Fshati Planejë pas Luftës së Dytë Botërore, shndërrohet në çerdhe të atdhetarëve që nuk pajtoheshin me regjimin jugosllav dhe PKJ-në dhe vepruan disa vite në male për ta kundërshtuar riokupimin serb. Në këtë aspekt duhet veçuar atdhetarin Hajdar Malokun, i cili ishte në atë kohë në dy fakultete në Itali dhe profesor në gjimnazin e Prizrenit. Në luftën e fundit të UÇK-së, ky fshat shërbeu si shtegu me i suksesshëm për bartje të armatimit. Përmes Planejës u furnizuan me armatim me mijëra luftëtarë. Ndër të parët veprimtarë të furnizimit ishte Hajdar (Gusha) Kasolli e me vonë ky fshat u shndërrua i tëri në shtëpi furnizuese për UÇK-në për çka u bombardua nga forcat okupuese serbe në tërësi, duke mos mbetur as edhe një shtëpi në këmbë. U sulmua me artileri serbe edhe Teqeja e tyrbja dhe shkolla e këtij fshati.
Njëri ndër studiuesit e kësaj ane prof dr. Nexhat Çoçaj për “Kosova Sot” tregon se Pleneja si vendi më i afërt me Majën e Pashtrikut, në njërën anë dhe në anën tjetër më afër nga dy vendbanimet mesjetare të Pashtrikut T’BANA dhe TRUMSHI ka luajtur rol të rëndësishëm në strategjinë e mbrojtjes kombëtare. “Kështu fillimisht na kthen tek luftërat e Skënderbeut që është e njohur Shpella e Grave në mes Planejës dhe Kalasë së Skënderbeut, shpellë që ka shërbyer për mbrojtje në rast të sulmeve të ndryshme ndër luftëra edhe në kohën osmane.
“Planeja në kohën e Lidhjes Shqiptare do të njihet përmes Sheh Tahirit, i cili ishte themelues i Teqesë në këtë fshat dhe bashkëluftëtar i Ymer Prizrenit e Abdyl Frashërit. Ndërsa në periudhën e Pavarësisë së Shqipërisë, Planeja do të bëhet e njohur përmes atdhetarit të këtij vendi Sheh Sylejmani, i cili ishte bashkëveprimtar i Hasan Prishtinës e Bajram Currit dhe veprimtarëve të tjerë të çështjes kombëtare”, tregon prof. dr. Çoçaj, shkruan gazeta Kosova Sot.
Rrjeti i vjetruar i energjisë elektrike rrezikon banorët
Kryetari i këtij fshati, Zenun Shehu, thekson se Planeja ka pasur emër e respekt jo veç në Has, por në të gjitha trojet shqiptare, porse nga paslufta tregon se Planejën e kanë lëshuar 100 familje. Kurse nga ato 80 familje sa janë atje, janë 30 që jetojë me ndihma sociale. Ai shton se në këtë fshat ka varfëri të skajshme. Shehu thekson se problemi që ende vazhdon të mos tejkalohet në këtë fshat është rrjeti tepër i vjetruar i energjisë elektrike dhe disa rrugë që s’kanë përfunduar. Tregon se rrjeti i energjisë elektrike është tepër i vjetër dhe nuk plotë- son asnjë kusht për siguri të këtyre banorëve. “Ne gati të gjithë jemi të rrezikuar nga ndonjë defekt që mund të marrë edhe jetën e ndonjë njeriu, ngase rrjeti është tepër i dobët. Rreziku nga ky rrjet është gjithmonë permanent”, tregon kryetari i fshatit.
Gjatë verës probleme me ujin e pijshëm
Kurse drejtori i shkollës së Planejës, Halil Shehu, tregon se shkolla në Planejë ka 234 nxënës. Ai thekson se nxënësit atje në përgjithësi i kanë kushtet e vështira ekonomike. Shton se banorët që u larguan nga fshati pikërisht u larguan në kërkim të kushteve më të mira të jetës, në qytet apo edhe në vende të tjera. Shumica e këtyre banorëve, tregon ai, gjatë dy muajve të verës përballen me mungesën e ujit të pijshëm. Ai tregon se tashmë sado që kushtet janë përmirësuar, vetë reliefi i largët i Planejës ka bërë që nga fshati të largohen familje të tëra. Kryetari i fshatit, Zenun Shehu, nuk harron të përmend shumë angazhime, të cilat i kanë kryer këta banorë të Planejës në të mirën e Kosovës.
Të gjithë këto janë bërë në shërbim të Kosovës. “Por, ja që shumica e këtyre banorëve edhe për shkak të largë- sisë nga qendra kanë mbetur nën mëshirën e kohës, sepse nuk kanë arritur të punësohen dhe kushtet e jetës kanë diktuar që banorët të përballen me probleme të shumta. Prandaj, jo më pak se 30 familje të këtij fshati si burim të vetëm e kanë ndihmën sociale”, është shprehur Zenun Shehu. Ai tutje shton: “E si mund të jetohet me një ndihmë sociale. Unë besoj se nuk duhet shumë koment”, është shprehur Shehu.
(Kosova Sot)