16.8 C
Prizren
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Petkoviq sjell në Prizren porosi nga Vuçiq, e quan Kosovën “krahina jonë”

Drejtori i Zyrës Qeveritare të Serbisë për Kosovën, Petar Petkoviq, vizitoi objektet fetare ortodokse dhe takoi besimtarë të martën në Prizren.

Bashkë me klerin fetar dhe ministrin në qeverinë kosovare, Goran Rakiq, mysafiri eci nëpër qytetin historik të Kosovës.

“Nga Prizreni mbretëror i përshëndesim gjithë njerëzit e vullnetit të mirë, prizrenasit e moçëm i kujtojnë edhe ato ditë kur në këtë qytet jetonin mbi 10.000 serbë. Tani s’ka më. Njëjtë është edhe në Klinë, Istog, Pejë dhe Prishtinë”, tha Petkoviq.

Petkoviq, që është edhe udhëheqës i delegacionit të Beogradit në bisedimet e Brukselit, thotë se me paratë e shtetit të tij u rregulluan kishat dhe manastiret ortodokse që u dëmtuan më 2004.

Ai s’e përmendi faktin që qeveria në Prishtinë, ndër vite, ka ndarë miliona euro për këtë punë. Politikën nuk e la anash.

“Ju sjell përshëndetjet e presidentit Vuçiq, që lufton çdo ditë që populli ynë të mbetet në Kosovë, por edhe të mbrojmë interesat tona në krahinën tonë. Po insistojmë në Bruksel dhe po kërkojmë dialog e bashkëjetesë që na duhet shumë, si dhe zgjidhje kompromisi që do jetë themeli i pajtimit mes shqiptarëve dhe serbëve”, shtoi zyrtari serb që me leje të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës bëri vizitën në Prizren.

Zyrtari serb për një kohë të gjatë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës nuk kishte leje vizite, por kësaj radhe ai u lejua të qëndrojë këtu për dy ditë./Klan Kosova/

Më Shumë

Lajmet e Fundit