonedhave dhe monedhave që janë të falsifikuara. Ndonëse, nuk mund të ketë të dhëna të sakta se para të falsifikuara janë në qarkullim në këtë rast qytetarët, tregtarët janë në kontakt të vazhdueshëm me këto para dhe nuk kanë njohuri të mjaftueshme e as eksperiencë për t’i identifikuar paratë e falsifikuara”, ka thënë Mehmeti.

Mehmeti deklaron se në atë vend ku qarkullimi më i madh i parave është kesh, ekziston mundësia më e madhe që të ketë tentativa më të shpeshta për para të falsifikuara.

“Mund të themi që ka tentativa sidomos në Kosovë ku është një ekonomi që qarkullon vlera e lartë e keshit, që është një ndryshim nga vendet tjera ku paraja fizike ka ardhë në rënie si vlerë. Tentativat për para të falsifikuara mund të jenë të shpeshta por masat gjithashtu duhet të jenë shumë të shpejta që në raste konkrete është dashtë të veprohet. Duhet të kihet kujdes nga paratë kesh, përgjithësisht klientët nuk janë në dijeni që janë duke futur një kartëmonedhë të falsifikuar në bankë. Sektori bankar në Kosovë përdor identifikimin me kamera dhe aparatet e numërimit të keshi”, ka shtuar ish-guvernatori Mehmeti.

Ai ka një thirrje për të gjithë qytetarët.

“Në këto raste thirrja ime për të gjithë qytetarët është që duhet të shmangin pagesën me kesh pasi që mundësitë për të rënë në kontakt me kartëmonedha të falsifikuara janë shumë të mëdha. Çdo biznes por edhe qytetarët të jenë të kujdesshëm”, është shprehur ndër të tjera Mehmeti.

Ish-guvernatori ka treguar se tentativa për të futur para false në Kosovë ka pasur edhe në vitin 2022 gjatë sa ky i fundit ishte në këtë pozitë, por se kanë reaguar shpejtë.

Ndërsa, thotë se tash nuk ka ndodhur e njëjta gjë.

“Ne edhe në vitin 2022 kemi pas tendenca që të futen para të falsifikuara, por reagimi jonë ka qenë shumë i shpejtë. Nuk ka pas reagim, ju e dini që Policia e Kosovës ka reaguar e para, e pastaj BQK-ja ka dalë me një reagim pas tri apo katër ditëve”, ka shtuar ai.

Front Online për këtë çështje ka kërkuar përgjigje edhe në Bankën Qendrore të Kosovës, por të njëjtit nuk kanë kthyer përgjigje.

 

Kaçaniku për paratë e falsifikuara: Të ketë inspektime e të kontrollohet kufiri

Selatin Kaçaniku nga shoqata “Konsumatori”, ka deklaruar për Front Online se paratë false në Kosovë janë bërë problem i madh.

Dhe, se kjo sipas tij ka ndodhur për shkak që ka pasur vonesë në reagime të shpejta.

“Natyrisht që është bërë një problem shumë i madh për arsye sepse ka vite e vite që po e durojmë këtë terror me para të falsifikuara qoftë në monedha metalike, qoftë në kartëmonedha. Me vonesën e reagimeve, me vonesën e ndërmarrjes së masave të duhura ne tash kemi probleme jo vetëm me 2 euro false, por edhe me 1 euro, 0.50 cent”, ka deklaruar ai për Front Online.

Që të mos ndodhin këto probleme me para false, Kaçaniku thotë se reagimi i parë është dashur të bëhet në pikat kufitare.

“Ajo që është dashtë të bëhet ka qenë dashtë që të reagohet menjëherë dhe reagimi i parë është dashtë të bëhet në kufi, sepse këto para natyrisht që nuk kanë hyrë në rrugë bankiere por kanë hyrë në rrugë ilegale”, ka shtuar ai.

Ndërsa, ka edhe një apel për Qeverinë.

“Pra këto më nuk guxojnë të na ndodhin, pra kufiri duhet të ketë kontroll më të fortë, pro edhe qytetarin konsumator qeveria përmes mekanizmave dhe institucioneve që i ka duhet ta informojë, ta vetëdijësojë, ta mësoj për të qenë partner i shtetit siç po shihet inspektimet janë të mangëta dhe të pamjaftueshme”, është shprehur Kaçaniku.

Me Kodin Penal të Kosovës, kushdo që prodhon, vë në qarkullim, transporton, pranon, përdor ose posedon para të falsifikuara, me qëllim që t’i vendosë në qarkullim si të vërteta, dënohet prej 1 deri në dhjetë vjet burgim.

Më 29 nëntor të këtij viti Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) një operacion të përbashkët me Policinë e Kosovës, kanë arrestuar në flagrancë gjashtë persona, të cilët dyshohen për prodhim dhe vënie në qarkullim të parave të falsifikuara, konkretisht monedha metalike 2-euroshe.

Nga ky aksion, janë sekuestruar thasë me para në vlerë mbi 85 mijë euro

Nga janari deri në shtator të vitit 2023, në laboratorin e Agjencisë së Forenzikës u ekzaminuan mbi 35.000 monedha të falsifikuara dhe 2.209 kartëmonedha të falsifikuara.

Në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ekspertët e forenzikës ekzaminuan 9.309 monedha të falsifikuara dhe 645 kartëmonedha.

Në fillim të këtij muaji Banka Qendrore e Kosovës ka dalë me disa udhëzime pas shpeshtimit të rasteve të qarkullimit të parave të falsifikuara në tregun vendor.

BQK udhëzon bizneset që furnizimin me monedha ta bëjnë vetëm përmes bankave, monedhat e pranuara t’i verifikojnë para se të njëjtat t’i riqarkullojnë, të punojnë në vetëdijesimin dhe trajnimin e punonjësve dhe mënyrën e identifikimit të tyre.

BQK-ja vlerëson se të gjitha paratë origjinale në euro, pa përjashtim, janë mjet i vlefshëm pagese në Kosovë dhe se asnjë autoritet tjetër nuk mund të vendosë për ndalimin ose lejimin e asnjë instrumenti të ligjshëm të pagesave./Front Online

Më Shumë

Lajmet e Fundit